5.17.2017

Dramaturgjia , erudizioni teatror dhe spektakli

askushi-351x350
(Shfaqja premierë “Askushi” nga Bashkim Hoxha, një sukses i merituar i teatrit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit)


Nga Xhemal Sefa, regjisor


“Iliada” dhe “Odisea”, dy poemat më të mëdha mitologjike dhe epike të Homerit nga literatura antike greke, kanë qenë përherë gurrë e pashterrëshme dhe burim frymëzimi për artistët e mbarë botës në të gjitha gjinitë, llojet dhe zhanret e veprimtarisë së tyre krijuese e sidomos në atë të artit skenik e kinematografik. Odisea apo Ulisi (sipas emrit latin), heroi homerik është arketipi i njeriut të sotëm modern, është ai që ka guximin, vullnetin e këmbënguljen për të ndërmarrë, përshkuar e përmbushur deri në fund synimin, qëllimin dhe idealin që ka në mendjen dhe në vetë zemrën e vet. Nuk ka se si të mos jetë e këtillë edhe vepra mijëvjeçare “Odisea”, që tashmë bën pjesë në ndërgjegjen tonë kolektive jo vetëm nga vargjet e pavdekëshme poetike të saj por edhe nga interpretimi i jashtëzakonshëm i aktorit tonë shqiptar të Kosovës me famë botërore Bekim Fehmiu, në filmin dramattico – epik me të njëjtin emër të Franko Rossit (bashkëprodhim italian, francez, jugosllav e gjerman i vitit 1968) në variantin televiziv dhe kinematografik; që trondit shpirtin tonë si një det plot tallaz duke zbuluar energji dhe forca të pashterrëshme njerëzore. Vepra dramatike “Askushi”, e inspiruar pikërisht nga “Odisea” dhe e shkruar me një fantazi të gjallë e të pasur krijuese origjinale nga shkrimtari dhe dramaturgu i mirënjohur Bashkim Hoxha (Mjeshtër i Madh); e merr pikënisjen dhe shtjellon veprimin skenik nga momenti i kthimit të Ulisit në Itakë, mbas shtatë viteve të mbarimit të luftës, në ditën e Festës së Përvjetorit të Clirimit dhe të shpalljes së martesës së Penelopës me Antinoin. Autori i vendos me mjeshtri dhe origjinalitet ngjarjet në një moment tepër të favorshëm për të transmetuar veç të tjerave një ide të madhe e të qënësishme nëpërmjet pyetjes: “C’do të bëjmë me Paqen, luftën e fituam, me Paqen ç’do të bëjmë, si do ta “administrojmë””; duke treguar transformimin e njeriut, ”përçudnimin e tij” moral e shpirtëror, braktisjen e idealeve të luftës dhe rendjen pas pushtetit dhe lavdisë, grabitjes dhe xhvatjes së pronave dhe pasurisë, zullumit dhe makutërisë së pafund duke humbur kësisoji çdo ndjenjë njerëzore. Qëllimet, idealet dhe sakrificat sublime të luftës tashmë janë harruar dhe zhdukur plotësisht. Përvjetori i “Festës së Clirimit” vendos përballë njëra tjetrës dy botëkuptime me kontradikta thellësisht antagoniste që përfaqësohen nga Ulisi nga njëra anë dhe antagonistit të tij Antinoit dhe shokëve të tjerë të armëve, bashkëluftëtarëve të tij të tjetërsuar tërësisht. Trama apo fabula dhe konstrukti i saj unik me ngjarjet, faktet dhe bëmat në rrethanat dhe situatat dramatike dhe tragjike të trajtuara në shfaqje janë krijime të autorit tonë, i cili sikurse shumë autorë të huaj bashkëkohorë që e kanë trajtuar sipas mënyrës së tyre; duke shfrytëzuar madhështinë dhe epicitetin e heronjve e të personazheve të poemës e duke marrë emrat e tyre, ndonjë ngjarje apo fakt mitologjik apo edhe ndonjë marëdhënie e relacion midis tyre ka krijuar veprën skenike. Në realizimin e kësaj vepre teatrore trajtohet edhe tema universale e dashurisë me dy intreçot: Askushi -Penelopa -Antinoi dhe Kalipso -Askushi – Penelopa të ndërthurura midis tyre dhe të zgjidhura jo sipas klisheve “pozitive apo negative”, por në mënyrë të drejtë e të natyrëshme ku autori i lë personazhet, që me dramacitetin dhe tragjizmin e tyre të shkojnë në rrjedhën logjike në fundin tragjik. Kësisoji dramaturgu ynë i shquar në një farë mënyre “hedh dorashkën” e sfidës edhe për dramaturgët e tjerë të huaj, që kanë trajtuar këtë temë mbi këto motive. Me një përvojë dhe eksperiencë të gjatë prej disa dekadash ai do të debutonte me sukses në fushën e dramaturgjisë që në hapat e para të krijimtarisë së tij me dramën “Shokë lufte” më 1976 ne Teatrin “Aleksandër Moisiu”, suksesi i së cilës do t’i hapte dritën jeshile për të ndezur pas një viti dritat shumëngjyrëshe të suksesit edhe në skenën e Teatrit Popullor (sot Teatri Kombëtar) me dramën “Vërshime pranverore”, që do të vihej në skenë me titullin e ri “Të jesh 20 vjeç” edhe në Teatrin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit me regjinë e Haxhi Ramës, (“Një vepër dramaturgjike për rininë me vlera ideore dhe artistike dhe disa probleme”, reçension nga gazeta “Adriatiku”26 shkurt 1978). Dhe teatri do të ishte për të “dashuria e parë”, që do të gjallonte dhe nuk do t’i ndahej gjatë gjithë veprimtarisë krijuese (krahas lëvrimit po me aq sukses edhe gjinisë së romanit), në trupa të ndryshme teatrore në mbarë vendin. Me një formim të plotë kulturor dhe veçanërisht me një erudicion teatror e njohje të thellë e të gjithanëshme të skenës disa nga pjesët e tij do sendërtonte vetë në skenë duke shënuar suksese të herë pas herëshme me ndërprerje ndërvjetore për të mbrritur në shfaqje e spektakle të tillë të arrirë si “Heronjtë e viagrës”, “Këtu vallëzohet me hijet” etj. dhe tani së fundi me suksesin e merituar me “Askushin”. Në punët e lavdërueshme regjisoriale, në teatrin si art sintetik me guximin krijues të një një artisti të spikatur, ka aplikuar me sukses elementë, forma e mënyra shprehjeje si teatrin e hijeve etj. dhe tani së fundi cirkun të emërtuar si Cirku i Paqes si një “personazh” harmonik, i nevojshëm dhe i domosdoshëm, që ruan jo vetëm unitetin dhe vazhdimësinë në rrjedhën e ngjarjeve por edhe koherencën tempo – ritmike duke zgjidhur në të njëjtën kohë situata shumë të rëndësishme të shfaqjes si momentin tragjik në finale para fjalimit të Antinoit, (truku i lojës së cirkut kur “pastron” vendin), që është ndër gjetjet më të bukura regjisoriale. Cirku si “personazh i madh” figurativ, që drejtohet mjaft mirë në interpretimin e Gjergj Doçit me ndërhyrjet e tij të sakta jo vetëm në tempo – ritmin emocional ku ndodhet skena, por edhe me “buon – sensin” hokatar e gazmor të një artisti cirku, është në shfaqje përpos funksionit si figurë artistike me personazhet si Askushi dhe Kalipsoja, metaforikamente edhe si “pemë e bukur e Vitit të Ri”, e gjallë dhe e lëvizëshme me “lodra zbukurimi” të tilla si: kllouni Chaplin, në imitimin e artistit gjenial nga Edmond Halili, kllouni i drunjtë i Dashamir Sinanit, që befason me interpretimin pantomimik të rolit dhe sidomos me plastikën e veçantë në sinkron me ritmin e muzikës dhe kllouni i tollumbaceve Muharrem Asllani në vendin e rolin e tij. E frymëzuar edhe nga sugjestione të thella të brendëshme përfytyruese të madhështisë së poemës, shfaqja nën një sfond të bukur muzikor të përzgjedhur me shije e kulturë nga Orges Estrefi është vendosur në një kornizë të këndëshme virtuale me një gjuhë shprehëse regjisoriale “di kantoro” që të josh me poetikën e saj. Të tillë forcë shprehëse kanë mizanskenat e skenës së shikimeve të para të Askushit me Penelopën, që thellë në zemër ka shtatë vjet që e pret atë dashuri të zjarrrtë, të dlirë e të pastër si dhe ato të skenës së takimit dhe të dialogut të kujtimeve të mallit e të nostalgjisë të atyre viteve të rinisë. Spektakli hapet me Penelopën në qendër të skenës, me bukurinë, dinjitetin dhe madhështinë e femrës në mizanskenë statike me qëndrimin bust, që flet me vetë heshtjen e saj dhe mbyllet me lëvizje, me ecjen e saj, që shoqëron mbylljen e perdes; lëvizje që simbolizon rrjedhën e jetës që vazhdon drejtimin e saj të pandryshuar me gjithë përmbysjet e mëdha që kanë ndodhur. Penelopa si personazh i shkruar dhe i mishëruar në skenë nga Era Caushi me një lojë skenike të pastër, të qartë, të shkathët e të zhdërvjellët është një figurë e bukur artistike e një gruaje dinjitoze që të ngjall respekt, pohimi më i mirë i së cilës ishte vendimi i saj para dy kandidatëve: “Unë nuk jam gruaja e askujt”. Me njohjen e thellë dhe të plotë të veprës letrare në çdo qelizë të saj dhe me konceptin e qartë regjisorial B. Hoxha dhe asistenti i tij regjisori i ri i kujdesshëm e i vëmëndshëm Elios Ibro, kanë ditur t’i plazmojnë mirë idetë në sheshin skenik të dekorit tepër të thjeshtë e konvencional. Edhe monumentalizmi, madhështia dhe heroizmi, që përherë përcjell me jehonën e saj nga thellësitë e shekujve poema e madhe, legjendare, mitologjike dhe epike e Homerit, janë zgjidhur me “një prerje të artë” duke e vënë heroin dhe të gjithë personazhet e tjerë “me këmbët në tokë”; ata veprojnë tejet natyrshëm, me bindje dhe vërtetësi duke komunikuar në këtë mënyrë me spektatorët më mirë e duke i folur të sotmes më qartë dhe më bukur. Roli i Askushit (emri fiktiv i Ulisit i përdorur nga ai vetë me dinakëri ndaj Polifemit, ciklopit në poemë dhe me zgjuarsi nga autori në rrethanën dramatike të veprës teatrore aktuale të shkruar bukur), padyshim i ëndërruar nga çdo aktor u realizua mirë nga aktori Besmir Bitraku, që me interpretimin e tij koherent në përputhje me konceptin regjisorial mbajti ndezur gjatë gjithë shfaqjes vëmendjen e spektatorëve dhe siguroi suksesin e spektaklit. Me funksionin e figurës së tij artistike në shfaqje me “peshën dhe vendin që ze”, Antinoi i Marvin Tafajit e mbështeti plotësisht këtë sukses. Me lojën e tij skenike krijoi një figure “prezentabël”, të besueshme dhe me momente mjaft të mira sidomos me fjalimin në finale të spektaklit sintezë e koncentrat të superdetyrës së shfaqjes. Eurinoku, ky personazh disi “i dyzuar” në linjën e tij si figurë artistike u interpretua drejtë nga aktori Xhejni Fama. Ai mban mirë drejtpeshimin në “mëdyshjet” e tij duke i zgjidhur “vështirësitë” e figurës me monologun e tij të brendëshëm, me heshtjet që flasin dhe me lëvizjet e përmbajtura e të menduara duke dhënë një figurë skenike interesante. Spikat me interpretimin e saj në mënyrë të veçantë aktorja Mimoza Marjanaku në rolin e Kalipsosë si aktore me temperament, që në situata dramatike shpërthen fort, çiltër, besueshëm e me vërtetësi. Me këtë rol demonstroi edhe një herë se preston edhe për role të fuqishme dramatike. Edhe pse e veshur “me petkun e antikitetit”, shfaqja është tej e nd’anë aktuale që me mesazhin e saj dhe me mendimin asociativ figurativ që e shoqëron, ka një tingëllim të fuqishëm politik, i cili kulmon me fjalimin e Antinoit në finale, një shëmbëlltyrë e gjallë, një paralelizëm dhe analogji e vërtetë artistike me fjalimet në përvjetorët tanë të Ditës së Dëshmorëve apo të Festave të Nëntorit, të cilat me dhimbje të thellë i ndjejmë dhe i përjetojmë realisht. “Askushi”, kjo vepër teatrore në realizimin skenik të trupës se re, të talentuar të Teatrit “Aleksandër Moisiu”, falë punës së saj plot pasion, ndihmuar me dëshirë e vullnet edhe nga i gjithë stafi teknik “i prapavijës”, shënon pa dyshim një sukses të merituar, që u konfirmua me duartrokitjet përshëndetëse e falenderuese të spektatorëve, që mbushën sallën në katër replikat e shfaqjeve premierë.

No comments:

Post a Comment