5.04.2017

SPECIALE E DITËS : CIKËL POETIK NGA SHERIFE BERISHA – THAÇI

Fotografia e Rame Smajlaj


            Sherife Berisha Thaçi -  nga  Suhareka - (22.04.1955).Punon dhe vepron  në Gjykatën Themelore - Prizren – Dega në  Suharekë .

            Është anëtare e Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, anëtare e Shoqatës për Kulturë dhe Art “Elena Gjika” në Suharekë, anëtare e Lidhjes Ndërkombëtare të Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqipëtar – “Pegasi -Albania“ - Tiranë.

             Ka të botuar dy libra  me poezi :

              Librin me poezi me titull "Ngjyra Jete", dhe librin e dytë me poezi “Shtigjet e Skuqura” i përkthyer në dy gjuhë – në gjuhën angleze dhe atë italiane botuar në Tiranë.

               Me krijimtari letrare ka filluar të merret që nga bankat e shkollës fillore. Punimet e para të krijimtarisë së saj kanë parë dritën që nga viti 1974,  ku janë  botuar në Revistën Letrare  “Jehona” dhe në Gazetën  “Flaka e Vllaznimit”, të cilat aso kohe botoheshin në Shkup.

            Gjithashtu, krijimet e poetes Sherife Berisha - Thaçi,  kanë parë dritën edhe në të gjithë rrjetin mediatik dhe revista të tilla si : “Rilindja”, “Bota e Re”, “Zëri i Rinisë”, “Fjala”, “Shkëndija”, në Revistën “Pioneri” si dhe në  Revistën “Fidani”.

            Punimet e saj  janë të botuara në disa libra të Antologjisë në Shqipëri  dhe në Kosovë. Punime të botuara ka edhe në Revista të ndryshme  Shqiptare .

             Punimet e saja  si materiale nga masakra suharekase e vitit 1999, si dhe poezi e prozë janë botuar në Gazetën “Bota Sot”, pastaj në Bota Press – poezi  dhe në Revistën “Fidani” – poezi për fëmijë.

             Pjesë nga krijimtaria e saj – poezi dhe prozë, ka të botuar edhe në librin me titull “Brerore Lirie” të cilin çdo vit e boton Shoqata për Kulturë dhe Art  “Elena Gjika” nga Suhareka.
            Gjatë veprimtarisë së saj letrare, është stimuluar e shpërblyer disa herë në konkurse letrare.
  

MARTESË NËN HIJE


Kushtuar vajzave që patën fatin të martohen gjatë periodikut të dëbimit me dhunë nga Kosova – Shqipëri-Maqedoni etj.– (Mars – Qershor - 1999).


Jam Lule Vjollcë – Jam në kërkim të stinës që i thonë Pranverë !
Jam bijë kosovare.
Pas humbjes së shpresave për të mbetur në Kosovë,
Mu desh të bëhem nuse nga Durrësi,
Shumë larg teje –
Por…afër
Nuse pa duvak, pa fustan nusërie.
Nga derë e shtëpisë dola me petka të zeza korb
Për TY Kosovë,
Për bijtë e ashtit tim
Që ranë për TY, e mbetën mbi dhe.
Ashtu të pavarrosur i lashë unë,
E nuk pata mundësi as t`ua mbyllja sytë,
Dhe t`ua  përshpëritja fjalët:
Flini të qetë – Liria nuk është larg –
Oh… ç`dhembje mbeti në zemrën  time
Në ato ditë kur vërshuan lumenjtë e gjakut e të lotëve,
Për gjithë atë ferr e tmerr,
Që të kishte rënduar trupin tëndë Kosovë.
Ta këtheva shpinën
Duke të lënë  TY, mbretëreshë të robëruar.
Plagët ti mora me vete dhe i barta brigjeve të detit.
Duke u dallgëzuar me to, lutesha për fatin tënd dhe timin,
Që të mos na  ndjekë hija e orëligës.
Lutesha – Kosovë -  A do të më sheh të vdekur,
Apo do të të shoh të gjallë
Shpresat  i kisha  gjithëherë, 
Se një ditë do të të shoh të lulëzuar.
Sot në Kosovë vie erë lirie…
E unë lutem :
Merrëm edhe njëherë në krahët tu Kosovë
Se më ke gjak, me ke asht…
Se këtu retë ma ndalin frymën.
Unë jam këtu veq si një hije e natës së pikëlluar.
Unë dua të jem atje ku bukës i thonë bukë e ujit ujë.
Unë dua lirshëm të frymoj aty ku qesha dhe qava njëkohësisht.
Unë dua të jem në mesin e njerëzve të ashtit tim
Më merr në krahët Tu Kosovë – Gjaku im,
Kënga ime, Lulja ime, Dielli im Kosovë.


PENA NUK NDALET PËR TY

(Gongje Bojaxhiut – Shenjëtores - Nënë Terezës)

TY  -  Nënë  jetike mbi mite
Yjet  e derdhura në horizont
Të tërhiqnin udhëkryqeve të jetës.
Rrugëtimi Yt, përtej rrufesë  kishte  daljen

Në njërën dorë mbaje  th`negla shpirti
Në dorën tjetër mbaje Diellin
Për  t`i ngrohur  zemrat  e  ngrira
Nga  akulli i skamjes.


Në kërkim të shtigjeve të dritës
Udhëtove  ishujve  pa  emër
Deri në Kalkutë,
Ti Shpirt-Bardha Shqipëtare
Shenjëtorja – Nëna Terezë

E Madhe do  mbetesh në Lapidar
Nënë e Botës-zemër zjarrtë e gojë-mjaltë
Ishe dhe mbete – Bardhësi,  me shpirt-Engjëllor
Gjithmonë  vepra Jote - Shkëlqen  si  Meteor.


    28 – NËNTORI

(Kushtuar Flamurit Kombëtar)

Sot buzëqesh me krenari
Anë e kënd ke pamjen ndryshe
Petku festiv sa mirë të rri
Qëndron krahë-hapur - si dallëndyshe

S`jam dallëndyshe, jam Shqiponjë
Këtu kam zgjedhur më t`bukurin vend
Shqiptaria më thërrasin Zonjë
N`Flamurin e Vlorës, e kam Folenë

Nuk jam veq  shtizë e pëlhurë
Në mua ka vlerë të vërtetë
Jam i fuqishëm Flamur
Për mua njerëzit, kanë dhënë jetë

Në këtë vend veq shkëmb e gur
Në shqiptarinë me Plisa t`Bardhë
Marigona më vuri n`Flamur
Që të jem gjithmonë krenar

I shtrenjti ynë - Simbol Kombëtar
U ngrite lartë më 28 Nëntor - 1912-të
E ne s`do ndalemi gjer n`piedestal
Gjer sa t`arrijmë – Nëntorin e Tretë


 TI  -  DHEMBJE KUQ E ZI

(Poezi  kushtuar  Atdhetarit  – Ukshin Hotit)

 TY  Kalorës, me fuqinë e Gjergj Elez Alisë,
Djajt aq shumë ta kishin frikën
Të zhdukën pa shenjë pa dokë.
Në ditën e zhdukjes Sate
Dielli ndali flakën e nxehtësisë, largoi  rrezet
Hëna  u  zhduk nga vendi, netët u errësuan
Ditët e vitet u vruknuan nga dhembja për TY.
Retë sillen, rrotullohen, ecin,
Edhe ne ecim e nuk ndalemi së kërkuari,
Deri sa ta arrijmë cakun e takimit me TY.

Asnjëherë nuk ndalim kërkimin
Sipër  rrjedhës së ujit të kërkuam  ag   e   terr,
Në thellësi të krojeve të kërkuam
Edhe sytë na janë shëndërruar në kroje lotësh,
Për TY Atdhetar i devotshem - Ukshin  Hoti,
Lumenjtë përvajshëm ulërinjë,
Malet lëshojnë oshëtimë
Ishte kohë e mbështjellë me fjongo të zezë
Nga ofshamat  zjarmuese pëlcisnin guri e druri.
Sot  në  bronz  skalitet  Figura Jote

TI, gjithëmonë hapërove nëpër dritaret e jetës,
 Si valët e Drinit kur bashkohen
Emri Yt  mbanë  të  bashkuar  Shqiptarinë
Kalëron nëpër  krahët  e  këngës  në  lahutë  e  çifteli
Djal  me  nam  e  djal  i  Zoti - Atdhetar si Ukshin Hoti
Pak  si Ti Trima  lindin
Nuk kanë lind as s`kanë me le,
Dritë e Diell  je  për Atdhe
Vdekja, pak të dukej  për LIRI
Çdo fjalë e shkruar për TY - Zgjon dhembjen Kuq e Zi.


 POEZI - KUSHTUAR FEMRËS

A  S  A  J

Të jesh Femer, do të thotë
Të jesh Emër – të kesh zemër
Ajo udhëtoi nëpër kotësi
Dikur jeta Ia ngulfatti gëzimet
Pranverën e kishte të leckosur
E diellin  të ngrirë në akullnajë
Sa herë iu gremis zemra në honë zemrimi
Durimin e shëndërroi në lulë-pikëllim
Që vrullshëm  do t`i  shpërthej si vullkan
 Erdhi një ditë që priste me shekuj
Bota femërore po zbardhëllinë
Dhe AJO po ngre zërin me fuqi planeti
Fatin e saj mos ta dikton Ai – tjetri
Kerkon barazi – emri i saj të jetë  në histori
Ngre zërin për punën e gjykon  dhunën
Puna  hijeshon qdo gjë - lindjen e vdekjen
Puna na bënë të lumtur dhe krenare
Puna na jepë njerëzi, na ep emër
Jo vetëm emër në letër
Emër që lëshon hijezim në qdo cep të jetës
Për ta ndryshuar historinë e vjetër
Aty ku prehen jeta dhe vdekja
Ajo din të qesh dhe të qajë
Dijnë të këndon dhe të vajton
Nëpër secilën dallgë jete
Ajo është breg që i valët i qetëson
Ajo në zemër ka  bujarinë, trimërinë
Dashurinë,
Femra përherë ishte dhe mbeti
E zëshme – sypatrembur
Siq ishte Teuta, Shota e shumë të tjera
Ajo sot ec krah për krah  me Diellin,
ATO  përherë sjellin – Të gjelbruarat Pranvera


RIPËRTËRIHEN PLAGËT

(Në përvjetor të atyre që u masakruan,
dhe shtëpitë iu mbyllën me dry)

Vitet ecin
E dhëmbje është pllakosur me shpirtin
Festat   kanë humbur shkëlqimin
që kishin dikur.

Oborret nuk janë  më si përpara,
Bari është rritur,
E lulet janë  me gjemba
S`kanë aromë

Fotografitë në mur nuk flasin, dhembshëm shikojnë
O Zot, shpirti dhemb
Toka gjëmon për ata që ikën pa faj?!
Për filizat që sapo u takuan me Dritën e Diellin

Gjëmët e kësaj Toke s`kanë shërim
Shumë sofra u shuan
E dyert u mbyllën me dry
Larg do të ndihen gjëmët  e kësaj Toke.
O Zott !


HUMBJA JUAJ - MAL ME DHEMBJE

        (Poezi për të zhdukurit )

Në një mot  të  vruknuar
Kur  vendin e mbuloi brymë e trishtimit
Shumë të pabëme u bënë mbi këtë vend
Atëherë kur  trupat  notonin  nëpër  gjak
Bashkë me momentet fatkeqe e skena trishtuese
Kur na ra një hije e orëligës
Edhe  gurët  pëlcisnin nga dhembja

Ishte natë ogurzezë,
Kur gjarpërinjtë  kafshonin  për  vdekje
Ju  të pafajshëm u zhdukët dhe nuk jeni në mesin tonë,
Pesha e mallit të ndarjes me Ju
Është  bërë  mal  me  dhembje
Dhembja lëshon  valle  trishtimi
Duke na  bërë  krushkë  të vargut vajtues

Në  këtë  botë  të  q`mendur veq shpresa  na mbanë
Që  të gjallë apo të vdekur
Një ditë të keni një adresë në Tokën Tuaj
Ku mund të iu sjellim lule të ujitura me pika loti
Ajo ditë do të jetë diell hareje për familje
Këngët për Ju do të marrin hov
Dhe të rriten në djepin e vargut tim.


ME VARGJE E BRUSHË

Në mëngjes si rregull 
Bëjë gjimnastikë

Pasdite kap lapsin
N`letër shkarravis


Herë shkruaj vargje
Herë herë vizatoj

Poetët e mëdhenjë
Me mjeshtri i pikturoj


Pikturoj Naimin
Me Bukurinë e Fushës

Me Flakën e Qiririt
N`zërin e ëmbël t`Tufës


Shkëlqimin pikturës ia shton
Besë e Rozafasë

Kur e shoh të murosur
N`themele t`kalasë


Në vazhdim letrën
Mundohem t`a qëndis

Duke i shëruar plagët
Gjergj Elez Alisë


Me vargje e pikturë
Historia shkruhet drejt

Ç`më mbeti pos të lutem

                                              PËR NËNTORIN E TRETË

POET ME VARGJE MARGARITAR


(Kushtuar Shkrimtarit – Gani Xhavollit)

Poet  i  thinjur me flokët e gjata
Ishte i shenjtë me dashurinë e tij
Vargjet e tij ishin dhurata
Që i mirëpriste çdo fëmijë

Poet i shenjtë me mjekërr të bardhë
Nuk pushoi kurrë për t`dhuruar dashuri
I fali Kosovës dhe fëmijve mbarë
Vargjet e tija – Margaritar

Në vargjet e tij gjenim frymëzim
Diellin e sjell edhe në kohët me shi
Zemër nostalgjie me plotë zgjim
Dallgët e shpirtit gjenin qetësi

Gani Xhafolli – Piktor e Poet
Ti ike papritur në përjetësi
Me shpirtin prej artisti në histori ke mbet
Do jetosh në zemrat e secilit njeri

Gani Xhafolli – Emër plotë vlerë
Artistikisht  ishe plotë nostalgji
Sot  veprat Tuaja flasin vetë
Do të kujtohesh me nder e krenari.


 P A S Q Y R A


Ti  më don  mua
Unë  të  dua  Ty
Ne  kur  jem bashkë
Bëjmë njësoj  të  dy

Përse  më  emiton
Apo,  don  t`më  provokosh
Një  gjë  dua  ta kupton
Nuk  do  më  nervozosh

Unë  të  dua  Ty
Tek  Ti  e shoh vetëvehten
I  shoh  vijat  në  ball e sy
Ti  ma  tregon  të  vërtetën

Edhe kur  i shoh vijat e ballit
Unë  ndjehem e dashuruar
Dashurija u lind nga engjujt, e jo nga djalli
Pasqyrë  moj  e  uruar

Koha po ecën, nuk ndal
E  unë  kam  një  dëshirë
Mos  mi  shpeshto  vijat  në  ball
Të  më  dukesh  më  e  mirë !


FOTOGRAFIJA

A E SHIHNI  OJ  MIQËSI
I  NJIHNI  KËTA NË  FOTOGRAFI
JAM  UNË  EDHE  AI
DIKUR  E DESHTA  SHUMË
EDHE  SOT  ASHTU  E DU
POR  DIQKA  KA NDRYSHU
RRUDHAT  NË  BALL  NA  JANË  SHTU
BARRA  E  JETËS  ËSHTË  NGARKU
NGANJËHERË  PRISHEMI  E  PËRLAHEMI
POR  ASNJËHERË  NUK  NDAHEMI
AFËR QËNDROJMË, TË URTË E TË HESHTUR
NJERËZ  TË  QETË,  E  RRALLË  TË  QESHUR
NGA  HALLET  E  JETËS  SI  GJITHË  SHQIPTARIA
VITET  ECIN - OFROHET  PLEQËRIA

KATËR   STINËT

Në pranverë lulëzon çdo lulë
Poeti merr vrull,
Në verë gruri piqet 
Poeti digjet,
Në vjeshtë zbehet gjelbrimi 
Poetit shpirtin ia kaplon mjerimi,
Në dimër çarçafi çdo gjë mbulon
Vargu i poetit, nga gjumi më zgjon.














No comments:

Post a Comment