2017-05-09

Një shqiptare e sukseshme në SHBA


sinani


Intervistë me Dr. Elda SINANI,- veprimtare e mirënjohur në komunitetin shqiptaro-amerikan, Hartford CT ( Connecticut-Konektikat)

Dr. Elda Sinani është një figurë qendrore dhe me reputacion, më në zë të Diasporës Shqiptare, histori suksesi gjatë këtyre viteve të fundit  jo vetëm për rolin e saj atdhetar e  patriotik në komunitet, por edhe lobuese e mirënjohur për cështjen shqiptare dhe integrimin e identitetit shqiptar në Amerikën multikulturore. Me nismën dhe përkushtimin e saj, u ngrit për herë të parë flamuri shqiptar, në 28 nëntor 2007-ë, Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, në Bashkinë e Hartford-it,  Kryeqyteti ishtetit të Kushtetutës amerikane, Connecticut (Kenektikat).  Për afro një dekadë Dr. Elda Sinani  punon  në Bashkinë e Hartfordit. në pozicionin e Drejtoreshës së administratës, duke kërkuar  respekt për ligjet dhe rregulloret, në përputhje me projekt planet, dhe duke i zbatuar ato me efikasitet. E motivuar me dashuri e mirësi për njerëzit,  në vecanti për bashkëatdhetarët e saj, dhe e pajisur me individualitetet profesionale, akademike, intelektuale e qytetare, dr. Sinani, ka arritur  në një harmoni relative të lirisë së shprehjes për një qëllim të përbashkët; përfaqësimin me dinjitet, krenari dhe modesti të integrimit të vlerave kombëtare, forcës intelektuale, identitetin kombëtar e vlerat e qytetarisë shqiptare në ballafaqimin me botën perëndimore, pikërisht në Hartford CT, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Krenare dhe e lumtur për rolin e saj pozitiv, dr. Elda Sinani rrëfen në këtë bisedë rrugën e gjatë profesionale, akademike dhe aktivitetin e saj në dedikim të cështjes shqiptare dhe identitetit shqiptar.

1-raimonda
Bisedoi: Raimonda MOISIU
  Si ndjeheni për këtë intervistë-, e ndjeni  detyrim moral e shpirtëror apo një përcjellje të vlerave qytetare, intelektuale,  dhe histori suksesi të gruas shqiptare në Amerikën multikulturore?

Sigurisht, gjithcka, c’ka ju përshkruat mësipër. Por jo vetëm kaq, është koha të shpreh eksperiencën, dhe të vërtetën time, duke shpresuar që lexuesi do të marrë dhe të kuptojë dicka nga kjo intervistë.

Cila është gjëja më e rëndësishme që ju keni mësuar, kur filluat të kuptoni se cfarë është jeta?

Kam mësuar shumë gjëra të rëndësishme, dhe më e bukura është se i kam mësuar në një rrugë të vështirë apo disa herë edhe nga vetë gabimet e mia. Disa herë në përgjithësi ne si njerëz nuk e vlerësojmë  njeri-tjetrin, një situatë apo një eksperiencë, deri në momentin kur ne e humbasim dhe vetëm atëhere e kuptojmë se paskërka qenë e rëndësishme apo e dobishme për ne. Unë kuptova se cfarë është jeta, pasi u bëra nënë dhe emigrova në Amerikë. Në momentin që lashë atdheun tim, e kuptova që humba dicka; një pjesë e shpirtit tim u shkëput nga unë duke më thënë se  ti mund të ikësh, por unë do të qëndroj këtu në atdhe. Nuk ishte vetëm atdheu, por edhe familja që lashë pas, të afërmit e mij, dhe shoqëria e vërtetë dhe e sinqertë,  që rrallë e gjen në vend të huaj. Por cfarë është jeta në të vërtetë? Për mua është cdo frymëmarrje, cdo dashuri dhe cdo paqe që ne japim dhe marrim nga njëri tjetri. Jeta është një zinxhir i momenteve, që transformohen në vazhdim. Ajo shkon paralelisht në të njëjtën kohë, në mënyre energjike me rrahjet e zemrave tona, me universin tonë. Shpesh mbrëmjeve kur kthehem nga puna, ngre kokën dhe shoh qiellin të mbushur me yje, i them vetes cdo gjë është e përkryer.  Nëse është moment i vështirë apo i bukur është vetëm një moment, ato nuk zgjasin.  Por kryesorja, është t’i përqafojmë ato momente me zemër të hapur duke thënë; ky moment krijoi  kujtesën e bukur, apo ky moment krijoi një mësim për mua, duke kuptuar se asnjëherë nuk jemi të humbur. Të qënit pozitiv dhe pritja e jetës me  zemër të hapur për çfarëdo që të ndodhë, është kryesore për ne si njerëz për të mbijetuar në një shoqëri ku jemi të rrethuar herë -herë nga negativiteti dhe egoja. Po ashtu të qënurit gjithnjë të adaptueshëm për çfarëdo që të ndodhë na jep një këndvështrim pozitiv tjetër për jetën, duke na frymëzuar të shkojmë përpara. Dy gjëra janë të sigurta për jetën; lindja dhe vdekja, të cilat janë fillimi dhe fundi i historisë së cdonjërit nga ne, dhe, cfarë evenimentesh vijnë ndërmjet këtyre dy ngjarjeve të mëdha të jetes, ne nuk mund t’i parashikojmë apo të kemi kontroll mbi to. Ne nuk mund të kontrollojmë lindjet e fëmjëve, lidhjet apo humbjet e dashurisë, aksidentet, sëmundjet, humbjet, fitimet apo vdekjet e të  afërmve, por mund të kontrollojmë se si ne reagojmë dhe vendosim të përgjigjemi ndaj këtyre ngjarjeve të papritura që vijnë. Në mund të kontrollojmë vetëm mendimet dhe veprimet tona. Se si ne arrijmë të adoptohemi në cdo ngjarje të jetës është celësi i të kuptuarit të vetë jetës. Unë jam mirënjohëse për këtë jetë që kam, e lehtë apo e vështirë, qoftë ajo. Unë e  mirëpres gjithcka nga jeta. Cdo gjëje që vjen drejt meje, i përgjigjem me zgjuarsi dhe qetësi pasi dicka domethënëse dhe e bukur vjen nga cdo situatë qoftë e mirë apo e keqe, duke krijuar kështu jetën që unë dua të jetoj. Kuptimi i jetës nuk gjendet në një besim apo fjali të caktuar, por në procesin e besimit, që ne ndërtojme gjatërrugës se saj. Jeta është e bukur dhe duhet jetuar në cdo moment pasi është e vetmja që kemi. Thjesht unë e jetoj jetën sic dua unë dhe jo si duan të tjerët. Kjo është filozofia ime.

 Ju keni një “listë”, shkollimesh dhe e vlerësuar me cmime kombëtare e ndërkombëtare. Si keni arritur deri këtu dhe kujt ia dedikoni arritjet tuaja?

Jam e kompletuar dhe maturuar  në të njëjtën kohë nga dy familje, nga dy vende, dhe nga dy shoqëri. Është e cuditshme se si jeta të përplas në eksperienca apo profesione që në moshë të re kurrë nuk i kisha menduar. E gjithë shoqëria ime e gjimnazit e dinin se pasioni im ishte moda dhe piktura. Por mesa duket ai pasion më kompletoi duke më bërë krijuese dhe si ta shoh botën dhe jetën në këndvështrimin e  artistit,  pavarësisht mjegurllave të saj. Por si papritur, apo edhe si dëshirë e prindërve tëj mi, shkova në një drejtim krejt të ndryshëm por që ka lidhje me artin, dhe ajo ishte drejtësia. Pasi mbarova studimet për drejtësi, punova si juriste dhe prokurore në një kohë jo shumë të lehtë, atëhere për vendin. U pajisa me  tjetër eksperience, sic ishte lufta kundër botës së krimit apo padrejtësisë dhe arrita ta shoh jetën me tjetër këndvështrim. Përpara se të emigroja në Amerikë mund të them se prindërit e mij ishin ato që më dhanë dashurinë për shkollë dhe edukim, nëna me korrektesën e saj prej mësuesi dhe babai me qetësinë dhe zgjuarsinë e tij të fituar nga eksperienca e jetës së tij. Pasi erdha në Amerikë, shkollimet dhe arritjet e suksesit ia dedikoj dy fëmijve të mij Klint dhe Aaron, të cileët më dhanë frymëzim dhe motivim për të arritur ato c’ka unë kisha ëndërruar. Po ashtu, këto arritje ia kushtoj profesorëve të mij të nderuar, të cilët më këshilluan cfarë rruge të ndjek. Kur nuk ndalesh, por ecën me një hap të qëndrueshëm pavarësisht sesa kohë do të marrë, ti do të arrish në destinacionin e duhur dhe do ta realizosh ëndërrën tënde. Kryesorja është të jesh e vendosur dhe e qartë në vizionin tënd, të besosh, të punosh dhe të planifikosh se si do ta arrish atë qëllim.
Dr. Elda Sinani, ju jeni e suksesshme dhe mjaft e admiruar në komunitet me përkushtimin dhe punën tuaj, si Drejtoreshë  e  Administratës për Departamentin e zhvillimit ekonomik, strehimit, marrëdhënieve  të kulturës, inspektimit ndërtimor, dhe të planimetrisë. A mund të na thoni në mënyrë më të detajuar se si e arritët ju, një sukses të tillë?

Unë kam afro dhjetë  vite që punoj për bashkinë e Hartfordit. Në fillim u punësova si analiste kryesore e bashkisë, ku më pas arrita të bëhem menaxhere projektesh dhe së fundmi jam në pozicionin e drejtoreshës së administratës. Si administratore unë kërkoj respekt për ligjet, rregullat, rregulloret, dhe përputhje me projekt planet,  duke i zbatuar ato me efikasitet. E gjithë zgjuarsia apo edukimi që kemi, nuk mund të na shërbejë për të arritur sukses, nëse nuk dimë,  se si të sillemi me njerëz. Nëse unë në fillim punën e vazhdova në bazë të kualifikimeve, suksesin tim në detyrë më vonë ia dedikoj rezultatit të vazhdueshëm positiv të punës time si dhe lidhjeve shoqërore profesionale. Rezultatet pozitive unë nuk i kam arritur vetëm, por e mbështetur nga një ekip i fortë me njerëz të zgjuar, të dedikuar, dhe të aftë për punën. Puna ime është të drejtoja energjitë e tyre në drejtimin e duhur. Një nga gjërat më interesante është se kur je në jetë publike, je vazhdimisht pre e presioneve të mediave, je pre e personave me interesa, axhenda, dhe interpretime të ndryshme. Mesa duket, shoqëria e sotme është e tërhequr më shpejt nga lajmet negative. Po ashtu lajmet negative shiten dhe u kushtohet më shumë vëmendje.  Ndoshta kjo vjen se në damarët e disa njerëzve buron errësire dhe jo dritë,  gjë që më jep një grimë të vogël shprese për shoqërinë dhe njerëzimin në tërësi. Nëse ne si njerëz do të ushqehemi me negativitet, mos pritni se ne do të pasqyrojmë pozitivitet, por do të pasqyrojmë një negativitet të përpunuar dhe tjerrur nga mediat, duke na shpëlarë trurin. Kjo është një e keqe për shoqërinë dhe brezat e arshshëm. Zgjedhja qëndron tek ne si shoqëri të vendosim se me cfarë lajmesh ushqehemi. Unë për veten time nëse lajmi apo shoqëria që më rrethon nuk rrezaton pozitivitet, i shmangem. Qoftë ai apo ajo edhe një i afërm. Nëse nuk ke ndonjë gjë positive për të pasqyruar apo thënëmos e thuaj. Nëse nuk ke ndonjë kontribut pozitiv për të bërë mos e bëj. Nëse nuk ke një dashuri për të dhënë,  mos e jep por të paktën mos jep dhe ushqe urrejtje. Me ka rënë që edhe të lexoj shkrime negativendaj meje. Por shumica janë të shkruara në mënyrëanonime apo janë interpretime të bëra nga njerëz jo profesionistë gazetarë. E vërteta, dielli dhe hëna nuk mund tëfshihen. Secili prej nesh ka një besim në vetvete përsa i përket të vërtetës, dhe zakonisht ne e shikojmë të vërtetën në lidhje me eksperiencat, qëcdo njeri prej nesh ka kaluar në vetvete. Ne njerëzit, si shoqëri jemi një shumë ose një përmbledhje; e asaj që shohim dhe dëgjojmë, e vlerave, e zakoneve, e besimeve, e kulturave, si jemi edukuar dhe rritur nga familjet tona, dhe shfaqjeve mediatike televizive ose sociale që na rrethojnë. Unë këto sfida i kam përballuar duke ruajtur busullin tim moral, gjakftohtësinë dhe kam zgjedhur strategjikisht rrugën dhe mendimin duke e pyetur veten – nëse ja vlen të shqetësohesh për to?! Përgjigja është shumë e qartë – “Jo.” Unë nuk jam ajo që disa njerëz anonimë shkruajnë nga xhelozitë, racizmi apo mllefi  që ato kanë. Unë nuk mërzitem kurrë se cfarë tëtjerët mendojnë për mua, pasi dëgjoj zërin tim të brendshëm, zërin e shpirtit tim, që më shërben si busull drejtimi dhe më tregon nëse jam në rrugën e duhur apo jo.  Këtu në Amerikë quhet “gut feeling or sixth sense.” Ashtu sic ka thene Nietzsche “Ajo që nuk na vret, na bën më të fortë.”

Në jëtën e përditëshme në Hartford, ju jeni në kontakt me personalitete të politikës dhe kulturës amerikane. Sa është prezent atdheu ynë Shqipëria në marrëdhëniet me ta?

 Nuk jemi aq të pranishëm sa duhet të jemi. Por po punojmë për një integritet më të thellë të komunitetit shqiptar në politikën dhe kulturën e Hartfordit.  Diversiteti i qytetarëve të Hartfordit është pasqyruar edhe në vetë komunitetin shqiptar të përbërë nga të krishterë, muslimanë, apo ateistë. Të gjithë përpiqen për të ruajtur identitetet fetare, etnike, dhe gjuhësore. Këto karakteristika e bëjnë përvojën shqiptare në Hartford unike. Shumica janë përshtatur relativisht lehtë me shoqërinë amerikane dhe disa ndoshta hezitojnë duke ruajtur të forta traditat shqiptare. Shumë prej tyre kanë hapur biznese të ndryshme dhe janë të suksesshëm. Përkundër procesit të vazhdueshëm te asimilimit, shqiptarët mbeten një grup të cilët krenohen me  identitetin e tyre. Më 28 nëntor 2007-ë, për herë të parë komuniteti shqiptar i Hartford-it festoi Ditën e PavarësisëShqiptare. Tradita e festimit të ditës së pavarësisë vazhdohet edhe sot të festohet  nga komuniteti shqiptar i Hartfordit.

Ju jeni një figurë qendrore dhe me reputacion për rolin tuaj atdhetar, patriotik për cështjen e Kosovës, Camërsië dhe asaj shqiptare në tërësi.A po bëhen shqiptarët një lob i fuqishëm në Diasporë ? Dhe çfarë bëni ju konkretisht  për komunitetin shqiptaro-amerikan?

Është e vërtetë, e drejta e njeriut dhe sidomos e drejta e gruas është pasioni im. Si të mos jetë? Nëse nuk duam veten si mund të duam të tjerët? Nëse do të kuptosh një grua mundohu të lexosh syrin e saj, pasi ajo është dritarja ku mund të ssoditësh  shpirtin dhe bukurinë e brendshme të saj. Disa herë gratë hezitojnë të flasin hapur për nevojat e tyre, dëshirat e tyre, dhe shqetësimet e tyre, sepse ata janë kaq të frikësuar nga fakti cfarë të tjerët mund të mendojnë ose shprehin. Edhe pse të gjithë mund të  jenë dakord me fjalën “feminism”, që do të thotë barazi politike, ekonomike, dhe sociale midis gjinive, rrallë e përdorin, pasi mendojnë se është term negativ apo pesimist. Por ja, që ndodh që barazia midis gjinive nuk egziston dhe kjo është nje problem mbarëkombëtar. Dhe për këtë gratë duhet të angazhohen së bashku dhe të ngrejnë zërin kundrejt politikanëve, ku në disa shoqëri maskiliste ndodh që të jenë të shurdhur. Por lufta, këmbëngulja dhe vendosmëria e gruas për të drejtat, përfaqsimin, dhe barazitë midis gjinive, s’duhet të ndalë por të vazhdojë deri në momentin kur His-story të bëhet Her-story.

 Dr. Elda, ana tjetër e jetës tuaj në Amerikë janë studimet akademike. Ju jeni në proces të botimit të librit tuaj të parë me hulumtimet tuaja, të cilat  janë të fokusuara në të drejtat e njeriut, negociatat, rezolutat e konflikteve, dhe zhvillimin e lidershipit global. Si ju lindi ideja për këtë libër?

Në kërkimet dhe hulumtimet e mia po vëreja se potenciali i grave emigrante, nuk përdoret ashtu sic duhet. Energjia dhe ambicja e emigrantëve, duke lënë pas gjithcka në vendet e tyre, në kërkim të një jete më të mirë për veten dhe familjet e tyre  në një vend të huaj ka qenë komponent kyç në zhvillimin dhe suksesin e SHBA-ës. Ndërsa shikoj që roli i grave amerikane po rritet në rolet drejtuese politike, gratë emigrante kanë mbetur prapa të paktën në nivelin e udhëheqjes në politikë apo të biznesit. Nga studimi im, unë pashë që kjo përqindje e ulët e grave emigrante në pozicione kyce të udhëheqjes qëndron për shkak të opinioneve që gratë emigrante kanë sjellë me vete nga vendet e tyre, për shkak të realiteteve të vështira, që ata gjejnë pas mbërritjes në Amerikë, për shkak të xhelozive, pasigurisë, diskriminimit, jo vetëm si grua por edhe si emigrante, për shkak të dhunimit apo abuzimit në familje, si dhe për shkak të ksenofobisë që ato përballen nga vetë gratë amerikane. Këto faktorë, unë arrita të krijoj modelin,  se si gratë emigrante duhet të identifikojnë, të inkurajojnë, të zhvillojnë, dhe forcojnë aftësitë e tyre drejtuese. Gruaja emigrante është një faktor shumë i rëndësishëm për ndërtimin e paqes në të gjithë botën dhe celësi i paqes fillon nga kjo krijesë hyjnore,  duke mundësuar pjesëmarrjen kuptimplotë të tyre në proceset e paqes dhe udhëheqjeve të institucioneve politike dhe shoqërore. Të gjitha këto do të paraqiten në librin tim.

Me sa di unë ju jepni mësim pranë Kolegjit Politik dhe Studimeve Globale, në Universitetin Internacional të Kembrixhit, Boston. C’mund të na tregosh nga eksperienca tuaj e deritanishme në një nga institucionet akademike prestigjioze të botës?

Unë mendoj se kam një eksperiencë të detajuar dhe jam krenare për mundësinë, që  nëpërmjet këtij institucioni më është bërë e mundur ftesa për të dhënë leksione nga shumë universitete dhe vende të ndryshme të botës si Dubai, Qatar, Turkey, Egypt, South Africa, Brazil, Kanada etj. Unë konkretisht jam profesoreshë në fakultetin e drejteësisë, politikës dhe studimeve globale. Aktualisht, jap mësim në kursin e advancuar të negociatave ndërkombëtare si dhe zgjidhjet e konflikteve ndërkombëtare. Nëpërmjet këtij kursi studentët pajisen me një botëkuptim të plotë të elementeve kryesore të teorisë dhe praktikes së negociatave, zgjidhjen e konflikteve, dhe marrëveshjeve shumëpalëshe në fushën ndërkombëtare. Ky kurs ka për qëllim të pajisë studentët me botëkuptimin e thellë të diplomacisë ndërkombëtare si dhe me  njohuri të negociatave, ndërrmjet shteteve dhe aktorëve të tjerë në arenën ndërkombëtare. Studentët në këtë kurs studiojnë procesin dhe dinamikën unike të lidhur me traktate ndërkombëtare, negociatat për marrëveshjen ndërkufitare, si dhe proceset e ndërtimit të konsensusit shumëpartiak. Studentët shqyrtojnë rolin e pushtetit, kulturës, dhe strategjinë që duhet të ndiqet në negociatat ndërkombëtare. Ato analizojnë dhe shqyrtojnë hartimin dhe sjelljen e proceseve efektive negociatave në kontekstin e marrëdhënieve gjeopolitike, menaxhimin e kufijve, zhvillimin e burimeve natyrore, njohjen e të drejtave të njeriut, kontestet komerciale, dhe përgjegjësitë globale sociale.

 Ju keni ushtruar detyrën e njeriut të ligjit në Shqipëri, por edhe këtu në Amerikë për një kohë. Cili është dallimi mes këtyre dy eksperiencave ligjore, mes asaj në  Shqipëri dhe asaj në Amerikë?

Unë besoj se kësaj pyetje mund t’i përgjigjem në një përmbledhje të shkurtër. Sistemi ligjor Shqiptar i takon traditës të së drejtës civile,  ku vetëm Kushtetuta dhe ligjet statutore përbëjnë burimet kryesore të ligjit. Në Shqipëri e drejta mbështetet më pak në precedentët gjyqësorë dhe më shumë në kodet, të cilat në mënyrë eksplicite ofrojnë rregullat e vendimit për shumë mosmarrëveshje civile apo cështje penale. Në të kundërt sistemi ligjor në Amerikë është një sistem ligjor i cili mbështetet kryesisht në precedentët gjyqësorë dhe në gjykimet formale të mëparshme,  të cilat janë jashtëzakonisht kritike për zgjidhjen e cështjeve nga gjyqtari. Të dy këto sisteme ligjore ndryshojnë si në rolin e gjyqtarit në cështje,  ashtu edhe në mënyrën e paraqitjes së cështjes në gjykate. Psh. në Shqipëri gjyqtari mëson faktet dhe argumentet e palëve në mosmarrëveshje, duke marrë  rolin aktiv në pyetjen e dëshmitarëve dhe në formulimin e vendimeve gjyqësore. Ndërsa në sistemin Amerikan nuk është gjqjtari ai që shqyrton provat dhe zbaton ligjin,  por një juri e përbërë nga qytetarë të zakonshem. Mendimin im personal është se të dy sistemet kanë të mirat dhe këqijat e veta, por unë preferoj më mirë sistemin e të drejtës civile që ushtrohet në mbarë Europën.

 Si grua, nënë dhe intelektuale, si ndjeheni kur dëgjoni për krimin në familje, dhunimin e vrasjen e  grave, droga, prostitucioni; stereotipe negative këto që shkaktojnë dhunë e krim. Si mund të reflektojë shoqëria globale, por edhe ajo shqiptare ndaj këtyre fenomeneve të dhimbëshme?

Sigurisht që nuk ndjehem mirë emocionalisht dhe revoltohem kur dëgjoj për dhunë ndaj grave. Historikisht dhuna ndaj gruas në familje dhe shoqëri është kryer nëpërmjet normave shoqërore dhe kulturore  të dala  nga strukturat e pushtetit të dominuar nga meshkujt. Dhuna ndaj gruas ka një efekt shkatërrues në shoqëri. Shumë viktima vuajnë dëme fizike, të cilat janë fatale në disa raste. Këto raste fatale të shkaktuara nga dhuna cojnë gratë viktima në vetëvrasje dhe sëmundje pasuese mendore. Ka raste që nga dhuna,  ato gra pësojnë se  mund të humbasin punën, shtëpitë apo të izolohen nga familjet dhe miqtë. Ndaj trajtimi i dhunës së grave kërkon shumë aktivitete humanitare dhe shoqërore për të edukuar shoqërinë në parandalimin e kësaj dhune, duke siguruar shërbime mbështetëse për shëndetin mendor dhe financiar  për viktimat, si dhe venien përpara ligjit të autorëve që shkaktojnë këtë dhunë.  Lufta ndaj kësaj dhune nuk është asgjë më pak sesa një kërkesë për të drejtat e plota të njeriut. Në mbarë botën, në fakt, realiteti mbetet i zymtë. Normat dhe praktikat diskriminuese sociale  në vende të ndryshme vazhdojnë të pengojnë gëzimin e plotë të të drejtave humane dhe intelektuale të grave. Vullneti i pamjaftueshëm politik në përfaqësimin e grave në pozita vendim-marrëse dhe mungesa e burimeve për të adresuar këto çështje dhune janë pengesa të mëtejshme të progresit të gruas në shoqëri.

Cili është koncepti tuaj për kombin, për pushtetin, për partitë politike dhe demokracinë në vendin tonë?

Në Shqipëri partitë politike kanë krijuar  reputacion jo të këndshëm për popullin.  Unë  mendoj se politika ka dy anë. Se pari, partitë politike duhet të sigurojnë lidhjen midis politikës dhe shoqërisë nëpërmjet ideve dhe programeve të tyre. Së dyti, ato duhet të përfshijnë në këto programe transparente interesat mbarë publike, duke bërë që publiku tëbesojë dhe të dëshmojë që është pjesë e rëndësishme e procesit politik në vend. Për fat të keq në Shqipëri, mungojnë udhëheqësit e vërtetë, të cilët vendosin interesat e popullit,  para interesave vetjake. Dhe nuk mund t’u vë faj pasi eksperienca e tyre politike është arritur nëpërmjet nepotizmit apo servilizmit dhe jo në bazë të meritës. Po ashtu bashkimi dhe bashkëpunimi i partive politike ndërmjet njëra tjetrës është për të ardhur keq, pasi egoja e tyre kush është më e fuqishme,  është më e rëndësishme se interest e popullit. Njerëz të aftë dhe të talentuar i sheh pa punë dhe pa përkrahje, ndërsa “miqtë” e partive politike janë në poste drejtuese,  që nuk janë të aftë për to, apo që nuk i meritojnë. Cfarë shprese ka për atë popull? Të gjitha këto mangësi për mendimin tim janë shqetësim që ndikojnë negativisht në funksionimin e demokracisë në vend. Të gjithë udhëheqësit e partive të ndryshme politike në Shqipëri,  duhet të bashkohen për interes të përbashkët të popullit dhe të transformojnë gjendjen jo të këndshme që populli po përjeton. Zakonisht, besimi dhe zëri i popullit transformon cdo gjë. Në të kundërt, unë predikoj që  rinia shqiptare do të ngrihet dhe të krijojë një lëvizje të re, pasi historia ka treguar se është  rinia ajo që  transformon cdo sistem bnë dobi të demokracise. Mesa shoh vlerat tona si popull po testohen dhe udhëheqësit politike duhet të shohin veten e tyre në pasqyrë dhe të pyesin – “A jam Shqiptar i vërtetë? A po punoj unë për të mirën e popullit.?” Dhe jo të pyesin –“Si unë mund të marr hak ndaj këtij apo atij udhëheqësi opozitar. Apo ku është interesi im pushtetar ose financiar?” Ndryshimi i mendimit dhe mënyra e marrjes së vendimeve është celësi. Shpresoj për një përmirësim të politiës aktuale në vend.

Në një botë me kaq shumë probleme, si mund të arrijmë një ekuilibër mes nevojave të vetë individualitetit  dhe përgjegjësive tona ndaj të tjerëve?

Cdo qenie njerëzore ka të drejtë dhe nevojë për të bërë një jetë të dinjitetshme. Kjo ka të bëjë me identitetin e secilit prej nesh.  Ky ekuilibër nuk mund të gjendet  me fjalë apo shkrime të vecanta, por duke vepruar në  mënyrë sistematike të gjithë së bashku si komunitet lokal apo ndërkombëtar. Paqja fillon nga vetë individi, duke bërë atë që është e nevojshme moralisht në shoqërinë ku jetojmë. Ne të gjithë kemi detyrim për brezat e ardhshëm dhe të gjithë së bashku individualisht  si edhe kolektive, të marrim përgjegjësinë e duhur, për ta bërë komunitetin dhe botën ku jetojmë më të mirë se e gjetëm.

Si e balanconi jetën tuaj mes karrierës, studimeve, librave, angazhimit akademik, cështjes kombëtare shqiptare, me dy djemtë tuaj dhe përgjegjësitë që ju kini në familje?

E  balancoj atë duke e fokusuar vëmendjen time në gjërat që unë kam kontroll të plotë dhe në aktivitete të dobishme për mua. Sic janë; shpenzim i kohës me dy djemtë e jmi, duke shkruar apo pikturuar, duke shkuar në palester dhe bërë yoga si dhe më kryesorja nëpërmjet hobit tim që është fashion design, pasi kur ulem në  makinën qepëse dhe krijoj veshjet e mia, unë harroj cdo stress apo lodhje, pasi fockusohem vetëm në krijimtari, ku unë jam plotësisht vetvetja. Puna profesionale është vetëm një pjesë,  ku unë ndjej detyrim për t’i shërbyer publikut dhe familjes,  kurse arti është bota ime ku i shërbej vetvetes.

 Për lexuesit e kësaj interviste –Kush ështëDr. Elda Sinani?

Është ndryshe si e shikon veten dhe si të tjerët të perceptojnë ty. Nuk jam njeri perfekt, kam të mirat dhe dobësitë,  si cdo njeri. Po mbi të gjitha, jam  nënë e dhimbëshme dhe shëmbullore, fëmijët e mij janë motivimi dhe frymëmarrja ime. Jam tepër e ndjeshëme,  shikoj njerëzit me dhëmbshuri dhe bujari. Zakonisht njerëzit dallojnë  tek unë mënyrë si fal, besnikërisë dhe mirëkuptimit tim ndaj tyre pa dallim rrace, apo gjinie, personalitet i dashur, sensitive, por të fortë në të njëjtën kohë. Nuk jam tolerante ndaj padrejtësive. Jam përgjegjëse dhe e qëndrueshme dhe e  vëmendshme në detaje pa paragjykime, dhe e adaptueshme në cdo ambient. Një njeri që  sakrifikoj dhe  rrezikoj për miqësinë. Dashuria ime e vërtetë pa kushte për njerëzit, disa herë më ka bërë të prekem, pasi disa nuk e shikojnë ashtu sic e shikoj unë.  Misioni im në këtë botë është t’u shërbej kushdo që është në nevojë dhe kjo tregohet me punën time të vazhdueshme kundër diskriminimit dhe advancimit të drejtave të njeriut dhe në vecanti të drejtave të gruas në shoqëri.

 Dhjete epitete qe te pershkruajne ty?

Karizmatike/Pasionante/Pozitive/Energjetike/Inkurajuese/Punëtore /E dashur/E ndjeshme/Kureshtare/Rebele.

Çfarë këshille do t’i jepnit vetes tuaj?

Unë i them vetes: Nëse ti mund të mendosh një ide apo ëndërr, ti ke po të njëjtin potencial ta realizosh atë. Beso instinktin tënd dhe mos kij frikë të rrezikosh.  Asnjëherë mos përdor justifikim se ti nuk mund te besh apo realizosh nje enderr.  Asnjëherë mos përdor gjinine, moshën, vendin, apo prejardhjen si justifikim. Por këshilla më kryesore që i jap vetes është: Pavarësisht jetës dhe përplasjeve që ajo të jep mos u dorëzo, mos humb veten,  por ndiq pasionin dhe eksperiencat që ti fiton gjatë rrugës së jetës. Ti nuk je ato cfarë njerëzit thonë  për ty,  por je ajo cfarë ndjen thellë në shpirtin tënd. Jeta të ëshë dhënë ty për ta jetuar dhe jo për t’u jetuar nga të tjerët.

Si do ta përshkruanit stilin tuaj udhëheqës?

Unë jam një grua me vizion. Jam në gjendje të artikuloj qëllimet dhe vizionin tim në atë mënyrë që njerëzit arrijnë të kuptojnë misionin tim humanitar. Të qenit pozitiv është kryesore për mua dhe këtë e përcjell, cdo ditë në ekipin tim të punës. Zakonisht një udhëheqës është aq i mirë,  sa ekipi që e rrethon atë.  Une jam me fat që kam një ekip të afte, të zgjuar dhe punëtor. Për një gjë kam qenë shumë fatlume gjatë karrierës time,  pasi  cdo herë jam rrethuar me njerëz të motivuar, të cilët janë të  gatshëm të marrin përgjegjësi.

Si i motivoni njerëzit në punen tuaj?

Së pari, duke kuptuar se çfarë i motivon njerëzit. Nëse ti si lider je në gjendje të bësh ekipin të besojë në ndryshim, ti ke arritur t’i motivosh ato. Unë përdor ndjeshmërinë cdo ditë si mjet,për të kuptuar gjendjen, që ato/ata përjetojnë apo kalojnë. U ofroj atyre mundësinë për të mësuar dhe mundohem të siguroj që ata të kenëmundësi të përmirësojnë aftësitë e tyre. Unë besoj në atë e të qenit menaxhues, i cili/e cila u shërben më shumë të tjerëve se vetes.

Cilat janë disa nga sfidat që gratë hasin në udhëheqje?

Ka ende njerëz që të nënvlerësojnë,  për  shkak të gjinisë. Kjo është diçka që unë kam hasur shumë në karrierën time. Por më së shumti kam hasur nënvlerësime nga gjinia femërore, kjo për shkak xhelozie dhe pasigurie në vetvete, që ato femra kanë patur. Por ne si gra në udhëheqje kemi nevojë për t’i bërë sukseset tona më të dukshme.

Një moment i vështirë për  Eldën…?

Një moment i vështirë që kam përjetuar,  momenti kur për herë të parë lashë vendin tim dhe erdha në  Amerikë. Atëhere ndjeva se një pjesë e shpirtit tim ra në tokën Shqiptare, duke më thënë ti shko,  por unë do qëndroj këtu në këtë vend ku ti u linde dhe u rrite. Po ashtu kur unë mësova se babai im ishte sëmurë dhe kaloi një periudhë kimoterapie të gjatë,  ishte tjetër moment i vështirë. Por unë nuk ndalova vazhdova rrugën time duke mbaruar shkollën e drejtësisë në Universitetin e Connecticut, si dhe mbarova Doktoraturën në drejtësi, strategji dhe politike në Universitetin e Northeastern të Bostonit. Të  gjithë përballemi me vështirësi të ndryshme në jetën tonë, por se sa të fortë ne qëndrojmë ndaj këtyre vështirësive, është çelësi. Rritja dhe transformimi ynë varet nga aftësitë tona që kemi mësuar në jetë, dhe si do të përballojmë një vështirësi tjetër. Por nga të gjitha vështirësitë që mund të kem kaluar,  unë mësova se nuk ka rëndësi e kaluara, por ka rëndësi momenti prezent dhe drejtimi i duhur në destinacionin ku unë po shkoj. Mësova se asnjë nuk ka të drejtë të më gjykojë,  por të më pranojë kështu sic jam. Shumë njerëz mund të kenë dëgjuar histori të interpretuara nga gojë të ndryshme për mua, por asnjë nuk ka përjetuar ato cfarë unë kam përjetuar.

 Një situatë mbresëlënëse?

Një nga situatat më mbresëlënëse ishte kur unë u diplomova për Doktoraturë. Momenti kur të dy djemtë e mij Klint dhe Aaron më përqafojnë dhe më thonë – “Mami jemi krenare për ty.” Ato ishin 14 vjec dhe 10 vjec. Sot, unë jam nënë krenare për ta. Klint është student në vitin e parë në Universitetin e mirënjohur të Syracuse-it, ku arriti të marrë bursën e mjaftueshme në baë  të rezultateve të tij të shkëlqyera në shkollën e mesme. Aaron është në klasën e tetë, mjaft i talentuar në shkencat egzakte dhe shumë i mirë në mësime. Dua të them që jam nënë e bekuar me dy djem,  ku cdo ditë ma bëjnë të bukur. Kjo është meritë e tyre, por edhe e dy prindërve të tyre që përkujdesen për ta.

E së fundmi, mesazhi tuaj pë komunitetin shqiptaro-amerikan në Hartford CT dhe krejt Amerikën.

Gjithmonë besoni në vetveten dhe instinktet tuaja. Bëni zgjedhje të matura ku ato përmirësojnë jetën tuaj. Mos hiqni dorë nga ëndrrat  tuaja pavarësisht stuhive apo pengesave të paparashikueshme të jetës. Mos jetoni për të tjerët, por për veten tuaj. Kontribuoni pozitivisht në shoqërinë ku jetoni, pasi e ardhmja nuk është shkruar, por ajo përcaktohet nga zgjedhjet që ju do bëni dhe mundësitë që u jepen!

No comments:

Post a Comment