5.17.2017

AKTIVITETE KULTURORE NË DURRËS


Prof.Bedri Tahiri 

Gjatë dy ditëve (12 e 13 maj 2017) isha në Durrës ku zhvilluam shumë aktivitete kulturore. Si përherë, konakun e kisha në familjen bujare e atdhetare të Skënder Kapitit.


NJË ENCIKLOPEDI E LLOJIT TË VET

Ditën e parë takova avokatin, krijuesin dhe atdhetarin Ilir Malindi nga Skrapari historik, të cilin e njoh qysh moti. Nga ai më parë kisha lexuar librin “Kosova është imja”, por kësaj radhe shkas ishte një Projekt madhor me vlera historike kombëtare, një Enciklopedi e llojit të vetë, që siç thotë me të drejtë filozofi, studjuesi e opinionisti i shquar, Skënder Kapiti ajo është: “Enciklopedia e vërtetë panshqiptare që i paraprin edhe bashkimit të të gjitha trojeve shqiptare të ndara në dy shtetet shqiptare Shqipëri e Kosovë si dhe të shqiptarëve të Maqedonisë, Malit të Zi, Preshevës dhe të Ҫamërisë”.

Vepra unikale apo kryevepra e tij voluminoze “Unitet States of Albania” (Shtetet e Bashkuara të Shqipërisë), në të cilën punon e gjurmon që nga viti 2000, në vete ngërthen gjithë historinë dhe kulturën tonë që nga pellazgët e ilirët e deri tek aktualiteti i sotëm mbarë shqiptarë. Ajo do të dalë në 62 vëllime, me 26 mijë faqe shkrime e me 6500 fotografi që flasin vetë. Një punë kolosale që nuk e kanë bërë dot as institucionet përkatëse shtetërore. Por, mjerisht, mungon përkrahja materiale dhe deri sot janë realizuar vetëm dy vëllime, ky që e kemi përpara, i tridhjeti, dhe ai i dymbëdhjeti, të cilin ia ka dhuruar Bibliotekës kombëtare në Prishtinë.

Të lumtë z. Malindi dhe suksese në realizimin e këtij Projekti mbarë kombëtar!

PRANVERA POETIKE DURRËSAKE

Ditën e nesërme, më 13 maj 2017, në orën 11, në Pallatin e Kulturës “Aleksandër Moisiu”, nën kaltërsinë dehëse të qyetit bregdetar të Durrësit, për të tetën herë u zhvillua Festivali poetik “PRANVERA DURRËSAKE”. Një atmosferë e bukur me poetët nga të gjitha trojet shqiptare, nga Kosova, nga Mali i Zi, nga Maqedonia, nga Vlora, nga Tropoja, nga Shkodra, nga Pogradeci, nga Tirana, nga Kavaja, nga Saranda, nga Mati etj.


Në pjesën e parë të Programit u bë përurimi i libarave të poetes durrësake, që aktualisht jeton e vepron në Novara të Italisë, znj. Trandafile Molla...

Ndërkaq, në pjesën e dytë u lexuan poezitë konkurruese, të cilat i vlerësoi juria: Gjergj Vlashi, Ibrahim Berjashi dhe Petrit Rukaj.Unë pata poezinë kushtuar Lasgush Poradecit “SHTERG I QIEJVE”...

ME KRIJUESEN VILHELME VRANARI- HAXHIRAJ

Moment i veçantë për mua qe takimi dhe këmbimi i librave me krijuesen e njohur vlonjate, znj. Vilhelme Vranari- Haxhiraj, me të cilën jam në konatakt të përhershëm, por nuk e kisha takuar që nga Takimet e poeteshave në Vushtrri vite më parë...

Ajo ma dhuroi librin e saj të ri “PA KOMENT”, në të cilin është përfshirë edhe recensioni për librin tim “Atdhetarizmi jeton në përjetësi”, ku, që në fillim shkruan: “Me rastin e 60 vjetorit të lindjes, i uroj zotit Bedri Tahiri, Jetë të gjatë lumturi në familje, suksese në rrugën e vështirë, por të ndritur të krijimtarisë dhe studimit! Me respekt të veçantë! Vilhelme, Fitim dhe Familja Haxhiraj nga Vlora!
...Libri i z. Bedri Tahiri “Atdhetarizmi jeton në përjetësi” ka një vlerë të madhe me kapitullin e veçantë me dokumente të faktuara, kërkesa apo vlerësime, drejtuar politikës dhe shtetit për vlerësimin e Hotel “Drenica” që u shndërrua në pike referimi i qëndresës së palëkundur të familjes Drenica për çështjen kombëtare. Ai hotel u bë streha e gjithë vullnetarëve që shkonin për t’u bashkuar me UÇK për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës. Nga ai hotel zinin fill peticionet, kërkesat, deklaratat dhe thirrjet për të ndihmuar Kosovën...

Urime z. Bedri Tahiri për këtë vlerë të çmuar që na ke dhuruar!

Dhe, sërish valët kaltëroshe të Adriatikut rrahnin brigjet e Dyrrahut plak, që me gjithë zemër na uronte: Gëzuar e gjithmonë qofshi kështu të bashkaur Ju penat shqiptare!


******


Bedri Tahiri u lind në Galicë të Drenicës më 1956. Mësimet e para i mori në vendlindje, ndërsa të mesmet në Gjimnazin e Skënderajt. Studimet i mbaroi në Universitetin e Prishtinës, dega Letërsi dhe Gjuhë Shqipe. Që nga janari i vitit 1980 ligjëron lëndën Gjuhë dhe Letërsi Shqipe në Gjimnazin “Eqrem Çabej” të Vushtrrisë.

Krahas punës edukativo-arsimore dhe veprimtarive të tjera shoqërore, merret edhe me artin letrar. Me shkrime ka zënë të merret qysh herët. Shkrimet e tij letrare-historike- dokumentare-publicistike mund t’i gjesh nëpër faqet e revistave e të gazetave shqipe që dalin në Prishtinë, në Tiranë e në mërgatë. Merr pjesë nëpër Simpoziume e Sesione shkencore me tema hulumtuese shkencore. Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, i Klubit të Shkrimtarëve dhe Artistëve të Durrësit, nënkryetar i Art Clubit “Rifat Kukaj”, i cili u themelua më 2014, bashkëthemelues i Klubit Letrar “Latif Berisha” në Vushtrri etj.

Gjatë tërë kohës së luftës sonë çlirimtare qëndroi në shkrepat e Arbërisë së Vogël, përkrah luftëtarëve të lirisë, duke mbajtur shënime e ditar lufte dhe gëzon statusin e Veteranit të UÇK- së. Për suksese dhe të arritura në punën me nxënës, në krijimtari dhe në hulumtime shkencore, ka marrë shumë Dekorata, Mirënjohje, Falënderime e Plaketa. Më 27 Nëntor 2007, “Kompleksi Përkujtimor ADEM JASHARI” i ka lëshuar një Falënderim për kontributin e dhënë, diku mbi 27. 000 euro, nga librat e shitur...Nërkaq, më 26 gusht 2012, nё Poetika mbarёkombёtare “Ndue Bytyçi 2012”, organizuar nё Malin e Dajtit, gjegjësisht në Tiranë, u vlerësua me çmimin ”Hasan Prishtina”.

Në Ditën e Çlirimit, më 17 qershor 2015, Komuna e Vushtrrisë e nderoi me çmimin PENA E ARTË.

Krijimtaria

Gjeografia e veprave të Bedri Tahirit është e plotë, ajo përfshin gjithë Trojet Etnike Shqiptare. Edhe idetë e veprave bartin mesazhe të qarta dhe të gjitha nënkuptojnë synimet tona shekullore që konsistojnë në ribashkimin tonë kombëtar. Ky krijues i palodhur nuk pushon për asnjë çast. Pena e tij e mprehtë nuk i lëshon lehtë as dukuritë negative të aktualitetit tonë shoqëror. Deri tani ka botuar këto vepra:

Azem Bejtë Galica, 1995,
Përmendorja që mungon, 1997,
Hys Popova- një yll në Yllësinë shqiptare, 1998,
Adem Jashari- legjendë e legjendave, 1999,
Përjetësia, 2000,
Agu i lirisë (e ribotuar dy herë), 2001,
Drenica- një shekull trimërie (u ribotua tri herë), 2002,
Përtëritja, 2002,
Flakadanët e lirisë 1, 2004,
Drejtësia në sprovë, 2005,
Azem Bejtë Galica (botimi i dytë i plotësuar), 2005,
Flakadanët e lirisë 2, 2006,
Nga Shqipëria në Shqipëri, 2007,
Flakadanët e lirisë 3, 2007,
Adem Jashari- legjendë e legjendave (botim i nëntë), 2008,
Hasan Prishtina- Truri i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, 2008,
Abdyl Krasniqi- frymëzes brezash, 2009,
Diferencimi (Tregime), 2010,
Për Flamurin kuqezi, 2010),
Vesel Galica atdhetar dhe mentar i shquar, (2010),
Nё Grykё tё Valbonёs. (2011),
Flakadanёt e lirisё 4, (2012,
Ramadan Bajraktari... (2012),
Përsiatje recensionale, (2013),
Gur i diellit shenjëtor, (2013)
Atdhetarizmi jeton në përjetësi, (2013),
Përmendorja që mungon, (2014),
Toponimia e Galicës. (2014),
Jashar Jashari- Komandant DURAKU. (2015),
Ligjërime e përimtime, (2015),
Lufta e Drenicës... (2015),
Drenica – Djepi i trimërisë, (2015)
Përshtypje nga Franca. (2016).

I ka të gatshme për botim edhe këta libra:

Fehmi e Xhevë Lladrovci- të pandarë edhe në përjetësi,
Flakadanët e lirisë 5,
Xhemë Tërnafci- Sugari i Çetës,
Poezi e tregime,
AGIMI I LIRISË,
Interferime historiko- letrare,
Metamorfoza (tregime) etj.

Në vitin 2008 doli nga shtypi libri “Opusi krijues i Bedri Tahirit- lapidar për dëshmorët e lirisë”, përgatitur nga Zenun Gjocaj e Xhavit Aliu, ndërkaq, vjet, në korrik 2015, u botua edhe libri “Pena e Bedri Tahirit përjetëson lavdinë tonë kombëtare” të autorëve Xhemail Peci e Xhevahir Cirongu. Në fundvitin 2016, studiuesi i njohur Xhemail Ali Peci nxori në dritë librin “Zemër-thirrja e Bedri Tahirit: Atdhetarizmi jeton në përjetësi”.

Aktivitetet e tij mësimore, edukative, studimore, shkencore, letrare e kulturore janë përditshmëri e zakonshme dhe nuk kanë të ndalur.

No comments:

Post a Comment