2017-05-14

Cikël poetik nga Naxhije Bajraktari-Doçi



Naxhije  Bajraktari- Doçi është e lindur në Therandë (Suharekë) në Familjen Bajraktari të Therandës. Kjo familje më së dy shekuj ishte prijetare në luftërat për liri të tokave shqiptare, ndërsa në gjysmën e dytë të shekullit njëzet ishte e përndjekur dhe e burgosur pse vepronte me përkushtim për t’u çliruar nga pushtuesi serb në Kosovë. Babai i saj, Destan Bajraktari, profesor, ishte i anatemuar nga pushtuesi serb, i burgosur politik, folklorist dhe autor i më se 40 veprave poetike e folklorike.
Naxhije Doçi shkollën fillore e kreu në vendlindje, në Therandë, të mesmen, Normalen në Prizren, Fakultetin Filologjik-Gjuhë e Letërsi Shqipe, në Prishtinë. Është e martuar dhe jeton në Prishtinë me bashkëshortin, prof. dr. Rexhep Doçi dhe ka tre djem me përgatitje të larta shkollore e shkencore. Mbi 30 vjet ka punuar profesoreshë në shkolla fillore dhe të mesme te Prishtinës. Nga viti 2000 Shefe në Drejtorinë për Arsim të Kom. së Prishtinës dhe zëv. drejtor.
Në vitet e 80-ta në shkollën ku punonte, tani Shkolla e Mesm Teknike “28 Nëntori”, në Prishtinë, për shkak të reagimeve të shpeshta ndaj ndëshkimit të nxënëve shqiptarë, që dilnin në protesta kundër pushtimit dhe diskriminimit serb në Kosovë, bije në sy për të keq tek administrata e shkollës dhe më gjërë. Reagimet e saj do të vazhdojnë edhe në kohën e ndryshimit të amandamenteve kushtetuese në vitin 1989 në Kosovë, segregacionit në shkolla dhe helmimit të nxënësve shqiptarë nëpër shkollat e Kosovës, më 1990. Në klasën ku ishte kujdestare e klasës (kl. IV) i helmohen 23 nxënëse nga helmet toksike misterioze serbe dhe me ndihmën e nxënësve të paprekur nga helmimi i bartë me veturën e vet dhe si të mundet nxënëset e helmuara të klasës, as të gjallë e as të vdekura, për t’i dërguar deri në spital, si edhe nëpër shtëpitë e tyre. Angazhimet dhe veprimet e tilla do të kritikohen rrebtë nga administrata diktatoriale e kohës dhe për këtë do të ftohet disa herë në bisedat e ashtuquajtura informative në SUP-in e atëhershëm tmerrues serb në Kosovë, si edhe do të merret vendimi për përjashtim nga puna si profesoreshë. Në vitin 1991 një vendim i tillë makabër do të bastardhohet, se tani të gjithë nxënësit dhe mësimëdhënësit shqiptarë ishin të përjashtuar e të diskriminuar nga e drejta për shkollën shqipe. Edhe gjatë mbajtjes së mësimit nëpër Shtëpitë-Shkolla është torturuar fizikisht e psiqikisht prej policëve serbë, që hynin me barbari të paparë edhe në orët mësimore, në Shtëpinë-Shkollë.
-Nga viti 1989 Naxhije Doçi është marrë intenzivisht me aktivitete të organizuara arsimore e politike në të mirë të Kosovës. Ka punuar shumë për shkollimin dhe emancipimin e femrës shqiptare në Kosovë, si edhe për të drejtat e saj.
-Është themeluese e Degës së IV te Lidhjes Demokratike të Kosovës, në Prishtinë, ndërsa në vitet 1992-1997 zgjidhet edhe nënkryetare, si edhe kryetare e FGLDK për këtë Degë.
-Pas luftës zgjidhet sekretare gjenerale e FGLDK dhe kryetare e Degës së II të FG, në Prishtinë.
-Nga viti 2010 dhe aktualisht është nënkryetare e Forumit të Gruas të LDK.
-Më 2004-2007 zgjidhet deputete në Kuvendin e Republikës së Kosovës
-Më 2005 shpallet Ambasadore e Paqës Universale në Botë.
-Në Kongresin Mbarkombëtarë të Gruas Shqiptare, mbajtur në Prishtinë
më 2012, shpallet Gruaja Shqiptare e Vitit
-Naxhije Doçi është anëtare e Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës (LSHK)
-Nënkryetare e PEGASI-KOSOVA dhe anëtare e LNPSHA “PEGASI”-ALBANIA
-Anëtare: Unioni i Shkrimtarëve dhe Kritikëve Shqiptarë - Prishtinë.
-Anëtare e QKPSHA-Gjakova, në Gjakovë.
-Anëtare e Shoqatës së Shkrimtarëve “Elena Gjika-Dora D’Istria” - Therandë
-Naxhije Doçi është shkrimtare dhe ka shkruar këto libra:
1.“Shpirti i dërmuar-Dhuna serbe ndaj femrës shqiptare në Kosovë
1997-1999”,Prishtinë 2001, (330 f).
2. “Destan Bajraktari folklorist, letrar dhe atdhetar ”-Prishtinë -2009, (445 f.)
3. “Krimi dhe përdhunimi serb kundër femrës shqiptare në Kosovë 1997-1999”,
Prishtinë -2010, (441 f.).
4.”The Serbian crime and rape against the Albanian Woman in Kosova 1997–1999”
Prishtinë – 2013, (465 f.)
5. Libri me poezi “Kohë flakadanësh të lirisë”, Prishtinë - 2012, (205 f.)
6. “Times of flambeaus of fredoom” - Pristinë, 2012, (205)
7. Libri: “UDHA E KOMBIT-Ëndërr e dehur e rrënjës”-Poezi, Prishtinë -2015, (120 f.).
8. E ka në shtyp librin e tretë me poezi dhe të tetin me radhë
-Ka marrë pjesë në shumë tubime letrare e shkencore në Kosovë, Maqedoni e Shqipëri,
ku edhe ka marrë shumë Mirënjohje, si edhe ka zënë vende, ndër të cilat edhe:
-Vendi i parë – Konkurs Letrar:Shoqata e Shkrimtarëve “Fahri Fazliu”, në Kastriot, 02.11. 016
-Vendi i dytë – Konkursi Letrar –QKPSHA “Gjakova”- maj 2014 etj.
-Vendi i tretë – Konkursi Letrar - Therandë – 2014 dhe më 2015
-Mirënjohjet:
-Titulli “Krenaria LNPSHA – PEGASI- ALBANIA”, Tiranë 2009.
-Titulli: “Publiciste e vitit 2013 për Kosovë”-“PEGASI”-Albania.
-Mirënjohje “Ulpiana Krenaria jonë”-Kuvendi Komunal-Prishtinë (Drejtoria për Kulturë) -2013
-Mirënjohje “Engjulli i Prishtinës” – 2014, si edhe shumë Mirënjohje të tjera
-Naxhije Doçi është autore e shumë fejtoneve gazetareske për tmerret e luftës në Kosovë,
vlerësimeve shkencore dhe e punimeve etnografike e gjuhësore.
-Është recenzuese veprash letrare dhe autore tekstesh shkollore si:
1. “Fletore pune e gjuhës shqipe”, për kl.e IV.
2. “Fletore pune e gjuhës shqipe”, për kl. e V-të.
3. Libër leximi për kl. e III – “Mësojmë shqip”

Prishtinë - 2017






FRYMOJ LIRSHËM


Kur shkoj në vendlindjen time
në Therandën e shekullit të ri XXI
malesh të larta rrethuar
e fushash pjellore zbukuruar
më duket vetja krejt e përtrirë,
frymoj lirshëm kënd më kënd
me etje të dehura përmallimi,
e dua për së tepërmi këtë vend.

Krenari të çmendura mitike
me rreze të zjarrta lumturie
më reflektohen në zemër
për lirinë e bardhë
në flakërimë të derdhur,
baladën e madhështisë së ndritur
të trimave ballëlartë të kohës,
Syshqiponjave Heroike.

Logut të kujtimeve gjurmuese
shpalos copëza jete të thepisura
me dhembje të renditura
sa një muranë,
si në pikturë shoh
errësirat në përmasa hakërruese
të robërisë së dalë kohe,
ku zhvillohej procesi i mbijetimit
të bashkëvendasve të mij imagjinativë
me pranvera të vjedhura mizorisht
dhe ninulla të shpërndara.
Burgosje me shtresime të pakuptimta
shkallë - shkallë
kthinave të tjetërsimit,
shpërngulje shfarosëse
largësive të braktisura të globit
hapësirave të harrimit.

Në sfond shoh prangat në duart e babait
shtrënguar thellë në mish e kockë
deri në mavijosje e nxirje,
se frymoi me zemrën piramidë
për një epokë të re,
pa stuhi 
në tokën e idhujve të dritës, 
për këngën e ndezur pa cenzurë,
gardhin gur i palëkundur
dhe shtizën me flamur.

 UJËVARË DASHURIE


Kosovë etur për shijen e lirisë,
ujëvarë dashurie
me lashtësi përmasash të dehura,
shekulli njëzet i robërisë së mykur
klithmë e sfilitur
në palcën tënde të pëlcitur
me nënqiell përherë të kafshuar.
Deri te portat e dritës
hermetizim i lëbyrtë,
mugëtirë mesjete,
tepër i përlotur
mbijetimi gërrysës i vetmisë.

Në epilog mijëvjeçarësh
mbi shtatin tëndë granit i ruajtur
shkalloi edhe plojë e rangimit të ftohtë
me thellësi të ciklonta.
Nga stuhitë me rrebeshe
skena tmerri brenda e në sheshe,
teh-thikat e harlisura mëkatare
hedhin lirshëm vallën e vdekjes
në mish-kockën e pafajsisë,
nuk gjendej kund vend-strehimi
as për fëmijët e mekur nga rrufetë
përcëlluar nga trisht i marrëzisë.

Strallët e palëkundur
që i sfiduan stërkalatë
me gjoks micsokolash
e skalitje melodish ndër shkrepa
i arkivuan me copëtime të vrara,
gjithkah të shpërndara
nëpër sirtarët e harrimit.

Megjithatë,
në spikamë gjurmët,
këngë-vaji jehues
i lindjeve të bardha
simfoni e përtërirë,
epikë e dehur me urtësirë.

Kosovë - tempull i gufuar
rrëfim i flakëruar
horizontit të dëlirë.

  
JE SI NJË MUZË E GJALLË
                            (Prishtinës)

Prishtinë tempull magjik i bekuar
vrullesh të harlisura shëmbëllimi
në përqafim të diellit,
je si një muzë e gjallë
me frymim të lashtë paraantikë
që nga perënditë.

Në thellësinë e paprekur të qenësisë
kënga jote me sy deti
dendësive pëllarore të Gërmisë
ku shtojzovallet pagane
ende thurin romanca dashurie
për trëndafilat e tu të kuq,
lulegjaket e përjetësisë.

Zog i magjepsur pas kaltërsive
në grishje pranverash melodike
mos ma ngatërro testamentin e krenarisë,
qasjen ndaj kohëve simfonike
me retorikën e vetmuar!
Le të përkunden legjendat e etnisë
në djepin purpur të idhujve
me jehun e derdhur triumfues!

Në hartën e shpalosur të atdheut
me kornizë thelbësore të jetës
mëtimi baladë e flakëruar
me hove zemre komponuar. 

Brerore e nusërimit të pamposhtur
me liri e njëmendësi ardhmënie
sa shumë ta kanë lakmi
për rininë përherë në përtëritje
gufuar nga dashuria.


 KULLA QË OFSHAJNË
(Shqiptarëve të migruar nëpë botë)


Përshëndetje me gjuhë zemre
ju kalorës të gjakut tim sublim
të fisit plisbardhë pellazdo-ilir
të moshuar e të rinj
që morët botën në sy
në sfidim mynxyrash të përdalta
bajlozësh të pështyrë
të hershëm e në vijimësi
që rrëkëllyen gur e dhe
mbi lashtësinë time të thinjur.

Përmallime zemre ndjejmë për ju
ag e terr
për gjallërinë përplotë hirësi
që mungon në përditëshmëri
hapësirave të dritës.

Nëpër poret e thellësisë së dehur.
kurrë s’ju themi lamtumirë
pos urimit të pandalur:
Mirëseukthefshit
në tokën e melodisë së etur,
në madhështinë e frymimit të pathyer
me krenari përmasash të dëlira!
Atdheu ju thërret
në gjuhën shqipe të shenjtë
me mbëltimin e dashurisë së virgjër,
vendlindja e vrullit të ndezur
hapakrah ju pret
në prehërin prush.

Edhe mijëvjeçari shpërthyes i tretë
përplotë stinorë durimi
me dhembje të arkivuara
që vështirë të rangohen si të shkuara,
shumë strehë heshtin e mekur
në fshat e në qytet,
kulla që ofshajnë
me ritme pritjesh të pathyera
për jehun kumbues
në përtëritje.

Themele e mure
dëshmi e ruajtur trungu
ndërtuar me djersën tuaj të përlotur
derdhur largësive të zhveshura,
modernja e stilizuar
me traditën e trashëguar
art i përkryer,
melodi me rreze purpuri komponuar.


 TANI TOK E DUAM JEHUN TËND
(Gjyshit gur i palëkundur-Sejdi Bajraktari i Parë)


Fjala e tij urtësi e logut
gur i palëkundur
mbi madhështinë e kullës.
Eklipseve të nemura të dheut mëmë
kur rrethohej kulla nga zgërdhirje djajësh
me egërsi të çmendura
dragua kohësh me besë e zemër
në shembje robërish të pakuptimta
mbi themelet prush.
E nesërmja sfond baladash të hirësisë
në horizontin e frymimit të bardhë.

Në rrethim të Tij
për shkëputje historish të lidhura
dashuritë vig i palëkundur
damarëve të kallur të kullës,
shkëmbinj epokash bëheshin
në theqafje shpirtlëbyerësish të nemur,
Ai dhe Kulla moshë e fat të njëjtë.

Gjyshin me etje të pashuara
për këngën sagë në flamur-shkab
e njoha vetëm nga kujtimet e ruajtura
për bëmat heroike në begatim të historisë
dhe nga fotografia e varur në mur.
Nuk e përjetova kurrë
ngrohtësinë e fjalës së tij
as flokët kurrë nuk m’i përkëdheli
mëngjeseve të dritës.
Ëndërr e djegur nëpër kohë.
pikëtakimi i brezit me brez,
luftërat mbijetuese i shkallmonin gjenezat.
Krenaria për të
purpur përherë i ndezur.


Para permendores së gurtë
ngritur në kopshtin djegur përmallimit
(që ta kishim më afër prehjen e tij
ndër kontraste të hidhura stinësh)
me Gjyshin gur i palëkundur
bisedoj me frymëmarrje hirësie
për zgjimin e ndërgjegjesh të fjetura
në vlerësim realitetesh historike
me hukamë dëlirësie.
Në mermer të bardhë shtova epitafin:
“Tani tok e duam jehun tënd”

 NUSE ME VELLO TË BARDHË


Moshës së harlisur nga etjet
romancë me vezullime purpuri
në shpirtin tim të padjallëzuar
si një magji e krisur,
ëndërrimet në shembëllim pranvere.
Dehur vrullesh të zjarrta
herët depërtuan shikimet e çmendura
si akuarel i magjepsur në pikturim
pranverave të blerta nga mugullimi.

Në arenë zgjimi
hovet në dalldisje zemre
me ndjeshmëri të guximshme rrëfimi,
për herë të parë
nuse me vello të bardhë
ndër lisnaja të shirta përrallore
me përlindje agmie,
ujëvarat në derdhje të natyrshme dashurie.

Duvaku i kuq
sfond i ndezur frymëzimi
gjurmimit të dëlirë,
relikt i ruajtur si flamur
i krenarisë sime purpur
që nuk shuhet kurrë.



No comments:

Post a Comment