2017-05-16

Jamie Shea, Zëvendës Asistent i Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s për Sfidat e Sigurisë, në konferencë për shtyp në mars 1999.

18 vjet më parë, Jamie Shea, ishte njeriu më i dashur për shumicën e shqiptarëve të Kosovës që ishin nuk rrinin në shtëpitë e tyre dhe që ia dëgjonin zërin kampeve të refugjatëve përmes transistorit, por dhe për ata pak të tjerë që mundnin t’ia shihnin fytyrën në televizor.

Britaniku 63 vjeçar, që nga Brukseli i jepte Milosheviqit edhe të rejat e parashikimit të motit, ishte zëri i Aleancës Veri-Atlantike që dilte çdo ditë nëpër konferenca për shtyp nga selia e NATO-s për t’i dhënë informatat e fundit rreth ecurisë së fushatës ajrore të bombardimeve të NATO-s.

18 vjet më vonë, në ditën kur Kosova po shënon përvjetorin e nisjes së këtyre sulmeve, në një intervistë për Kallxo.com, Jamie Shea thotë se kjo fushatë 78 ditëshe e ka ndalur pastrimin etnik në Kosovë dhe i ka dhënë vendit e rajonit mundësinë për zhvillim.

Shea, i cili tani punon në selinë e NATO-s në postin e Zëvendës Asistentit të Sekretarit të Përgjithshëm për Sfidat e Sigurisë, thotë se nga operacioni i ndërmarrë në pranverë të vitit 1999 aleanca ka mësuar se duhet të qëndrojë e bashkuar, për të mos u dhënë kundërshtarëve shpresën që të mund të përfitojnë nga një përçarje e aleatëve.

Në këtë intervistë, Shea flet edhe për nismën e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi për ndryshimin e misionit të FSK-së, për rritjen e forcave nacionaliste në rajon, për ndikimin e Rusisë…

Kallxo.com: z. Shea, Kosova po shënon përvjetorin e 18-të të fillimit të fushatës së sulmeve ajrore të NATO-s. Si e kujtoni ju momentin e marrjes së vendimit për t’i lëshuar sulmet ajrore? Cila ishte ndjenja brenda selisë së NATO-s rreth ecurisë dhe kohëzgjatjes së sulmeve?

Jamie Shea: Më kujtohet që vendimi qe marrë shpejt dhe me një sens real të konsensusit dhe vendosmërisë rreth tavolinës së Këshillit të NATO-s. Pas tërë atyre viteve të hezitimit gjatë konfliktit në Bosnjë, kur ne shpesh agonizonim rreth përdorimit të forcës, ka qenë një lehtësim për mua kur shihja që këtë herë NATO ishte e gatshme të veprojë para se të ndodhnin masakrat e tmerrshme. Mendoj se ky bashkim erdhi nga fakti që kishim mësuar nga Bosnja për pasojat e mesazheve të përziera, duke bërë kërcënime të zbrazëta dhe duke bërë vonesa të shumta para se të vepronim. Kjo vetëm sa i bën përpjekjet për pajtim dhe rindërtim shumë më të vështira. Mendoj se aleatët e dinin se kishin provuar gjithçka në rrugën diplomatike dhe sidomos me negociatat në Rambuje për ta arritur një marrëveshje të negociuar; ajo që ishte pranuar nga pala e shqiptarëve të Kosovës, sado me hezitime, por që ishte refuzuar nga Beogradi. Pra kishte një sens se ishte bërë çdo përpjekje për ta mënjanuar përdorimin e forcës dhe se tani përdorimi i forcës ishte i domosdoshëm dhe legjitim.

Natyrisht, secili shpresonte se fushata ajrore do të ishte e shkurtër dhe se Milosheviqi do të pranonte shumë shpejt që të tërhiqte trupat (nga Kosova) dhe ta ndalte pastrimin etnik. Fatkeqësisht nuk ndodhi ashtu. Siç e kishte thënë edhe Napoleoni në mënyrë të famshme “Asnjë plan nuk mbijeton nga kontakti i parë me armikun”. Por kur filloi fushata ajrore, aleatët ishin të bindur se këmbëngulja shpaguhet dhe gjëja kryesore ishte që të mos i lejohet Milosheviqit që ta thyejë unitetin e Aleancës. Dorëzimi j vetëm që do ta minonte kredibilitetin e NATO-s, por do ta përkeqësonte edhe më shumë situatën në Kosovë. Për me tepër, çdo fushate ushtarake i duhet kohë për të prodhuar efektet e veta kështu që është joreale të priten mrekulli në çast. 78 ditë u dukën shumë në atë kohë, por nëse dikush mendon për Afganistanin apo Irakun, fushata e Kosovës ishte jashtëzakonisht e shkurtër dhe një nga operacionet më të suksesshme ushtarake në kujtesën e fundit.

Kallxo.com: Çka mësoi NATO nga operacioni i saj në Kosovë? A ia ka vlejtë ndërmarrja e këtij operacioni?

Jamie Shea: Mendoj se mësimi kryesor i nxjerrë është të qëndruarit së bashku. Milosheviqi dukej qartë se shpresonte që NATO do të përçahej por kur e kuptoi që kjo nuk do të ndodhte, ai nuk kishte alternativë përveç t’i plotësonte kërkesat e komunitetit ndërkombëtar. Mësimi i dytë, mendoj unë, është veprimi i hershëm dhe i vendosur me qëllim të parandalimit të një forme më të keqe të dhunës dhe shumë më shumë njerëzve të vrarë e të plagosur. Mësimi i tretë ishte kombinimi i forcës me një diplomaci të aftë. NATO punoi me OKB-në dhe në këtë rast edhe me Rusinë për të vënë presion diplomatik mbi Milosheviqin që ta bënte atë të kuptonte se ai nuk po luftonte vetëm NATO-s por një komunitet më të gjerë ndërkombëtar dhe se asnjë shtet, qoftë ajo Rusia apo dikush tjetër, nuk do ta shpëtonte. Ai ishte tërësisht i izoluar.

A ia ka vlejtë? Paj, asnjë fushatë ushtarake nuk është e përkryer dhe të gjitha ato kanë pasoja afatgjata. Por, në mendimin tim, fushata ajrore ndali një formë të dhunshme të pastrimit etnik ndaj shqiptarëve të Kosovës, zvogëloi dukshëm numrin e vrasjeve, edhe pse numri i vrasjeve ishte tragjikisht i madh për shkaktë veprimeve të forcave serbe, dhe u mundësoi qindra-mijëra refugjatëve të kthehen shpejt në shtëpitë e tyre. Nëse për këtë nuk ia vlente, atëherë për çfarë tjetër?

Kallxo.com: NATO ka qenë e pranishme në Kosovë me një mision ushtarak që nga viti 1999. Përderisa misioni është zvogëluar vazhdimisht në numra, a mendoni se rajoni është ende në rrezik në aspektin e sigurisë, marrë parasysh tensionet e fundit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë gjatë muajve të fundit?

Jamie Shea: NATO e ka bërë të qartë se do të qëndrojë në Kosovë për aq kohë sa KFOR mund të ndihmojë në stabilizimin e vendit. Personalisht nuk mendoj që ka rrezik se një konflikt i ri mund të shpërthejë prapë. Thënë këtë, KFOR është atje për ta ndalur çdo lloj të dhunës, qoftë ajo e një shkalle të vogël, dhe për të siguruar që të gjithë kosovarët, pavarësisht cilit grup etnik i takojnë, janë të mbrojtur në mënyrë të barabartë. Nuk ka kuptim që KFOR të largohet para kohe në rast se do t’i duhet të kthehet më vonë. Fatkeqësisht ka ende tensione mes Prishtinës dhe Beogradit, siç e pamë së fundmi me incidentin e trenit, kështu që prania e KFOR-it është ende e domosdoshme për të ofruar një mjedis të sigurt dhe për ta parandaluar ndonjë veprim të ngutshëm ose keqkalkulim.

Kallxo.com: Shkurtimisht, si ju duken zhvillimet në Kosovë gjatë 18 viteve, veçanërisht që nga shpallja e pavarësisë nën kuptim të njohjes ndërkombëtare si dhe politikës e sigurisë së brendshme?

Jamie Shea: Isha në Kosovë vitin e kaluar për një vizitë të shkurtë por shumë të kënaqshme. Nuk kisha qenë për shumë vite dhe isha i befasuar me numrin e veturave në rrugë (nuk është domosdoshmërisht një gjë e mirë, duke pasur parasysh të gjitha ngecjet në trafik), hotelet dhe ndërtesat e reja, si dhe një numër i madh i kompanive amerikane dhe europiane që janë vendosur në Prishtinë. E kisha ndjenjën se Kosova përfundimisht ishte zhvilluar. Gjithashtu mbajta fjalim në një universitet dhe isha i befasuar me inteligjencën, entuziazmin dhe aftësitë e mrekullueshme të studentëve të cilët më përshëndetën në gjuhën angleze. Kështu që përfundimisht kisha përshtypjen e një jete të re dhe një dëshire për të sjellë Kosovën në linjë me standardet europiane dhe të dilni nga izolimi. Natyrisht progresi nuk është asnjëherë i shpejtë ashtu siç do të donim të ishte dhe nuk ka dyshime që Kosova ende ka shumë për të bërë në kuptimin e luftimit të korrupsionit, përmirësimin e gjyqësorit dhe të pasurit parti politike të cilat mund të punojnë së bashku për të mirën e vendit, derisa respektoni rregullat dhe rolin e opozitës demokratike. Andaj, është e qartë që Kosova është një vend që do të vazhdojë të ketë nevojë për një marrëveshje të mirë për ndihmë nga të dyja NATO dhe Bashkimi Europian në vitet në vazhdim. I ka përbërësit për sukses: çelësi është që t’i lirojë dhe zhvillojë këto elemente dhe të mos i mbajë brenda. Për një moment, gjatë fjalimit tim në universitet, e përmenda që në vitin 1950 Ukraina ishte dukshëm në përparësi ndaj Polonisë, në kuptimin e GDP-së. Sot, Polonia është tetë herë përpara Ukrainës dhe nga një hapësirë prej vetëm një gjysmë shekulli. Çfarë e ka bërë dallimin? Nuk janë burimet natyrale por kualiteti i udhëheqjes, serioziteti i reformave dhe aftësia e përdorimit të talenteve të njerëzve të saj produktiv në frymën e sipërmarrjes së lirë.

Kallxo.com: Duke pasur parasysh zhvillimet në Bosnjë, Maqedoni dhe Kosovë, a e shihni një ngjallje të forcave nacionaliste në regjion?

Jamie Shea: Po, e shoh një ngjallje të forcave nacionaliste në Ballkanin perëndimor sot. Është zhgënjyese, se si nacionalizmi agresiv ka dërguar vetëm në një vuajtje në një shkallë masive gjatë viteve të 90-ta, si dhe varfëri të madhe dhe izolim. Por jemi ku jemi dhe e shoh këtë si një thirrje për zgjim nga NATO dhe Bashkimi Europian për një angazhim të plotë me regjion dhe t’i mbështesin forcat demokratike dhe t’u ndihmojnë atyre në rrugëtimin drejt reformave. Çështja e nacionalizmit është se mund të jetë një reklamë e mirë për emocione dhe një mekanizëm për shfryrje të zemërimit dhe frustrimit. Por nuk sjell ndonjë zgjidhje të problemeve të përditshme. Për më tepër, nacionalizmi agresiv nuk mund të mbijetojë pa ndonjë armik, shpesh një armik imagjinar dhe prandaj dërgon vetëm në dhunë dhe kundërvënie.

Kallxo.com: Në javët e fundit, Kosova ka ngecur në një debat mbi transformimin e Forcës së Sigurisë së saj në një ushtri duke anashkaluar amendamentet e nevojshme kushtetuese. Që kur NATO dhe disa shtete të rëndësishme (SHBA-ja, Britania e Madhe) kanë kundërshtuar nismën e Presidentit Thaçit, a ka ndonjë zgjidhje për këtë çështje, pasi ne nuk e shohim Thaçin të tërhiqet nga ideja e tij?

Jamie Shea: Forca e tanishme e Sigurisë së Kosovës, për të cilën NATO ka punuar aq shumë për të ndihmuar Kosovën për ta krijuar, është projektuar për nevojat aktuale të Kosovës dhe si një mjet për integrimin e të gjitha bashkësive etnike në një institucion të vetëm. Në një kohë kur Kosova vërtetë ka nevojë të përqendrohet në reforma, luftën kundër korrupsionit, edukimin e njerëzve të saj dhe zhvillimin e shoqërisë dhe institucioneve të saj, unë nuk shoh se si krijimi i ushtrisë së Kosovës është një përdorim i dobishëm i burimeve të çmuara, apo do të ndihmojë stabilitetin në rajonin më të gjerë. Me koston e një avioni luftarak modern apo edhe një tanku lufte, Kosova mund të kishte ndërtuar disa shkolla ose të përmirësojë teknologjinë e informacionit në universitetet e saj dhe në institucionet publike në të gjithë vendin. Kështu që unë shpresoj se do të ketë një debat të duhur në Kosovë në lidhje me prioritetet, dhe se Presidenti Thaçi nuk do ta vazhdojë këtë iniciativë. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, i foli presidentit Thaçi dhe kryeministrit Mustafa më 8 mars dhe ua bëri të qartë atyre shqetësimet serioze të aleatëve të NATO-s në lidhje me propozimet nga autoritetet e Kosovës për ta transformuar FSK-në një forcë të armatosur, pa një ndryshim kushtetues. Ai e bëri të qartë se hapat e njëanshëm të tilla si këto janë të padobishme.

Kallxo.com Në një kontekst më të gjerë rajonal, konsiderohet se Rusia është duke u përpjekur për të zgjeruar ndikimin e saj në Ballkan, duke filluar me furnizimin e ushtrisë së Serbisë me armë. Si e sheh NATO këtë situatë?

Jamie Shea: Rusia është sigurisht më aktive në Ballkan sot se disa vite më parë. Ne kemi parë për shembull përpjekjet e saj për të theksuar vendimin e lirë të Malit të Zi për t’u bashkuar me NATO-n, duke përdorur propagandën dhe duke organizuar provokime dhe aktivitete destabilizuese. Kjo është një nga arsyet pse NATO dhe BE-ja tani ri-angazhohen me rajonin ku ne kemi investuar kaq shumë kohë dhe përpjekje gjatë dy dekadave të fundit. Sigurisht është zgjedhje e një vendi si Serbia të vendosë se ku dëshiron të blejë armatime, por përsëri, unë besoj se të gjithë aktorët në rajon duhet ta pyesin veten nëse ndërtimi i armatimeve të sofistikuara dhe të shtrenjta me të vërtetë do të blejë më shumë siguri për një kohë të gjatë dhe për stabilizimin e rajonit, ose nëse me të vërtetë është ajo që popujt e tyre kanë nevojë urgjente në afat të shkurtër. Lloji i dialogut që BE-ja ka nxitur mes Beogradit dhe Prishtinës ose të negociatave për anëtarësim të Serbisë drejt BE-së, të partneritetit të NATO-s me Serbinë, Bosnjën dhe ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë, si dhe nismat rajonale të sigurisë që po sjellin vendet e Ballkanit Perëndimor së bashku po më tërheqin mua si një mënyrë shumë më e mirë për të arritur siguri të qëndrueshme.

No comments:

Post a Comment