2017-05-11

Ish Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Prof.dr.Enver Hoxhaj: Udhëheqësit serbë po shpërndajnë propagandë për ta arsyetuar nacionalizmin dhe ndërhyrjet në vendet fqinje





Ish Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj ka reaguar ndaj deklaratave të presidentit serb, Nikoliq dhe të kryeministrit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, të cilët po vazhdojnë me luftën informative ndaj Kosovës përmes propagandave dhe lajmeve të pavërteta.
Në një postim në llogarinë e tij në Twitter, kryediplomati kosovar ka thënë se udhëheqësit e Serbisë po e vazhdojnë luftën informative dhe propagandën, për ta mbuluar dhe fshehur nacionalizmin e qeverisë së Serbisë.
Hoxhaj ka thënë se kjo propagandë e vazhdueshme e shtetit serb dhe vecmas e presidentit dhe e kryeministrit të atjeshëm po bëhet që po ashtu ta fshehë tendencën e Serbisë për të ndërhyrë në punët dhe politikat e brendshme të vendeve fqinje.
“Lufta informative e presidentit dhe e kryeministrit të Serbisë po vazhdon me shpërndarjen e propagandës për ta arsyetuar nacionalizmin dhe ndërhyrjen e Serbisë në punët e brendshme të vendeve fqinje”, ka shkruar Hoxhaj.
Ditëve të fundit, është rritur retorika sulmuese e presidentit serb Tomislav Nikoliq dhe e kryeministrit të tanishëm, Aleksandër Vuçiq ndaj Kosovës. Vetëm gjatë kësaj jave, disa herë ka pasur deklarata se gjoja ekziston një plan për krijimin e “Shqipërisë së Madhe”. Ai madje ka akuzuar ish-shefin e OSBE-së në Kosovë William Walker se është ideator i gjithë kësaj cështjeje.
Po ashtu, mediat serbe të kontrolluara nga shteti ka kohë që kanë nisur një fushatë të lajmeve të rrejshme me qëllim të prishjes së imazhit të Kosovës.
Kujtojmë se në kohën kur Sllobodan Millosheviq ishte në krye të Serbisë, Vuçiq ka shërbyer si ministër për propagandë.

No comments:

Post a Comment