2017-05-08

Nga Rajmonda Maleçka : 60 Vjet "Emmy Awards"





Në faqen zyrtare të Organizatës së Gruas The Women's Organization "Hope & Peace" ishin postuar disa foto nga 60 Vjetori i "Emmy Awards" 2017 mbajtur në New York më datë 6 Maj 2017, ku mes tyre dallova edhe gazetaren e guximshme Zj. Mimoza Dajçi.


Dashamirësia dhe respekti për miken time të hershme më shtyu ta kontaktoja rreth këtij eventi të rëndësishëm. "Po - tha ajo - isha e ftuar në mbrëmjen Gala të "Emmy-t" në New York". Kaq mjaftoi dhe unë nisa të shkruaj rreth kësaj Ceremonie Prestigjoze Çmimesh në SHBA, spektakle të cilat janë akoma ëndërr për ne shqiptarët në Shqipëri.


Në këtë event të artit, shkencës, medias dhe televizionit amerikan Mimoza ishte ftuar në cilësinë e gazetares internacionale. Status që e gëzon prej vitesh.

Akademia Nacionale e ndarjes së "Emmy Awards" 2017, këtë vit shënonte 60 Vjetorin Jubilar të Themelimit. Misioni i këtij Çmimi të Lartë synon vlerësimin që u jepet njerëzve të artit, shkencës, gazetarisë, televizionit për punën e tyre kreative e të suksesshme. Shënon arritjet, nxit dhe inkurajon talentet për një punë më të frytshme në këtë industri.


Fituesë të "Emmy Awards" këtë vit ishin gazetarë profesionistë e të rinj, të cilët kishin realizuar emisione, dokumentare dhe kronika të ndryshme, që kishin impresionuar jo vetëm publikun e gjerë, por edhe jurinë e "Emmy Awards". Mbrëmja Gala filloi me një koktej të pasur, ndërsa në Tapetin e Kuq parakaluan dhe u fotografuan celebritetet dhe të ftuarit, më pas u hapën dyert për festimin e madh.

Në "Emmy Awards" 2017 në Manhattan, Moza pati rast të takojë, flasë e të ulet në një tryezë me shumë personalitete të larta të artit, shkencës, kinematografisë dhe televizionit amerikan si Presidenten e "Emmy Awards" Zj. Denise Rover, Mjekun e famshëm Dr. Oz, gazetarin Marvin Scott - fitues i 11 Çmimeve Prestigjoze "Emmy" për arritje të larta në gazetari, gazetaren investigative kundër krimeve, fituesen e 15 Çmimeve "Emmy" Sarah Wallace, aktoren e vogël Hollivudiane Isabelle Tsereteli, Princin e Gjermanisë Prince Mario Max Schaumburg Lippe e të tjerë.


Salla madhështore, zbukuruar me shandanë, lule dhe zbukurime klass-i jepte menjëherë impaktin e një spektakli magjik që të mbante tërhequr gjatë gjithë kohës.

Në të morrën pjesë mbi 1000 persona dhe Moza ishte e mendimit, se krahas gazetarëve dhe producentëve amerikan mund të ishin ftuar apo nominuar për Çmimin "Emmy" edhe shqiptarë të tjerë.

Mbrëmja Gala "Emmy Awards" 2017 u moderua nga vetë Presidentja e kësaj Akademie Zj. Denise Rover, e cila për punën e saj të suksesshme u dekorua me "Emmy Awards" 2017.

 Darka me personalitetet e famshme në SHBA kaloi bukur, këndshëm, me ovacione dhe duartrokitje të shumta.

No comments:

Post a Comment