2017-05-01

Nga Irena Gjoni (Papas) : Një shpirt nën det

Jashtë filloi të binte shi. Ata të dy u futën brenda në lokal gati me një frymë. Sapo hynë u përplasën me zhurmën karakteristike të një mjedisi të tejmbushur. Pothuajse të dy hodhën sytë tek tavolina ku rrinin shpesh.
– Oh, qenka e zënë, – tha me keqardhje ai duke u kthyer nga e fejuara. Dy “pushtuesit” e pavetëdijshëm të tavolinës së tyre, u çuan si të kishin dëgjuar atë batutë keqardhjeje. Njeri, para se të largohej fiku cigaren e fundit në tavëll dhe bishtin e la në anë të saj. Vajza e pa. Një drithërimë i përshkoi trupin. Gjatë rrugës së shkurtër për tek tavolina e lirë, shikimi i saj u ndesh me atë të fikësit të cigares. Ajo i hoqi menjëherë sytë. Me një qetësi të shtirur vazhdoi të ecte. Në një kthim të lehtë koke (i pa vënë re prej askujt), pa befasimin e tjetrit që ndali pak hapat. Dea u ul tek vendi ku pak më parë gjendej fikësi i cigares. I fejuari u ul përballë saj. Kamarieri me një shpejtësi të rrufeshme mori dhe solli porosinë.
Ajo e kundroi nga afër bishtin e cigares. Do të donte ta merrte e ta thithte fort atë çast. Ndoshta ruante ende ngrohtësinë dhe shijen e buzëve të atij që e kishte pirë. Për sytë e Deas nuk ekzistonte asgjë përreth, veç atij bishti cigareje. Për të ishte baras “AI”. “Dashuria e parë është si ylberi, – mendoi – që ngrihet vetëm një herë në jetën tonë e pastaj e kërkojmë dhe e presim gjithë jetën.”
– Përse u hutove kështu? – e pyeti i fejuari që po e shihte prej një copë here aq të përhumbur.
– E di? – dhe ajo çoi kokën vrullshëm si e dalë prej një ëndrre. – Po bëj çudi. Gjithmonë në çastin që hyjmë te ky lokal, luhet e njëjta muzikë, – i erdhi për të qeshur me veten me atë sajesë qesharake për justifikimin e hutesës së saj.
– Nuk më intereson sfondi. Për mua nuk ka vlerë. Asnjëherë nuk e vë re. Ajo që më tërheq është objekti kryesore që gjendet tek ky sfond, – i tha i fejuari dhe i përkëdheli dorën që ajo e kishte vendosur mbi tavolinë si t’i thoshte: “Ajo që më intereson, je ti Dea ime.”
– Ndërsa për mua sfondi është i nevojshëm. Madje i domosdoshëm, – i fliste Dea dhe kundërshtimi po i jepte kënaqësi. – Prej tij varen shumë gjëra, – vazhdoi ajo. – Mund të jetë një pikturë e mrekullueshme në një sfond skandaloz dhe gjithçka të duket e pavlerë. Si mund të jetë edhe e kundërta.
I fejuari mohoi duke këmbëngulur në mendimin e tij për pavlerësinë e sfondit.
– Shih aty! – i tha Dea duke i treguar një pikturë të varur në mur. – Të lutem, më përcakto sfondin dhe objektin kryesor të asaj pikture! – foli me një cinizëm përzier me ironi dhe me një ton profesori ndaj një shkollari të rëndomtë.
Në pikturë ishte një peisazh deti të dallgëzuar dhe dy pulëbardha paksa të veçuara. Gati mikroskopike para përmasave të pikturës. Megjithëse ishte një bisedë e nisur kot, Dea donte ta sfidonte në mendim të fejuarin e saj. Ai s’po gjente një përgjigje dhe ajo preferoi të fliste vet:
– Është një pikturë e ndërtuar pothuajse nga sfondi. Objekti kryesor nuk duket lehtë. Megjithatë unë e shoh, – i fejuari vazhdonte të heshtte. Edhe Dea heshti dhe filloi të ngacmonte ëmbëlsirën duke shkarravitur mbi krem pa futur asgjë në gojë. La pirunin dhe mori në dorë bishtin e cigares që qëndronte në anë të tavllës. Duke ia ngulur sytë, vazhdoi mendimin e lënë përgjysmë: – Megjithatë unë e shoh. Është një shpirt nën det… . Po përpëlitet për të dalë në sipërfaqe… . Por ai nuk mund… . Ngelet nën det… . Në sipërfaqe duken vetëm dallgët shkaktuar prej tij… . – Ajo vendosi bishtin e cigares mes dy gishtave. Duke e rrotulluar mes tyre, pa në fundin e tij. Aty, nga përthyerjet e filtrit, dalloi që u krijua një shkronjë “D”. Diçka i lëvizi brenda shpirtit. Ishte loja e tyre e preferuar. Sa herë që AI pinte cigaren, Dea ia rrëmbente filtrin për të parë shkronjën në fund të tij. Nuk i kujtohej kush dreq ia kishte treguar atë sekret të vogël lozonjar: AI që kishte pirë cigaren, ishte i dashuruar me një person, emri i të cilit fillonte me shkronjën e krijuar prej përthyerjeve të filtrit në rrotullim. Të dyve u pëlqente ajo lojë. Ende filtri ishte i dashuruar me shkronjën “D”.
– Ej, ç’po bën? Po kërkon të zbulosh sekretet e atyre që kanë të njëjtin vend uljeje me ne në këtë lokal? – e pyeti i fejuari. Dea qeshi hidhur duke vazhduar të rrotullonte filtrin.
– Çohemi? – i tha ajo në vend të përgjigjes.
– Ha, të paktën ëmbëlsirën, – iu lut ai duke treguar ëmbëlsirën e paprekur, por vetëm të shkarravitur, – ti vdes për to.
– Nuk më hahet dhe po më zihet fryma nga gjithë ky tym cigareje, – dhe u çua vet e para pa pritur aprovimin e tjetrit. Filtrin e cigares e mbylli në grusht duke e marrë me vete. Brenda lokalit la shpirtin që vazhdonte të përpëlitej nën det duke krijuar dallgë. Sikur të mos ishin ato dallgë, do mendonte se shpirti ishte mbytur. Të paktën egzistonte, paçka se nën det.
Dolën jashtë. Era i frynte në të kundërt dhe flokët iu përplasën në fytyrë. Ndjeu se ato mbanin erë cigareje. “Si dikur” – mendoi Dea. Vuri re ngjyrën e tyre. E verdha iu duk më e theksuar. Ndoshta kishin ngelur në to gjithë filtrat e cigareve që kishte pirë AI. Në dorë vazhdonte të shtrëngonte bishtin e cigares. . .


No comments:

Post a Comment