5.03.2017

The Independent: Mund të jemi shfarosur deri në 2050-ën


Sipas studimeve rreth të ardhmes së Inteligjencës Artificiale, raca njerëzore mund të zhduket brenda jetës sonë.

Jeff Nesbit, ish-drejtor i çështjeve legjislative dhe publike në Fondacionin Kombëtar të Shkencës dhe autor i më shumë se 24 librave, ka shqyrtuar mendimet më të fundit mbi aftësitë e Inteligjencës Artificiale.

Ai konkludon se raca njerëzore mund të pushojë së ekzistuari deri në vitin 2050 – ose që ne të bëhemi të pavdekshëm.

Nesbit shpjegon teorinë e njohur si SAI, ose ‘super-inteligjencë artificiale’, e cila tregon se IA do të zhvillohet në një super kompjuter, i cili mëson kaq shpejt, sa e tejkalon inteligjencën njerëzore dhe zgjidh të gjitha problemet.
The Independent: Mund të jemi shfarosur deri në 2050-ën
Teoritë kundërthënëse

Nga njëra anë, janë shpresëplotët si Ray Kurzveil që na luten të mos i frikësohemi inteligjencës artificiale, duke theksuar kërcënime më të vjetra dhe më të ngutshme, si bioterrorizmi apo lufta bërthamore. Në fakt, Kurzveil argumenton se aftësitë mendore janë rritur nga IA dhe ai thekson se normat globale të dhunës, luftës dhe vrasjeve, kanë rënë në mënyrë dramatike.

Ai gjithashtu argumenton se IA ka ndihmuar për të gjetur shërime për sëmundjet, për të zhvilluar burimet e ripërtëritshme të energjisë dhe për t’u kujdesur për të paaftët, por duke sjellë edhe dobi të tjera.

Kurzveil e vendos datën e ‘Inteligjencës artificiale në nivelin njerëzor’ në vitin 2029, gjë që na jep kohë të mjaftueshme për të “hartuar standarde etike”. Pastaj është Rollo Carpenter, krijues i softuerit Cleverbot, i cili ka fituar rezultate të larta në testin Turing – që do të thotë, shumë njerëz e kanë ngatërruar me një njeri, kur komunikojnë me të.

“Unë besoj se ne do të mbetemi në kontroll të teknologjisë për një kohë të gjatë, dhe do të çlirojmë potencialin e saj, dhe do të kuptojmë potencialin e saj për të zgjidhur shumë porbleme të botës.

Ai shpjegon se aftësia për të zhvilluar algoritmet e nevojshme për të arritur inteligjencën e plotë artificiale është ende disa dekada larg, dhe shpjegon: “Ne nuk mund ta dimë atë që do të ndodhë nëse një makinë e kalon inteligjencën tonë, kështu që nuk e dimë nëse në fund do të ndihmohemi prej saj, apo injorohemi, lihemi mënjanë. Ose edhe shkatërrohemi prej saj.

Sipërmarrësi miliarder Elon Musk, pionier i parave digjitale dhe makinave elektrike, u ka thënë studentëve në një intervistë, se ne po “thërrasim demonin” me IA.

Duke folur në Simpoziumin AeroAstro Centennial në Institutin e Teknologjisë në Masaçusets (MIT), Musk bëri këto komente:

“Nëse më duhej të gjeja se cili është kërcënimi ynë më i madh ekzistencial, do të thoja ndoshta inteligjenca artificiale. Pra, duhet të jemi shumë të kujdesshëm. Me inteligjencën artificiale ne po e thërrasim demonin”.

Në një letër të hapur të vitit 2015, Musk dhe Profesor Stephen Hauking shkruajtën mbi idenë se IA mund të lejonte zhvillimin e armëve autonome, të cilat do të revolucionarizonin luftën – dhe jo për më mirë.

Armët autonome janë ideale për detyra të tilla si vrasjet, destabilizimin e shteteve, nënshtrimin e popullatave dhe vrasjen në mënyrë selektive të një grupi etnik të caktuar.

Fillimi i një gare armatimi të IA është një ide e keqe dhe duhet të parandalohet.

Hauking, i cili është në gjendje të komunikojë nëpërmjet një teknologjie që përdor një formë bazë të inteligjencës artificiale, gjithashtu kishte këtë deklaratë për BBC:

“Zhvillimi i inteligjencës së plotë artificiale mund të sjellë fundin e racës njerëzore”.

Ai gjithashtu e konsideron mundësinë dhe rreziqet potenciale të ISA, duke shpjeguar se IA mund të shkëputet dhe të vetëprojektohet me një ritëm gjithnjë në rritje. Njerëzit, të cilët janë të kufizuar nga evolucioni i ngadalshëm biologjik, nuk mund të konkurrojnë dhe do të zëvendësohen. Por të gjithë ata bien dakord për një gjë – diku në 30 vitet e ardhshme apo më shumë, një super kompjuter do të replikojë trurin e njeriut dhe do të zhvillohet në super-inteligjencë, ose ASI.

Tim Urban, autor i blogut ‘Prit, por pse?’ e përshkruan kështu të ardhmen: “Ndërsa shumica e shkencëtarëve që unë kam takuar e pranojnë se ISA do të kishte aftësinë për të dërguar njerëzit drejt zhdukjes, shumë besojnë gjithashtu se aftësitë e ISA, nëse përdoren në mënyrë të dobishme, mund të shpien njerëzit dhe gjithë specien drejt… pavdekësisë.

No comments:

Post a Comment