2017-04-11

Testamenti i Mitrush Kutelit

Mitrush Kuteli.jpg

Mitrush Kutelit(Dhimitër Pasko)

Dhimitër Pasko (Pogradec, 13 shtator 1907 ─ Tiranë, 4 maj 1967) ka qenë shkrimtar, përkthyes dhe ekonomist shqiptar, i njohur ndryshe me emrin e penës Mitrush Kuteli. Pseudonime të tjera që përdori për të shkruar qenë edhe Janus, Izedin Jashar Kutrulia me Dr. Pas.

Familja e Mitrush Kutelit, rrjedh nga fisi shqiptar Kuteli, i shpërngulur në Mokër e pastaj në Pogradec nga qyteti i Artës, në fillim të shek. 19-të, për shkak të mizorive të Ali pashë Tepelenës. I ati, Pandi, i biri i Pasko Kutelit[1], ishte rrobaqepës që kish jetuar 24 vjet në mërgim, në Rumani, duke punuar si murator e bojaxhi. Atje kish mësuar shkrimin e shqipes dhe ish njohur me disa nga patriotët e kohës, mes të cilëve me Nikolla Naçon. Pas kthimit në Shqipëri, vazhdoi zanatin e rrobaqepësit dhe të bojaxhiut e në të njëjtën kohë bënte dhe punën e ndërlidhësit për të futur dhe shpërndarë në vend librat shqip të shtypura në kolonitë e mërgimtarëve. I burgosur shpeshherë në kohë të osmanëve, gjatë pushtimit serb e atij bullgar. Pas shpalljes së Hyrrijetit hapi një librari, e para librari shqipe në Pogradec. Në shtëpinë e tyre, që bastisej dendur për libra shqip, vinin luftëtarët e kohës: Dervish Hima, Abdyl Ypi, Mihal Gramenua, Telemak Gërmenji, Memduh Zavalani, Themistokli Gërmenji, Pasa Pema, Vasil Tromara, etj


Mitrushi ishte i pai nga fundi Mitrushi - trajta përkëdhelës e emrit Dhimitër - lindi më 13 shtator 1907 dhe ishte i vetmi djalë i Pandit dhe i Poles mes dy motrash: Agllaisë dhe Liries.

Në një mjedis të tillë, të mpleksur dhe me përrallat e Nënës, Kuteli jetoi fëmijërinë dhe mori bazën letrare. Mbresa të pashlyeshme i lanë më pas dhe librat e librarisë së vogël të të atit. Leximet e tij të para lidhen me emrin e Naimit, Çajupit, Spiro Dines, Gramenos, Lumo Skëndos, më vonë edhe të Fan Nolit. Shkollën fillore e kreu në Pogradec, më 1919.

Pasi priti dy vjet t'i plotësoheshin kushtet ekonomike të familjes, më 1921 Kuteli shkoi në Selanik, ku i ati kish mundur t'i siguronte një bursë për në Shkollën Tregtare Rumune. Kishte prirje për letërsi e dëshirë për mjekësi, por mundësitë iu krijuan në degën ekonomike. Më 1926, 19 vjeçari Kuteli ishte një nga themeluesit dhe drejtuesit e Shoqërisë së nxënësve shqiptarë të Selanikut ku merrnin pjesë të rinj nga të gjitha shkollat e qytetit. Shoqëria u quajt "Kostandin Kristoforidhi", siç propozoi Dhimitri.

Po atë vit, shteti shqiptar i refuzoi kërkesën për bursë që të vazhdonte studimet e larta në Paris, ndonëse shkollën e mesme e mbaroi shkëlqyeshëm, duke kaluar dy klasat e fundit në një vit.

Kuteli shkoi në Bukuresht (1928) dhe filloi studimet në Akademinë e Shkencave të Larta Ekonomike, duke punuar njëkohësisht si llogaritar. Banonte në një mansardë, megjithatë ndiqte edhe kurse letërsie, kritike, folklori, etj.

Lexonte frëngjisht, rumanisht, italisht, latinisht e greqisht. Ishte antar, më pas sekretar dhe në vitet 1931-34 kryetar i Shoqërisë së studentëve shqiptarë të Rumanisë. Në vitet 1928-1933 drejtoi gazetën "Shqipëria e Re" në Kostancë, në faqet e së cilës hapi më 1929 rubrikën "Shënime Letrare".


 U diplomua më 1931 dhe në shkurt 1934 mori doktoratën në shkencat bankare dhe monetare me vlerësimin më të lartë "Diplomam Magnam cum Laudæ". Një nga shokët e tij të shkollës, Ionel Zeana, ka shkruajtur pas më se gjashtëdhjetë vjetësh:

«Dh. Pasku kreu studime të shkëlqyera, duke u dalluar qysh në fillim si një element i jashtzakonshëm, jo vetëm përmes kapacitetit të tij intelektual të veçantë, po edhe përmes seriozitetit, maturisë, ndërgjegjshmërisë, forcës për punë dhe krejt qendrimit të tij moral, cilësi këto që tërhoqën vemendjen, vlerësimin dhe mbrojtjen e profesorit të tij të madh të financave, Viktor Slëvescu, prijësi liberal, ish-ministër dhe guvernator i Bankës Kombëtare.

Duke e marrë doktoratën në financa, me një tezë të vlerësuar në superlativitet, Dhimitër Paskut iu hapën perspektiva nga më të bukurat, për realizimin e një karriere të shkëlqyer. I angazhuar më së pari si funksionar, ai arriti brenda një kohe të shkurtër të bëhet drejtor i Bankës Kombëtare, duke iu përkushtuar ekskluzivisht ekzigjencave të një profesionaliteti të ngushtë, pa u regjistruar në ndonjë parti politike".

Gjatë qendrimit në Rumani punoi dhe në ministrinë e Financave si nëpunës i lartë dhe drejtoi edhe bankën e Çërnëucit. Gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore, Kuteli rrëfen kështu mbi presionet që i vinin:

"Unë kam pasur gjithnjë, si bir i një populli të vogël, një urrejtje të madhe kundër idesë së zezë `popuj mbi popuj` ose `të mëdhenj mbi të vegjël`, por `popuj përkrah popujsh`...

Një nga pasojat e para ka qënë një `skedë e zezë` ardhi e më foli dikush në bankë: - Ç'po bën kështu? Nuk e di ç'të pret? Pse kundërshton që vendin e kapitalit çifut, ta zërë kapitali mik gjerman?"

Kuteli vazhdoi të përkrahë ekonominë vendase, derisa e mobilizuan dhe e nisën në front, drejt Stalingradit. Ishte mobilizim i detyruar pasi jetonte dhe punonte në Rumani si shtetas rumun
Megjithatë, veshur me uniformë, në qendrimet mes marshimeve mblidhte këngë popullore moldave, mbante shënime, njihej me njerëz të thjeshtë, me letërsinë ukrainase, thellonte njohuritë e gjuhës ruse.

Sidoqoftë, pati fatin të mos i afrohej kurrë Stalingradit, madje as arriti të hyjë në Rusi: një telegram urgjent nga Pogradeci i thosh se e ëma e tij ishte shumë e sëmurë e se duhej të nisej sa më shpejt për në vendlindje.

 E ndihmuan miqtë që kish në Bukuresht, të cilët i rregulluan një leje për t'u larguar nga vargu i ushtarëve dhe më pas e përfshinë në një dërgatë ekonomistësh që nisej me shërbim pune në Romë. Mundi t'arrijë në Pogradec në shtator 1942. E ëma i kish ndërruar jetë më 28 gusht.

Punoi për pesë muaj nga tetori 1942 pranë shoqërisë SASTEB dhe pas kapitullimit të Italisë në Bankën Kombëtare të Shqipërisë, këshilltar në fushën e monedhës me përgjegjësitë e drejtorit shqiptar krahas atij italian. Ai pati kontradikta me gjermanët sepse nuk ishte dakord me emetimin e monedhës së re, për të financuar ushtrinë e tyre në Shqipëri. Për këtë rrezikonte përndjekjen nga Gestapo, pasi i kishin thënë miqtë që i kishin hapur dosje të zezë në Vjenë.

 Në tetor 1944 kalon në zonat e pakontrolluara nga gjermanët. Tri javë pas kalimit në zonën partizane qëndronte në Priskë. E thërrasin në Berat, ku shkon më 8 nëntor dhe bëhet nëpunësi i tretë në Min. e Financave të Qeverisë Demokratike, pas ministrit Ramadan Çitaku dhe sekretarit të përgjithshëm Qirjako Harito, si këshilltar.

Pas themelimit të bankës, emërohet anëtar i këshillit të parë dhe drejtor i drejtorisë qendrore. Gjatë kësaj periudhe ai ideoi e zbatoi disa nga operacionet më të rëndësishme financiare të pasluftës, si vulosja e monedhës, emetimi i çeqeve monedhë për plotësimin e nevojave të para financiare etj. Pasko dha dorëheqjen në gusht të vitit 1946, pasi nuk pranoi kursin e këmbimit të caktuar nga shteti shqiptar mes lekut dhe dinarit jugosllav.

Mobilizimin e detyruar në Rumani nisën t'ia përflitnin si rreshtim me forcat gjermane kundër Bashkimit Sovjetik. Madje e bënë pjesë të Rojës së Hekurt, me të cilën Kuteli nuk kishte lidhje. Akuzë kjo që buronte nga rrethet letrare.

 I kërkuan që të hartonte një material për lëndën e folklorit për Institutin e Folklorit, ku do të angazhohej si pedagog. Përgjigjja nuk erdhi dhe sipas dëshmive Dh. Shutëriqi kishte thënë "nuk e duan sepse ka qenë pjesë e Rojës së Hekurt në Rumani". Kuteli u kishte kthyer përgjigjen duke u dëftuar fotot ku kishin qenë të veshur me uniforma fashiste dhe sëpatat e Liktorit.

Më 16 maj 1947 atë e arrestuan dhe e dënuan si “Armik i Popullit” me 5 vite heqje lirie tre muaj pasi kishte shkruar faqen e fundit të novelës "Tatë Tanushi". Pasko u lirua nga burgu në maj 1949 me falje, pas prishjes së marrëdhënieve të Shqipërisë me Jugosllavinë.

 Pas kësaj, Pasko nuk punoi më në ekonomi dhe shkroi vepra origjinale vetëm në kohën që i mbetej nga përkthimi, veprimtari të cilën e kishte zgjedhur si një mënyrë për të siguruar jetesën me ndershmëri, në kushtet e një diktature që diktonte gjithçka. Kuteli mbylli sytë më 4 maj 1967.

Kuteli dhe letrat

Më 1919 botoi vjershat e tij të para "Mëmës Shqipëri" dhe "Skënderbeu" - në kalendarin "Pogradeci". Nga viti 1924 kish filluar të botonte në shtypin shqiptar "të jashtëm", tek "Shqipëria e Re" dhe "Kosova" që dilnin në Kostancë të Rumanisë.

Shkrimet e tij flisnin për Atdheun, për ngjarjet e vitit 1924, vajtonin vrasjen e Gurakuqit e të Bajram Currit. Në këto vite Kuteli botoi dhe artikujt e parë në fushën e kritikës letrare - vlerësime, përshtypje, analiza, të dhëna për autorë e vepra.

Por pjesa më e madhe e shkrimeve i kushtoheshin monedhës, çështjes agrare dhe problemeve ekonomike. Studjoi ngjarjet e së kaluarës në fushën e financave dhe kritikoi Bankën Kombëtare të Shqipërisë, duke faktuar spekullimet e saj në dëm të ekonomisë së vendit. Ndër këto shkrime Kuteli përmend më pas "Kriza e koronës dhe Banka Kombëtare", që u botua si kryeartikull më 1928 në gazetën "Telegraf".

 Duke vazhduar punën e filluar në Selanik për të nxjerrë në pah disa nga vlerat e kulturës sonë sidomos në fushën e letërsisë te rubrika "Shënimet Letrare", Kuteli shkroi artikuj mbi Naimin, Çajupin, Gramenon, Papa Kristo Negovanin, Asdrenin, Hilë Mosin, Lasgushin, Loni Logorin, Filip Papajanin, Ali Asllanin, etj.

 Me pseudonime të ndryshme botoi artikuj mbi çështjen e Bjeshkës së Velipojës të Vermoshit dhe mbi Manastirin e Shën Naumit.

Në fushën ekonomike - shkruan rreth monedhës dhe kreditit, për problemet ekonomike dhe abuzimet administrative si dhe kundër disa koncensioneve që i ishin dhënë kapitalit italian - Bankës Kombëtare të Shqipërisë dhe Shoqërisë AGIP për të shfrytëzuar tokat vajgurore shqiptare dhe për të mbajtur monopolin e karburanteve në vend.

 Në vitet 1943-1944 Kuteli botoi shumë artikuj në shtypin e asaj kohe, në fushën ekonomike dhe në letërsi, kritikë letrare, publicistikë dhe folklor. Ai botoi dhe disa vëllime me prozë, poezi, pamflete, kritikë letrare dhe folklor.

Pas daljes nga burgu u muar me përkthime, në rreth 10 vjet përktheu rreth 50 vepra në prozë dhe poezi, sidomos klasikët rusë dhe sovjetikë
.
Tituj të veprave


Rrjedhin lumenjtë

Vjeshta e Xheladin Beut

Lasgush Poradeci (1937)

Netë Shqipëtare (1938)

Pylli i gështenjave (1958)

Ago Jakupi, e të tjera rrëfime (1943)

Sulm e Lotë (1943)

Shënime letrare (1944)

Havadan më havadan (1944)

Kapllan Aga i Shaban Shpatës (1944)

Dashuria e barbarit Artan për të bukurën Galatea (1946)

Tregime të moçme shqiptare (1965)

Tregime të zgjedhura (1972)

Baltë nga kjo tokë, (1973)

Në një cep të Ilirisë së poshtme (1983)

Këngë e britma nga qyteti i djegur

E madhe është gjëma e mëkatit (1993)

Xinxifilua (1962)

Rine Katerineza

Përkthime

"Kujtimet e një gjahtari" të Turgenjevit

"Tregimet e Petërburgut" dhe "Shpirtra të vdekura" të Gogolit

"Zotërinj Gollovlinovë" të Sllatikov Shçedrinit


Testamenti i Mitrush Kutelit

E dashur Efterpi,

Këtë letrë, që është, ndofta, e fundit, desha të ta shkruaj me dorë, po nuk mund. Sot nuk e kam dorën të sigurtë, më dridhet. Ti s’je këtu. Ke shkuar me Pandin në Rrushkull për të parë Poliksenin dhe Atalantën. Të nxita më shumë unë. Nga brenga, nga malli. Jam vetëm në shtëpi. Doruntina ka shkuar të lozë me vajzat e Bajramit.

Mendjen e kam të turbullt nga pagjumësia, nga ëndrrat e këqia. Sikur më ndiqnin gjermanët, që të më varnin. Iknja me vrap, hynja në gropa e puse, dilnja prapë. Ata më ndiqnin. Ment më kapnin. Iknja përsëri. Në një çast u gjende edhe ti pranë meje. Dhe iknim. Pastaj u ndamë. Fundja u gjenda i ndjekur nga njerëzit tanë. Prapë gropa, puse, gremina. Sikur isha në Berat, nën Kala. Në një sterrë të Kalasë, pranë Kishës. Më tej, në Fier. Kisha shpëtuar nga ndjekjet dhe kërkonja ndonjë shtëpi për t’u fshehur.

Isha i zbathur, i zveshur. Dikush më thirri: “Qëndro, Dhimitri! Të zumë”. Më rrethuan, më zunë dhe po më shpinin të më vrisnin. Unë qeshnja. Kisha qef të më vrisnin… Dhe ja, u gjenda në burg. Shumë njerëz. Midis tyre Sofo Çomorra, që ka vdekur. Më shikonte me dhembje. “Si u bë kështu, o Pasko? Ç’ke bërë?” –“S’di”. –“Shiko këtu”. Dhe më dha ca shkresa të shkruara bukur: një akt akuzë dhe ca lidhje të tjera. Më quanin bejtexhi. Më thoshin se kisha bërë një vjershë për glyrën me rima italiane. Pashë Andrean. I ardhi keq. U vendos të më vrasin. Prapë u gëzova. –“Fundja, do vdes, thashë. Do të shpëtoj. Do çlodhem. Jeta ime ka qenë shumë e turbullt, e ngatërruar, e mirë dhe e keqe. Sa mirë që mbaroi”. Kur u ngrita, ti po bëheshe gati për në Rrushkull. Kokën e kisha, dhe e kam, të rëndë. Ti shkove më 7 e gjysmë. Pas 5 minutash ardhi Ilua i Sterjos e më solli lajmin: vdiq Thanas Cikuli… Sipas mendjes sime, shpëtoi. E kam zili. Vdekja është prehje e madhe, shkëputje nga dhembjet. Vërtet, edhe nga gazet, por në një kohë, kur njeriu është shumë i sëmurë, i mërzitur, vdekja është shpëtim: nga dhembjet fizike e shpirtërore. Që të dyja janë të rënda. Ti e di sa dhembje të tilla kam pasur në kohën e fundit. Njëra, që ti ma di, është se si pasojë e tyre nuk jam i zoti të punoj, të krioj, të paguaj bukën që më jep shteti për vete e për fëmijët. Unë s’kam qënë e s’dua të jem kurrë parazit. Po ç’të bëj, grua? S’mund. Kokën e kam të turbullt…..

Letrën e nisa për tjetër gjë: të të përsërit porositë e mija të fundit. Më fal se të mërzit. Unë t’i kam thënë kaq herë. Të kam helmuar jetën, sepse edhe mua ma kanë helmuar të tjerët. Dhe s’kam qënë i zoti ta mbaj helmin për vete, siç më takon. Ky qoftë i fundit që po të sjell.

Ne u bashkuam, rrojtmë, dhe bëmë fëmijë në vjete stuhie: burg, urbanizëm, hotel. Po atëhere kisha shëndet dhe i kapërxeva të gjitha. Tani, ti e di… I di ditët e netet e mija. Sëmundjet dhe brengat më brehnë, më hëngërn. Unë e shoh tani vdekjen si një lirim nga dhembjet. Nuk e dua, po nuk e largoj dot. E shoh se afrohet, më çik. Më vjen keq se do t’i le fëmijët të vegjël, pa krah, mbase në vobekësi të madhe, në pamundësi për t’u arritur synimeve. Pensioni im nuk do të mjaftojë. S’kam “vjete shërbimi”. Domosdo, 22 vjet jashtë. Edhe atje kam punuar sa jam shuar, por këtavjete pune nuk peshojnë për efekt pensioni. Fati im i keq, fati i tyre i keq. Ndofta, pas vdekjes, kur të pushojnë pasionet dhe urrejtjet, shteti ynë mund t’ju ndihmojë për hir të punës sime së kaluar: në gazetari dhe letërsi, që në moshë të njomë, dhe sidomos në fushën ekonomike. Një pjesë të shkrimeve të mija-shqip dhe rumanisht- janë aty, në Bibliotekën Kombëtare. Disa njerëz i dinë përpjekjet e mija kundër kapitalit italian, kundër grabitjeve gjermane. Kam punuar pa interes vetiak, bile kundër interesit vetiak. Nuk kam ndjekur kurrë pasurimin tim, sepse ky pasurim mund të bëhej vetëm me dy mjete: me vjedhje (ka njëmijë e një mënyra vjedhjeje dhe unë s’kam përdorur asnjërën) dhe me trathëti, duke u shërbyer të huajve për të grabitur vendin dhe duke marrë para për këtë shërbim. Zgjodha rrugën e kundërt: luftën kundër atyre që donin të grabisnin, atyre që grabisnin. Nuk i ndala dot të tëra, jo se s’desha, jo se kisha interes, po se s’munda. Kaq munda, kaq bëra. Kundër grabitjeve italiane, kundër grabitjeve gjermane, kundër grabitjeve jugosllave. Nuk zgjodha kurrë udhën e rehatit vetiak, udhën e “urtë e butë e lugën plot”. Kam punuar shumë, kam dashur shumë, kam gabuar shumë. Tani jeta shkoi, nuk kthehet dot, nuk ndreqet dot. Të kam treguar se gjermanët do të më varnin përpara bashkisë, kur muarr vesh se kisha sabotuar nxjerrjen e monedhës së re që donin të bënin. Më shpëtoi fati. Nuk do të skuqem kurrë nga turpi as me veprimin tim në ditët e para të çlirimit. Punova si i marrë, luftova kundër grabitjeve jugosllave. Aq më fort nuk mund të skuqem nga turpi për veprimtarinë time praktike-në fushën ekonomike-në Rumani. Edhe atje kundër gjermanëve. Unë kam pasur gjithnjë, si bir i një populli të vogël, një urrejtje të madhe kundër idesë së zezë “popuj mbi popuj” ose “të mëdhenj mbi të vegjël”, por “popuj përkrah popujsh”. Ky parim ka ushqyer në mënyrë të vetëdijshme dhe të pavetëdijshme, automatikisht, veprimtarinë time. Kam qënë kundër rusëve sepse ata mbajnë nënvete dhe shkombëtarizojnë popuj të tjerë; kundër gjermanëve sepse kanë shfrytëzuar dhe zhdukur popuj të tjerë, kundër anglezëve për të njëjtën arësye. Biri i një populli të vogël nuk mund të bënte ndryshe. Në Rumani kam luftuar, aq sa mund të luftojë një njeri i vogël, kundër shfrytëzimit të kapitalit vëndas dhe të huaj. Këtë qëndrim kam pasur edhe kur isha drejtor banke. Një nga pasojet e para ka qënë një “skedë e zezë” në aparatin gjerman të Vjenës, më 1940-41. Për këtë “skedë të zezë” ardhi e më foli dikush në bankë: “Ç’po bën kështu? Nuk e di ç‘të pret? Pse kundërshton që vëndin e kapitalit çifut ta zerë kapitali mik gjerman?” Unë di një gjë: kapitali s’mund të jetë kurrë mik, po vetëm kapital. Ay ushqehet me fitime, mbahet me fitime, rron për fitime. Dhe fitimet s’kanë kurrë të mbaruar. Njëja kërkon të bëhet dy, dyja katër, katra tetë, mija dhjetë mijë, milioni qindmilion e kështu me radhë. Në dëm të njerëzve, të popujve. Si ish drejtor tri bankash (gjithnjë i varfër) di se fitimi i vjetër nuk ngopet me fitim të ri, siç nuk ngopet deti me ujë.

Do të më njohë dhe do të më kuptojë dikush, të paktën pas vdekjes? Nuk di. Desha të më kuptonte dhe njihte jo për nder e lavdi, po që fëmijët e mij-të cilëve u le trashëgim punën dhe ëndrat e mijatë mos vuajnë për bukë sa janë të vegjël, të ndjekin studimet dhe të gjejnë udhën e tyre në jetë.

Jam i sigurtë se po të vlerësohej në këtë drejtim puna dhe përpjekjet e mija në të kaluarën, fëmijët nuk do të vuanin.

Nisa të të shkruaj një letrë të shkurtër lamtumire, dhe u nxeva-ndonse më buçasin veshët e më dhemb koka prapadhe shiko se ku arrita.

Dëgjo!

Shenjat nuk i kam të mira. Tensioni ngrihet e ulet, zemra ngec. Nisem për në zyrë a për shëtitje dhe më priten këmbët, më mbahet fryma. Ndalem e helmohem me ilaçe. Netet i kam skëterrë, siç e di vetë. Këto të gjitha thonë se nuk e kam të gjatë. Pra, mos u hidhëro se po të porosit edhe një herë.

1. Kur të vdes mos bëni lajmërime nga ato që ngjiten nëpër muret.

Vdekja është një ngjarje që i takon atij që vdes dhe shtëpisë së tij. Pse ta dijë bota? S’dua!

Nuk do të lajmëroni, para varrimit, asnjeri, me përjashtim të pesë a gjashtë njerëzve më të afërmë për të bërë formalitet e varrimit dhe varrimin. Kaq!

S’kam qef të mërzit njeri. Sikush ka hallet e veta.

2. Dikur kisha dashur të varrosesha në Pogradec, pranë babajt e nënës ose lart në gështenjat, në Shën e Djelë. Tani e kam ndryshuar mendjen. Varrimi është një ngatërresë. Varrosmëni këtu, në Tiranë. Gjith Shqipëri është! Nuk dua asnjë shkrim mbi varr. Vetëm një kryq, si babaj, gjyshi, stërgjyshi.

3……………………..

4. Fëmijët i porosit ta duan vendin dhe gjuhën tonë gjer në vuajtje.

Të mos u shqasë zemra kundër Shqipërisë as kur do të vuajnë pa faj. Atdheu është atdhe, bile atëhere kur të vret. Këtu kanë lindur, këtu të rrojnë me mish e shpirt, qoftë edhe me dhembje. Atalanta dhe Pandeli kanë prirje për letërsi. Le të mbarojnë studimet në ndonjë degë praktike-ajo fizikë; ay, mjekësi ose ndonjë fakultet tjetër, fjala vjen, për arësimtar, -dhe le të merren edhe me letërsi. Por jo si profesjon kryesor. Profesionismi në letërsi, në vëndin tonë, është, hë për hë, një rrugë vuajtjesh, buka e tij është e hidhur. E hidhur, them, për atë që s’di marifete dhe hipokrizira. Tereni i letërsisë është një tokë tek gëlojnë gjerprinjtë. Të vrasin shokët, se ju bën hije. Dhe kur nuk u bën hije do të thotë se nuk je i zoti për letërsi. Dorëshkrimet ja u le atyre të dyve, sidomos Pandeliut. Të mos i prekë askush! Ay do të rritet, do të lexojë shënimet e parealizuara, do t’i përpunojë. Për këtë duhet të grumbullojë më parë shumë kulturë. Talenti, prirja nuk vlejnë asgjë pa punë, pa kulturë.

Askush të mos më prekë dorëshkrimet para se të më rritet djali! I vini në arkë, i mbyllni!

Polikseni dhe Atalantë! Pandeli dhe Doruntinë! Të doni njëri tjetrin, të ndihmoni njëri tjetrin, të duroni njëri tjetrin! Mos vini re vogëlsirat, mos u grindni për vogëlsira, për asgjë. Hithni tutje inatin, se ay është burim i shumë të këqijave. Përpiqi të mos ju rritet mëndja. Inati dhe mendjemadhësia na kanë bërë dëme të mëdha. Na prishnë. Zemra juaj të mos njohë urrejtjen, grindjen, mërinë. Urtësi, butësi, zemërgjërësi! Hapni sytë për çdo hap që bëni në jetë. Jeta mund të prishet nga një hap i gabuar, vetëm nga një hap. Pastaj vinë greminat. Kur t’ju vijë koha, martohuni. Të dëgjoni zërin e zemrës, po edhe të arësyes. Shpesh, zemra të shpje në udhë të gabuar, në qoftë se nuk e drejton arësyeja. Mos i kërkoni shumë jetës, sepse jeta është koprace në mirësi. Mos ëndëroni ato që nuk realizohen dot. Mos u matni me hijen e mëngjezit, që sjell mëndjemadhësinë. Do t’i kërkoni jetës aq sa mund t’ju japë.

Ta doni dhe nderoni mamanë, se ka qënë trime në jetë, ka vojtur shumë. Të dy kemi vojtur. Embëlsojani pak pleqërinë pas kaq tufanesh. Ajo ka grumbulluar shumë përvoje nga jeta e hidhur, dhe kjo përvoje mund të jetë e dobishme për ju, që të mos vuani.

Doruntina është më e vogla. Ajo ka nevojë për mjaft vjet ndihme dhe drejtimi. Mos i kurseni ndihmën tuaj, që të mund të prehem i qetë në dhe.

Mos më qani! Mbahuni! Unë e rrojta jetën, mbarova qerthullin tim. Nuk dua t’ju shohin të tjerët kur qani. Më dëgjoni? Lotët janë të kotë. Kush vdes nuk ngjallet. Unë asqë dua të ngjallem, asqë dua ta filloj jetën përsëri. Mjaft! Këtë porosi mos e shkelni.

5. Efterpi, më fal për këtë mërzitje të fundit! Mbahu dhe jepu zemër fëmijëve. Bëj siç të porosita. Mos ndrysho asgjë. Nuk dua njerëz në varrimin tim. Më të shumtit vinë për sehir, për formë. Unë i kam urryer ngahera varrimet e bujëshme, me kallaballëk. Edhe disa fjalë: kuptohet se nuk do të lajmërosh as njerëzit e tu, këtu ose në Korçë, me përjashtim të Foqit dhe Nestit.

Të përqafoj, të lutem të më falësh dhe lamtumirë.

Yti

Dhimitraq

No comments:

Post a Comment