2017-06-09

A do të ketë Liberalizim të vizave >

Albulenë Muji

NGA ALBULENË MUJI





Johannes Hahn

Johannes Hahn


Komisioneri për Negociata dhe Zgjerim, Johannes Hahn ka dhënë një mesazh të qartë për Kosovën, duke deklaruar se Bashkimi Evropian pret që Kosova të dalë nga zgjedhjet e 11 qershorit me një Qeveri pro-evropiane dhe që institucionet e reja t’i përmbushin sa më shpejt kriteret e mbetura për heqjen e vizave.

Mirëpo sa do të realizohen këto kërkesa të Bashkimit Evropianë nga Qeveria e re e Kosovës, pritet të shihet pas zgjedhjeve të 11 qershorit.

Ndërsa, partitë politike janë zotuar se do t`i përmbushin këto kërkesat e komsionerit Hahn dhe do të ketë Qeveri pro-evropiane më të cilën Kosova do të përmbushë gjitha detyrimet e saj, në mënyrë që ta marr liberalizmin e vizave.


Bajram Gecaj


Koalicioni djathë më të gjitha elementët pro-evropiane

Sipas kandidatit për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Bajram Gecaj, koalicioni i arritur mes LDK-AKR-së, Alternatives dhe Lëvizjes për Drejtësi, ka të gjitha elementet pro-evropiane.

“Elementet pro-evropiane qartazi janë të pozicionuar në koalicionin LDK-AKR-Alternativa”, ka thënë Gecaj për “Bota sot”.

Ndërsa sa i përket obligimeve dhe përmbushjes së kritereve për liberalizimin e vizave, Gecaj nuk ka thënë ndonjë përgjigje, por ka shtuar se Kosova do ta fitoj liberalizimin me udhëheqjen e Qeverisë nga Avdullah Hoti.


Muharrem Nitaj


PAN: Kosovës do t’i hiqen vizat shpejt

Ndërsa, kandidati për deputet i koalicionit PAN, Muharrem Nitaj ka thënë se Qeveria, që sipas tij e cila do të udhëhiqet nga kandidati për kryeministër i PAN-it Ramush Haradinaj, do të jetë Qeveria më pro-evropiane që nga paslufta.

“Qeveria Haradinaj do të jetë qeveria më pro-evropiane që është krijuar ndonjëherë në Kosovë”, ka thënë Nitaj për “Bota sot”.

Kurse, sa i përket liberalizimit të vizave, Nitaj ka thënë se do të përmbushen kriteret në një afat rekord.

“S`ka dyshim se do të përmbushen kriteret në afatin rekord. Kosovës duhet dhe do t`i hiqen vizat shpejt”, ka thënë Nitaj.

Faton Topalli


Funksionimi i shtetit ligjor kusht për heqjen e vizave

Ndërsa, kandidati për deputet nga Lëvizja Vetëvendosje, Faton Topalli ka thënë se sado që janë bërë shumë spekulime dhe interpretime të ndryshme kushti kryesor i Bashkimit Evropian për heqjen e vizave vazhdon të mbetet funksionimi i shtetit ligjor.

“Kjo nënkupton një shtet pa korrupsion, një shtet me qytetar që trajtohen në mënyrë të barabartë para ligjit, qytetar të regjistruar dhe administratë funksionale”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se heqja e vizave lidhet edhe me stabilitet ekonomik dhe social, pasi BE-ja nuk dëshiron bartë barrën e Kosovës.

“Edhe pse nuk është thënë, heqja e vizave lidhet në mënyrë edhe me një stabilitet ekonomik dhe social. Asnjë prej shteteve të Bashkimit Evropian nuk dëshiron që të bartë barrën ekonomike të Kosovës përmes strehimit të ikurve për arsye ekonomike”, ka thënë Topalli për “Bota sot”.

Sipas, Topallit, VV-ja ka për qëllim kryesor funksionalizimin e shtetit ligjor, zhvillimi ekonomik dhe në këtë mënyrë do të qoj në heqjes së vizave.

“Lëvizja Vetëvendosje duke pasur qëllim kryesor funksionalizimin e shtetit ligjor, zhvillimi ekonomik si bazë themelore për të siguruar mirëqenien qytetare dhe në këtë mënyrë edhe stabilitetin social, është në rrugën që qon drejt heqjes së vizave. Kur kësaj i shtohen programi konkret ekonomik, projektet për funksionalizimin e shtetit ligjor, lufta kundër korrupsionit, vënja e drejtësisë, atëherë heqja e vizave për qytetarët e Kosovës nuk do të jetë temë me të cilën do të preokupohemi për një dekadë siç bëri pushteti deri më tani, por një çështje që do të zgjidhet shpejt”, ka thënë Topalli.

Image
Selim Daku
Mesazhe të qarta

Ndërsa mesazhin e Komisionerit Hahn drejtuar Kosovës, Selim Daku, drejtor Ekzekutiv i Qendrës Kosovare për Diplomaci, thotë se nënkupton zgjidhjen e problemave kyçe në Kosovë, dhe përmbushjen e obligimeve që ka si shtet, pasi sipas tij në Kosovë nuk ka asnjë parti shqiptare që është anti-evropiane.

“Kërkesën e Komisionerit Hahn mundohem të e kuptoj në tre mënyra, e para në Kosovë nuk ka parti të shqiptare anti-evropiane, edhe pse janë shtuar deklaratat pesimiste karshi BE-së për shkak të vonesave në liberlaizimin e vizave, së dyti komisioneri Hahn mund të përçoj mesazhin e zgjedhjes së njerëzve të merituar, të papërfshirë në skandale korrupsioni dhe krimi nga qytetarët në Kuvendin e Kosovë, së treti ndoshta ka aluduar në qeveri që përqafon idenë e zgjidhjes së shpejtë të kontestit kufitar me Malin e Zi dhe konkretizimin praktik të asociacionit të komunave me shumicë serbe, shto këtu edhe vazhdimin e luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit si kriter për liberalizim të vizave”, ka thënë Daku për “Bota sot”.

Po ashtu, ai ka thënë se zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë për herë të parë varen nga politika e jashtme që partitë politike paraqesin për Kosovën.

“Nga ajo që kemi parë deri sot, qëndrimet e partive politike në raport me politikën e jashtme janë pak të artikuluara. Kjo ndoshta për shkak të humbjes eventuale të përkrahjes në zgjedhje, Qëndrimet e koalicioneve në raport me demarkacionin dhe asociacionin janë kundërthënëse dhe nuk janë popullore”, ka thënë ai.

Për më tepër, drejtori i KCD-së ka thënë se partitë nuk kanë paraqitur vizion të qartë për politikë të jashtme, edhe pse ajo është resor shumë i rëndësishëm dhe përcaktues për shumë zhvillime të brendshme.

No comments:

Post a Comment