2017-04-20

Unioni neojugosllav – një ide e rrezikshme e Beogradit dhe e Tiranës

Lumir Abdixhiku

Nga Lumir Abdixhiku




Ka disa probleme me një propozim të tillë. I pari dhe më i rëndësishmi ndërlidhet me motivin e Serbisë në një organizim të ri. Ky motiv ka dy ngjyrime. Së pari, atë të dominancës ekonomike dhe politike në Ballkan; dhe, së dyti, të mbajtjes së status quo-së në relacionet me BE-në dhe Rusinë.

-1-

Javë më parë, në takimin e kryeministrave të Ballkanit Perëndimor në Sarajevë, u lansua ideja e bashkimit doganor dhe ekonomik të vendeve të mbetura pa anëtarësim në BE. Siç dhe ndodh tashmë rëndom, ku flitet për iniciativa të paparashikueshme e natyrisht koti, në ballë të kësaj nisme ishte kryeministri serb (tash presidenti) Vuçiq dhe, kush tjetër përveç se homologut të tij nga Tirana, Rama.

Të dy bashkë, unionin e ri e ballkanas po e promovonin si forcë pajtuese shqiptaro-serbe. Po i jepnin ngjyrimin e zakonshëm të pajtimit frankogjerman; Vuçiq si kryegjerman, Rama si kryefrancez. Me t’u kthyer në Beograd, i pari i Serbisë e kishte shpallur idenë e tij si neojugosllavi, diçka e këndshme për nostalgjikët e dominimit Ballkanas në Serbi. Neojugosllavia ishte pa Slloveni e Kroaci, por kishte tash Shqipërinë në të.


Rama, ndërsa, si bashkëiniciator e si përfaqësues i vetëshpallur i shqiptarëve në Ballkan, nuk kishte pyetur askënd – asnjë shqiptarë. As ata në Shqipëri, as udhëheqësit shtetëror në Kosovë, as shqiptarë te tjerë në rajon. Nga një propozim i tillë ishin zënë në befasi zyrtarët kosovarë.

Kryeministri i Kosovës kishte hedhur poshtë menjëherë propozimin, duke e cilësuar si eksperiment pa perspektivë, joevropian e rikujtues i një përvoje të keqe të Kosovës me Jugosllavinë. Ministri i Jashtëm, njëtrajtësisht, e kishte etiketuar idenë si të rrezikshme dhe me ngjyrime serbomadhe.

Propozimi i tandemit Rama-Vuçiq vinte si pamflet i hyrjes në qejf tek vendimmarrësit evropianë. Të shitjes së tyre si liderë të vetëm të Ballkanit; të gjithkujt tjetër si pengues të afrimit. Ky propozim ishte pritur me interes nga disa politikanë nga Brukseli; me aq zell saqë kishin vendosur ta merrnin për trajtim në takimin e 12 korrikut të Triestes. Në fund të ditës, për përfaqësuesit e BE-së, çështja e Ballkanit do të mbetet e pandryshuar për 7 deri në 10 vjetët e ardhshëm, Çfarëdo modeli tjetër që e shpenzon këtë kohë në Ballkan është më se i mirëseardhur.

Filtrimi i Ramës e Shqipërisë me Serbinë, sërish e për të satën herë, po i sillnin një tjetër dëm Kosovës. Shpërfaqjen e saj, pa pikë nevoje, si forcë bllokuese në Ballkan.

-2-

Unioni doganor e ekonomik në Ballkan, parashihte heqjen e të gjithë kufijve doganorë ne Ballkanin Perëndimor, heqjen e të gjitha tarifave të ndërmjetme në mes shteteve anëtare, si dhe mbledhjen, në një vend të të gjitha të hyrave doganore. Pra, për nga politikat tregtare dhe doganore, Ballkani do të funksiononte si një shtet. Çfarëdo që lëviz në mes të vendeve anëtare kalon pa doganë e pa kufij; çfarëdo që vjen nga jashtë mblidhet në një vend. Një minireplikim i unionit evropian doganor; natyrisht, pa Evropë e me plot Serbi në të.

Ka disa probleme me një propozim të tillë. I pari dhe më i rëndësishmi, ndërlidhet me motivin e Serbisë në një organizim të ri. Ky motiv ka dy ngjyrime. Së pari, atë të dominancës ekonomike dhe politike në Ballkan; dhe, së dyti, të mbajtjes së status-quos në relacionet me BE-në dhe Rusinë.

Në çështjen e dominancës, Serbia llogaritë në aleancën e Bosnjës dhe satelitit të saj në Republika Srpska; përfshirë edhe lidhjen tradicionale me Maqedoninë. Përveç kësaj, Serbia është forca më e madhe ekonomike e ushtarake në rajon. Kjo, në vete, do ta bënte Beogradin sërish kryeqendër të Ballkanit; prandaj dhe nostalgjia për kthim në model neojugosllav. Serbia prodhon, krijon e ushtron fuqi shumë herë më të madhe se të gjitha vendet e tjera bashkë. Çfarë shqiptarët kontribuojnë në këtë drejtim është krejt minore.

Në çështjen e neutralitetit, Serbia nuk ka asnjë motiv të ndryshojë filtrimin e dyfishtë me Evropë e Rusi. Në të vërtetë, mu ky filtrim i ka ringjallur të njëjtit në forcë konsideruese këndej. Duke kërcënuar Evropën me afrim me Rusinë, e duke e kërcënuar Rusinë me afrim me Evropën, Vuqiq arrin të marrë herë hapa integrues në BE, here aeroplanë ushtarakë MIG. Në vijë të këtij dualizmi, Serbia dëshiron të mbajë edhe lëvizjet në Ballkan të stagnuara. Përparimi i Malit të Zi për në NATO, e eventualisht konsolidimi i Kosovës në shtetëzim prish forcën serbe në Ballkan. Mbi të gjitha, një periudhë dhjetëvjeçare e marrjes me projekte koti, sikurse ky union ekonomik e doganor, është dhuratë e çmuar në agjendën destabilizuese serbe e ruse për regjion.

Problemi i dytë me propozim ndërlidhet me përfitimet që shqiptarët marrin nga një bashkim i tillë. Në drejtimin ekonomik, bizneset tona janë shumë të vogla, shumë më pak konkurruese e shumë më fragjile ndaj çfarëdo hapjeje joevropiane. Mos të ngatërrohemi. Hapja evropiane, sikurse kjo e MSA-së, përcillet me paketa ndihmuese, me programe stimujsh ekonomikë e financiarë, dhe mbi të gjitha me influencë të garantuar Perëndimore; elemente të cilat i bëjnë shqiptarët, në veçanti shtetin e Kosovës shumë më të sigurt e më atraktiv.

Problemi i tretë, dhe jo më pak i rëndësishëm, ndërlidhet pikërisht me ndërprerjen e agjendës evropiane për ne; qoftë edhe ajo për një kohë të shkurtër. Mos të harrojmë, në këtë fazë Kosova ka nevojë për sa më shumë definim kufijsh, për sa më shumë relacione shtetërore, e sa më pak ndikim serb. Çdo projekt që s’ka këtë agjendë e s’ka këtë ngjyrim, është krejtësisht i padobishëm. Së këndejmi dhe refuzimi ynë.

-3-

Në këtë fazë, Kosova ka dy rrugë përpara. E para, që të bindë shpejt aleatët e saj në rajon, nisur nga Tirana. Tiranës duhet shpjeguar hilen e një neojugosllavizmi në Ballkan, hile që politikëbërësit e atjeshëm duket se nuk e kuptojnë. Ose nëse e kuptojnë janë të gatshëm ta tregtojnë me interesa të promovimit vetjak. E dyta, Kosova duhet të renditet shpejt me Malin e Zi, shtetin e dytë në Ballkan që ka refuzuar, për të njëjtat arsye si tonat shkrirjen në një influencë serbe.

E treta, po aq e rëndësishme, Kosova duhet të ndërtojë argumentet politike e në veçanti ekonomike për t’i prezantuar si forcë kundërshtuese në takimin e Triestes. Atje, Kosova duhet të argumentojë se në rrafshin politik, nuk mund të favorizojë nënshtrimin drejt modelit të status quo-së; përkundrazi. Kosova ka secilin interes të zhbëjë këtë status quo dhe të promovojë detyrimisht ardhmërinë properëndimore, pro-BE e pro NATO në Ballkan. Secili shtet tjetër, sikurse Serbia, Bosnja e Maqedonia, duhet të vihen në presion të kësaj qartësie.

Në rrafshin ekonomik derisa Kosova duhet të argumentojë mbi dobësitë që unioni i ri do t’u sillte ekonomisë sonë, bizneseve tona e investimeve në të ardhmen. Këtë argumentim duhet ta bëjë me ose pa Shqipërinë në bord. Shqipërinë e politikën e saj amatore e keqdashëse ndaj Kosovës – me ose pa qëllim – duhet ta luftojë në publik.

abdixhiku@facebook.com

No comments:

Post a Comment