2017-05-16

Fatbardha Demi :Arbërit e shekullit të 15 që ndriçuan Europën


Rilindasit duhen lexuar e rilexuar gjithëmonë, 
sidomos në kohëra të vështira.

Ismail Kadare

Nuk është fakt i panjohur se historiografia europiane ka shkruar mbi Kombin Arbër, e ndikuar nga botkuptimi politik dhe fetar i shk19. Kjo Histori (dhe jo ajo e autorëve që e kanë njohur nga afër popullin tonë dhe na kanë lënë dokumente të çmuara) vijon të gëzojë besueshmërinë e botës akademike edhe në shekullin e 21.

Dy nga këto fakte na i dëshmon studiuesi Kolë Kamsi (1886-1960) : « Në nji nder mbledhjet e Kuvëndit të Berlinit , Princ Bismarku , pat mbrritje me thâne se ai s’dinte që ekziston në Ballkan nji popull shqiptar. Që prej asaj kohe edhe mbrapa , me gjith luftrat e kryengritjet që bâne Shqipetaret për me mbrojte me gjak tokët e tyne nga lakmit e fqinjvet e për me u dalë zot të drejtavet kombtare, u gjetën të tjerë burra shteti, shkrimtarë e gazetarë të huej , që patën guximin t’i shpallin botës se Shqipnia âsht nji shprehje gjeografike , se nuk ekziston nji komb Shqiptar në kuptimin e vërtetë të fjalës e se Shqiptarët , gjithmonë shkaktarë ngatrresash e trazimesh në Ballkan, janë nji grumbull fisesh e bajrakesh të ndryshëm pa ndergjegje kombtare. N’anën tjetër edhe Turqit , si të Vjetrit si të Rijt, patën sy e faqe të na quejnë Qitabsyza, nji popull pa libra, pa nji letërsi, a thue se gjëndja e mjerë në të cilën lëngojshim edhe për kahë kultura e lëvrimi i gjuhës amtare nuk mvarej prej sundimit të keq e mizuer që mbajtën për sa shekuj në vend t’onë…» (1)

Për t`i qëndruar besnik titullit të materialit , nuk po ndalem për aresyet e mashtrimit të thënies që ju vesh Bismarkut, i cili në të vërte , u la dorë të lirë zbatimit të ëndrave të mbretërive të sapokrijuara ortodokse. Gjithashtu , u hapi rrugën historianëve, për fshirjen pothuaj totale, në studimet akademike europiane, të rolit të rëndësishëm dhe ngjarjeve historike të Kombit arbër. Në këtë material do të ndalem tek teza e «popullit të prapambetur kulturor » i krahasuar me vëndet fqinje, që ka zënë vend edhe në studimet shqipetare.

Për të përcaktuar nivelin e zhvillimit kulturor të një populli, zakonisht flitet për veprimtarë të shquar të elitës së tij, si: strategë ushtarak apo mbretër të fuqishëm, krijues të rymave të reja të mendimit filozofik, shkencor, artistik, etj. Në lidhje me Kombin tonë, sot për sot, historiografia e kohëve moderne, vlerëson shekullin e 15-të, kur në kufirin europian të vëndit të arbërve, të udhëhequr nga gjenia luftarake, dipllomatike dhe administrative e Skënderbeut, u ndal hovi i fiseve aziatike të osmanëve që synonin gllabërimin e të gjithë Kontinentit. Këtë shekull, mund ta quajm pamëdyshje “shekulli i heroizmit të arbërve”, sic na e dëshmon edhe letra dërguar Papës në vitin 1572 : « Shqipetarët ndoshta janë luftëtarët më të zotë në botë (…) është ai, që u rezistoi romakëve më tepër se të tjerët, i sulmuar para grekëve, ai u thye më vonë se këta. Asnjëherë ai nuk u fut plotësisht nën zgjedhën e Sulltanëve (…) në fushën e betejës ai u bë shumë herë tmerri i Lindjes dhe i Perëndimit. (Cyprien ,Robert Les slaves de Turquie, 1852) (2)

Por arbërit në atë kohë (dhe më vonë ), nuk i dhanë shkëlqim vetëm fushave të betejave të vëndit të tyre apo atyre europiane, por edhe mendimit filozofik, besimtar, administrativ, në shkencë, art dhe kulturë. Ky material u kushtohet dy figurave madhore arbërore të periudhës së Rilindjes europiane, i pari në Perëndim, ku njohu veç adhurimin e njerzve më të shquar të Humanizmit italian dhe i dyti në Lindje, i burgosur pabesisht dhe i dënuar deri në ditët e fundit të jetës në internim (do të trajtohet më vonë).

Gjergj Xhemisto – i quajtur Pletone
Eshtë hera e parë, që Gjergj Xhemisto (Giorgio Gemisto Pletone,1355 – 1452) përmendet me origjinë arbërore . Në shkrimet që i kushtohen kësaj figure, nuk flitet për përkatsinë e tij etnike dhe kjo është një arësye , për të besuar se është anashkaluar qëllimisht origjina e tij e vërtetë.

Në Oxford Dictionary of National Biography, ay emërtohet “shkollar grek i filozofisë Neoplatonike ” (Greek scholar of Neoplatonic philosophy) (3) Në materialet e tjera është emërtuar “filozof bizantin” (4) Por Fjalorët e kohëve të sotme në vëndlindjen e Rilindjes europiane (Italisë), si : Enciclopedia Italiana (1932), Dizionario di filosofia (2009), mjaftohen duke pohuar qytetin e lindjes Kostandinopolin. Ndërsa Enciklopedia e Lire -Wikipedia e përcakton me origjinë “bizantine” (5)

Le t`i analizojmë me rradhë të gjitha këto emërtime. Siç pohon Romilly Jenkins (Bizanti dhe bizantizmi ) dhe studiues të tjerë, Perandoria mesjetare e Lindjes, asnjëherë nuk është quajtur “bizantine” (6). “Nëpërmjet një abuzimi- shkruan Pashko Vasa “E vërteta mbi Shqipërinë dhe shqiptarët”- pjesa e fundit (e periudhës së Perandorisë Romake të Lindjes-shën im) u quajt Perandoria Bizantine ose Perandoria Greke. Këto janë gjëra që i njeh çdokush ” (7) Për herë të parë ky emërtim u përdor në librin e historianit gjerman Jérôme Wolf ( Corpus Byzantinae Historiae ) në vitin 1557 , afro një shekull pas rënies së Kostandinopolit, dhe u riçfaq në kohën moderne më 1857 në botimin e George Finlay (Histoire de l’Empire byzantin de 716 à 1057) . Historikisht, emri “byzant” i përket një qyteti të lashtë i cili u ndërtua, sipas miteve pellazge, nga mbreti Byzas, bir i Zotit të ujrave – Posejdonit.(8) Qyteti shtrihej në dy anët e fillimit të ngushticës së Dardaneleve. Emri i mbretit mitik- Byzas- (y / u) të kujton ( shprehur gjuhësisht në shqip) pikërisht grykën e kësaj ngushtice, si të dy buzëve të hapura, nga rrjedhin ujrat e Detit të Zi drejt Detit Egje.

Një tjetër mbret iliro-dardan , Kostandini i Madh, në vitin 330 vendosi aty kryeqytetin e tij (Romën e Re) duke e emërtuar, sipas zakonit të lashtë, me emrin e tij-Kostandinopol. Këtë emërtim qyteti e ruajti gjatë njëmijë viteve, deri në vitin 1453, kur u pushtua nga Muhameti i II-të. Shkëlqimi i Romës antike kishte shekuj që ishte shuar dhe Kostandinopoli tashme ishte i përgjynjur para Islamit, megjithatë banorët vazhduan të ruanin emrin administrativ “romei”, (nënshtetas romak) të cilin turqit e shqiptonin “rum” dhe sulltanin e tyre e mbiquajtën, sipas titujve romak: “qaysar-ı Rum”, (Cesare dei Romei) (9).

Në këtë munges të të dhënave mbi origjinën e Gjergj Xhemisto – Pletones, në fjalorët historik, fatmirsisht është ruajtur një letër e tij dërguar Perandorit Manuelit të II-të , ku shkruhej : “Ne mbi të cilët ju sundoni dhe keni pushtet, jemi helenë nga raca, siç është dëshmuar nga gjuha jonë dhe shkollimi ynë stërgjyshor (…) Sepse në këtë tokë del, që vetë këta helenë kanë jetuar gjithmonë, aq sa mund të kujtojë kujtesa njerzore; asnjeri nuk ka jetuar para tyre (…) duket se gjithmonë kanë qenë zotëruesit e saj dhe nuk e kanë braktisur kurrë. (10) .

Studiuesit e lashtësisë e njohin faktin, se fiset e kësaj periudhe e dallonin njeri-tjetrin nga gjuha, traditat dhe besimi që kishin, dhe për këte qëllim përdornin në veshjen e tyre simbolet e tij. Sipas Aristotelit (Meteor.I,14) Epiri ishte Hellada e parë dhe Ellinët apo Sellinët ishin dodonas, fise të Kaonisë (Stefan. Eustat , Hahn I,231,255) që sot i njohim me emrin Molossë (në shqip dmth malësorë). Edhe Ptolemeu ( Claudio Tolomeo ) në veprën e tij (Geographica,3, 15) e quan Epirin – Hellasi i lashtë.(11) Sipas këtyre të dhënave, “hellenët”, ishin fiset Iperiote (epirote) , dhe tempulli i vetëm i Pellazgëve , banorëve të parë të Gadishullit , i kushtuhej perëndeshës hënore Sellena nga e ka origjinën edhe emërtimi “sellë” i priftërinjve dhe “sellenizëm” (hellenizëm) i besimit. Këtë fakt e dëshmon edhe Moreno Neri, autori i studimit më të plotë mbi Gjergj Xhemisto Pletonen (Pletone, Trattato delle Virtù), duke pohuar se termi “ellen” përdorej jo për të përcaktuar një “grek”, por një pagan, kundrejt një kristiani (12)

Fakti se në haratat e mbritura sot nga lashtësia dhe mesjeta e herëshme, nuk gjendet ndonje fis me emrin “helene” dhe shumë vonë e gjejme të shënuar si vënd “Greqi”, dëshmon se të dy emërtimet, nuk kanë treguar historikisht kombësinë apo ndonjë hapësirë gjeografike, por u përdorën nga shkruesit europian, të cilët nuk kishin dijeni mbi lashtësinë e Gadishullit dhe të popujve që kanë banuar aty. Sipas dokumentave , në fund të shekullit të 19-të , me gjith kundershtimet e “babait të historisë greke” Constantino Paparregopulo dhe të banorëve , emri“ grek” fitoi qytetarinë në shkrimet historike dhe u përdor gjerësisht, vetëm në mesin e dytë të shekullit të 20-të. Studiuesi francez Robert de Anzhely (Enigma) që kaloi një pjesë të jetës së tij, në shërbim të Perandorise turke, pohon se emri grek u përdor vetëm pas pavarsisë – 1821-shit. (13). Hartuesi i gjuhës moderne greke, Adamántios Koraïs (gjithashtu me origjinë arbërore) në shkrimin e tij “Dialogo tra due Greci”, pohon se : “Kam zgjedhur (emrin) “Greqi” sepse është mënyra, me të cilën e emërtojnë shtetet më të ndritura të Europës”. Ishin historianet francez që këmbëngulën për këtë emërtim. (14) Me emërtimin “grek” , përgjithsisht përcaktoheshin ata që flisnin gjuhën greke, sic e pohon edhe M.Neri: “Për Pletonen, sikurse për shumë bizantinë « greqizmi » nuk ishte një çështje gjaku apo prejardhje, por më së shumti e rrjedhur nga gjuha dhe kultura stërgjyshore” (15)

Për sa më sipër ,Gjergj Xhemisto nuk e quante veten me origjinë “bizantine” apo “greke”, emërtime që nuk përdoreshin në kohën e tij, por e shikonte përkatsinë “helene” sipas BESIMIT të fiseve të racës së tij, i përdorur edhe në shekullin e19-të, krahas emrit kombëtar Iperiot (epiriot), Arbër/Arbëresh dhe Shqipetar.

U desh të zgjatemi mbi origjinën e filozofit, jo vetëm për ta renditur këtë figurë të shquar të Rilindjes europiane, në Historinë e shqipetarëve, por edhe për të treguar lajthitjet e studiuesve të shekullit 18-19 dhe të ditëve të sotme, për emërtimet e popujve dhe pasqyrimin e Lashtësisë. Kjo gjëndje ka ardhur si pasojë (ndërmjet shkaqeve të tjera) edhe nga mosnjohja e besimit hënor të fiseve Pellazge – Sellenizmit (helenizmit) – i emërtuar ”pagan” nga etërit kristian të shekullit të IV.

Gjergj Xhemisto – reformator i dy Pushteteve

Gjatë jetës së tij , afro njëqind vjeçare, ay la një trashëgimi të pasur me shkrime mbi: besimin, ekonominë, mbrojtjen, mjekësinë , psikollogjinë, gjuhësinë, gjeografinë, filozofinë, muzikën, etj. duke u quajtur, si një nga njerëzit më të ditur në kohën e tij. Për jetën dhe filozofinë e Gjergj Xhemisto Pletones është shkruar në gjuhën angleze, franceze, gjermane ,greke, polake, skandinave, ruse, por fatkeqsisht , asnjëherë në gjuhën e bashkëkombasve të tij.

Humanistët europiane, u njohën me këtë pasuri kulturore dhe shkencore, në një ngjarje të rëndësishme për historinë e kristianizmit , në Kuvëndin e bashkimit të Kishës ortodokse me atë katolike ( Ferrara-Firence, 1438-1439) qëllimi i së cilës ishte sheshimi i mosmarrveshjeve teollogjike të dy kishave dhe organizimin e një kryqëzate ushtarake kundër-osmane, në ndihmë të mbretërive ballkanike. Dërgatës prej 700 shoqëruesve të perandorit , Giovanni VIII Paleologut (1425-1448) ju bashkua, në rolin e këshilltarit edhe Gjergj Xhemisto.

Dekreti origjinal, shkruar në latinisht dhe greqisht, i bashkimit të dy kishave në Kuvëndin e Firences (6 korrik 1439) me firmën e Papa Eugenio IV dhe Giovanni VIII Paleologut. (16)

Bregu perëndimor i Adriatikut, përveç faktit që nuk ndodhej direkt përball sulmit osman, nuk kishte shumë dallim nga vëndi që la Xhemisto kur hypi në anije. Italia e Mesjetës së vonë, ishte një bashkësi mbretërish dhe principatash që luftonin për të pushtuar pronat e njeri-tjetrit, duke zbrazur arkat e qeverisë , shkatëruar fshatrat e qytetet, pakësuar popullsinë dhe dëmtuar ekonominë e nënshtetasve të vet.

Në këtë arenë luftrash mernin pjesë edhe mbretëritë fqinje të saj. Kisha nga ana tjetër, me synimin për një sundim shpirtëror “pa kufij” ,por me përfitime të mëdha “tokësore”, sidomos me institucionin e saj të inkuzicionit (një nga detyrat e të cilit ishte ndarja e pasurisë së viktimave, me mbretin) e ktheu popullsinë në një shtresë të skllavëruar prej dogmatizmit fetar, të zhytur në padituri dhe të privuar nga çdo liri dhe kënaqsi shpirtërore. Në emër të kristianizmit, në shekullin e 15-të, nisi një masakër e paparë me emrin “gjyetia e shtrigave”.

Historikisht , ndeshja e parë e dhunshme midis “pushtit mbretëror” dhe “pushtetit fetar” , i përket faraonit Ikhnaton (1370-1354 PK). Ai – vëren Fan S.Noli- donte të dinte se kush ishte faraoni i vërtetë i Egjiptit dhe vendosi të ishte ay, faraoni i vetëm e i vërtetë dhe jo kryeprifti. Kështu ,me një të goditur, e rrëzoi nga froni kryepriftin e Amonit së bashku me të gjithë priftërinjtë e kulteve të tjera dhe u hoqi të gjitha pronat.(17) Ky rivalitet vijoi edhe në shekujt e më vonshëm.

Në Italinë e asaj kohe,të dy pushtetet, ay i Mbretit dhe i Kishës, (rivale dhe aleate për sundim), ndodheshin përpara një ngërçi ekonomik, politik dhe institucional, i cili e ktheu këtë “pajtim” në një “vrimë në ujë”, siç shprehet populli ynë, duke shuar çdo shpresë të Delegacionit, për të mbrojtur mbretërinë e Paleologëve nga rreziku osman. Por Xhemisto Pletone , kur pranoi pjesëmarrjen në Kuvëndin fetar, kishte në mëndje një plan të fshehtë : të përhapte në Perëndim shkencën dhe filozofinë (besimin) e autorëve të lashtë si Porfirio, Plotino, Plutarku, Appiani, Aristoteli, Straboni, Teofrastos, Senofoni dhe veçanrisht Platonin, të pakuptuar nga lexuesit perëndimorë për shkak të gjuhës esoterike të përdorur në shkrimet e tij.

Në kohën kur shkeli tokën e përtej Adriatikut, i gjithë Gadishulli ishte përfshirë nga lëvizja kulturore e Humanizmit e kryesuar nga gjuhëtari dhe kritiku i hapur i praktikave të Kishës, Lorenzo Valla (1405 – 1457). Në shkrimet e tij si De voluptate, De libero arbitrio, De professione religiosorum (Profesioni i fetarëve), etj., ay shprehej kundër praktikimit të asketizmit (largimit nga çdo kënaqësi të ndjenjave njerzore), jetës në manastire dhe faktonte fallcifikimet e bëra në dokumentet fetare, duke i ngritur hymn njeriut të lirë, që shijon gëzimet e jetës tokësore. Përgjithësisht, lëvizja e humanistëve të shekullit 14-të , siç e vë në dukje gjuhëtari dhe kritiku i letërsisë, Francesco De Sanctis (1817 ‒ 1883) në veprën e tij (Storia della letteratura italiana ) ishte me karakter “ thellësisht letrar”. Tek bota e lashtë shikohej vetëm forma dhe kritika vërtitej rreth gramatikës dhe retorikës, që i dha shtysë studimeve gjuhësore dhe sidomos mbështetësve të gjuhës së popullit, kundër përdorimit të latinishtes. (18)

Por Gjergj Xhemisto, “ nuk veproi si të gjithë të krishterët, që studiojnë librat ellene për qëllime gjuhësore – siç ankohej Skolario (Giórgio Scolario, patriarku i Kostandinopolit me emrin Gennadio II), në letrën e tij dërguar Teodora Asenine ,gruas së mbretit Dhimitër Paleologut – ai lexoi dhe mësoi së pari poetët (shkruesit e lashtë -shën im) dhe më vonë filozofët, për t’i ndjekur”. (19) Në shkollën e tij esoterike në Mistra (More, Peloponez) , ay u mësonte nxënësve se filozofia (ku vëndin kryesor e zinte besimi-shën im) dhe shkenca e lashtë, duheshin shfrytëzuar për problemet e ditës, veçanrisht për ndërtimin e një shteti të fortë ushtarak me ekonomi të lulëzuar, ku Pushteti i Kishës duhej t`i nënshtrohej Pushtetit të Mbretit.

Në atë kohë, filozofi i shquar akoma nuk e kishte parashikuar lindjen e “Pushtetit të tretë” : atë financiaro/politik ,të tregëtarëve, bankierëve dhe prodhuesve, i cili ishte çfaqur ndërkohë në qytetet kryesore italiane. Përfaqësuesi më i shquar i kësaj shtrese ishte politikani dhe bankieri Kozimo di Mediçi (Cosimo de’ Medici,1389 – 1464) në Firence, i cili e kishte shtrirë aktivitetin e tij në qytetet tregëtare të Italisë, Francës dhe në Londër të Anglisë. Fuqinë e oligarkisë financiare të kësaj mbretërije e dëshmon, fiorinti prej ari, monedha më e qëndrueshme në Europë, e cila u prodhua për herë te parë në Firence (1252) dhe u përhap menjëherë në Mesdheun perëndimor. Veprimtaria e tregëtarëve të Gadishullit italik, shtrihej në hapësira të largëta gjeografike, duke sjellë fitime të mëdha shtresës së re të borgjezisë. Tregëtarët venecian , që shpesh ishin edhe prodhues të mallrave, pas shk 11-të gëzonin heqjen e taksave për të gjitha portet e Perandorisë bizantine, duke u favorizuar në tregëtinë me Lindjen e afërt dhe Kinën, kurse ata në jug, me veriun e Afrikës. Ky shekull hapi një epokë të re me zbulimin e Amerikës, që ashpërsoi luftën për rrugët tregëtare ujore dhe kolonitë. (20) Për rrjedhojë, tek elita tregëtare dhe financiare, e mbërthyer në darën e konkurencës ndërkombëtare , korupsionit, diktatit dhe injorancës së Mbretërive të shumta të Gadishullit dhe dogmatizmit kishtar, ishte pjekur idea për domosdoshmërinë e një reformimi të thellë të dy Pushteteve (atij mbretëror dhe kishtar) : Drejtimi i shtetit, duhej t`iu lihej në dorë njerëzve, të pasur financiarisht dhe të paisur me njohuri për çështjet e drejtimit ekonomik dhe të mbrojtjes. Programin e kësaj Reforme, ata e gjetën tek platonizmi i Xhemisto Pletone.

Firenze në këtë kohë ishte bërë djepi i mendimit humanist. Me nxitjen e Kozimo de Mediçi dhe miqve të tij , në dallim nga tematika gjuhësore dhe të natyrës njerëzore, që mbisundoi në shekullin e 14-të (me Dante Alighieri, Francesco Petrarco e Giovanni Boccaccio), në qëndër të vëmëndjes u vunë veprat e Platonit dhe ndjekësve të tij (21). Elita financiare dhe politike ishte e interesuar për filozofinë e lashtë të “Pushtetit të shtetit”, bazuar tek përvoja historike e qytet-shtetit të Spartës dhe idetë e Platonit, Pitagorës, Plotinos,etj .



a-Fragment nga piktura e Rafaelit “Shkolla e Athinës”, me figurën e Platonit dhe të Aristotelit. b- Gjergj Xhemisto (në mes) me pjesëmarrësit e Kuvëndit, të udhëhequr nga Lorenco di Mediçi, i jati Piero dhe gjyshi Kozimo i Vjetri . Vepër e Benozzo Gozzolit (1459) (22)

Vetë Kozimo di Mediçi, mori pjesë në bisedat e filozofit arbër dhe vendosi të përhape idetë e Platonit dhe platonizmit, duke themeluar Akademinë, në pronat e tij në Firence (1459/60) nën drejtimin e Marsilio Ficinos(1433 -1499) që u ndoq edhe nga hapja e simotrave të saj, në qytete dhe vendet e tjera. Shteti që propozonte Xhemisto, bazohej tek idetë e Platonit , por të pasuruara me filozofinë dhe kushtet historike të shekullit të 15-të dhe përvojës së tij në shërbim të dinastisë së perandorëve Paleologë (Giovanni i VIII Paleologu, Manuele II dhe djemt e tij Teodori dhe Demetrio Paleologu, Giovanni VI Cantacuzeni Paleologu ).

Pushteti i Mbretit, sipas tij, duhej të bazohej tek LIGJET dhe tek VIRTYTET e njerëzve, (shumicën e të cilave, po i humbim sot pa u vënë re). Sipas filozofit, dështimi politik i Bizantit ishte rrjedhojë i deshtimit shpirtëror, meqënëse një Shtet i pa mbështetur mbi principe të forta, herët a vonë do të përmbyset . (23) Për të aritur sukses në misionin e tij, ay zbatoi i pari praktikën e debatit dhe të analizës kritike mbi rymat fillozofike të lashtësisë. Pa ulur vlerat (shkencore) të Aristotelit, filozofinë e të cilit e kishte përqafuar Kisha dhe elita kulturore italiane, i kundërvuri filozofinë e Platonit, duke treguar mangësitë e të parit dhe përparsinë e të dytit (Delle differenze fra Platone e Aristotele).

Me qënëse, nuk është qëllimi i shkrimit, analiza kritike mbi idetë e dy filozofëve më të shquar të lashtësisë, po rendisim disa mendime, se si e shikonte Xhemisto Pletone -Pushtetin e Shtetit- në veprën kryesore të tij, “Traktati mbi Ligjet”, të cilën patriarku i Kostandinopolit, Giorgio Scolario ,e dogji rreth vitit 1461 duke lënë disa pak faqe, që u përkthyen në arabisht. (24)

– E gjithë shoqëria duhet të përqëndrohet rreth një mbreti, i cili drejton fatet e shërbyesve të tij, i rrethuar nga këshilltarë të zotë, për të marrë vendime më të mira dhe për të paisur vendin e tij me një Kushtetutë me ligje të drejta. (25)

– Lumturia apo fatkeqsia e një Shteti nuk varen nga rrethanat, por nga parimet në bazë të të cilave qeveriset (…) Lulëzimi i shteteve varet veçanërisht nga vlera e doktrinave filozofike mbi të cilat bazohen institucionet e tyre. (26)

– Që reformat ekonomike të jenë të zbatueshme, duhet të bazohen mbi reforma të thella shoqërore, sepse një sistem i një prodhimi të lartë nuk mund të pranojë në ingranazhin e tij elemente (njerëz-shën im) joprodhues (te padobishëm) . Kisha, një pushtet paralel me shtetin, që duke u ndryshuar drejtimin (në arkën e vet -shën im) jo vetëm të një pjese të rëndësishme të të ardhurave nga taksat dhe subvencionet por edhe (…) të dhurimeve të personave, duke u transformuar në një kancer për shoqërinë.

– Difektet e pushtetit – sipas Xhemistos- ishin pasiguria e njeriut dhe e pronës, degradimi i ardhur nga taksat , shpesh të vendosura keq dhe padrejtësisht, një administrim jo i qartë dhe difektoz i gjyqësorit, paraja e shumëllojshme dhe e çvlerësuar në qarkullim dhe i lluksit te jashtëzakonshëm. (27)

– Të ndjekësh Zotin do të thotë të mos largohesh nga shteti ynë, kur rrethanat e jashtme , dhunshëm u kundërvihen shpresave që kemi brënda vetes … (28).

Shumë nga ndjekësit e filozofit në Itali, përpara pushtimit të sigurt osman, u munduan ta bindin të qëndronte në vendin e tyre, por Xhemisto nuk pranoi.

– Organizimi i taksave është një nga faktorët më të rëndësishëm të lulëzimit të shteteve (…) Toka është një e mirë për të gjithë dhe sejcilit do t’i jepet aq tokë sa është në gjëndje ta punojë. (29)

Ky pohim -vë në dukje M.Neri- i ka bërë të shprehen disa studiues për “socializmin” apo “komunizmin” e Pletonit, por ajo më shumë synon për të kontrolluar të ardhurat e pronarëve të mëdhenj ku përfshihej edhe kisha, të cilët grumbullonin gjithëmonë e më shumë toka ,nuk paguanin taksat dhe ishin burim i vazhdueshëm konfliktesh-përballë pushtetit të dobësuar qëndror . (30) Kushti për të realizuar një “shtet ideal”, sipas Pletonit (Mbi Virtytin) ishte pajisja e nënshtetasve (përfshirë mbretin dhe ministrat e tij) me virtyte.

– Nuk është vetëm e domosdoshme, që shtetet të kenë për çdo gjë ligje të mira, por edhe ligje që të zbatohen , sepse në rast se nuk janë të zbatueshme, edhe duke qënë ligje më të mira, do të kishin një dobi të pakët ose asnjë dobi; ligjet për rrjedhojë marrin vlerë nëpërmjet VIRTYTEVE (karakterit-shën im) të përdoruesve të tyre (31)

– Të gjithë kërkojnë të jetojnë të lumtur dhe ky qëllim është gjëja e vetme e përbashkët për të gjithë njerëzit (…) disa këmbëngulin të gjejnë lumturinë kryesisht tek kënaqësia dhe bëjnë gjithshka duke patur parasysh kënaqësinë; dëshirojnë për sa të jetë e mundur , të sigurojnë çdo kënaqsi për ta shijuar tërësisht, në të gjitha format e saj, të çdo natyre, pa ju bërë vonë se nga vjen. Të tjerët e lidhin kënaqsinë në sigurimin e pasurisë dhe gjatë të gjithë jetës së tyre punojnë vetëm për t`u pasuruar gjithëmonë e më shumë. Të tjerët vrapojnë mbrapa lavdisë dhe nuk kanë synim tjetër veçse atyre të lavdërimeve dhe admirimit të turmës. Të tjerët, së fundmi, duke përçmuar gjithshka, ja përkushtojnë jetën e tyre së mirës dhe virtyteve, me bindjen se vetëm virtyti mund të japë një lumturi të vërtetë .” (32)

– Zgjuarsia është gjithmonë më e lartë se sa kënaqsia dhe do të tentojë të mbizotrojë për faktin e thjeshtë se, në rast se do të duhet të vendosim se në ç’mase të perziejmë kënaqsinë me zgjuarsinë, është vetë, zgjuarsia që do të diktojë për këtë. (33)

Virtyti si shprehës i karakterit tek njeriu, jo rastësisht kryesonte në bisedat e Xhemisto Pletones dhe tek filozofët e lashtë. Paisja e njeriut me cilësi të larta morale , siguronte zbatimin dhe jetegjatsinë e ligjeve të një bashkësie, mbretërie apo shteti. Këtë fakt e dëshmojnë Kanunet (ligjet e pashkruara) të arbërve, gjurmët e të cilave zbulohen që në luftën e Trojës. Respektimi i ligjeve të Kanunit bazohej tërësisht në virtytet e karakterit të shqipetarëve, të lëvduara aq shumë në kujtimet e udhëtarëve dhe të punësuarve të huaj nga Perandoria osmane në shekullin e 20-të. Drejtësia është pjesë e virtytit , pohonte filozofi arbër.

– Mbrojtja teritoriale kërkon ngritjen e një ushtrie të përherëshme dhe kjo duhej të sillte reforma politike të hartuara në frymën e propozimeve (…) Trupat e mercenarëve kanë treguar tashmë paaftësinë dhe vetëm krijimi i një ushtrie kombëtare mund të jetë e aftë të sjellë sigurinë. (34)

Gjergj Xhemisto Pletone u vlersua nga elita italiane, për programin e tij lidhur me reformimin e politikës administrative të Shtetit të shekullit të 15-të. Ndjekësin më të famshëm, në këtë veprimtari, mund të rendisim Nikolla Makiavelin (Niccolò Machiavelli (1469-1527) i cili në veprat e tij citonte vetëm Platonin dhe të gjithë jetën e tij ja kushtoi idesë së një Pushteti të përfaqsuar vetëm nga shteti. (35)

Shkrimet e filozofit arbër, vazhdojnë të tërheqin vëmëndjen e studiuesve të shk 20-21. Nisur nga rëndësia që ay i kushton: traditës historike, krenarisë së një gjuhë dhe race autoktone , domosdoshmërisë së ushtrisë së shtetit, etj. e vendosin Xhemisto Pletonen, ndër ideatorët e parë të levizjes së ardhshme – nazionalizmit patriotik. Në veprën e tij (Reichsidee and Nationale Politik im spätbyzantinischen Staat” , in Byzantinische Zeitschrift) historiani bizantin Hans-Georg Beck (1910–1999) vë në dukje se “Georgios Gemistos Plethon zë vënd në historinë e mendimit politik, për trajtimin e hershëm të mitit të nacionalizmit (…)dhe se ky “humanizëm nacional”, çoi disa shekuj më vonë në çfaqjen e një ndërgjegjie të re nacionale greke.(36)

Patrick Peritore, në studimin mbi mendimin politik të Xhemisto Pletones (The Political Thought of Gemistos Plethon: A Renaissance Byzantine Reformer)shprehet se : Emërtimi “hellen” është përdorur nga filozofi, për ta veçuar veten nga “lidhja” historike me Perandorinë romake dhe nga emertimi “romaioi”, që përdorej për banorët. Autori pohon se rëndësia historike e teorisë etnike të Xhemistos, është rigjallërimi i saj gjat kryengritjes së 1822 (në 1821-shën im), fakt që gjen mbështetje edhe nga shkollarët e sotëm grek.(37) Duke sjellë një listë të gjatë referimesh të autorëve të ndryshëm, të cilët dëshmojnë vijueshmërinë e pandërprerë dhe origjinën e lashtë të grekëve modern, autori arin në përfundimin se, idetë e Xhemisto Pletone ishin shprehje e levizjes nacionaliste të elitës brënda rrethit të ngushtë obortar, të ushqyer me kulturën klasike “hellenike”. Pra “patriotizmi” i filozofit të Mistres, sipas autorit, ishte “kulturor” i një pakice , e për rrjedhojë ishte “utopik” sepse, (sipas Hertz, Nationality, p. 112, të cituar prej tij), masat popullore nuk ishin të ndërgjegjsuara në këtë drejtim. (38)
Me gjithëse studiuesit e mësipërm e pranojnë se emri “hellen”, nuk shpreh përkatsinë etnike por besimin e lashtë, vijojnë t`i shtrëmbërojnë faktet historike të shekullit të 15-të dhe të ngjarjeve të mëvonshme (kryengritjen dhe formimin e shtetit të Helladës (1821-1832) duke anashkaluar origjinën dhe rolin e popullsisë arbërore. Jo pa qëllim, në letrën e Xhemistos drejtuar Manuelit të II-të, hiqet ose keq-interpretohet fraza: “Sepse në këtë tokë del, se vet këta helenë kanë jetuar gjithmonë, aq sa mund të ruhet kujtesa njerzore; se asnjëri nuk ka jetuar para tyre (…) duket se gjithmonë kanë qenë zotëruesit e saj dhe nuk e kanë braktisur kurrë”. (39) Sipas shkruesve të lashtësisë , nuk njihet asnjë popull më i lashtë se Pellazgët, të cilët nga asnjë historian, i lashtë apo modern, nuk janë quajtur të racës “greke”apo “hellene”. Gjithashtu, në asnjë libër nuk është shkruar se “grekët” jane autoktonë në Gadishullin ballkanik. Dr. Arif Mati (Odisea e pabesueshme e një populli parahelen ) që i kushtoi jetën studimeve të shkrimeve të lashta dhe ato moderne për banorët e parë të Kontinentit, pohon se : “Eshtë unik në Europë fakti, se (vetëm) shqipetarët e sotëm, kanë rrjedhur prej një popullsije autoktone. (40)

Edhe kryengritja që u kurorëzua me ngritjen e shtetit të Helladës, ishte vepër e tyre, siç e dëshmon edhe sot, veshja e “traditës” së shtetit modern grek. Përveç shtetit të Helladës dhe Shqiperisë (1912 dhe 1945), që u krijuan me gjakun e arbërve të të dy besimeve, shtetet e tjera të Gadishullit ballkanik, janë krijuar si rrjedhoje e traktateve të Fuqive të Mëdha: Më 15.01.1877, Fuqitë propozuan një autonomi të gjërë për Bosnjën, Hercegovinën e Bullgarinë, ndërsa me Traktatin e Shën Stefanit (3.03.1878) u njoh Pavarsia e Bullgarisë dhe aneksimi nga ana e saj e provincës autonome të Rumelise Lindore, si dëmshpërblim i luftës që Turqia ja jepte Rusisë, gjithashtu Sërbia e Rumania fituan pavarsi të plotë. (41) Shteti i Maqedonisë lindi pas luftës së dytë botërore.

Me besimin e Krishtit apo të Muhametit? Asnjërën prej tyre …

Kjo ishte përgjigjia që i dha Xhemisto Pletone , pyetjes së Gjergj Trebisondës (Giovanni Trebisonda, që njihet në Romë si kardinali Bazilio Bessarione ,1408-1472) gjatë ditëve të Kuvëndit . “Kaq shumë u revoltova nga kjo përgjigje sa e urreva përjetësisht dhe gjithmonë jam frikësuar si prej një nëpërke helmuese…”, shkruan më vonë Trebisonda. (42)

Kur lexojmë këto dokumenta, na krijohet bindja se filozofi arbër ishte “ ateist”, siç emërtohen sot. Por në shekullin e 15-të, nuk mund të flitej për njerëz që nuk besonin tek Krijuesi i plotfuqishëm, sepse besimi tek Zoti ishte thelbësor në jetën e njeriut të asaj kohe dhe filozofi i Mistrës nuk bënte perjashtim në këtë drejtim. Mospajtimi i Xhemisto Pletones me teollogjinë kristiane dhe ate islamike, bazohej në qëndrimet e ndryshme ndaj “ rrugëve “ që duheshin ndjekur në kërkimin e së VERTETES. “Fetë -pohon filozofi arbër- në një farë mënyre përfaqsojnë degët e një peme, ku esoterizmi është trungu, dhe shkenca e lashtë, janë rrënjët e tij; Sa më shumë zgjaten të parat prej trungut, aq më shumë ato janë larguar nga e vërteta”. (43)

Sipas tij, teollogjia e feve të reja, i mohonte njeriut gjatë jetës tokësore, të drejten për zbulimin e dukurive natyrore (kërkimet shkencore) dhe lirinë e mendimit. Si rrjedhojë, besimtari i devotshëm nuk duhej të vinte në lëvizje trurin (llogjikën), por vetëm të ndiqte me përulsi dhe bindje shkrimet e shenjta. Në Bibël, Jezusi u dikton ndjekësve të tij: “Unë jam udha, e vërteta dhe jeta !” (Gjn 14,6). (44) « Krishtërimi dhe Islamizmi ishin fallcifikime të së vërtetës , shkruan Xhemisto-,dhe shkatrimi i tyre është kusht i domosdoshëm që ajo të rilind (…) ne, përkundër i pranojmë doktrinat dhe thëniet e njerëzve të lashtësisë, të cilët gjithmonë kanë menduar me mënçuri me anën e llogjikës, që është një nga mjetet më të fuqishme dhe më të shënjtëruara të njohjes”. (45)

Filozofi i Mistrës nuk pajtohej me mitin kristian të hyjnizimit të njeriut, i krahasuar me Zotin dhe idenë e mrekullive dhe faljes së mëkatit në teologjinë e kishës , të cilat, siç vëren studiuesi Aristidh Kola (Gjuha e Perëndive) ishin të huaja për fenë pellazge. (46) Ay e njihte mirë filozofinë mbi të cilën bazohej kristianzmi, si dhe pasojat që solli për trashëgiminë kulturore dhe shkencore të njerzimit. Që mbas vendosjes së tij si besim shtetëror (me dekretin e Flavio Teodosios 27.02. 380), në të gjithë Perandorinë romake u shkatëruan e u dogjën Tempujt , veprat e artit dhe bibliotekat ku ruheshin dorëshkrimet, duke vrarë dhe presekutuar shërbenjësit e tyre dhe njerëzit e dijes.

Qëndrimi anti-kristian i Xhemistos , nuk ishte i papritur në historinë e besimit. Filozofi i neoplatonizmit , Porfirio i Tiros (v.234 – 305) mbas studimit historik, gjuhësor, fillozofik dhe teologjik të Testamentit të Vjetër dhe Testamentit të Ri, me traktatin “Kundra Kristianëve”, shprehej kundër miteve të tyre dhe Njeriut-Zot. Pothuaj dy shekuj përpara tij, në vitin e 2-të, Celsus (Alethès lógos), ndjekësi i ideve të Platonit dhe Epikurit, pohonte se : “miti kristian i rimëshirimit të shpirtit hyjnor tek njeriu dhe përcaktimi, vetëm i një “populli të zgjedhur”(hebrejve-shën im) nga Zoti, është jashtë llogjikës dhe fyerje për Hyjninë (…). E vërteta është se të gjitha këto pretendime janë veç mite, që janë fabrikuar nga kristianët, por pa aritur t`u jepnin gënjeshtrave të tyre, një ngjyrë besushmërije”.(47)

Në shekujt e parë të erës së re, diskutohej mbi mundësinë e pajtimit të teologjisë së kristianizmit me besimin e lashtë. E njëjta përpjekje ndihet edhe në shkrimet e humanistëve italian si Francesco Petrarca (1304-1374) si dhe tek filozofët e Rilindjes së shekullit të 15-të. Siç vëren Nikolla Abbagnano « Rikthimi i platonizmit , për ndjekësit e Akademisë së Firencës (Marsilio Ficino , Cristoforo Landino) nuk nënkuptonte kthimin drejt paganizmit, por një rinovim të kristianizmit ». (48) Feja kristiane, sipas teologut dhe humanistit hollandez Erasmo da Rotterdam (1466/1469 – 1536), pa e njohur kulturën e lashtë, padrejtësisht mbante një qëndrim armiqsor ndaj saj ». (49) Për të qënë të saktë me faktet historike, kristianizmi kishte , mund të themi , “marrë gjithshka” nga besimi i lashtë (mitet, ritet, simbolet) duke i përshtatur praktikave dhe teologjisë së tij, prandaj Xhemisto Pletone nuk e shtronte qëndrim ndaj Kishës, si një problem kulturor, por ideollogjik, dhe nuk e shikonte zgjidhjen tek pajtimi.

Sipas parimit të Platonit (Cratilo, 385 b) : Karakteristikë e së VERTETES është kur « gjërat thuhen ashtu siç janë », kurse e MASHTRIMIT « ashtu siç nuk janë »(50) – për mendimin e tij, kristianizmi, kishte përqafuar të dytën, duke ndjekur synimin për t`u bërë Pushteti i vetëm sundues , nëpërmjet mbretërve tiranë. Në Bibël shkruhej: “Ay që do ta zbatoj urdhërin tim deri në fund , unë do t`i jap autoritet mbi paganët ; ay do të mbretërojë me një bastun të hekurt dhe do t`i copëtoje ata si një enë prej balte” (Ap. 2,26 s.). (51)

Tre vjet pas kthimit të filozofit në atdhe, Papa Paolo III, me dekretin ( bolla Licet ab initio) e vitit 1542, formoi Inkuizicionin (Sacra Congregazione della romana e universale inquisizione). Edhe Kisha ortodokse e asaj kohe , për « heretikët » dhe ata që i ktheheshin praktikimit të riteve pagane , nëpërmet ligjeve të vendosura , zbatonte edhe dënimin me vdekje. (52)

Dorshkrimi i Gjergj Xhemisto Pletone i shekullit të XV-të (53)

Fama e madhe që gëzonte në vëndin e tij e në Europë dhe mbështetja e perandorëve Paleologë, e mbrojtën filozofin arbër nga ky rrezik deri ditën kur zëmra i pushoi së rrahuri, në banesën e tij të Mistrës (1452), por të gjitha shkrimet (përveç disa fletëve) e filozofit, u hodhën në zjarr. Fatmirsisht, disa përkthime në gjuhën arabe dhe shënimet apo përkthimet e filozofëve italian gjatë qëndrimit në vëndin e tyre , si dhe “kritikat” e armiqve fetarë, përbëjnë trashëgiminë, mbi të cilën bazohen studiuesit e sotëm.

Për ta mbajtur ndezur flakën e platonizmit dhe për të ngritur lavdinë e qytetit të Riminit me emrin e shquar të filozofit, një nga adhuruesit e Xhemistos, Sigismondo Pandolfo Malatesta (1417 – 1468) kishte kohë që synonte të sillte eshtrat e tij, për t`i vendosur në tempullin e familjes. Por rasti u paraqit në vitin 1465 gjatë luftimeve për marrjen nga turqit, të fortesës së Mistrës , në gadishullin e Peloponezit. Misioni ishte shumë i rrezikshëm, për shkak të luftimeve dhe armiqësisë së Papës në Vatikan dhe të Patriakut te Kostandinopolit, Gennadio II (Giorgio Scholarius) për këtë veprim të tij. Në fakt, me të mbritur anija në bregun italian, kardinali Bazilio Bessarione (Giovanni Trebisonda) duke e kërcenuar me dënimin me vdekje, e urdhëroi t`i hidhte eshtrat e Xhemisto Pletones menjëherë në det. (54) Por S.Malatesta nuk u tërhoq nga synimin për ta përjetësuar mbi tokë, filozofin e shquar.

Varri i Gjergj Xhemistos në qytetin e Riminit, Itali.

Në këtë material u vunë në dukje dy faktorët kryesorë , mbi të cilët ndikoi fuqimisht veprimtaria e Gjergj Xhemisto-Pletone: Shteti dhe Kisha në kushtet e shekullit të 15-të. Mendimet e tij dhe përvoja filozofike e autorëve të lashtë , të cilat ua beri të njohur humanistëve italian, ndikuan në përparimin e botkuptimit të kohës. Në dallim nga figura e shquar e kritikës dhe kulturës, Erasmo da Rotterdam , sipas të cilit: “ Vetëm nga një pozicion neutral , mund të ndikojmë mbi reformën e besimit”(55), ay ndezi në mëndjet dhe zëmrat e njerëzve, një zjarr të madh për veprim, duke dhënë ndihmesën e tij që të behej realitet, REFORMA apo siç u emërtua më vonë –RILINDJA europiane. Idetë e tij për formën e qeverisjes, reformat në fushën e besimit, ligjeve, ekonomisë, prodhimit bujqësor, mbrojties, e sidomos në vlerësimin e rolit të njeriut dhe të moralit të tij, dëshmuan se në Gadishullin ballkanik, idetë e Rilindjes kishin lulëzuar më herët se në Perëndim.

Eugenio Garin (1909-2004) “Il ritorno dei filosofi antichi” (f84) pohon se : “Ishin grekët që karakterizuan në Itali dhe Europë, Humanizmin dhe Rilindjen (grekë dhe bizantinë, janë quajtur nga studiuesit europianë, të gjithë banorët e Perandorisë së Paleologeve pamvarsisht etnisë së tyre-shën im). Eshtë e vërtetë se ishte një proçes që ishte në veprim, por me karakter dhe drejtime të tjera, bizantinët ndërfutën elemente, interesa dhe tendenca të reja dhe të ndryshme…”(56)

Si përfundim, me emrin e Gjergj Xhemisto-Pletone dhe figurave të tjera, të cilët lanë gjurmë në kujtesën e popujve, por ju është mohuar në shkrimet historike kombësia e jonë, dhe duke përgënjeshtruar mitin politik të “popullit të prapambetur ”, me të drejtë mund ta quajme shekullin e 15-të : “Shekullin e triumfit të gjenisë arbërore” ,në Gadishullin ballkanik dhe në Europë .

No comments:

Post a Comment