2017-05-17

Në sqetullën e maleve të Rugovës



Nga Pëllumb Gorica


Për të gjithë adhuruesit e klimës malore dhe vendeve turistike, midis të cilave, Gryka e Rugovës është një perlë e rrallë, ndër më të bukurat e Ballkanit. Një bukuri, që nuk ka njeri të përshkruaj me fjalë,dhe jo vetëm piktorët do ta kishin zili. Aty shpalosen përherë pamje befasuese dhe magjepsëse, pyje në një tërsi natyrore shumëngjyrëshe, dhe pranë tyre shkëmbinj gëlqeror si një pikturë gjigande.
– Kush ka ardhur këtu është mrekulluar me bukurinë e saj, qetësinë, panoramat mahnitëse e mbizotëruese – thotë Aliu udhëheqësi i udhëtimit tonë.

3

Patjetër unë dhe miqtë e mi nuk mund të humbnim këtë ftesë bujare, ndaj edhe pse të lodhur nga rruga e gjatë ne ndoqëm këshillën e tij. Tek e fundit i shijon edhe më bukur pamjet, që të çlodhin sytë dhe të mbushin mushkritë me ajër të pastër, por edhe provon një ndjenjë paqe e harmonie. Fytyra e panoramave të saj, e shpërndarë në një hapësirë të gjerë dhe rrjedha e lumit që e ndan atë, të tërheqin vëmëndjen. Ajo të ofron bukuritë e saj plot e përplot me drita të qashtra dhe të lëbyrta të kësaj dite vjeshte. I ngjitemi rrugës, që sa vinte bëhej edhe edhe më e përpjetë nëpër lakadredhje të shumta. Edhe pse makina ecën me shpejtësi, vagëllimthi pamjet në largësi përvijohen nga trajtat e maleve. Fati i historisë e ndau padrejtësisht këtë mrekulli shqiptare. Po përsëri një territor i saj po u dhurohet malazezëve. Serbët dhe malazezët asnjëherë si kanë pyetur shqiptarët, dhe e kanë vendosur kufirin atje ku kanë dashur. Ndaj, ka bërë të shpërthejnë protesta ngulmuese nga opozita në Kosovë, të mos lejojnë, të dhurohen territoret pushtuesëve historikë të kombit tonë. Historia shqiptare është e mbushur me shembuj të shitjeve të territoreve tona nga këta soj politikanësh e ekspertësh, që ndërmarrin shndërrimin e territoreve tona një shteti tjetër. Mjaft na kanë gllabëruar, për t’iu dhuruar përsëri.
Panorama që mund të shihej, duke ecur nëpër të, të tërhiqte më shumë me lumin që gurgullon, i kristaltë e me shkumësi të rrëmbyeshme nëpër gurë e brigje, si vet emri që mban, Lumbardha, i cili i jep Grykës së Rugovës një bukuri të veçantë. Ta ka enda të rrish ca çaste aty, ku në të dyja anët e saj ngrihen shpate të lartë e të rrëpira, veshur me drurë. Më mbresëlënëse janë tunelet, shkëmbinjtë me ato zgavra të errëta, ku diku nën to gurgullojnë ujëvarat, kataraktet e pastra si loti, por edhe kanioni i vogël, i cili thellohet para syve tanë në një hon disa qindra metra. Është një bukuri magjike, që të dhuron kënaqësi si shprehje e natyrës mbresëlënëse, prandaj nuk i shmangim dot emocionet në këto peizazhe, që edhe pse i kemi shkelur e shijuar edhe herë të tjera, me dëshirën për t’i vështruar më shumë. Tek tuk vëren vendbanime të rralla, stane grumbuj-grumbuj nëpër pyje, që të tërheqin vëmëndjen. Heshtjen e thyejnë blegërimat e bagëtive, të përhapura nëpër livadhet dhe këmborat, që përziheshin me zërat e tjerë të natyrës. Nga malet përkudruall ca re bardhoshe kalojnë lehtë edhe mbi kokat tona. Pllanga dëbore si çarçafë shfaqen aty këtu në majat e tyre. Disku i diellit që shkëlqen, shpërndan një dritë të artë me tufa rrezesh të përpurta. Ndërsa pyllin e dendur nga drurët e lartë të pishave, lisave, bredhave e ahu, një erë herë i mblidhte tufë e herë i ndante në ca copëza të çrregullta gjeometrike. Gjethet të prekura nga një zverdhje e ndritëshme bien si pa ndjerë. Ne e shijojmë ardhjen dhe gjithkush nuk do të ndihej kaq i mirpritur. Një grup vizitorësh të ardhur shoqërisht me prirjen për çlodhje në natyrën e Rugovës, zbaviteshin në mes të pyllit. Heshtja e pyllit grisej nga copëzat e bisedave të tyre, që jehojnë thellë.
Ecim të ngarkuar me histori dhe rrëfime. Ngjarjet kanë lënë gjurmë aq të thella. Në tërësinë e tyre ato janë bindëse për sakrificat dhe luftën e bërë, për dallgët e stuhishme në shpirtin e këtij populli. Lapidarë, pllaka përkujtimore, emra luftërësh të rënë të rrëmbejnë prej mënge drejt historisë së secilit. Duke çmuar kontributin me burrëri shqiptare, e plot vlera reale për Kosovën, ato nuk duhet të mjegullohen nga anarkia e frikshme e kohës. Në Kosovë ndihet krenaria për gjakun e pastër shqiptar, që rrjedh në deje, për luftën çlirimtare dhe porosinë e etërve tanë, të ruajmë trojet nga pushtuesit. Në vesh sikur na vijnë shungëllimat e largëta të tmerreve, që herë fashiten e herë dëgjohen më fortë. Pejanët, si gjithë kosovarët, me pritjen shekullore të një populli të martirizuar për pavarësi, nuk mund të harrojnë ngjarjet e kobshme dhe fatkeqe, të shkaktuar prej bishës sllave, e cila kishte ngulur thonjtë e egër mbi tokën e saj për ta gllabëruar e kolonizuar atë plotësisht. Janë tragjike tabllot e martirizimit, dhe lotët e humbjes së jetëve njerëzore, shkatërrimet, e sidomos kalvari shtegtues që përfundoi në tokën e vëllezërve shqiptar. Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe e Natos e përshpejtoi rënien e pushtetit të Sllobodanit, dhe i thanë ndal këtij përbindëshi të Ballkanit. Ngjarjet rrodhën aq shpejt sa pothuajse nuk kishte kohë për t’i zgjatur pushtetin atij në Kosovë. Dëshira e zjarrtë për liri që kishte pushtuar shpirtin e kosovarëve erdhi e fituar me gjak, me luftë çlirimtare, forcë, për t’i lënë vend një jete të pavarur, e cila bëri të çelej një epokë tjetër. Dhe mbi këto dhimbje dhe liri, ata po e skicojnë atë të mbushur me sfida të tjera.
Në një nga restorantet alpine, buzë lumit Lumbardha, takimi me Afrimin, ish luftëtarin e UÇK, është tepër emocionues. Ai, si dëshmitar i drejtpërdrejt i pjesmarrjes në këtë luftë çlirimtare, tregon me ngjyra të gjalla e rënqethëse ngjarjet, betejat, tmerret e masakrave që ndodhën në Kosovë. I përhumbur në mendime të shumta, që ta ngacmon kujtesa e këtij lumi historish, zëri i tij ngrihej më lart nga zhurmat e qytetit. Fjalë, të cilat mbajnë mbi shpatulla kujtime të hidhura, ashtu siç i mban secili prej tyre.
-Për ngjarjet e rëndësishme vështirë se arrihet të përshkruhen apo t’i tregojmë të gjitha, – të thotë ai, megjithatë herët a vonë ato do të shkruhen nga historianët, shkrimtarët, duke i pasqyruar me origjinalitetin e tyre, dhe mes kontraditash e mosmarrveshjesh, që ashpërsohen e mprehen në akuza e kundërakuza ndaj kësaj lufte çlirimtare. Edhe për faktin se përparësia qëndron tek mundësia, të bëjnë më shumë nga se i kanë dëshmitarët, protagonistët e kësaj lufte, çka për historianë të kohëve të shkuara ka qënë pengesë e madhe, sepse edhe ngjarjet e hershme, të vërtetën e kishin mbyllur të dergjej në pamundësi për t’u dokumentuar.
Në pjerrësinë e shpatmalit, në mes të masivit pyjor ndodhet resorti turistik “Liqenet Kuqishte”.Vend dominues nga ku mund të sodisësh një horizont mjaft të gjërë të maleve të larta. E shijon bukurinë e shtëpizave të vogla prej druri, të ngjeshura, ku ndërthuren këndshëm qetësia, komoditeti i krijuar me modele të reja për turizmin. Ky investim luksoz, si mjaft të tjera të shpërndara aty, ia shton me shumë vlerat dhe bukurinë Grykës së Rugovës.
-Këtu dashamirësit e natyrës marrin kënaqësi në çdo periudhë të vitit, e sidomos të pasionuarit e sporteve në periudhën e dimrit -shprehet Ramizi, pronari i resortit turistik “Liqenet Kuqishte”. Ai krenohet me bukurinë e Grykës së Rugovës, me romantikën, përpjekjet për mbijetesë në mugëtirën e kohës dhe traditat kaq të pasura të trevës.
Ndërsa zhytemi në pyllin e madh dhe të heshtur, mes pishave, e duke thithur ajrin e freskët, po binte mbrëmja, si gjithë mbrëmjet e vjeshtës, të praruara nga yjet e panumërt, që drithërojnë qiellin me dritën e tyre. Pas shiut që kishte rënë para ca ditësh moti po mbante, por netët janë të ftohta këtu. Të ardhurit përshëndesin njëri – tjetrin plot përzemërsi dhe orët rrjedhin kaq shpejt në biseda të këndëshme e plot dashamirësi, shakara dhe këngë. Një atmosferë me të vërtetë e bukur për ta shijuar vetëm me miq. Të bëjnë përshtypje edhe vogëlsitë, si diçka e thjeshtë në dukje, por shumë kuptimplote. Nuk mungon kurrsesi tradita e mikpritjes, bujaria dhe ngrohtësia pejane. Buka e misrit me djath e kos, e servirur në tavolinat e çdo vizitori të shijon pa masë. Në ambientet e lokalit, vizitorët lëviznin lirisht me gota vere, rakie, birre dhe njihen, shkëmbejnë mendime, nën sfond muzike e avuj ngrohtësie. Na mbeti në mendje meliodiziteti pasionant me rrymë gjallërie, e ekspresiv i rrëfyesëve, që dhurojnë gurgullima të qeshurash të pafundme. Kjo e shprehur me një lloj emocioni të rrallë ndër ne, meriton të përgëzohet. Ndaj, kush zotëron këto ndjesi më së tepërmi mishëron ndjenja gëzimi, mirësie dhe dashurie, të cilat i përjetojnë me terë qënien e shpirtit edhe të tjerët. Ata që janë të lumtur, e bëjnë të shëmtuarën të bukur, dhe të bukurën, edhe më të bukur. Bisedës i jep më shumë lezet një rugovas në të tetëdhjetat, Zeqir Halili, i mbështjellë me shallin tradicional rreth kokës, që evokon kujtime nga largësia e viteve. Ato,të shprehura si thesare shpirti, të dhurojnë çaste të këndëshme me natyrshmërinë. Brenda gjithë dritë, ndërsa përjashta nata kishte pushtuar gjithësinë. Freskia e saj drithëronte degët e pishave. Por befasia më e madhe ishte zjarri i ndezur në pyll. Ndriçojnë fytyrat tona, por edhe pylli. Ardhja këtu në lartësitë e Rugovës, të shkelura përsëri, ndezi zjarre përbrenda shpirtit. Nata u festua deri në agim të ditës së re dhe tepër mbresëlënëse në kujtesën e çdonjërit prej nesh.
* * *
Një ditë e shkëlqyer, që brenda saj ka gjithë bukurinë e panoramave, e shoqëron largimin tonë. Freskia e ajrit, dhe gurgullima e ujrave janë një ngacmim joshës, dhe akoma më shumë dielli vjeshtak, që stërpikte me reflekse drite majat e maleve të Rugovës.
-A mund të bëhej kjo ditë-natë më e gëzueshme se kaq?- pyet Xhoni, miku ynë përtej oqeanit, në një çast ekzaltimi, teksa me aparatin e tij fotografik nuk ngurron të fotografoj panorama. Po kthehemi në Tiranë, por me vete kemi marrë kënaqësinë dhe dëshirën për t’u rikthyer përsëri, në këtë panoramë të skalitur nga krijuesi natyrë.

No comments:

Post a Comment