2017-06-02

IFIMES: Shkon Hashim Thaçi, vjen Albin Kurti?


Instituti ndërkombëtar për studime ballkanike e të Lindjes së Afërt (IFIMES) nga Lubjana lidhur me zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë më 11 qershor, vlerëson se "plani i shteteve udhëheqëse të botës është që nga skena politike e Kosovës të eliminohet shumica e liderëve aktualë, ndër të cilët edhe Hashim Thaçi, kryetari aktual kosovar”.

Në analizën me titull "Kosova: Paralajmërimi i ndryshimeve tektonike në skenën politike", IFIMES, siç përcjell novosti i Beogradit, përkujton se nuk është vënë në funksion Gjykata Speciale dhe Prokuroria për krime lufte me të cilat do të procedoheshin edhe supozimet nga hetimet nga Këshilli i Europës për trafikimin e organeve edhe pse Kuvendi që në prillin e vitit 2014, ka miratuar projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Kosovës e BE-së për sundimin e ligjit me të cilën parashihet formimi i asaj Gjykate e Prokurorie.



"Pa përcaktimin e të vërtetës, nuk ka realizim të së drejtës dhe arritje të pajtimit në Kosovë. Pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Brukselit, plani i vendeve udhëheqëse të botë është që nga skena politike e Kosovës të eliminohet shumica e liderëve aktualë, ndër të cilët edhe Hashim Thaçi, kryetari aktual kosovar”, konsiderohet në Institutin e Lubjanës.

Në analizë theksohet se “për shkak të gjendjes katastrofike në drejtësinë kosovare, nuk është e mundur të procedohen bërësit e krimeve të luftës, bartësit e krimit të organizuar e të korrupsionit".

"Çerdhja e kriminalitetit në Kosovë gjendet në Agjencinë për privatizim, në sferën e tenderëve publikë, në kompanitë publike, kontrollimin e doganave … Kriminaliteti në Kosovë i ka rrënjët që nga Qeveria në mërgim", përcjell Koha.net vlerësimin e IFIMES.



Përkujtohet se në zgjedhjet e shkuara parlamentare të vitit 2014, Thaçi kishte premtuar 200 mijë e Isa Mustafa 120 mijë vende të reja pune, ndërsa në “vend të kësaj ndodhi vala e re e shpërnguljes masive nga Kosova në vendet perëndimore të Europës".

"Qeveria aktuale nuk ia ka dalë të zgjidhë asnjë çështje kyçe të Kosovës e i ka hapur tri tema kryesore për përparimin e Kosovës: Zgjidhjen e Marrëveshjes për demarkacion për kufirin ndërmjet Kosovës e Malit të Zi, formimin e Asociacionit të Komunave serbe (AKS) dhe formimin e Ushtrisë së Kosovë”, thuhet në analizë.



IFIMES vlerëson se “pushteti kosovar ka pasur sukses të padukshëm në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar".


"Sipas vlerësimeve të analistëve, Kosova është parajsë e veçantë për kriminelët për shkak të veprimit të dobët të institucioneve dhe lidhjeve të fuqishme të strukturave politike e kriminale. Ilustrues është rasti i Naser Kelmendit, kundër të cilit po zhvillohet procesi gjyqësor në Prishtinë me akuzën për vrasje. E Kelmendi është njëri nga narko- dilerët udhëheqës në Europë, për ç’shkak ai gjendet në “listën e zezë” amerikane, thotë Instituti i Lubjanës.

Lidhur me formimin e koalicioneve parazgjedhore në Kosovë, IFIMES thekson se hulumtimet e opinionit publik thonë se beteja në zgjedhjet paraprake do të zhvillohet ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe koalicioneve të tubuara rreth LDK-së e PDK-së.


"Votuesit e papërcaktuar janë të mendimit se duhet dënuar qeverinë aktuale (LDK - PDK) gjë që mund të sjellë çrregullime tektonike në skenën politike dhe ardhjen në pushte të Vetëvendosjes dhe të udhëheqësit të saj joformal Albin Kurti ... Kjo situatë mund të sjellë eliminimin e plotë të kryetarit të Kosovës Hashim Thaçi, i cili për këtë arsye ka hyrë në koalicion me Ramush Haradinajn (AAK) dhe Fatmir Limaj (Nisma), kundërshtarët e tij më idhnakë, që të mund të shpëtojë atë që mund të shpëtohet dhe kështu ka dëshmuar se qëllimin e vetëm e ka mbetjen në pushtet”, vlerëson instituti.

IFIMES shton se "pritet që votuesit të dënojnë koalicionin e tillë joparimor të ngarkuar me përplot hipoteka dhe i cili edhe deri më tash ka pasur rastin të tregojë çfarë mund të bëjë për Kosovën".

"Për këtë arsye nuk duhet habitur në suksesin e ardhshëm të Lëvizjes Vetëvendosjes ”, thekson IFIMES dhe shton se nuk duhet befasuar që një ditë dialogun ndërmjet Beogradit zyrtar e Prishtinës ta përfundojnë Aleksandar Vuçiq dhe Albin Kurti (Vetëvendosje)", thotë analiza.

Kështu, theksohet në analizë, “çështja e formimit të Asociacionit të Komunave serbe (AKS), demarkacioni i kufirit ndërmjet Kosovës e Malit të Zi si dhe themelimi i Ushtrisë së Kosovës, sipas të gjitha gjasave do të zgjidhet në pako”, me ç’rast “përfaqësuesit zyrtarë të bashkësive minoritare do të kenë rol të rëndësishëm“.

No comments:

Post a Comment