2017-05-20

Poezitë konkurruese të Festivalit poetik në Përmet "Në gjurmët Naimiane"

Fotografia e Fatime Kulli

Të nderuar miq konkurrues,

Gjatë natës finale të konkursit poetik "Ne gjurmet Naimiane", më 25 maj 2017, ora 19.00 ju do të kini te drejtën tuaj të perzgjidhni poezinë më të mirë për Çmimin " Çmimi i poetëve". 

Ky Çmim do të vendosey nga Ju, veçmas vleresimeve te Jurise per Çmimin e I,II,II. Ju do të pajiseni me nje Flet-tabele ku do te jene shenuar te gjitha poezite konkurruese dhe ne kollonen perbri, Ju do te vendosni vleresimin tuaj me pike nga 2-25 pikë, perjashtuar poezinë tuaj. 

Shumatorja e pikëve tuaja, do të nxjerre fituesin e këtij çmimi. Kjo mënyre na lejon të jemi më të drejtë dhe transparentë. 

Më poshtë, me bashkengjitje, po ju paraqes poezitë konkurruese me titujt, ku ju të njiheni paraprakisht dhe te pergatisni vleressimin tuaj, perveç poezisë tuaj perfaqesuese. 

Mirutakofshim. Mireardhshi!

Me respekt, Ligor Shyti - Permet.



******

Redaksia "Floripress" boton  pa hezitim kësaj radhe të gjitha poezitë e autorëve .

Lusim lexuesit e shumtë të "Floripress"-it dhe Facebook-ut të japin vështrimet dhe vlerësimet e tyre pa hezitim nëpërmes e-majlit  zyrtar  të redaksisë Floripress : ptcflomed@yahoo.com 




Adem Xheladini,Kërçovë


IMAZH I PRARUAR...

Kur ylli i fundit, fiku në qiell
Befas n'dritare ç’u duke Ti
Si lot stërmbushur ngjyrash plot diell,
Tharë prej erës, larë me flori!

Dhe vesë mëngjesi, kur piku në buzë
Atë të gdhirë e ngjalli një shpresë
Shkrepëtimë shpirti, e kallur shpuzë
Në sytë e mi një rreze, ndez...

Imazh i praruar në shkëlqim dielli
Kur futet befas thellë në mua
Aty gjej veten, të zbritur nga qielli,
Në copëza ëndrrash që shumë i dua.



2.

Afërdita Saliu-Preshevë


FAJI I BUZËS

"Nuk bëra mirë", kur qava para trëndafilit
E ndërsa vesa mbi faqe kishte dhënë ballë
Më mbeti në fyt loti, si kokërr e vogël fiku
E petalet një nga një zbrisnin si mbi shkallë.

"Nuk bëra mirë" kur e ndava nga shoqet
Pigmenti humbte fuqinë zbehtë-zbehtë
Ja lashë vetëm shiun që filloi të pikonte
Sepse loti më grabiti, më tërhoqi tatëpjetë.

"Nuk bëra mirë", por as për lotin s'denjova
Nuk dua të jem peng si një plaçkë e vjetër
Ato grushte petalesh që ishin veç pinjolle
I hënova mes hënës, tash më të tharë, letër.

Sytë e tejnjomur i fshiva me vesë trendafili
E unë prapë "s'bëj mirë", m'u bë ves i keq
Sa herë u afrohem, se si i ndizet lotëve fitili
Si t'i mishtoj degët, kur petale është zhvesh?

Dhe unë e tëra u ujita, siç laget pranvera
E lotin e krasitja në çdo rremb të shiut
Buzova mbi buzë petalesh, e hasa në ferra
Po të ishin fluturake, do të mbytej zëbilbili.

Dhe u ktheva prapë në konak të trendafilit
Shoh të jetë strukur si mëllenjë e bardhë
S'doja t’ja fal "detin", të mos i shkul filizin
"Të mos bërit mirë", tashmë iu shua zjarr.

Një gonxhe e sapoçelur, si doçkë e brishtë
Do të ta ruaj si molusk me guaskat e saj
Se jam njeri dhe unë, me asht e me mish
"Nuk bëra mirë që qava", buzës m'i lini faj.

3.

Agim Bajrami,Durrës


MBRËMJE PËRMETARE

Naimi s'është, Abdyli fle
Nuk ndrin as mjekra e Samiut
Veç era reciton pa zë
Një strofë nga flaka e qiriut.

Tek zbres me veten në stacion
Dikush më rrok mbas qafe
Është valë e Vjosës që më fton
Të pi me të një kafe.

Qyteti del nga shtrati i mbrëmjes
Me ngazëllim fëmije
Më deh me flladin e Nemërçkës
Dhe me gliko qershije.

Ndaj unë i dehur nuk mbaj mend
Në shtrat se kush më shpuri
Veç di të them se në atë vend
Eremonte edhe guri.

Ca trendafile thyen saksitë
Me 40 lloje ngjyre
Në do të bjesh në dashuri?
Puthu me një prej tyre.

Unë s’ta kam thënë se ti do qeshësh
Me mua për çdo natë
Mbas puthjes sonë disa prej tyre
I mbaj në buzë për fat.

Dhe bashkë me ta fus krahërorit
Si dekorata nderi
Një varg prej Lumos dhe Ligorit
Dhe një kaba Laveri.

Naimi s'është Abdyli fle
Nuk duket as Samiu
Veç era fishkëllen më nge
Një këngë me flakë qiriu.
  
4.      


 Agim Xheka,Tiranë


BURIMI I PËRJETSHËM

Kam një jetë që trokas në këtë derë
të marr një grusht uji nga burimi
të marr me vete një copëz pranverë
pak farë poezie të marr nga Naimi.

Sa herë që vij e gjej portën çelur
Hapur e mbajnë nip-stërnipat e tij
Sofrën e shtuar me ç'të kenë vjelur
gatuar me mall, mbrujtur me dashuri.

Nuk jam i vetëm. Kam plot miq e shokë
Si bujq të mirë plugojmë me parmendë
atë farëz e mbjellim si grurin në tokë
dhe thurim vargje dhe qëndisim këngë.

Kështu, të gjithë, bëhemi nga pakëz Naim
Të gjithë së toku i këndojmë dashurisë
Sepse pimë ujë tek i njëjti burim
dhe marrim bekimin e babait të poezisë.

E lumur qoftë përjetë kjo portë bujare
Buroftë në përjetësi ky i bekuar burim
Plugu i parë, i artë i letërsisë shqiptare
Ky qytet i bekuar dhe mendjendrituri NAIM.
  

5.    

Anila Mihali,Përmet

DRITARE E POETIT

Një e nga një u tretën gjithë ndriçimet
I zhvesha prej trupit orët e ditës
Me dashuri u mbushën krejt takimet
I vranë gjithë misteret e frikës.

Të gjithë vrapuan të mbyllin vilat
Të mbulohen me terr intimiteti
Veç një dritare nuk po ul grilat
Në flakë një shpirt poeti.

Keqas mbytur në detin e muzës
Po frymon vetmia me kureshtje.
Digjet flakë cigari cepit të buzës,
Qiriri veten djeg në heshtje.

Të dy po flakërojnë brenda tyre,
Shpirtërat bohem kanë marrë flakë
Qiriri e poeti, siamezë prej natyre.
Pranë kësaj dritare i ndala hapat pak...




6.      


Asllan Qyqalla,Prishtinë


LORA PA VELLO

Mbrëmë me Lorën e Prishtinës
shetitëm bulevardit të Nënë Terezës
dritat vezullonin në fytyrën e neonit
bota shikonte me admirim
një dashuri në eshtrat e heshtur
Lora në përqafim në ekstazë vjeshte.

Në Prishtinë sorrat qëndisin kurorë
Lora e Prishtinës harliset në valle
“- do jem nuse pa krushq” e vargut poetik
“legjendë do mbetem në trollin arbëror
si Circea1 në gur e shkëmb do gursoj dashurin
putane do më thonë se isha e marrë”

Korzos së Prishtinës krushqit pinin çaj
Lora pa vello orët numëron
Në xherdek nuse pa dasmorë
“Skënderbeu” ngjesh shpatën krutane
Agë Ymeri ndalon në shadërvan
Rinjeh nusen rrugës së Gërmisë

Poeti kollitet në përplitjet e nëntorit
mallkon njohjen me Lorën e Prishtinës
si nuk mundemi të marrim vjetët hua
t`ia fal Lorës e të dal ith nga dheu?!


 7.      


Dashamir Malo,Sarandë


TE JESH E DASHURUAR

... do të thotë
të zgjohesh pa aguar mirë dita
madje dita të jesh ti vetë
do të thotë
të kesh parë ëndrrën më të bukur
madje endrra te jesh ti vete
do të thotë
që pasi të çohesh nga çarçafët e butë
(çarçafët do të ruajnë format e tua deri në mbrëmje)
të shkosh të vështrohesh në pasqyrë
pa pasur atë frikën që kanë femrat
dhe të jesh më e bukur se mëngjesin e shkuar
do të thotë
të qëndrosh para garderobës
dhe pa pike dileme të veshesh
fustanin më të zakonshëm
do të thotë
të të shoqërojë përherë një shpengim dhe hutim
i brishte
të dalësh nxitimthi nga shtëpia
pa vënë re këshillat rutinore të nënës
tek flet që prej kuzhinës
të jesh e dashuruar
do të thotë
t’u dhurosh monedha gëzimi
edhe kalimtarëve të rastit
të shpërndash një rrezatim ndjellës.




8.      


 Dhimitraq I.Miti,Përmet


PO… SI?

Më bëhet dita gur
E mua më duhet opa ta marr.
Ta vendos në mur
Po… kur?

Dita grurë më bëhet
E mua bukë më duhet ta gatuaj.
Si im atë dikur.
Po... kur?

Mik tek pragu i portës
Dita më bëhet
E, unë, si mik, duhet ta pres.
Plot nur
Po... kur?

Edhe fjalë më bëhet dita.
E mua, patjetër, më duhet
Ta jap, atë, me mend.
Po… në ç’kuvend?

E pse jo,
Një ditë arkivol dita do të më bëhet
E mua më duhet, duke u djegur parreshtur
Në të,
Të rri.
Po... Si?


9.

 Elida Rusta,Shkodër

DASHURI ME NAIMIN

Vi drejt teje
"si vashë bukuroshe e bariut, ashtu
llërëpërveshur, me dy shqerrëza në duar,"
të të shoh nga afër,
të prek dashninë tande, Naim.
Kam etjen e një puthjeje dëshire,
të një përqafimi të shalltë dashurie.
Kam mall për të bashkuar,
një mal gjoksi për të ngritur.
Vi të shpirtëzojmë bashkë poemën idilike,
"të kërcejmë si kecat që nxitojnë e nxitojnë,
pa ditur në i ka marrë uria."
Eh!
Dimri i thau lisat e gjatë,
vetmi e frikshme i ka pushtuar.
"Dallëndyshja ka mbetë
punëtore pa gas,
ogiçi nuk bie më tufës në ballë,
zogjtë nuk fluturojnë më si ëngjëj."
Eh!
Mërgimi s'ka kënd në asnjë kohë.
Në detin tënd
marrim çdo ditë jod dashnie,
për dhé, për Atdhe.
Bri teje njeriu kryqëzohet,
vdes e ngjallet përsëri.
Pupla e fjalës është e rëndë para ndjesisë
që ti më fal,
po aq e rëndë sa përjetësia e magjisë
së fjalëve të tua të shenjta poet.
Po aq e rëndë sa amaneti yt
"Bukë e mëmëdheut më zëntë
në të tradhëtofsha!"




10

 Elmira Rama ,Fier 


MËNGJES I RI

Ka gjurmë në udhën tënde,
Në udhën time më flasin në vetmi,
më sjellin melodinë e një kënge,
ca tinguj të fshehur thellë në gji.
Ndjej oshëtima në qiellin tënd,
belbëzim çapash mbajnë zgjuar,
djepin e ëndrrës ua ngroh një diell,
me rreze drite mbuluar…
Ke këngë në pentagram
që s’u kënduan kurrë,
…dhe loti në buzëqeshje notat lan,
me refrenin që na zgjohet
                    në shpirt e në buzë.
Ti, iu rrëshqet ditëve,
ku ronitet lëkura në cepa errësire,
          ...dhe zhvishet një ditë
me feksjen e një mëngjesi të ri,
Aty, ku eci unë...



11



 Farida Ramadani,Shkodër

ENDEM BRENDA VETES  


Përkund botën me zemrën tënde,
Me shijen e gjuhëve të kripura,
Aty ku lotin gëlltis e etur,
Ngopur me afshin e pritjes së dashurisë,
Ku pikon lëngu i jetës dhe i shpirtit,
Aty shpresa ulet me flatrat e melodisë së fjalëve,
Përcjellë nga mollëzat e gishtërinjve,
Mbledhur në lëmshin e ndjenjave të çdo organi,
Currila fishekzjarresh përjetojnë magjinë.
Na dhuruan diellin, me rrezet u bënë gërshet,
Këmbët bëhen njësh dhe lëkura pudroset,
Lumturia e përtejme bëhet mike me galaktikat,
Nata fjalëjoshëse shfaqet si planeti më i bukur,
Ofshama shtrin përtokë margaritarët e puthjeve,
Kryqëzoj fjalët deri sa unë e kam pushtetin,
Kurorë qëndisur me yje e hënën lëshuar pranë,
Pushtueshëm mbi buzët e njeri- tjetrit… zjarr.
Ndjenja Mbretëreshë atë çast ishte me mua.
Si bleta nektarin mblodha deri në agim.
Nata fshiu pluhurmbledhësin kohor,
Pafundësisht në shpirtin e uritur,
Si një e pathënë  pengmbajtëse për së gjalli.
S’e di nëse jam shenjtor, apo purgator,
Për t’u përplasur me dhimbjen e mendimeve,
Jam tërësisht njerëzor,
Të puth ëndrrën me dëshirën,
Si statujë ndjenjash brenda vetes bëhem.


12

Flori Bruqi,Prishtinë


SHPRESA TË DJEGURA

Me çantë mbi shpinë të mbushur plot mall
rrëzë supi rripat e saj fort shtrënguar
të rrezikuar frikshëm endeni nëpër vargmal
nëpër dhëmbë fatziun fajtor duke mallkuar.
Shikimi i nënëmadhes si shqiponjë pas e ndjek
klithma djemsh mbetur ikona nëpër pragje,
një dashuri e braktisur shpirtin tuaj e djeg
lot që mundin burrërinë e shkasin mbi faqe.
Gra zemërngrira presin në ankth zhytur
veten mallkojnë që nëna s’i bëri dot djalë
motra kërthinj prej trishtimit të mbytur
dhimbje e pamatur që gjunjëzon dhe djajtë.
Mërgim mëkatar, mijëra varre bosh ke lënë ti
nënat kobzeza, që s’kanë një gur ku të qajnë
vejusha të pafat ngado mbjellë si tulipanë të zinj
fëmijë që prindërit në prehër dot s’i mbajnë.
Emigrant, fjalë mizore që s’di të falësh kurrë
dete lotësh mbush e mallin kudo ti e mbjell
zemra nënash me gozhdë mbërthyer në mur kujtimi
përcaktor njerëzish që tonelata dhimbjesh sjell...!
në shpresat e djegura vret dhe qan trishtimi...


13


Koçi Qorri,Gjermani


ËNDËRR!

Ç'më erdhën në pamje,
Ato faqe që zbresin në luginë,
Harkuar çrregullt me forma engjëllore,
Ca shtëpi,
Shenja bardhore.
Heshtja është e gënjeshtërt në fron.
Shqisa e paramendimit i përpin,
Si shtjellat në guva.
Frymët sikur sillen rreth një guri,
Ngrysur dhe duke qesh.
"O rrugë të heshtura!
Mua më vijnë zëra në veshë
Ndjej ato të vjetrat,
Që gjallojnë aty si sirena,
Cicërimat i imagjinoj,
Si Kashta e Kumtrit që fërshëllen.
Ajo është një melodi që unë e kam ndjerë,
Me një prekje dhe disa qafime.
Ato ishin mishtore,
Por engjëllore".
Fati i tyre si troku i kuajve që s’ndihet më!
Në ato rrugë,
Karrocieri shpesh herë këndonte.
Vriste monotoninë,
Dhe padurimin,
Deri në çastin e dashurisë.

Tani kujtimet u ringjallën si dëshirat në orën e lirisë,
Profili ngriu si hije e shastisur,
I tëri i mahnitur,
Lumi që e morri dhe e nxorri,
Bari që hijeshoi muzën me klorofil,
Dhe fjalët në eter me ngjyrën e syrit të gjyshes,
Që gjuante legjendat me një të shtënë.
Ç'guaste përreth,
Ishin kastile lënë.
Në orën e rrëfimit,
Vetëm fantazia bridhte në ngrehinë,
Dhe shtjellat e tymit.

-Tani do të them të vërtetën.
Do të bëj detyrën time ndaj Dheut
Erdhi ora fatlume ta flak tej pasigurinë,
Ta zbraz hipokrizinë,
Të heq tisin e dyshimit,
Çiltërsia është varri i trishtimit.
Në dhesë dhe mbidhesë.
Degjoni:
Më mori malli për vendet e mia!

-Endërr, lipsu!
S'mundem më.

U zgjova.
Syri m’u hap si dielli në vendlindje,
Pastaj,
Pak psherrëtimë
Dhe gjithçka u përzie me nxitimin për diku.


14

Lediona Braho,Tiranë


NË GJUMË ËSHTË HËNA

Vjedhur hyn në kopsht, vizitori im i heshtur,
sonte Hëna mban anën tënde: ka fjetur,
por unë e di pse ke ardhur, erën ndiej që larg,
fshehtaz të përgjoj dhe lutem në prag.

Dhe frikem mos trembesh e ikën siç di,
ah, të mundej kjo natë të të bënte shi.
Nata m’i dëgjon lutjet, me zë nis të qaj,
hedh mbi trupin tim dritën e pafaj.

Dhe frikem, mos trembesh e ikën siç erdhe,
ah, të mundej kjo natë të të bënte gjethe.
Nata m’i dëgjon lutjet dhe ulërin si e marrë,
i shkul nga pemët gjethet e të sjell më pranë.

Në fëshfërima gjethesh dëgjoj zërin tënd,
natyra në zgjim më ndjell e më tremb.
Në trokitjen e shiut prek dorën tënde,
natyra zgjohet me kënaqësi dhe dhimbje.

Ah, të mundej kjo natë të të bënte gjethe
të të merrja erë, të më merrje me vete!
Ah, të mundej kjo natë të të bënte shi,
të të mblidhja pikë më pikë në një kuti!

Me dritë del nga kopshti, vizitori im i bukur,
dielli është zgjuar, hëna është zhdukur.
T’u luta të më merrje në pyllin e madh,
më the: rri në kopsht, unë do vij prapë.

Ti bëhesh gjethe dhe fluturon shumë larg,
unë sërish e vetme pres mbrëmjen në prag.

15


Lumo Kolleshi,Përmet 


IKJE SI NË BALADË

Nuk dija ç'më dukej vetja, duke ikur nëpër natë,
Kostandin a Doruntinë, njëri veç, a të dy bashkë?

Eh, kjo zile telefoni, oshëtiu majë më majë,
Po m'i shkulte të gjithë bredhat, po më digjte një dushkajë.

Lashë sofrën e gëzimit, atje lart në bredh të gjelbër,
Veç përbrenda më qëllonte zemra me tokmakë të verbër.

Si s'iu ndodha pranë syrit, tek digjte qirinë e fundit,
Si s'iu ndodha pranë yllit, humbur tej Kashtës së Kumtrit?

Nuk e dija si gëzoja, si mbaja në dorë dollinë,
Kur atje në buzë të detit, gratë zinin logorinë.

Ndaj nuk dija ç'isha brenda, duke ikur nëpër natë,
Kostandin a Doruntinë, njëri veç, a të dy bashkë.


16

Majlinda Rama ,Tepelenë


I DASHUR

I dashur,
merrmi duart, mbi gjoks m’i ço,
dhe më çliro nga pritja,
gjithçka po gjej, veç prehje, jo,
më griu mungesa, loti, ikja...

Po ti eja, i dashur, puthmë njëherë,
e le të ndizet stuhia,
ke kohë t’më qash çdo dimër e verë,
kur erërave t’zgjohet vetmia…

Çohu i dashur, bëmë gati të bie,
rrugë e gjatë më pret përmatanë,
mbaji lotët, mjekra mos të dridhet,
e mbi mua të derdhësh lule jargavanë...

Eja, i dashur, eja se ika,
në ikjen që s’do ketë më kthim,
mbi buzë muzgjesh helmi dhe drita,
dritares sime m’u bënë lëndim...

Mban mend i dashur, kur dola brinjës sate
malli buzës t’u poq’ atë ditë,
e u nisëm jetës si në monopate,
mbi tokë m’i zbrite gjithë perënditë.

Ecëm, ramë e u ngritëm, sytë e dinë ç’na panë,
ndaj të them “Mjaft, harroji këta lot!”,
ne qeshëm sa deshëm, e sa deshëm qamë,
rrugëve u endëm si dy Don Kishotë...

17


Matilda Dushku,Fier
  
BIRI IM!

Mirësemëerdhe vogëlushi im!
Sa shumë munduar, veç për t`u parë
Tani që kokën ma vë në gji
Nektarin e jetës do të të fal
…dhe do të ecim bashkë ca kohë
dhe do të çajmë vështirësi të tjera,
por mos u tremb krijesa ime
Do të rri përkrah ngahera
E do t`më pyesësh – Nënë moj,
se ç`është fati, ç`është jeta?
Pa me durim do t`i shpjegoj
Me gënjeshtra, me të vërteta
E do të lodhesh e do t`më vuash
E do të qaj e do t`më qash
Do të biesh e do të ringrihesh
E do të mbaj e do t`më mbash
Se kjo është jeta biri im…
Lind me nënë e vdes jetim
Çdo gjë e bukur nuk ka kthim
Në çdo fund ka një fillim.


18

 Nezir Prokshi,Drenas


DHE NJË DITË VENDOSA TA ZË DIELLIN

Dhe një ditë vendosa ta zë Diellin
Nga Maja e Shqiponjes e sodisja shpesh
Se si merrte ngjyrë trëndafili, pastaj manushaqeje
Dhe... o zot si rrokullisej malit përballë
Mesap flinte tërë natën
Thoshnin  ka prapë udhë për të bërë
Të bëj be e rrëfe, unë bisedoja me te
Para se të flinte.
E pata pytur një herë se a e dinte ç’ishte romanca?
Më pati thënë se ai ishte vetë romancë
Dhe vazhdoja të rrija zgjuar deri në mesnatë.
Pastaj ëndrroja, meditoja, për nuancë ngjyrash
Që përthyheshin në përendim të ditës
Dhe një ditë vendosa të shkoja te Dielli
Nuk e dija saktë se në ç’orë zbriste vetullës se malit
Dhe prisja, prisja...
Që Dielli të lëshohej në folenë e tij.

Ai iku ta bënte gjumin në kodrën matanë
Seç mbeta vetëm me ëndrrën për të pranë
E u bera album me shtëpinë e vjetër në dorë
Një shekull zgjuar mbeta vetëm për një metaforë.

Pikturova me ngjyrime ylberiane
një trajektore në mes të malit dhe  Diellit
Kur bëra përpjekje që të shkelja mbi rrëpirën e malit
Hapi më hodhi mbi trojektore.

Tani lëviz në drejtim të diellit
“Do digjesh”, më thanë, zogjtë në qiell, yjtë
“S’ka gjë”, u thashë,
“Mjaft jetova në gjysmë – errësirë!”


19

Odise Plaku, Fier


JAM NJERIU MË ME FAT


Ti mos u çudit, o miku im i mirë,
pse shoqen e kam myslimane,
kryqi nuk na pengoi
që dashuria të lindte te ne.
As djalit nuk i ulërij
pse këpucët i heq në xhami,
as vajzën nuk e dëboj nga shtëpia
pse vë mbi ballë të bukurën shami.
Eh, or miku im, unë jam njeri me fat,
se festoj gjithë vitin e mbarë
Bajram, Novruz, Pashkë e Krishtlindje,
ndaj pjesën e qengjit dhe vezët skuq.
Unë jam njeriu me fat në këtë dhe,
nuk trembem pse djali nuk zgjedh
për shoqe një vajzë të së njëjtës fe.
Dhëndrin nuk e di në do ta çoj në Ardenicë
kurorë me time bijë të vërë në altar.
Unë jam njeriu me fat të madh në këtë jetë,
në folezën time gjallon përherë dashuria,
nuk na tremb as kryqi e as hëna mbi kokë,
se “feja e shqyptarit asht’ shqyptaria”.


20


Paskal Zoto,Përmet 


MOJ ME SY TË ZI

Moj me sy të zi,
Moj me leshra korb,
Dale, prit një çikë,
Se më kape rob.

Dale pëllumbeshë
Që më shkon me naze,
Kjo zemër e shkretë
Më rreh me tallaze.

Zemra kërkon zemrën
Zjarri kërkon zjarr,
Ndali ato këmbka
Syzezë aman.

Më jep bel’ e hollë
Ta përdor si shkallë
Të këpus dy mollë
Të këpus dy dardhë.

Eja trim nga prapa
Të pres në kopështie,
Kur të zërë vapa
Çlodhemi në hije.

Si gjahtar i prapë
Me çifte të ngrehur
Se ç’të erdha prapa
Me zemër të ndezur.

Kur të kapa belin,
Më shkave si ngjalë,
Tatëpjetë ledhit
Mbi ca kulpra ramë.

Buklat si mëndafsh
T’u hapën mbi fletë
T’i putha me afsh
Faqet porsi shegë.

Më dehu aroma
E kulprës bardhoshe,
Më dehu belholla
Me puthje majoshe.


21

Petrit Ruka,Tiranë

DITA E HUMBUR


Ku do shkosh sot? –këmbët më  pyesin,
Megjithëse e dinë vendin
Që tek pragu i portës,
U këpus një sharje dhe kuptoj që shqipja
Për sharje ia del gjithë gjuhëve të botës…

Kërkoj një mik për vreret e fundit,
Telefoni ka qindra
S’gjej një për bé, 
Të denjët tani kanë vdekur të gjithë
Nuk pinë dot kafé…

Në kafe shikoj përtej një tabelë
Ku fjala: Atdhe, është e tëra e lagur,
Dhe befas më shpifen dyzet vjet dashuri
Nëpër këngët e mia
Ku qe aq i dashur.

Tani është një atdhe i dalë në ankand
Nga prijes të ndyrë.
Me i mërzituri i planetit,
Asgjë s’ka mbetur të shitet më tej,
Veç shpirtit të poetit…

Tani s’di si ta ther vetminë time të moçme,
Mu në mes të këmbëve
Si një dash kurbani.
Të gjitha gënjeshtrat
U bënë copë e cikë
Si ombrella e një lypësi që del nga kazani…

Kam frikë mos kam vdekur dhe s’tregoj nga inati
Dhe xhixhëllima e vdekjes
Një çast më përndrit,
I lëshohem si një gruaje të bukur, pa cen
I them: m’i fal të gjithë tradhëtitë.

Një grua e bukur përballë kthen kokën,
(Çudi si i ndjejnë gratë,
burrat… e vdekur,)
Dhe më nis një dromcë buzëqeshje tek buzët.
Kushedi nga ç’dhembje e saj i ka mbetur…

Mirë i them, unë. Mirë, o shpirt ëngjëll,
Beso, se më ndihe,
Shumë falemnderit!
Të paktën ky libër mirësjelljesh, akoma
Në raftet e gjithë botës gjendet i zvedhur…

Gënjej kamarierin me dyqind lekë bakshish,
Dhe nuk i ngjaj fare… si i papunë,
Si me një arkivol të vogël,
Celularin në dorë
Cit me të vdekur si unë…

Në shtëpi mbyll derën,
Dhe si nip i Aliut*
E mendoj një çast kokën time në tepsi,
Po nuk e gjej dot kamaren e turpit…
Me borën dhe kripën përbri…

Nuk di ç’të bëj dhe filloj e shkruaj
Se nuk më lënë
Të bëj asgjë tjetër...
Pastaj e ndjej që këtë këngë e kam shkruar,
Dhe isua e saj është iso e vjetër…



22


Rustem Keko,Përmet 



MULLIXHIU

(Në kujtim të zemërbardhit Malkë)

Sa grurë, sa misër bleve,
një mal është pak...
Me miell, vetull e mjekër,
Më priste, në prag.

U thinja, djal’i ustait,
Të prita kaq gjatë…
M’u thaftë gjuha… Ustai,
Mos ka gjë lëngatë?!

Na la babai, Malkë,
Në ag, pa feksur mirë…
Të prura torbë, për miell,
Me lotë, që pa gdhirë…

Për mortin, s’kemi as krunde,
Për mortin, misër na huaj…
Selam nga zonja mëmë,
Selam zotërisë suaj…

Vjeshtës, do vjelim rrushtë,
Të sjell pekmez me okë,
Dhe verë, si zjarr, të kuqe,
Në bute, për miq e shokë…

Se borxhi, mbi sup rëndoka,
Si plumb, thoshte babai...
Qenka një deli djalë,
Fisnik, si gjallë ustai...

Hallall dhjetë okë miell,
Të verdhë, si ar safi,
Nga Malka, kujtim për atin,
Të lutem, ndiz një qiri.
(vazhdon)
Malkë, plak i urtë, varrin,
Më ndje, nuk ta di...
Të bardhë, si flokët, Malkë,
Zemrën e pate ti.


23

Sami Velçani,Durrës  


GALOP RESH

Galop resh me lotët e tu në faqe,
Pikojnë në gjinjtë ku është fshehur hëna.
Mes puthjesh dhe sʼtregon shenja paqè,
Mëkati rozë mes fletëve të rëna.

Ndjej se kam dashur të tilla prarime,
Për puthje që netëve mos të flesh,
Por sʼmund tʼkërkosh pak çaste intime,
Në qiej pasionesh me vrapime resh.

Mbi gjurmët e tua hapat hedh,
Ky fllad fatndjellës ku është fshehur?!
Mungesa jote shpirtin më rënqeth
Dhe unë vrapoj si vrapon një i dehur.

Ndaj hëna e mbylli dritaren e zbehtë,
Në pyllin e mistereve më la të verbër,
Për ku vallë po nxitojnë me revan retë,
Dhe më fshehin syrin tënd të gjelbër?

Veç kokën pak të mbështes tek hëna,
Tek gjinjtë ku derdhet dritë e zbehtë,
Por më trembin konturet e ngrëna,
Galopi i çmendur që kanë nisur retë.



24

Skënder Lazaj Trebeshina,Itali


NËSE ZOTI DO T'MË JEPTE ZOTËSINË E TIJ

T'më jepte Zoti zotësitë e tij
veç për një çast të vetëm t'mi jepte mua,
k'të botë nga e para do ta ngjizja
duke i shtuar gjithçkaje...
veç pakëz grua!

Diellit do t'ia ndryshoja kahjet
në t'kundërt lumenjve t'jua ktheja rrymën,
reve të qiellit t'ua ndalja vajet
Perëndive do ju ngjizja frymën
me pakëz aromë gruaje.

Detet do t’i përpija me eks'
dhe oqeanet do t'i shterja krejt,
me etjen që më vjen çdo mëngjes
dhe me urinë e çdo mbrëmjeje
për pakëz grua, të shtrenjtë!

Sikur Zoti t'më jepte zotësitë e Tij
gjithçkaje do t'i hidhja pakëz grua,
që bota m'e ëmbël të vijë
që vdekja, larg t'më rrijë mua.
Ah, sikur Zoti, të ishte grua...!
  

25


Xhelal Tosku,Rrogozhinë

MIZORJA

Unë hodha një hap,
ajo më tha
hidh edhe një tjetër
dhe shihja diellin
rete e bardha
erën.

Unë hodha një hap,
ajo më thoshte
hidh edhe një tjetër
dhe shihja luginën,
pyllin në luginë,
erën.

Unë hidhja një hap,
ajo më thosh’
hidh edhe një tjetër,
Mizorja: kurrë nuk më tha  një fjalë
për humnerën.











No comments:

Post a Comment