2017-06-04

Diana Çuli : Dikur kisha frikë të bëja personazhe femra


Diana Çuli, ka lindur në Tiranë, më 13 prill 1951, Shqipëri. Ajo është një shkrimtare e njohur, gazetare dhe politikane. Është diplomuar për Filozofi, Universiteti i Tiranës, më 1973.

Pas diplomimit ajo ka punuar si redaktore në gazetën Drita, dhe ne gazetën franko-shqiptare Les letteres albanaises.

Në 1990 dhe ju bashkua partisë Social Demokrate të Shqipërisë.

Që më 2006, ajo është përfaqësuese e Shqipërisë në Asamblenë e Këshillit të Evropës.

Ajo është aktiviste e Shoqërisë Civile për të drejtat e grave, barazinë gjinore, dhe luftës kundër trafikimit të grave dhe vajzave.

Diana Çuli, u emërua presidente e Federatës Shqiptare të Grave.

Publikime

1980: Jehonat e jetës
1983: Zeri i larget
1986: Dreri i trotuareve
1992: Rekuiem
1993: ... dhe nata u nda në mes
2000: Diell në mesnatë
2006: Engjëj të armatosur
2009: Gruaja na kafe

Floripress






Shkruan : Alda BARDHYLI




Një guan nuk është asnjëherë vetëm natën. Jean-Paul Sartre filozofi dhe shkrimtar i njohur francez e shprehte shpesh këtë, teksa përpiqej të gjente lidhjet e padukshme mes femrës dhe natës. Por një grua që shkruan është diccka tjetër. Ajo di ti marrë natës dhe atëherë kur jo i ngjason një boshllëku pafund diccka të bukur. Diana Çuli e njeh mirë Sartrin jo vetëm përmes librave që ai shkroi, një pjesë të së cilave i ka sjellë në gjuhën shqipe, por dhe përmes mëndjes të bashkëjetueses së tij Simone De Bovuar, të cilën e ka sjellë me disa libra në shqip. Filozofia dhe nata janë shpesh e njëjta gjë, pasi të dyja na bëjnë të ngrejmë pyetje. Më poshtë, shkrimtarja vjen në një rrëfim të bërë kur dritat ishin fikur në Tiranë.

Ç’ndjesi sjell nata tek ty? Do doje të ecje vetëm nëpër natë?

Margarite Durasit i pëlqente të pinte verë natën, e më pas të shkruante…Tek ty si ndodh?

Nata…Përmban misterin, vetminë, meditimin…ndoshta hënën…apo dhe shiun dhe gjëmimet e stuhisë…Më kujtohet kur isha gazetare e re në gazetën Drita dhe kthehesha natën vonë në shtëpi nga shtypshkronja. Asokohe gazetat shtypeshin në “plumb” tek një shtypshkronjë në katin e parë të godinës ku ishte Zëri i Popullit. Ishte një proces shumë i lodhshëm, i zgjatur deri në 12-14 orë. Por, megjithatë, më pëlqente kur mbaronte puna, përshembull në dy të natës, dhe unë ecja vetëm, mespërmes Bulevardit që sot quhet Zogu I, mespërmes Sheshit Skenderbej, deri te Shallvaret….Më pëlqente jehona e hapave të mija nëpër asfalt, truri më zbrazej nga gërmat, nga koregjimet dhe shijonte ajrin e pastër , yjet, minaren që hepohej, Kullën e Sahatit…Isha vetëm unë nëpër Tiranën në gjumë dhe ndonjë polic që më përshëndeste, ngulur në mes të Sheshit. E mbaj mend kështu atë periudhë, sepse e shijoja. Por, kjo është pjesa artistike. Nuk shkruaj natën, e shumta rilexoj atë që kam shkruar në mëngjes, ose lexoj gjëra të tjera. Po të pi verë – që më pëlqen pa masë – nuk jam e kthjellët të shkruaj mirë, ose ndihem pak e lodhur, pra i ruhem asaj dhe e lë për në fund javë. Ose, po pata ndonjë rast dhe pi në mbrëmje, me shoqëri ose në familje, atë natë nuk merrem me gjëra që kërkojnë përqëndrim.

Le ta nisim bisedën nga lidhja jote me shkrimin. I kujton shkrimet e para, si ndodhi?

Unë shkoja në rrethet artistike në Pallatin e Pionierit, kur isha e vogël – piano, balet, vizatim…aty ku na çonin prindërit, që vinin re ndonjë prirje ose që donin me mendjen e tyre të mësonim të tilla gjëra. Një ditë të bukur, unë i lashë të gjitha këto, pa lejen e tyre dhe u regjistrova në rrethin letrar. Më kujtohet se profesori ynë i atëhershëm ishte Javer Karalliu. Ai vërejti shkrimet e mia të para dhe më botoi një skicë që quhej Ndërgjegja dhe një poezi që titullohej Atdheu tek gazeta Pionieri. Isha 12 vjeç. E kujtoj gjithnjë profesorin tim të parë të letërsisë, se më duket se ai shënoi këtë rrugë timen. Më vonë, shumë më vonë, në vitet e para të gazetarisë botova dhe librin tim të parë me tregime Jehonat e jetës.

Si ishte ndjesia e librit të parë “Jehonat e jetës”?

Nuk më kujtohet më. Padyshim prekja me dorë librin tim të parë. Por, askush nuk e pa, askush nuk shkroi, vetëm unë isha e bindur se të dytin duhet ta bëja më mirë, që dikush ta vinte re. Dhe shkrova romanin Zëri i largët, që nuk është ndonjë gjë, por prej tij u ndërtua skenari i filmit Hije që mbeten pas dhe kështu ai pati një jetë tjetër, përmes filmit. Që e ka dhe sot. Të njëjtin fat pati dhe romani Rrethi i kujtesës – që u ekranizua në një film me të njëjtin titull. Këta dy libra ma dhanë kënaqësinë përmes filmave, ku punova me regjisorin Esat Mysliu.

Përpara se të pyes për “Drerin e trotuareve” dua të flasim për një libër të rëndësishëm për mua. E kam fjalën për romanin “Rekuiem”, i cili në një farë mënyre duket sikur bëhet promotor i romanit të parë psikologjik shqiptar…e mendon dhe vetë kështu? Aty janë dy femra, dy shoqe për të hyrë brënda labirintheve të mëndjes njerëzore…

Ndoshta. Shpesh e mendoj se ai është sprova ime më e dukshme e romanit psikologjik. Shpesh më kanë pyetur: për kë e ke fjalën? E njihni dhe ju këtë pyetje të bezdisur dhe pa lidhje me letërsinë, që e bëjnë shpesh lexuesit. Unë mendoj se, tek Rekuiem kapërceva fazën e parë të letërsisë, rrezikun për të shkruar për ato që mendoja vetë, që përjetoja vetë dhe dola në një temë që nuk kishte lidhje me mua apo me shoqet e mija. E kisha nisur këtë gjë dhe me romanet e mëparshëm, por ata nuk ishin të shkruar mirë si Dreri…apo si Rekuiem. Ata ishin sprova.

Si e shkruat Drerin e trotuareve…Sa e ndryshoi ky libër jetën tuaj?

E nisim nga fundi: nuk më ndryshoi asgjë në jetë, sepse unë nuk e kuptova që libri, i cili u botua në vitin 1988-89 do të kishte jetën e gjatë që pati më pas. Erdhën ndryshimet në Shqipëri dhe unë e harrova Drerin, për të cilin, kur u botua nuk u shkrua as edhe një rjesht. E kisha dorëzuar për botim në vitin 1984, por mbeti redaksive, sepse redaktorët, edhe pse e pëlqenin, nuk e botonin. Druheshin, ndoshta nga tema, ku nuk kishte heronj. Madje, dikush përmendi dikur termin anti-hero. Por, në fund të viteve ’80 kishte më tepër frymë të lirë dhe libri u botua. Në atë libër, përveç subjektit, që tërheq lexuesin, ideja ime ishte mos-deformimi i thelbit të njeriut, në çfarëdo kushti (Fredi dhe dy tre personazhe të tjerë). Ishte brezi im i rinisë së viteve ’70 në Tiranë, ëndërrat, mënyra si thithnim kulturën e botës në fshehtësi, si mësonim gjuhët, si jetonim dhe si na përplaste realiteti. Tani i them më mirë këto ide, atëhere duhet t’i kem menduar më tepër me instinkt. Sot, kur shoh jetën e tij të gjatë, gati tridhjetëvjeçare, habitem që nuk “ia kisha varur” , që e kisha harruar dhe ishit ju, brezat e tjerë që e risollët në vëmendje.

Si kanë ndikuar librat në jetën tënde, a e kanë ngatërruar pak jetën përreth?

Librat janë jeta ime e vërtetë, ndërkohë që bëj këtë jetën paralele, ku duhet të punoj dhe të jetoj si gjithë të tjerët. Pastaj, meqë tema e bisedës sonë është nata, më mbulon nata e dëshpërimit që nuk e jetoj dot jetën e librave të mi. Ose që nuk e krijoj dot si dua jetën e librave. Megjithatë, kjo është metaforë, sepse jeta reale, ajo që jetojmë çdo ditë, është shumë më tërheqëse, shumë herë. Ky është një truk dinak, që të shtyn të shijosh jetën e vërtetë, kur, e vërteta tjetër, ajo paralelja të pret ta krijosh.

Ndikon në shkrimin e librave të jesh grua dhe shkrimtare dhe në ç’përmasë?

Është një kontraditë konkrete. Nuk më kujtohet të kem shkruar libra ndonjëherë në një kohë të qetë. Gjithnjë më është dashur “të vjedh kohë” për të shkruar. Por, ama, mendimi fiks të rri si peshë gjithë kohën – kaloi java dhe nuk shkrova. Pastaj del libri, fillon komunikimi me lexuesin, ti e kupton që nuk ka shkuar mirë nga vetë fjalët që të thonë, nga heshtjet, e kjo të trishton, të çon në fund të greminës, por edhe të ndihmon që të punosh më mirë për librin tjetër.

Fakti që jam grua? Sigurisht, ndikon negativisht në kritikën e dominuar nga burrat që nuk të përmendin, në “pushtetin” shoqëror që e kanë ata, por, nuk do të thotë nga ana tjetër që të jetë një faktor tërheqjeje. Aq më tepër tani, që bota e letërsisë është fortësisht dhe me sukses të madh edhe e grave,

Ke marrë letra për librat?

Në atë kohë kur shkruheshin letra po, tani ndonjë e mail, mesazh…Më pëlqen më shumë kur eci në rrugë dhe dikush e/i panjohur më uron për një libër që kam shkruar. Atë ditë jam shumë mendjelehtë dhe më duket sikur kushedi ç’kam shkruar.

Nëse unë do veçoja personazhe femra të librave që ke shkruar, cila të afrohet më tepër…?

Unë nuk krijoj personazhe me tipare autobiografike, jam shumë kundër kësaj. Le të themi se i shpërndaj mendimet e mija, apo credo-n time në personazhe apo ngjarje që ndërtoj. Por, ata janë të tjerë, krejtësisht, nuk janë unë. Besoj se te tek romani “ Dhe nata u nda në mes” dy personazhe, që janë dy gra të cilat vijnë vërdallë në Tiranën e viteve ’90-’91, plot mitingje e antimitingje, me zhurma, që kërkojnë të marrin pjesë në këtë proces ndryshues që po ndodh, që duan edhe të mbijetojnë në këtë situatë me fëmijët e familjet e tyre, besoj se brënda jetës së tyre është pak dhe jeta ime në kuptim të përgjithshëm, pasi janë gjëra që më kanë ndodhur edhe mua dhe gjithë brezit tim në atë kohë… Por, nuk e gjej dot veten tek personazhet që shkruaj, është një nga parimet e mia estetike në letërsi.

Po një grua në librat që ke lexuar, cilën jetë të sajën do të doje?

Nuk e kam menduar këtë asnjëherë.

Ka pasur personazhe që të kanë tronditur?

Patjetër që ka personazhe që më kanë tronditur. Kam qënë dikur tepër e pasionuar pas letërsisë angleze dhe personazhe të motrave Brontë, që më kanë tronditur. Por, më shumë se personazhet, mua më trondisin autoret dhe autorët që i krijojnë ato personazhe, si Simonë De Bovuar – që më pëlqen shumë, pasi unë dhe e kam përkthyer ; më pëlqen shumë për forcën e saj të mendimit, ashtu siç më pëlqen dhe Virginia Woolf.

Në fakt është e trishtë të shohësh që këto femra të forta në letërsi, kanë qënë aq të dobëta në jetët e tyre private…?

Virginia Woolf po. Ajo ka pasur një kontraditë shumë të fortë përbrenda përderisa dhe vrau veten. Por, gjithsesi ishte një grua e fortë brenda krijimtarisë së saj. Ndërsa Simonë De Bovuar ka një jetë shumë të pavarur. Me gjithë bashkëjetesën me Sartrin, që ishte një bashkëjetesë e ndërlikuar dhe e vështirë e që e ka përshkruar dhe në libra si “Mikesha”, ajo e kapërceu atë. Ajo ishte një grua interesante që pati jetën e saj.

Një nga librat e bukur të Virginia Woolf është “Zonja Dalloway. A nuk të duket sikur librat kanë rrugën e tyre kur vijnë tek ne? E beson atë gjuhën e fshehtë të energjisë, të tërheqjes, siç ndodh me këtë libër?

Po, e besoj. Ne e kërkojmë atë, nuk vjen rastësisht. Mua më ka ndodhur dhe me autorë të tjerë. Rastësisht për shkak të një kërkese të shtëpisë botuese PEGI përktheva John Irvingun, romanin e tij Bota sipas Garpit. Papritur unë kuptova që ky libër kishte ardhur tek unë, që unë të kuptoja, në këtë moshë, si mund të bëja letërsi më të mirë. Ndryshoi tek unë dhe disa koncepte letrare.

Si është raporti yt me të shkuarën?

Patjetër që ka peshën e saj, por përpiqem të mos më mbajë peng. Unë mendoj gjithnjë se ka shumë gjëra për të bërë për të ardhmen, i shoh me perspektivë gjërat që bëj jo vetëm librat, por gjithçka në jetë.

Më duket si kurth të kapem vetëm tek e shkuara, më duket gabim. Ndonjëherë gjërat në Shqipëri janë të përkohshme dhe kjo nuk të krijon qëndrueshmëri, megjithatë të gjithë ne kemi caste kur kthehemi tek e shkuara. Dhe duhet. Përpiqem të kthehem tek e shkuara e bukur, por edhe tek të shkuara të hidhura. E këtë e bëj si një katarsis, me veten time, në një shkrim, në ndonjë libër.

Çfarë të trondit sot?

Pak gjëra. Padrejtësitë të trondisin dhe kur je buzë varrit. Por, ka diçka të mirë që e ndihmon njeriun të përballojë edhe pjesë jete të vështirë : jeta është e mbushur me gjëra të vogla. Një miqësi e bukur të bën të lumtur. Ka gjithmonë kohë, në çfarëdolloj kohe e në çfarëdolloj sistemi që të jetosh, në çfarëdo kafazi të të futin, ti ke gjithnjë mundësi të krijosh një miqësi të bukur. Një muzikë e bukur të bën të lumtur.

Të pëlqen xhazi?

Më pëlqen shumë xhazi. Kur punoj vë xhaz në kompjuter. Nuk punoj dot pa një sfond muzikor, por të mirë.

A mund të flasim sot për art të madh. Me art të madh e kam fjalën për një trashëgimi të tërë letrare të shkruar gjatë komunizmit. Ka shumë debate mbi fatin që duhet të ketë kjo letërsi. Si mendoni?

Po parafrazoj një nga kolegët e mi shkrimtarë, Bashkim Shehun, që përgjigjej për këtë pyetje, se është tjetër dogma e metodës së realizmit socialist dhe tjetër vepra të asaj kohe. Ka vepra që koha do t’i nxjerrë jashtë – ose i ka nxjerrë tashmë dhe janë harruar – ka vepra që do të mbeten përgjithmonë, si vepra të shumë shkrimtarëve si Kadare, Agolli e të tjerë. Edhe kombe të tjerë në Europë kanë kaluar periudha diktatoriale, por ata nuk i mohojnë veprat e mira. Vepra e mirë është e tillë, se i reziston kohës, se njerëzit e pëlqejnë, se është shkruar mirë. Një vepër e mirë si përshembull Prilli i thyer, do të lexohet e do të pëlqehet gjithmonë.

Ke nisur të shkruash në kohën e censurës..Si ke arritur ta shmangësh censurën, sa ka ndryshuar shkrimi yt pas rënies së saj?

Në vitet 80-të, kur unë kam shkruar dy libra të mi të rëndësishëm apo skenarin e filmit “Hije që mbeten pas” që është një film që e kapi censura dhe prenë copa filmi, pasi tregonte korrupsionin e administratës së asaj kohe, kishte një lloj fryme relativisht më të lehtë se vitet 70-të. Kishte vdekur Enver Hoxha dhe kishte rënë vigjilenca dhe bota po ndryshonte. Unë bëja pjesë tek ai grup shkrimtarësh që nuk na përmëndte njeri, pasi ne “nuk shkruanim tema të mëdha”, por jetën e përditshme e cila dukej jo e rëndësishme për kritikën e asaj kohe, por që lexuesi e donte. Nuk na lavdëronin nëpër presidiume, por librat lexoheshin. Mendoj se pas Rekuiemit dhe Drerit, që u botuan në kapërcyell të ndryshimeve, numri më i madh i librave të mi është pas viteve ’90: kur u botuan romanet Dhe nata u nda në mes, Diell në mesnatë, Engjëj të armatosur, Gruaja në kafe, Hoteli i drunjtë, (disa prej tyre janë botuar dhe në gjuhë të tjera) drama Nemesis, që u vu në skenë në teatrin e Durrësit dhe në Teatrin Kombëtar, vëllimi me tregime Sheshi i Spanjës, shumë studime për feminizmin dhe letërsinë e kulturën…Pra, karriera ime letrare është ndërtuar ngadalë, me këmbëngulje, pak fare nën censurë dhe shumë në periudhën e lirisë. Por, mund të them se liria është një përgjegjësi shumë e madhe për autorin. Censura nganjëherë është si një strehë justifikuese. Liria të vë në bankën e vërtetë të provës.

Si ishte një ditë jotja në Lidhje. Pinit kafe?

Patjetër pihej kafe, kishte dhe një kafene. Në atë kohë shqiptarët e kalonin shumë kohën nëpër kafenera, sidomos administrata.

Por, po të punoje në media kishte afate, e ne nuk rrinim shumë në kafe. Unë kam punuar shumë kohë në Lidhje në revistën Les Lettres Albanaises, e cila ka qënë një revistë e bukur, me kryeredaktor Ismail Kadarenë. Ne botonim pjesë të zgjedhura të letërsisë shqipe në frëngjisht dhe ajo ishte e vetmja dritare që kishte Europa për letërsinë shqipe. Unë isha redaktorja përgjegjëse, edhe pse nuk e kam emrin në revistë, për 12 vjet. Atë revistë e përkthenin emra si Jusuf Vrioni, Vedat Kokona, Aziz Vrioni, që nuk i vihej emri nga regjimi, Edmond Tupja, Arben Leskaj. Po edhe Aleksandër Zoto nga Franca. Aty kishim kapituj për poezi, pikturë dhe kronikë. Ishte një kontribut shumë i madh, një pasuri e çmuar. Duke qënë se ishte Ismaili kryeredaktor ai kishte autoritetin të përkthente e botonte dhe autorë që nuk i donte shumë regjimi, siç është rasti i Mitrush Kutelit, Anton Pashkut, etj.

Po gazeta Drita?

Në Drita kam punua më pak, vetëm vitet e para të punës sime. Kryeredaktor i Dritës pak kohë ishte Xhevat Lloshi, pastaj ishte Duro Mustafaj. Abdurrahim Myftiu ishte zv/kryeredaktor. Prej tij kam mësuar shumë për gjuhën, si ta bëj shkrimin sintetik. Më kujtohet që thoshin gazetarët e vjetër që duhet të bësh disa vite gazetari, pasi më vonë, çdo punë tjetër do të të duket e lehtë.

Një shkrimtar i mirë është një përkthyes i mirë?

Ne sot jemi një grup i madh shkrimtarësh që përkthejmë, që do të thotë se lexuesi shqiptar ka fat të madh që shkrimtarët përkthejnë, sepse, nuk ka asnjë dyshim se e bëjnë shumë mirë

E pengon përkthimi letërsinë?

Përkundrazi, është një ushtrim gramatikor, mendor. Kur përkthen një autor të mirë, mëson prej tij..

Ke përkthyer shumë vepra të Sartrit. Çfarë ka sjellë Sartri në jetën tënde?

Kam përkthyer trilogjinë e Sartrit Rrugët e lirisë dhe Neverinë, që për mua ishte një sfidë. Ishte një sfidë mendore nga më të vështirat. Sartri më ka ndikuar shumë. Eshtë ashtu sië ka thënë komisioni kur i dha Nobelin që “Sartri me veprën e tij ndikoi në brezat tanë, me konceptin e lirisë brënda njeriut”.

Sartri u besonte grave të mënçura e nuk kishte frikë prej tyre. Sa ke qënë në anën e femrave në atë që ke shkruar?

Deri tek “Dreri i trotuareve” kam pasur një koncept të kundërt, kisha shumë frikë se diskriminoja letërsinë e shkruar nga gratë nëse unë bëja personazhe femra. Mendoja se do thonin se kjo, meqë është grua, do të shkruajë për gratë. E kjo ka qënë arsyeja pse personazhin kryesor e kam një djalë në këtë libër, nga frika se mos diskriminohesha. Tani nuk e kam më këtë drojë. Mendoj se letërsia e mirë nuk ka rëndësi se në çfarë gjinie është personazhi.

Si ka qenë jeta jote në vitet e tranzicionit

Alda, jeta ime e lidhur fort me realitetin është ajo pas ’90-ës. Kam punuar 25 vjet me lëvizjen e gruas ( gati dyfishin e kohës së regjimit) në Shqipërinë që po rindërtohej, në rrethe, në fshatra, kam ngritur rjete në të gjithë Shqipërinë dhe qendra sociale e kundër dhunës, kam njohur shoqërinë shqiptare në ndryshim, kam përjetuar në vetë të parë këto ndryshime, kam prekur çdo gjë që po lëvizte në jetën tonë, edhe në situatat më të vështira, me ngjarje dhe lodhje nga më të shumtat. Kam propozuar ligje në favor të gruas bashkë me koleget e mija, kur isha në parlament, kam kontribuar sapdopak në atë që po rindërtohej këtu tek ne, sidomos në fushën sociale dhe të të drejtave të gruas. Këtë e quaj një pasuri të madhe jetësore, që ndoshta do ta hedh në një libër – jo letrar – së shpejti. Por, kjo pasuri jetësore ishte dhe është burimi i shumë librave të mi të këtyre 25 vjetëve

No comments:

Post a Comment