2017-05-01

Një majet tona




Image result for andon dede

nga Andon Dede, Nju York


Sikur nuk më besohet që, qysh nga përmbysja e Diktaturës kaloi një çerek shekulli. Ata që u lindën atë dhjetor të ’90-s, jane tashmë 27 vjeç. Kur i kujtoj ato ngjarje,të para-pluralizmit, aq fort janë ruajtur në kujtesë, sa më duket sikur kanë ndodhur dje. Jam gati t’i riprodhoj me hollësitë më të vogla. Kjo, jo aq për meritë të kujtesës sime se sa për të veçantën që patënato dhe për ndikimin që ushtruan në ngjizjen e personalitetit tonë.
Rri e mendoj për tëlindurit e pas-Diktaturës…Madje, një pjesë të tyre tashmëas që mund t’i quash më të rinj. I kam zili ata që po i gëzohen një sistemi krejt tjetër, edhe pse akoma jo plotësisht i lirë e demokratik, siç pandehëm në ato ditë të paharruara, përderisa nuk ke të siguruar minimumin e të ardhmes tënde por rron me frikën se ç’do të sjellë e nesërmja.Sidoqoftë, të paktën ata kanë shpëtuar nga shumë telashe apo dhe marrëzira që kemi përjetuar ne që lindëm në ato vite kur po hidhte shtat Diktatura. Ka aq shumë për të treguar, sa që s’do  të mjaftonin vëllimetë tëra apo, parë ndryshe, kishte aq shmë marrëzira e budallallëqe sa që s’di se kë të tregosh mëparë. Me qëështë një maj, Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve, le të merremi meatë kësaj radhe.
Eh, ç‘kemi hequrne të gjorët sa herë që vinte kjo datë e shënuar, qoftë kur ishim të vegjël apo dhe më pas kur u rritëm e nisëm punën! Duhet të grumbulloheshim shumë orë përpara diku. Prit e prit atje deri në stërmundim, sa të na jepej njoftimi për të lëvizur. Se a e dini ç’ndodhte? Nëse manifestimi ishte planifikuar për në orën dhjetë, komiteti i partisë së Tiranës, udhëzonte komitetet e partisë së rajoneve që të fillonte grumbullimi i njerëzve të paktën një orë përpara. Komitetet e rajoneve, për të qënë të sigurt, porositnin organizatat bazë të ndërmarrjeve, shkollave apo dhe lagjeve që të nisnin përgatitjet edhe një orë mëherët. Por, marrëzia e asaj dite nuk mbaronte as këtu: sekretarët e organizatave, që mos të kishin telashe me vonesa apo mungesa të mundëshme, i porosisnin punojësit, nxënësit apo banorët e lagjeve që të grumbulloheshin edhe një orë më herët. Kjo nuk është fantazi, por një përjetim personal, qoftë si nxënës, student apo punonjës. Pra, të gjorët njerëz duhet të zgjoheshin e shumta në gjashtë të mëngjezit për të qënë në rregull me paraqitjen për manifestim.
Mbasi grumbulloheshim tek vendi i caktuar, fillonin orët e pritjes, deri sa të na vinte radha për të ecur drejt tribunës. Qe e tmerrshme, mund të prisje një apo dhe dy-tre orë, varej nga vendi ku banoje dhe ku ishte pika e takimit. Ndërkohë, nga gjithë kjo, kishe filluar të ndjeheshe i lodhur. Kur e them unë këtë që, në ato vite, isha relativisht i ri, mendo për veteranët e të moshuarit e lagjeve se ç’hiqnin.E si të mos mjaftonte tërë kjo, duhet të tregoheshe sa mënë formë e i qeshur, i gëzuar, entusiast e të brohorisje me sa fuqi kishe për Partinë e Punës dhe shokun Enver, për ditët e lumtura që po përjetonim, paçka se mezi ngopnim barkun me bukë, se dyqanet ishin bosh e se çdo gjë qe e racionuar e me lista. Ngurimi më i vogël për t’i kryer tërë këto, mund të të hapte aq shumë telashe në mos dhe mund të shërbente si zanafilla e ndonjë procesi apo dosjeje, siç edhe ka ndodhur në jo pak raste. Kuptohet që vështirësitë shumëfishoheshin po të qe mot i keq e me shi, siç edhe më ka rastisur mua disa herë.
Nga pritja e gjatë dhe lodhja deri në stërmundim, ndodhte që tëprishej komplet shfaqja. Jo vetëm që njerëzit dukeshin të raskapitur e shpirt-plasur por prisheshin radhitjet, krijoheshin hapësira boshe që e kthenin parakalimin në një lëvizje grupesh të pa organizuara. Autoritetet e qytetit i zinte frika e ndëshkimit. Më kujtohet një vit që zbriti nga tribuna vetë sekretari i parë dhe antari i Byrosë, Manush Myftiu dhe tepër i egërsuar na bënte thirrje që të shpejtonim e të kapnim ata që kishim përpara e që na kishin lënë pas.
Manifestuesit, përgjithësisht, mund të klasifikoheshin në disa kategori. Kishte të sinqertë që i gëzoheshin me të vërtetë ballafaqimit me udhëheqësin e shquar të popullit dhe mezi e prisnin një ditë të tillë. Nuk e tepëroj po të them se ata duartrokisnin e brohorisnin sa lodheshin e këputeshin, iu skuqeshin duart nga përplasja dhe do iu duheshin disa ditë që të merrnin veten. Ma merr mendja se një fakt i tillëmund t’iu duket i ekzagjeruar disave, por unë kam njohur disa syresh. Kush nuk beson, letë rrëmojë në kronikat e filmuara dhe do të bindet. Të tjerë e kishin bezdi e shkonin në to vetëm që të mos kishin pasoja. Një grup tjetër nuke fshihnin se jo vetëm që nuk donin të shkonin por edhe e urrenin një manifestim të tillë,pra as që donin t’ia shihnin surratin atij që na kishte katandisur në atë derexhe.Unë kam njohur nga të gjitha këto grupe, tjetër punë se nga vigjilenca e sigurimsave nuk guxonim të prononcoheshim krejtësisht me njeri tjetrin.Për hir të së vërtetës duhet të pranoj se kishte kalime nga njeri grup në tjetrin, siç kishte ndodhur dhe me mua vetë. Pse ta fsheh: kur ishim të vegjël, e quanim si ëndërr që të shihnim direkt xhaxhi Enverin. Por, me kalimin e viteve kalova në grupin e dytë apo dhe në tëtretin fare.
Ja disa episode që më kanë ngelur në mendje nga ato “ditë entusiaste”.
Njerin nga këta një-maje, kur isha nxënës në Politeknikum, e kalova me inxhinierin e njohur e të nderuar Andrea Xeka, që  kishte studjuar në Francë e, logjika ma thotë se do ta ketë njohur dhe direkt të madhin e vendit para të cilit tani i duhej të parakalonte. Por, fati i tyre qe krejt i ndryshëm: ndërsa xhaxhi Enver po i gëzohej pozicionit të numurit një të shtetit, inxhinierii nderuar, vetëm pak vite pas Luftës, u fut në burg si kundërshtar iregjimit, në mos gabohem me Grupin e Deputetëve. Pasi u lirua, e sollën në Politeknikum e na jepte disa lëndë që lidheshin me minierat. Leksionet e tij qenë, pa asnjë diskutim, nga më interesantet se i pasuronte me shifra e fakte që dilnin dhe jashtë temës. Unë për të ruaj respektinmë të madh.Por, të kthehemi tek një maji i atij viti. Binte shi, disa herë me gjyma. Ne s’kishim as çadra, por rraseshim diku apo dhe nën ombrellën e inxhinierit që tregohej aq i dashur me të gjithë. Më në fund na erdhi radha për të parakaluar. Ne ngrinim flamurkat apo banderolat që na kishin dhënë. Por mëështë fiksuar në mendje portreti i inxhinierit të nderuar kur kaluam para tribunës. Nuk e fshihte mllefin që ndjente, sado që u përpoq të tregohej korrekt. Ndryshe nga të tjerët, hodhi një vështrim nga tribuna, sa për të bërëborxhin dhe vazhdoi ashtu i qetë e fytyrë-vrenjtur. Mbase kjo do kishte kaluar pa u regjistruar në mendjen time, sikur “vigjilentët” e vegjël, që ishin rekrutuar që në atë moshë, informuan se “profesor Andrea” nuk kishte brohoritur e nuk qe treguar entusiast”. Na thirrën dhe ne të tjerëve e na pyetën sime marifet. Unë pohova atë që kisha përjetuar, se kishim kaluar shumë mirë e inxhinieri na kishte mbrojtur nga shiu e na kishte mbajtur me biseda interesante për të mos u mërzitur gjatë pritjes. Kur e mora vesh se përse po na pyesnin, ndjeva neveri për ata që merreshin me këtë punë por sidomos për “vigjilentët” e klasës, informatorët e ardhshëm.
Kur isha në Universitet, kishim mes nesh dhe studentë kinezë. Edhe ata mezi prisnin Një Majin që të shihnin “luanin e Europës”, siç e quanin udhëheqësin tonë, pas Maos, që i jepnin vendin e “luanit të Azisë”. Besoj se moshatarët e mij nuk e kanë harruar këngën enjohur se “dy luanë ka sot bota, një Asia e një Europa”. Tek unë kishte filluar procesi i distancimit, pra kalimi nga grupi i parë në të dytin: manifestimet më bezdisnin. Me që e kisha rregulluar me kujdestaren e klasës dhe sekretarin e rinisë, që të mos më vinin mungesë, vendosa të mos shkoja. Atë ditë,pra, më një maj, kur të gjithë po përgatiteshin si për festë, me ato që kishin, unë vazhdoja të pushoja për qefin tim. Kur Kuoja, studenti kinez, vuri re se nuk po përgatitesha si të tjerët, më pyeti i habitur: “Pse nuk po çohesh e të bëhesh gati?”. “Unë nuk do vij…” – i thashë. Ai u tmerrua e nuk po iu besonte syve. “Ti nuk do vish në manifestim?” – përsëriti ai, nga që i dukej e pabesueshme”. Dhe nuk shkova, siç bëra shumë herë edhe në vitet në vazhdim, duke iu shmangur me kujdes pasojave të mundëshme.
Manifestime e parada ka pasur e ka kudo në Botë, edhe këtu në Nju York, nga më të ndryshmet, por ato nukkanë asgjë të përbashkët me “një majet” tona, siç u përpoqa ta shtjelloj më sipër. Këto radhë nuk i shkruajta thjesht për të kënaqur një kuriozitet, por se marrëzira si ato gjallojnë akoma, jo vetëm në Korenë e Veriut por edhe gjetkë. Duartrokitës e brohoritës entusiastë, që ngjiren nëpër mitingje, për t’iu bërë qefin shefave partiakë, gjen me bollëk edhe tek ne. Ndjehem keq kur i shoh e i dëgjoj dhe më kap trishtimi kur mendoj se ata që iu gëzohen këtyre marrëzive të turmave kanë në dorë fatet e vendit.
Nju York, 30 prill 2017.



No comments:

Post a Comment