2017-05-16

“Dëshmitar të Speciales”, Anton Quni e Adem Salihaj i përgjigjen PDK-së!

Gresa Bajraktari

Gresa Bajraktari



Seanca e mbajtur me 10 maj për votimin e mocionit për rrëzimin e qeverisë, përpos që u votua dhe u rrëzua Qeveria Mustafa, bëri edhe që të shpërthejnë deklaratat, akuzat e kundër akuzat ndërmjet deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

E debati më i ashpër u zhvilluar ndërmjet deputetit të LDK-së, Anton Qunit dhe kryetarit të Kuvendit të Kosovës, njëherit edhe kryetar i PDK-së, Kadri Veselit. Por pas debatit ndërmjet Qunit e Veselit, në fjalimin e saj, Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës Ganimete Musliu deklaroi se deputetët e LDK-së, Anton Quni dhe Adem Salihaj janë dëshmitarë në Gjykatën Speciale.

Anton Quni, Adem Salihaj dhe Milaim Zeka

Këtë informatë Musliu ka thënë se ia ka dhënë një bashkëpartiak i dy deputetëve.

“E pyeta për njërin nga deputetët e LDK-së se përse Quni e tha atë fjalim në Kuvend, dhe deputeti mu përgjigj. Mos u befaso që Anton Quni bashkë me Adem Salihajn mund të jenë dëshmitar në Gjykatën Speciale”, u shpreh ajo në foltoren e Kuvendit.



Anton Quni e  Adem Salihaj mohojnë të jenë dëshmitar të Gjykatës Speciale.

Ndërsa, deputeti i LDK-së, Anton Quni këtë deklaratë e ka quajtur si ide të sajuar dhe konspirative të saj, duke mohuar të jetë dëshmitar i Gjykatës Speciale.

Image
Anton Quni

“Krejt çka mund të them është se deklarata mund të jetë tendencioze me qëllimin që të ngjallë huti në LDK, mes nesh kolegëve dhe në opinionin e gjerë. Rreth kësaj deklarate komplet sharlatane unë mund veç të përsëris atë që e thash edhe në Parlament.

 Asnjëherë nuk jam kontaktuar nga asnjë institucion hetimor apo hetues të çfarëdo natyre, as vendor e as ndërkombëtar, qoftë si dëshmitar, qoftë si i dyshuar apo i involvuar në çfarëdo lloj ngjarje.

E thash që jam i njohur, ashtu siç mund ta di edhe opinioni i gjerë, se kam një aktakuzë të ngritur nga Serbia, nga e cila jam i dënuar 15 vite burgim, me vendim të prerë. Më tepër se kaq, asgjë!”, ka deklaruar deputeti Quni .

Ai ka shtuar se do të thirrej për të dëshmuar, nuk do të hezitonte që ta bënte këtë.

“Përndryshe, unë kam qenë ushtar i UÇK-së dhe në çfarëdo lloj situate nëse jam i thirrur, unë nuk do të hezitoj që ta bëj publikisht me krenari mbrojtjen e vlerave të luftës së pastër të djemve dhe vajzave të Kosovës!”, është shprehur Quni.

Image
Adem Salihaj

Në anën tjetër, deputeti Adem Salihaj ka mohuar të jetë dëshmitar i Speciales, duke mos dashur që të merret me këtë temë më shumë.

“Nuk jam dëshmitar i Gjykatës Speciale”, është shprehur shkurt  deputeti Salihaj.

Milaim Zeka dyshon tek Salihaj

Ndërsa, lidhur me gjithë këtë, Milaim Zeka e ka quajtur banale deklaratën e deputetes Musliu, ndërsa që thotë se edhe prononcimi i Anton Qunit ka qenë i pamatur.

“E kam thënë që e kam të familjes, por nuk më intereson a e kam të familjes apo jo, kur polemizoj me njerëz dua të jem parimor. Akuza e saj në drejtim të Anton Qunit ka qenë shumë banale, sikurse që mendoj se prononcimi i Antonit ka qenë i pamatur për një ushtarak, për një pjesëtar të ushtrisë çlirimtare të Kosovës, që të thotë se unë po rri këtu derisa t’ju shoh prapa grilave, për mendimin tim, ia kam thënë edhe direkt Antonit, ka qenë deklaratë e pamatur.

Image
Milaim Zeka


Kjo pjesa tjetër e Ganimetes ka qenë akuzë spekulative, të cilën me siguri ia kanë dërguar me SMS shefat e saj, i kanë thënë, thuaj kështu. Dhe tjetra, përpos akuzë është edhe kërcënim përmes kësaj një deputete e parlamentit të Kosovës apo kushdo qoftë nuk guxojnë t’i kërcënojnë njerëzit a janë a s’janë dëshmitarë, që të përzihen në çështje të drejtësisë”, është shprehur Zeka .

Por, nëse ka shanse që Quni dhe Salihaj të jenë dëshmitarë të Gjykatës Speciale, Zeka është shprehur: “Për Adem Salihaj nuk mund të them asgjë sepse nuk e njoh. Për Antonin, e njoh dhe mund të garantoj në mënyrë absolute pasi që unë i besoj 100 përqind deklaratës së Anton Qunit që ai nuk është dëshmitar e as nuk është marrë në pyetje as asgjë”, ka deklaruar Zeka

No comments:

Post a Comment