2017-05-16

Ilir Meta: Për zgjidhjen e krizës e jap dorëheqjen si president


Ilir Meta zgjidhet President mes ngërçit të fortë politik, bojkotit të paralajmëruar të opozitës në zgjedhje dhe situatës së trazuar në Ballkan.

Por duket se, më të shqetësuarit për zgjedhjen e tij në krye të shtetit janë ata që e mbështetën edhe në ditët më të vështira: anëtarët e partisë së tij.

Përtej marketingut politik, dilemat për LSI-në lidhen jo vetëm me vendin e parë, por me mbijetesën e saj pa udhëheqësin historik, shkakun dhe pasojën e ekzistencës së saj në skenën bipolare politike prej vitit 2003.

A e zgjidhi apo e forcoi dilemën e jetës së Metës zgjedhja e tij si President? A mbaroi misioni i tij në politikë dhe kush përfiton më shumë prej kësaj? LSI, Shqipëria apo Edi Rama?

Për këto dhe të tjera pyetje, sonte në “Top Story” është Presidenti i zgjedhur, Ilir Meta.

Sokol Balla: Duhet thënë që disa e kanë krahasuar tuaj zgjedhjen tuaj atë ditë, me atë të zgjedhur në ’97. Edhe ju vetë nuk u dukët i lumtur?

Ilir Meta: Nuk ka asnjë lidhje me rizgjedhjen e Berishës në ’97-n, sepse ajo ndodhi në një Parlament të kontestuar, ndërsa kjo zgjedhje u zhvillua në një Parlament tërësisht legjitim dhe me një mazhorancë tepër solide, pavarësisht se për fat të keq opozita nuk ndodhej aty, për shkak të axhendës së saj të caktuar politike. Situata në vend nuk bën asnjë politikan të përgjegjshëm të lumtur dhe ne shohim përditë përshkallëzimin e një retorike, që nuk na ndihmon për të organizuar zgjedhje model, siç e meritojnë shqiptarët. Kjo është arsyeja që nuk kam qenë dhe nuk mund të jem i lumtur, sepse nuk ka asnjë arsye për të qenë i lumtur, jo vetëm për mua, por për çdo politikan tjetër.

Keni rezistuar deri në minutë të fundit?

Ilir Meta: Nuk kam patur asnjë qëllim që të bëhem president apo të rezistoj të mos bëhem president. Mazhoranca vendosi për të dhënë mesazhe bashkëpunimi dhe demostrimi të një uniteti kombëtar. Kam këmbëngulur që presidenti të propozohej nga PD, që të thyenim ngërçin politik dhe për këtë arsye u dogjën 3 raunde.

Ishte Presidenti në ofertën McAllister?

Ilir Meta: Ishte oferta e McAllister, e mbështetur nga raportuesi Fleckenstein dhe unë kam qenë mbështetës i fortë i atyre propozimeve. Më ka lënë një mbresë të jashtëzakonshme përgjegjshmëria dhe neutraliteti i McAllister, si dhe dëshira për të krijuar një klimë mirëbesimi dhe për të zhbllokuar këtë proces, që është shumë i rëndësishëm për stabilitetin e Shqipërisë dhe për vendet e rajonit.

Sa i lartë është rreziku i trazirave?

Ilir Meta: Këtë nuk mund ta them. Ju e mbani mend vitin 1996. Presidenti i atëhershëm, zoti Berisha ndryshoi Kodin, përjashtoi shumë figura të njohura të opozitës, Nano ishte në burg dhe ne pavarësisht kësaj hymë në zgjedhje dhe u tërhoqëm në fund. Dhe ju e dini se çfarë kolapsi ndodhi me procesin zgjedhor. Është një qasje tërësisht e papranueshme e opozitës, sepse në demokraci ke të drejtë që të kërkosh të drejtat e tua, por edhe duhet t’i fitosh ato. Rruga e mosvotimit është një rrezik i madh për vendin dhe qytetarët e këtij vendi, jo vetëm për klasën politike.

Kemi letrën e Johannes Hahn dhe gishti i përgjejgësive u drejtua nga PD. U pa paralajmërimi serioz për përgjegjësi nëse situata përshkallëzohet. Keni koment për këtë letër?

Ilir Meta: PD mban një përgjegjësi serioze, sepse ka patur mundësi të bëhej pjesë e një zgjidhjeje dhe të merrte disa garanci, që deri më sot asnjë opozitë nuk i ka arritur në Shqipëri në mënyrë të vullnetshme nga ana e mazhorancës. Paketa McAllister ishte një mundësi e mirë për opozitën, të merrte postin e Presidentit, të shtyheshin zgjedhjet deri më 16 korrik dhe për t’u dhënë kohë ndryshimeve në qeveri, propozohej kryetari i KQZ për opozitën, t’i jepej edhe Avokati i Popullit dhe shumë elemente të tjera sigurie dhe garancie, që ishin disa masa që nuk kishin ndodhur më parë.

Pse nuk e pranoi PD, sipas jush? Rama thotë që është “Vettingu”, procesi i “Vettingut”.

Ilir Meta: Unë e kam të vështirë t’i jap një përcaktim të qartë, jo vetëm për situatën aktuale, por edhe për zhvillimet para reformës. Më kanë krijuar një ndjesi se ka interesa jo vetëm për reformat, për zgjedhjet apo për t’i dështuar ato, por duket sikur ka interesa për të krijuar përplasje dhe konfrontim të panevojshëm në Shqipëri. A vjen nga paaftësia e politikanëve shqiptarë për të kuptuar interesin e shqiptarëve? A vjen nga interesa të tjera të jashtme? Unë nuk mund ta them dot. Unë e kam si ndjesi, por në fund përgjegjësia është e të gjithëve ne, jo vetëm e udhëheqësisë së PD-së, që duhet t’i kishte dhënë një zgjidhje kësaj situate. Ky është një proces i paparashikueshëm, që do t’i krijojë dëme afatgjata vendit. Kryeministri, në çdo rast, ka përgjejgësi për vendin më shumë sesa kryetari i opozitës. Nuk ka asnjë arsye se përse të japë dorëheqjen, nëse mendon se kjo nuk e zgjidh këtë situatë, por mendoj se çdo përgjigje konfliktuale nuk ndihmon për një atmosferë më të qetë dhe mirëbesuese.

Në negociatat me McAllister, cili ishte pozicioni i kryeministrit?

Ilir Meta: Ishte i pranueshëm. Ishin përfaqësues të tjerë të PS që ishin më agresivë. Megjithatë besoj se ishte pranë pranimit të kësaj oferte me kusht vettingun, por fakti që nuk u pranua nga kreu i PD e la atë proces pezull.

Kreu i PD iu rikthye kësaj pakete pas pak ditësh dhe la të kuptohej se mund të ishte e negociueshme. U zhvilluan dy raunde nga Nishani dhe nuk u arrit gjë.

Ilir Meta: Çdo ditë që kalon e bën situatën më të vështirë, por kjo nuk do të thotë që nuk duhen bërë përpjekje për të gjetur zgjidhje që përfshijnë opozitën nëse ajo e reflekton këtë vullnet.

Kemi një padi nga opozita për afatin, mund të jetë ky një moment që të rihapë një spirale të re?

Ilir Meta: Nuk mund të them asgjë sepse nuk jam marrë asnjëherë me procedurat e Kodit Zgjedhor dhe janë institucionet që vendosin. Çështja e zgjedhjeve nuk është çështje thjesht teknike, as është qeveria teknike, as votimi elektronik. Në radhë të parë është vullneti politike që duhet të jetë i fortë nga të gjitha palët për të garantuar një situatë normale për qytetarët që të votojnë në një mënyrë të pavarur dhe të lirë.

Si e gjykuat tërheqjen e PS nga gara e Kavajës?

Ilir Meta: Ishte një vendim shumë normal dhe i arsyeshëm dhe njëkohësisht, po të ishte bërë më parë më mirë do të ishte. Është për t’u përshëndetur se shfryu një tension të panevosjhëm.

Pasnesër kemi një protestë që opozita e quan “nënën e protestave”, keni ndonjë porosi për këtë?

Ilir Meta: Nuk më takon mua të jap porosi. PD ka të drejtë që të protestojë për zgjedhje të lira dhe të ndershme, por edhe duhet të punojë dhe të investojë për një zgjidhje.

Ju thatë që mund të ketë interesa të huaja që mund të destabilizojnë vendin...

Ilir Meta: Unë nuk fajësoj të huajt. Unë asnjëherë nuk fajësoj të huajt. Armiqtë më të mëdhenj të shqiptarëve janë vetë shqiptarët.

Në çadër pati një pezmatim kur u bë publik emri juaj për President. U duk sikur u vërtetua ajo thonin të gjithë, që në çadër ishte një lojë tripolare. Basha tha që zgjedhja e Metës President kushtoi 35 milionë dollarë, duke iu referuar këtu fondit për rrugën Tiranë-Elbasan.

Ilir Meta: Çështjen e rrugëve zoti Basha e di më mirë se unë se unë nuk kam qenë ministër i Transportit. Unë kam patur kanale politike me opozitën dhe nuk i fsheh. Unë komunikimet i kam publike. Për dekriminalizimin i kam dhënë të drejtë PD, që kur është bërë ligji, për të gjithë ata që kanë meraj për reformën në drejtësi që nuk zbatohet, por ato ngjarje, ato vonesa zhvendosën gjërat në kohë dhe zgjedhjet dhe reforma në drejtësi u bashkuan duke krijuar një masë kritike. Për drogën, qëndrimi i LSI ka qenë shumë i qartë dhe më herët se opozita. Opozita e ktheu këtë në kauzë pas zgjedhjeve të Dibrës, sepse besonte se ato u blenë nga kanabisi. Për çështjen e Kryeministrit, si mund të ikë Kryeministri? Nëse kryeministri do të largohet, mund ta bëjë. Unë nuk i kam krijuar asnjë iluzion opozitës se mund të ndodhin zgjedhje përtej korrikut, sepse mandati i këtij Parlamenti përfundon më 9 shtator. Nuk jemi në gjendje lufte, as në gjendje të jashtëzakonshme për të bërë zgjedhje në tetor, nëntor apo dhjetor. Unë kam thënë që duhet një qeveri besimi që të japë zgjidhje për Parlamentin.

Ju ndoshta nuk e keni krijuar këtë iluzion, por krijuat iluzionin tjetër kur deklaruat pas darkës së famshme tek Pazari i Ri, që LSI nuk dot ë futej në zgjedhje nëse PD nuk do të futej.

Ilir Meta: Është një nga deklaratat më të përgjegjshme të Kryesisë së LSI dhe u bë në një kohë shumë të favorshme për të parandaluar përshkallëzimin e krizës. Ka qenë shumë e qartë që ne, duke theksuar rëndësinë e përfshirjes së opozitës, ne bënim të qartë që kushtëzonim koalicionin me PS me demostrimin maksimal të saj për të krijuar klimën e nevojshme për zgjedhje. Unë nuk mund të them që zoti Rama nuk bëri përpjekjet e tij sa mund t’i bënte dhe ai nuk e refuzoi paketën McAllister. Edhe sot, nëse duhet posti i Presidentit të ardhshëm, e jap dorëheqjen, s’e kam asnjë problem. Ne na duhen zgjedhjet dhe imazhi i vendit. Dje takova përfaqësuesin e një agjencie turistike që ishte shumë i shqetësuar për situatën pasi turistët po anulonin prenotimet. Kur nuk vjen një turist, po një investitor që do të investojë miliona dollarë?

Çfarë i sugjeroni Kryeministrit dhe kreut të opozitës që të tërhiqen për të arritur në një pikë të përbashkët?

Ilir Meta: Qëndrimet e mia kanë qenë të qarta dhe këto ja kam thënë edhe zotit Rama, edhe kolegëve socialistë dhe ambasadorëve ndërkombëtarë. Gjithmonë kur diçka nuk shkon mirë është në dëm të të gjithëve, pavarësisht se kush ka përgjegjësi më shumë dhe kush më pak. Më e pakta që duhet të bëjmë është që të përmirësojmë komunikimin publik, që është shumë armiqësor dhe tensionues.

Mendoni që mbajtja e zgjedhjeve më 18 qershor në këto kushte është një opsion i pranueshëm?

Ilir Meta: Mbajtja e zgjedhjeve pa opozitën është një hap shumë i madh mbrapa për Shqipërinë dhe të gjithë, pavarësisht nëse e ka përgjegjësinë opozita apo jo. Ky është një problem i madh për Shqipërinë. Nuk ka rëndësi se çfarë do të thonë nesër në Bruksel, apo Uashington. Shqipëria do të jetë një vend që do të rrezikojë ndjeshëm kredencialet demokratike që ka krijuar deri më tani. Rruga e integrimit europian, pavarësisht se mund të jetë 100 përqind përgjegjësia e opozitës për këto që po ndodh, përsëri do të jetë një rrugë e vështirë dhe mbi të gjitha do të jetë problem paqja sociale për një konflikt që më shumë krijohet lartë, sesa ekziston poshtë mes demokratëve dhe socialistëve.

Kryeministri Rama thotë se zgjedhjet do të mbahen dhe me opozitën shihemi pas katër vitesh. Një Parlament i tillë mund të ketë legjitimitet, po sa do t’i rezstonte nevjës për një marrëveshje dhe përsëritjes së zgjedhjeve?

Ilir Meta: Unë dua të besoj se do të ndodhë mrekullia dhe ajo kërkon një rritje të përgjegjshmërisë dhe reflektimit të gjithsecilit prej nesh, por zgjedhjet pa përfshirjen e opozitës, por pa treguar edhe ajo një vullnet për t’u përfshirë, mund të sjellin pasoja që askush nuk mund t’i parashikojë. Nuk ka ndodhur ndonjëherë një situatë e tillë. Nuk nderon asnjë shqiptar.

LSI do të marrë pjesë?

Ilir Meta: Kjo është një pyetje që i takon kryetarit të LSI, zotit Petrit Vasili, që besoj se do të ketë rast edhe ai të vijë në këtë studio ta thotë.

No comments:

Post a Comment