5.08.2017

O SELCA FISNIKE E SHQIPNISË KRESHNIKE !

Nga Fritz RADOVANI:


DOSJA NR. 2199: DON DEDË MALAJ asht lé në Selcë, me 19 Nandor 1917...
Asht Shugurue Meshtar në Gjenacan të Italisë në vitin 1939. U arrestue me 7 XI 1958.
U dënue nga Gjykata e Naltë Ushtarake, me grupin e “armiqve” me 27 Prill 1959.
10 MAJI 1959, Don Dedë Malaj në moshën 42 vjeçare u pushkatue buzë liqenit!
■DON DEDË MALAJ asht nder brilantët e Klerit Katolik Shqiptar, i cili me një guxim të panjohun deri në gjyqin e Tij që u zhvillue në Kinema “Republika” të Shkodres, në Prill të vitit 1959, u tregoi të gjithë armiqëve të Maleve tona të Veriut se “Malësori yné per Fé e Atdhé e ban vdekjen si me lé!” Kjo Formulë shekullore e daltueme nder mendjet e zemrat e Atyne Trimave të Alpeve tona, qendronte si një mburoje e hekurt e daltueme kunder të gjithë atyne që nder shekuj punuene me asgjesue Ata Male Kreshnike!
Ardhja e brigadave të Ndjekjes dhe atyne partizane në Veri në 1944, kishte këto parime:
■“Urrejtja si element qendror i luftës sonë! Urrejtja që është i papajtueshme ... urrejtja kaq e dhunshme sa që vë në lëvizje një qenie njerëzore përtej kufizimeve të saj natyrore, duke e bërë atë të dhunshme dhe një makinë vrasëse gjakftohtë ...
Ne refuzojnë çdo qasje paqësore. Dhuna është e pashmangshme.
Për të krijuar socializmin duhet të rrjedhin lumenj gjaku!
Armiku imperialist duhet të ndjehet si një kafshë që gjuhet kudo që ai shkon.
Kështu ne do ta shkatërrojmë atë! Këto hiena duhen asgjësuar.
Ne duhet të mbajmë urrejtjen tonë gjallë dhe të vazhdueshme!— Nga fjalimi i Ernesto "Che" Guevarës në Konferencën Trekontinentale në Havana, Kubë, Prill 1966.
■A ka ndonjë ndryshim nga fjalimet e Enver Hoxhës, apo nga komunizmi që predikonte në vitet ’60 PPSh në “Revolucionin Kulturor 1967” terroristi Ramiz Alia ?!
Dhe, ja cili ishte qendrimi i Klerit Katolik Shqiptar perballë këtij komunizmi gjakatarë:
■Foli Burri i Selcës Don Dedë Malaj, bash atëherë kur “disa” thonin se “perballë PPSh dhe shokut Enver, nuk ka pasur asnjëherë kundershtarë të fjalës dhe mendimit të tij”!
“Unë jam anmik i komunizmit që në moshën 9 vjeçare, kur kam shkue nxanës tek Don Alfons Tracki, aty mora vesh këte emen dhe nuk kam dashtë me ia ndigjue zanin kurrma, sëpse jam brumosë me ato ide…”(Dosja 2199 dhe vazhdon...)
“Kam vazhdue me kenë anmik deri ditën e arrestimit, mbas asaj ditë nuk jam ma asgja. Nuk kam pasë si me iu dashtë unë ju, se në ditët e para që keni hy në Velipojë, më keni vra vëllanë!…”
–Ju kërkoni me më pushkatue edhe mue vetëm e vetëm se jam prift katolik!
– Kam pritë me shumë andje një Revolucion si ate të 1956 në Hungari, dhe më ka ardhë keq për disfatën e popullit hungarez të pësueme nga tanket sovjetike…
– Bashkimi Sovjetik ka shfrytzue të gjitha demokracitë popullore të Lindjes, mbasi prej tyne ka marrë të gjitha prodhimet tue përfshi edhe metale e minerale, ndërsa, ai atyne edhe ne na çoi disa hekura të ndryshkuna, që ba me ia hjekë ngjyrën del se çfarë vjetërsinash na çon edhe këtu, tue fillue me traktora, fabrika e kombinate.
– Përsa i përket dyshimeve të mija për Statutin e Kishës, unë i kam dërgue një letër Vatikanit nëpërmjet të Don Ivo Bozhiq në Jugosllavi, po kje se atë letër ai ia ka dhanë UDB – së jugosllave asht puna e tij, unë nuk i kam shkrue atyne, po Vatikanit, Papës në Romë, se dojshe me ditë se kush i ka aprovue ipeshkvijt që po shuguroheshin në Shqipni, për mos me ra në gabim unë vetë.
Kur prokurori e pyet se çfarë i ke thënë fshatarve për hyrjen në kooperativë? Ai tha:
– I kam thanë hyni e mos kundërshtoni! I kam thanë kështu se, e dijshe mirë sësa miljon vetë ka zhdukë Stalini nga ata që i kanë kundërshtue me hy në kolkoze.
– I kam thanë hyni se këta ju qesin fare, se Enver Hoxha nuk ndryshon aspak prej Stalinit, por shifni punën e mos bani za edhe pse nuk ju paguejnë mundin tuej.
– Fshatarit ju nuk i pagueni as një të dhjetën e mundit tij. Ai merr aq pak sa nuk siguron as bukën e fëmijve. Sikur të shpërblehej për djersën e derdhun në punë të kooperativës, ai do të ndërtonte pallate disa katesh e jo kasolla ku jeton sot.
– Ai nuk ha mish kurr vetëm njëherë në vit…edhe nuk di a e ka njëherë në vit!
Prokurori e pyeti nëse ti i ke lejuar për të ngrenë mish edhe ditë premte, pse e bëre këte gjë, përderisa ditën e premte juve ua ndalon feja?
– Sëpse nuk dojshe me i lanë pa hangër mish gjithnjë, mbasi në Shqipni asht përditë e premte,  madje, jo e premte, por e Premtja e Zezë…
■E, Premtja e Zezë në Shqipni ka fillue me 29 Nandor 1944 dhe, ka me vazhdue derisa të mbarojë komunizmi!.”.(Dosja 2199. Arkivi M.P.M Tiranë).
Sigurisht, nga kushdo që lexon këta pak rreshta asht i kuptueshëm përfundimi!..
Kryetari i gjyqit Mustafa Qilimi, me 27 Prill dha vëndimin për Don Dedë Malaj me vdekje me pushkatim…Kur doli nga salla e hypën në rrimorkjo të një kamjoni, sot kujtoj dy sytë e Tij të skuqun, madje të gjakosun, ku nuk dallohej as bebja e synit të kaltërt!
Kishte mbetë vetëm një njëri që interesohej për Té, mbesa e vogël jetime Drandja.
Vetëm Drandja 13 vjeçare do të përpiqej me i shpëtue jetën axhës së vet. Drandën e ndihmuen dy priftën në këte fatkeqsi që ishte, Don Marin Shkurti, ish nxanës i Don Dedës, që në vitin 1969, dhetë vjet mbas Mesuesit të vet u pushkatue edhe Ai, si edhe Don Pjetër Gruda, mik besnik i Don Dedës, që edhe Ky vdiq në burg në vitin 1989, plot 30 vjet mbas Don Dedës, pak muej pa plotsue dënimin…
■At Konrrad Gjolaj në librin “Çinarët” fq. 169, e shpjegon:
“Drandja me ndihmën tyne shkoi në Tiranë me 1 Maji 1959 për me takue Enver Hoxhën. Kje e pamujtun, madje as Haxhi Lleshin, kryetar i Kuvendit Popullor të Shqipnisë.
Mujti me takue sekretarën e tij, Nexhmije Hoxhën, që i takonte me kenë dora vetë.
Drandja e vogël tue e kujtue vetën para një “gjyshës”, ra në kurthën e asaj që populli e ka quejtë “pantera” dhe, vajza jetime me lot përfaqe i kërkoi faljen e jetës së axhës së vet, tue i shpjegue asaj se nuk ka asnjë njeri në këte botë. Nexhmija iu përgjegj: “Pse t’ia falësh jetën atij, ai është armik i popullit. Ti nuk ke mundësi të interesohesh për te, mëse do e mbash ate?” Drandja, iu përgjegj: “Atë e mban burgu, s’ka gja veç, të jenë i gjallë, aman të lutëm ma ban këte nderë, se nuk kam as nanë as babë, veç këte axhë!…”
Me 9 Maji 1959 erdhi përgjegja. “Lutja e yte refuzohet”. Kjo asht Nexhmije Hoxha!
■Me siguri një nga dekoratat, Nexhmijes, i asht dhanë per pushkatimin e Don Dedës!

            Melbourne, Maji 2017.


********



KUSH E VRAU DON DEDË MALAJN?!

 – Nga Fritz RADOVANI


DON DEDË MALAJ(1917 – 1959)

DOSJA NR. 2199…
■24 PRILL 1959 Ditë hane. Rigonte pak shi… Altoparlantët ishin hapë në të gjitha rrugët e Shkodres, per me tranmetue gjyqin e “armikut të Popullit” Don Dedë Malaj.
Ishim tue pritë një grup i vogel tek streha e teneqexhijve, perballë Xhamisë së Parrucës, kur u ndigjue zani i prokurorit Rrapi Mina, që hapi seancen mbas hymjes në kinema “Republika” të kriminelit Hilmi Seiti, i shoqnuem nga ambasadori jugosllav…
■Prokurori pyeti të parin Don Deden: “Që kur jeni armik i komunizmit i pandehur?”
Don Deda me zanin e Tij burrnor, po edhe pa Ju tutë syni u pergjegjë: “Unë jam anmik i komunizmit që në moshen 9 vjeçare, kur kam shkue nxanës tek Don Alfons Tracki, aty mora vesh këte emen dhe nuk kam dashtë me ia ndigjue zanin kurrma, sepse, unë jam brumosë me ato ide!”… Në një heshtje të plotë që kishte ra n’ atë rrugë të Parrucës së vjeter, krejt pranë meje, u ndigjue zani i një Burri në moshë po, që pa pikë frike tha: “Hallallë ta baftë Zoti qumështin e Nanës, se Ajo, paska rritë djalë per Shqipni!..”, dhe iku në drejtim të rrugës Zdralej. Kurrma nuk e kam pa atë Burrë Trim e as, nuk e njoha.
■Don Dedë Malaj asht le në Selcë të Vermoshit, nga prindët Keq e Lula Malaj, me daten 16 Nandor 1917, prej ku mbas pak vitesh kanë zbritë në Velipojë, e nen kujdesin e Don Alfonsit, u brumos me kulturen Europjane, dhe në vitin 1941, në Gjenacanin e Fugures së Zojës së Shkodres, bash perballë Saj u betue dhe u Shugurue Meshtar në Itali.
U këthye në Shqipni dhe ka sherbye në Velipojë, Mal të Jushit dhe së fundi, në Dajç të Bregut të Bunës, ku edhe u arrestue në vitin 1958, ato ditë kur u pushkatue Miku i Tij Don Ejëll Kovaçi, edhe Ai pse nuk pranoi me firmue “Statutin e Kishës së vitit 1951”.
■Don Dedë Malaj ishte kundershtar i vendosun i firmosjes së “Statutit të Kishës”, aqsa në letren që i pat shkrue Vatikanit, ishte vetem një pyetje: “Ipeshkvijtë e shuguruem mbas vitit 1951, a janë të aprovuem nga Vatikani?”… Tjerat “shtesa” janë jo të verteta! Letra ka shkue deri tek Don Ivo Bozhiq, po jo ma larg… Këte e ka vertetue At Konrrad Gjolaj, kur ishte në Vatikan mbas vitit 1992, dhe asht interesue per letren e Don Dedës.
■Interesimi i Sigurimit të shtetit komunist per zhdukjen e Don Dedë Malaj, ishte shumë i madh aqsa edhe perkushtimi i një grupi aq të madh, që interesohej per vrasjen e Tij.
I pari mërrijti në Dajç, oficeri i njohun Çesk Shoshi, i cili bashkpunoi me kriminelët ma të poshter të Degës së Mbrendshme të Shkodres, drejtue nga terroristi Hilmi Seiti.
E po ti rreshtojmë agjentët e sigurimit tue fillue nga Xheudet Miloti, Mustafa Qilimi, Ali Xhunga, Hamdi Ulqinaku, Dul Rrjolli e sa vrasës të tjerë, do të fillohej me u dyshue edhe Figura e Paster dhe Burrnore e Don Dedë Malaj, që asht pushkatue i Pafajshem!
■Don Deda njihej si mik dhe “bashkpuntor” i Don Kolec Prennushit, At Konrrad Gjolaj, Don Ejëll Kovaçit, të gjithë kundershtarë të firmosjes së “Statutit të Kishës Katolike të 1951”, pra meqë asnjeni nuk pranonte këputjen e lidhjeve me Vatikanin dhe Papen:
■Me daten 29 Prill 1959, Kryetari i gjyqit Mustafa Qilimi, dha vendimin per të gjithë të akuzuemit, dhe perfundimisht Don Dedë Malaj, u dënue me vdekje, me pushkatim.
***
■Don Dedë Malaj ishte fëmijë kur mbeti jetim pa Babë. Në ditët e para të Dhjetorit të 1944, brigadat partizane i patne pushkatue vllaun Nikollin, ndersa Frani, kur ishte i arrestuem Don Deda në vitin 1948, vdiq papritmas, dhe la një vajzë të vogel Dranden, që e mori nën kujdes Gjyshja e vet, pra Nana e Don Dedës, Lula. Kur Drandja ishte 7 vjeç,
Nana Lulë vdiq dhe Dranden e mori në qelë Don Deda, që në moshen 13 vjeç Drandja mbeti pa asnjë njeri të aferm… Edhe Don Deda, pritej me u pushkatue…
■Drandja e vogel 13 vjeçare do të interesohej me i “shpetue” jeten axhës së vet.
Në këte fatkeqësi kaq të madhe Drandes Ju gjetën dy Klerikë të njohun të Don Dedës, Don Marin Shkurti, ish nxanës i Don Dedës, që u pushkatue në vitin 1969, dhjetë vjet mbas Mësuesit të vet, dhe Don Pjeter Gruda, mik i Don Dedës, që edhe Ky vdiq në kampin e shfarosjes së Sarandës, i paralizuem në vitin 1989… Tre muej para lirimit.
Me ndihmen e këtyne dy Priftenëve, Drandja u nis në Tiranë me daten 1 Maji 1959, me mujtë me takue Enver Hoxhën. Kje e pamujtun, madje, as Haxhi Lleshin, kryetar’ i Kuvendit Popullor. Mujti me takue sekretaren e tij Nexhmije Hoxhën, që i takonte me kenë dora vetë. Drandja e vogel tue e kujtue veten para një “gjyshes”, ra në kurthen e asaj që populli e ka quejtë “pantera e zezë”, dhe vajza jetime me lot përfaqe i kerkoi faljen e jetës së axhës së vet, tue i shpjegue se ‘nuk kam asnjë njeri në këte Botë’. ■Nexhmia iu pergjegj: “Pse t’ ia falesh jetën atij, ai është armik i popullit. Ti nuk ke mundësi t’ interesohesh për té, mese do e mbash até?” Drandja iu pergjegj: “Até e mban burgu, s’ ka gja, veç të jenë i gjallë, aman të lutem ma ban këte nderë, se nuk kam as nanë as babë, veç këte axhë!”
■Me daten 9 Maji Drandes, i erdhi pergjegja e kobres: “Lutja yte refuzohet.”
Besoj e kujton mirë vrasësja e fëmijëve Nexhmije Hoxha, kur ka nenshkrue Vendimin: “Të pushkatohet Don Dedë Malaj…vjeç 42…Klerik Katolik Shqiptar”!
■11 MAJI 1959 Don Dedë MALAJ u pushkatue brinjë Liqenit të Shkodres, ku gropa e Varrimit u ruejt nga një Vlla Musliman, që e kishte në kopshtin e vet…
■Don Dedë MALAJ mbeti i perjetshëm me perkufizimin filozofik të komunizmit:
“E Premtja e Zezë në Shqipni ka fillue me 29 nandor 1944, dhe ka me vazhdue derisa të mbarojë komunizmi!” (Në gjyqin e Tij, në kinema “Republika” Shkoder, Prill 1959).

No comments:

Post a Comment