4.26.2017

SI TE MBRONI TE MBJELLAT E JUAJA PA PERDORIMIN E PESTICIDEVE DHE MJETEVE TJERA KIMIKE ?


Kafshët e dobishme - ndihmëse në luftë. Që në kopsht të mund të aplikohet mbrojtja biologjike, nuk duhet ndjekur të gjitha kafshët, sepse nuk janë që të gjitha armiq. Është mjaft e rëndësishme që të mbahen shtazët e dobishme. sepse ato ndihmojnë në luftën kundër dëmtuesve. Në procesin e asgjësimit të dëmtuesve ndihmë të madhe ofrojnë shtazët që ushqehen me këta dëmtues. Ndihmësit më të mirë janë zogjtë, iriqët dhe bretkosat, të cilat hanë kërmij por edhe disa insekte siç janë mollëkuqja krahë rrjete janë armiq natyralë të morrave të gjetheve.

Mollëkuqet dhe insektet e ngjashme në ditë hanë deri në 400 morra gjethesh. Që mollëkuqet të kenë çfarë të hanë, nuk duhet asgjësuar morrat e parë të gjetheve që paraqiten në pranverë, sepse kështu do të zvogëlohet numri i mollëkuqeve që edhe ashtu ka shumë pak. Nëse është e mundshme, është mirë që në kopsht të keni një moçal të vogël dhe të mbillni bimë uji, ku do të jetonin bretkosat dhe rreziku nga kërmijtë do të jetë shumë i vogël.

Zogjtë në ditë mbledhin deri në 30 kg vemje dhe parazitë tjerë. Që të mbledhni dhe të mbani zogjtë, ndërtoni shtëpiza për ta. Dera duhet të jetë nga juglindja. Gjatë verës siguroni ujë për ta në enë të cekëta, kurse dimrit siguroni ushqimin. Zogjtë do të asgjësojnë parazitët në kopsht dhe për çdo ditë do te ju argëtojnë me këngën e tyre. Edhe merimangat janë armiq natyror të mizave dhe mushkonjave. Merimangat sulmuese janë armiq të merimangës së kuqe por edh etë disa merimangave të dëmshme.
Parazitët më të shpeshtë dhe si të shpëtojmë nga ata

Morrat e gjethevejanë insekte të vogla dhe të ndjeshme, të cilët mund të jenë me krih dhe pa krih. Ngjyra e tyre varet nga stadi i zhvillimit dhe nga bima që i ushqen, kështu që mund të jenë ngjyrë e çelë portokalli, të gjelbër apo të zi. Ushqehen duke thithur lëngjet e bimëve madje nga pjesët me të ndjeshme të bimës, në filizat e bimëve dhe në sytha. Shkaktojnë stagnim në rritje tek bimët, shtangim të gjetheve, pas tyre mbetet vesa e mjaltit që pikë në gjethet e poshtme duke i bërë ato të ngjitshme dhe më vonë nxihen sepse në to zhvillohen kërpudhat blozë. Sulmojnë numër të madh të kulturave. Paraqiten në pranverë dhe në vjeshtë, gjatë kohës së ngrohtë dhe të thatë si dhe pas shirave. Nëse morrat e gjetheve fuqishëm sulmojnë ndonjë kulturë, ky është shenjë se është çrregulluar qarkullimi i saj. Ndonjëherë mjafton që të mbulohet dhe të ushqehet toka tek rrënja e bimës.

Ekzistojnë bimë që janë shumë tërheqëse për morrat. Këto bimë duhet mbjellur midis bimëve të tjera që të mbrohen nga morrat. Për shembull, të mbillen sallatat dhe batha midis dredhëzave. Morrat do të shpërngulen në sallata dhe në bathë, kurse dredhëzat mbesin të padëmtuara.

Dëmet nga kërmijtë

Kërmijtë janë shpesh mysafirë të padëshirueshëm, kurse armiq të tyre natyrorë, iriqë, bretkosa ka gjithnjë e më pak. Kërmijtë më së shumti sulmojnë perime me gjethe të gjelbra. edhe pse janë tëngadalshëm, janë shumë këmbëngulës dhe perimeve mund tu shkaktojnë dëme të mëdha. Ushqehen natën, sepse i pengon dielli prandaj më së lehti i gjejmë kur bie terri, me ndihmën e llampës.

Kërmijtë mund t’i asgjësojmë me ndihmën e lymit të kafesë, të cilën nuk e tolerojnë, sepse kafja për ta është helm.

Bimët e sulmuara duhet spërkatur me lymin e kafesë, i cili jo vetëm që do t’i largojë kërmijtë, por që do të bëjë edhe plehërimin e tokës dhe ndërkohë do të largojë edhe mizat e bimëve. Duhet të jeni të kufizuar kur është fjala për ujitjen e tokës me lym kafeje, sepse nga kjo mund të ngritët thartësira e tokës. Toka afër bimës, të cilën e sulmojnë kërmijtë mund të mbulohet me shtresë të hollë hiri. Që kërmijtë të mbesin sa më larg nga bimët, këtë proces duhet përsëritë pas çdo shiu.

Këlyshi i dheut (dosëza, arrçi) (Gryllotalpavulgaris)është një nga dëmtuesit e shpeshtë të bimëve. Ëmbëlsirë e preferuar e tij janë tuberët dhe rrënjët.

Këlyshi i dheut është shtazë e natës dhe në sipërfaqe të tokës del vetëm natën kanali ti tij nuk është thellë në tokë dhe më së lehti kapet nëse në tokë gropohet një enë me ujë dhe anash vihen dërrasa që atë e orientojnë drejt në enë me ujë.

Urithi është shtazë e dobishme, sepse asgjëson këlyshët e dheut dhe vemjet si dhe krimbat, por njëkohësisht bën grumbuj dheu që gjymtojnë pamjen estetike të kopshtit.

Më së lehti është që ta largojmë nëse në tokë ngulim një shishe të zbrazët, në atë mënyrë që maja e shishes futët në vrimen e kanalit të tij duke u kujdesur që të mos mbyllet fyti i shishes. Zërin që prodhon shishja e zbrazët dhe shushurima e erës i irriton urithët, të cilët nuk mund ta durojnë këtë, prandaj ikin.

Luftën kundër dëmtuesve e ndihmon koekzistenca natyrore midis disa bimëve – nëse mbjellën njëra afër tjetrës, shtohet fuqia e tyre dhe rendimenti, kështu që më mirë mbrohen nga parazitët. Për shembull, mbjellja e karotës afër qepës, mbron bimët nga miza e qepës/karotës, kurse ngulitja e degëve të shtogut në tokë shërben si mbrojtje nga urithi.

Meqë bimët kanë ndikim mjekues në shëndetin e njerëzve, njësoj mund të ndikojnë edhe tek njëra tjetra. Procedurat duhet përsëritur disa herë, por duhet të jeni të durueshëm.

F.B.(Floripress): http://floripress.blogspot.com/2017/04/si-te-mbroni-te-mbjellat-e-juaja-pa.html

No comments:

Post a Comment