2017-04-03

Refleksione rreth librit “ Shqiptarët në tokën e ëndërruar” të Rush Dragut.



Nga : Gjovalin Çuni 

 Libri më i fundit i Rush Dragut, është një kontribut i shtuar personal, por edhe i gazetarisë shqiptare, andej dhe këndej Atlantikut.

Libri duhet të lexohet i parë në dy aspekte, atë të gazetarisë si dhe të publicistikës, që në rastin konkret kalojnë përmes intervistave personale dhënë gazetarëve, por edhe të intervistave të bëra nga vetë autori në mediume të ndryshme, me personalitete të komunitetit shqiptaro-amerikan, dhe të miqve të tyre, mes të cilëve edhe me shkrimtarin e njohur, dramaturgun, poetin dhe romancierin Fadil Kraja.

Mjeshtrat e mendimit citohen të kenë thënë: “Të bësh pyetje është më e vështirë se t’i përgjigjesh atyre”. Për autorin, intervistat, kjo formë e pasqyrimit publcistik të medias së shkruar nuk para qesin vështirësi, pasi ai njeh shumë mire, jo vetëm komunitetin që i përket, por edhe arritjet dhe problematikat e tij. Ai ka vite që e ushtron profesionin, por edhe mjeshtrinë e gazetarit e jo vetëm ka dije të plota rreth asaj që pasqyron, por zotëron edhe mjeshtrinë gazetareske të lidhur me të mbledhurit e fakteve, verifikimin, përzgjedhjen dhe përpunimin të tyre deri në botim.

 Kjo vërehet më së miri në botimin më të fundit: “Shqiptarët në tokën e ëndërruar”.

Intervista e cilësuar si formë e pasqyrimit publik ka funksion të dyfishtë, pasi lidh kumtin me interpretimin duke vendosur raporte të caktuara mes pasqyrimit dhe asaj që pasqyrohet, mes atij që pyetet dhe atij që përgjigjet.
Në libër autori është në rolin e të intervistuarit dhe të intervistruesit. Në rastet e intervistave të dhëna në “Albavision” dhe “ACTV”, ai ka zgjedhur të japë opinionet e tija rreth tematikave, që ngjallin interes, dhe që akoma janë “një fushë beteje” për gazetarinë dhe historinë shqiptare, siç janë problemet politike, ekonomike dhe kulturore të Shqipërisë post – komuniste, por edhe probleme të ndryshme historike, që ndihmojnë në shkrimin e saktë të historisë shqiptare.

Në të dyja fushat opinionet e tija janë të sakta. Autori ishte vetë i përfshirë në proçeset demokratike, pas shëmbjes së komunizmit në vitin 1990-1991, duke kryer deri në vitin 2000 disa funksione politike dhe administrative në zonën e Malësisë së Madhe, si përfaqësues i Partisë Demokratike, forca e parë politike opozitare në Shqipëri.

Ai nuk ngelet prapa as në trajtesat historike. Teksa lexon intervistat rreth problemeve të Kryengritjes se Malësisë së Madhe të vitit 1910-191 dhe Kryengritjes antikomuniste të Malësisë së Madhe të vitit 1945, vlerësimin rreth figurave qëndrore të këtyre kryengritjeve, si: Dedë Gjo Luli e Prekë Cali etj., të krijohet përshtypja se kemi të bëjmë me një historian të vërtetë, që di të zgjedhë dhe të analizojë faktet duke qenë objektiv, transparent dhe i sinqertë.

Mendimet e shprehura e analizat e bëra ndihmojnë lexuesit, sidomos ata të gjeneratës së re të emigracionit shqiptaro- amerikan, për të kuptuar problemet politike të Shqipërisë të viteve të para të sistemit demokratik, probleme që vijojnë të jenë akoma të pranishme dhe të pazgjidhura përfundimisht edhe në ditët e sotme.

Në pjesën e dytë në libër, sipas një tematike të caktuar nga autori, janë përcjellë mendime dhe opinione të njerëzve të fushave të ndryshme të diasporës shqiptare; biznesmenë, publicistë, njerëz të shquar të kulturës dhe sportit.

Përmes pyetjeve të sakta autori i ka bërë ligjëruesit të shpalosin mendimet e tyre rreth problemeve për të cilat janë ftuar.

Libri i takon publicistikës, por një lloj publicistike të bashkëndarë. Autori, realitetin e ri, që të krijon toka e ëndërruar e analizon duke u mbështetur tek vetja, por edhe tek njerëzit që e rrethojnë. Kësisoj në këtë libër është shkruar historia personale, por edhe historitë e jetëve të tjera të komunitetit shqiptaro – amerikan, të cilat ndonëse kanë ndryshuar në kohë e hapësirë, përpiqen të krijojnë jetën e re duke ngelur përherë të lidhur me rrënjët e prejardhjes.

Në libër “thelbi i gjasë”, kur i thuhet në gjuhën e popullit, nuk janë sensacionet e jetës së personaliteteve të komunitetit ky jeton, por përkundrazi, Rush Dragu përmes intervistave të tija përpiqet të pasqyrojë “mikrobotën shqiptare” të krijuar brenda asaj toke të ëndërruar ndër vite nga ata; botë që më tepër se vendi i tyre i ndihmoi të shkruanin suksesin.

Në Amerikë ka edhe mjete të tjera informimi, por puna e bërë nga Rush Dragu në rrjete të ndryshme informative ka ndihmuar në rritjen e suksesit të gazetarisë shqiptare në përgjithësi. Ajo wshtw modeli i një gazetarie të pakapshme dhe të dhunueme nga pushtetet; të një gazetarie të bazuar gjithnjë në informim të drejtë dhe të paanshëm të ngjarjeve që ndollin në komunitet dhe në atdheun e tyre.

Libri i Rush Dragut është një mozaik personazhesh dhe ngjarjesh edhe nga Shqipëria; një dokumentar i përpjekjeve të brezave për intergrim; i realizimit të ëndërrave për një jetë më të mirë, në një tokë bazuar në përpjekjet e të gjithëve për lartësimin e vendit ku jetojnë, Amerikës së ëndërruar në shekuj, dhe nga të gjithë.

Le të lexojmë këtë libër për të kuptuar e njohur më mirë, veten dhe tjetrin; le ta lexojmë këtë libër, me të cilin një ditë nipat dhe stërnipat e Shqipërisë do të krenohen para fëmijëve të tyre dhe fëmijëve të fëmijëvë të tyre.

No comments:

Post a Comment