6.04.2017

Kur dashuronte Eqrem Çabej:Kur do të shihemi, lus të bjerë shi…


Kur do të shihemi, lus të bjerë shi / Pikë pas pike gjithë kësaj nate / Që kur të dalim bashkë un’ e ti / Mbi pllaja kodra dielli ka ratë …” Eqrem Çabej do t’i shkruante këto vargje në vitin 1951, nën padurimin e bukur që i sillte takimi me vajzën 28-vjeçare Shyhret. Mënyra sesi ajo fliste, dashuria e përbashkët për librat dhe gjithçka tjetër në ato biseda të shkurtra, ia shtonin padurimin për ta parë sërish. Në mbrëmjet që i kalonte i vetëm, ai hidhte në fletore vargje për të, vargje që një ditë do t’i radhiste në një fletore për t’ia dhuruar.

Ishte 1 janari i vitit 1951, kur Eqremi 42-vjeçar i dhuron Shyhretit një fletore me tetëmbëdhjetë sonete shkruar për të. Ishin njohur rreth dy vjet më parë, në pranverë 1949, kur ajo sapo ishte liruar nga burgu politik dhe punonte në Bibliotekë Kombëtare. Kjo fletore do të ruhej me kujdes për vite me radhë nga gruaja, si shenjë e artë e kohëve të dashurisë. Do të ishte e bija e çiftit, Brikena, e cila do t’i zbulonte këto sonete aty nga mesi i viteve ‘70, në fund të dollapit të tyre, duke rrëmuar me kureshti, si bëjnë shumë bij tek rreken të zbulojnë fshehtësira nga e shkuara prindërore, të kohëve kur vetë ende nuk qenë.

“Nga skaji më i errët i dollapit dora më nxjerr një fletore të kaltër, me shkrimin e pangatërrueshëm të Eqremit! Fletorja e vjetër, e kaltër, përmbante vjersha dashurie! E pabesueshme! Natyrisht kisha zbuluar shumë më tepër sesa shpresoja të gjeja! E nxjerr në dritë, e shfletoj dhe me paturpësinë e bijve ndaj prindit, me t’u kthyer Shyhreti nga biblioteka ku kishte rifilluar punë pas vitit të gjëmshëm 1970, ia tund përpara: ‘Po kjo, ç’është?’ E alarmuar dhe e çuditur që e kisha gjetur, sepse ishte e bindur që e kishte fshehur fort mirë, Shyhreti më kërkoi prerë ta ktheja sërish fletoren në vend të vet e kurrsesi mos ta merrte vesh Eqremi që e kisha parë.

Pikërisht për këtë arsye, që ‘mos ta shihte fëmija’, për vite me radhë Eqremi e kishte hequr nga shtëpia atë fletore: Ia kishte dhënë ta ruante mikut të tij, Odhise Paskali, i cili e kishte mbajtur nja njëzet vjet dhe ia kishte kthyer vetëm pak kohë më parë. Pa mundur as ta lexoja mirë, fletorja e ndaluar hyri sërish në skutat e errëta nga kish dalë.

Kurrë nuk e zura ngoje ekzistencën e saj me Eqremin”, rrëfen Brikena. Kur Çabej do të ndahej përgjithmonë nga kjo jetë, me trishtimin e një ikjeje që dhemb, ajo do të ndalej gjatë në bibliotekë për të lexuar gjithçka të mbetur prej tij. Ndalesa në gjërat që i kujtonin atë, ishte një ngushëllim i lehtë, si një takim përmes rreshtash. “Me ikjen e tij nga kjo botë, më 13 gusht 1980, nevoja jetike për të forcuar lidhjen e këputur aq herët me të, më shtyu t’i lexoj e rilexoj pa fund këto sonete. Shyhreti nuk më ndaloi më, por më tha, veç, se qysh në krye të herës kishin vendosur të dy që ato sonete të mos dilnin në gjallje të tyre. “Një ditë kur të mos jemi ne mundet edhe botohen”, i pat thënë Eqremi”, kujton Brikena. Duket që këto sonete ishin të shenjta për Shyhretin, e cila gjithnjë kujdesej për t’i ruajtur fort. Ajo do t’i merrte me vete dhe në Paris tek e bija, e cila nga frika e bjerrjes do t’i hidhte në kompjuter.

“Shyhreti i kishte sjellë me vete në Paris, bashkë me dorëshkrimin e dy soneteve aq të rralla e të shtrenjta që Eqremi kishte shkruar për Artanin pas vitit 1970, kur Artani vendosi të ikte prej nesh e të nisej drejt qiejsh të tjerë, shpresoj më të kthjellët. I kisha bërë madje dhe gati për shtyp sonetet, e me kalimin e kohës, sidomos këto vjetët e fundit të ‘pleqërisë së thellë’, si thoshte ajo vetë, kisha edhe lejen e Shyhretit për t’i botuar. Mirëpo një frikë besëtyte më ndalonte ta bëja këtë: kisha një si bindje se po t’i botoja, do të më ikte dhe ajo …”, shkruan Brikena.

Poezia ka qenë gjuha e dashurisë mes Eqrem Çabejit dhe të shoqes. Ato vargje që ai i shkroi me pasionin e një të dashuruari, ishin orët më të bukura ku Shyhreti ndalonte shpesh. “Shyhreti qysh shumë e re e kishte lexuar me pasion poezinë, sidomos poezinë frënge dhe dinte përmendësh perla të saj. Them se dashuria e përbashkët për poezinë ka qenë nxitja që Eqremi t’i shkruante e t’i blatonte Shyhretit këto sonete. Shpesh në bisedat e tyre në shtëpi citoheshin vargje poetike, krejt natyrshëm, sidomos të poezisë frënge, si referenca të sublimes në jetë, të fjalës së naltë, fisnike, që e ngre shpirtin njerëzor në maja që s’kapen dot pa magjinë e saj. Poezia besoj u fali atyre atë lidhje të rrallë, unike, atë dashuri e respekt të pashoq e të pabesueshëm që kishin për njëri-tjetrin.

“30 vjet me Eqremin si 30 ditë”, përsëriste Shyhreti thuajse përditë pas ikjes së tij”, shkruan Brikena. Poezia do të ishte me ta deri në vdekje. “Fjalët e mbrame të Eqremit në këtë jetë, drejtuar Shyhretit në spitalin e Romës – vetëm të dy, ai dergjur në shtrat të vdekjes, pak minuta para se të jepte shpirt, ajo te kryet e tij, krejt vetëm, e paepur: Si ka thënë ai poeti, Shyhret: ‘Tout lasse, tout casse, tout passe’. Mundet vërtet gjithçka ikën e shkon kësaj bote, poezia nuk tretet kurrë”, kujton Brikena. Sonetet e prindërve ajo do t’i sillte në një libër, në përvjetorin e parë të ikjes nga jeta të nënës.

A.Bardhyli


*******



Eqrem Çabej leu  më 6 gusht 1908 në Eskishehir, i biri i Hysenit dhe Lisheshit. Vdiq në Romë më 13 gusht 1980.

I ati ishte gjykatës i diplomuar në "Dar-ul-Hukuk" të Stambollit. Shkollimin fillor e kreu në shkollën qytetëse të vitin 1921 në Gjirokastër, nga ishte edhe prejardhja e familjes. Për të vazhduar studimet u dërgua në Austri.

Para se të hynte në ndonjë shkollë, iu desh të qëndronte një vit pranë familjes Reinmyler, në St. Pölten afër Vjenës, për të mësuar gjermanishten.

Kreu gjimnazin në Klagenfurt (1923-1926), për shkollimin e lartë pati një fërkim me synimin që i ati i kishte vënë që të bëhej mjek.

Por pas këmbënguljes për gjuhësinë, regjistrohet në Grac për vitin akademik 1927-1928 dhe mbasandej kaloi në Vjenë (1930-1933), ku ndoqi mësimet e Paul Kretschmer, Karl Patsch, Nikolai Trubetzkoy dhe Norbert Jokl.

Nën drejtimin e Joklit, Çabeji filloi të kishte interes të madh në zhvillimin historik të Gjuhës Shqipe. Në 1933, ai dorëzoi disertacionin e doktoraturës mbi Italoalbanische Studien (Studime Italo-Shqiptare).

Çabej u kthye në Shqipëri ku edhe punoi si mësues gjimnazi dhe nëndrejtor i konviktit "Malet Tona" në Shkodër (1934) ku dha letërsi shqipe. Në vitin shkollor 1935-'36 Çabej u transferua në shkollën Normale të Elbasanit, ku edhe atje ndenjti një vit.

Që andej u transferua në Ministrinë e Arsimit për t´u marrë me drejtimin e arsimit të mesëm. Me sa kuptohet nga qëndrimi i tij, ai nuk e kishte mirëpritur një emërim të tillë. Me një lutje më datë 17. 12. 1936, drejtuar Ministrisë së Arsimit, ai kërkon që për arsye shëndetësore të transferohet nga ai dikaster e të riemërohet si profesor i letërsisë në liceun e Tiranës.

Kërkesë që nuk i plotësohet, duke e emëruar në Shkollën e Plotësimit Ushtarak. Me "çështjen Çabej“ u mor më në fund edhe Këshilli i Ministrave të asaj kohe, i cili vendosi që Çabej, pas mbarimit të Shkollës së Plotësimit Ushtarak, të transferohej si profesor në Gjirokastër. Më 1938-'39 e gjejmë përsëri arsimtar, kësaj radhe në Gjirokastër, ku vazhdoi të jepte mësimin e letërsisë të bashkërenduar me elemente të gjuhës shqipe.

Në vitin shkollor 1939-'40 Çabej u transferua në gjimnazin e Tiranës ku u ngarkua me drejtimin e shkollës. Më 1940 dërgohet në Romë nga min. i Arsimit Ernest Koliqi për të punuar mbi Atlasin Gjuhësor Shqiptar, i cili nuk u krye për arsye të ndryshimeve politike përgjatë Luftës së Dytë Botërore. Në shtator të 1943 u emëruar min. i Arsimit në qeverinë Mitrovica, post të cilin nuk e pranoi. Më 25 janar 1944 i pushkatohet vëllai, Selaudini, nënprefekt i Malësisë së Gjakovës. Në Shqipëri u kthye vetëm pas korrikut 1944.

Në 1947, ai u caktua anëtar i Institutit të Shkencave, instituti paraardhës i Universitetit të Tiranës. Nga 1952 deri më 1957, ai shërbeu si profesor i historisë së Shqipërisë dhe fonetikës historike. Në 1972, ai u bë anëtar themelues i Akademisë së Shkencave.

Universiteti i Gjirokastrës mban emrin "Eqrem Çabej".
Veprimtaria shkencore

Çabej u specializua në gjuhësinë krahasuese indo-evropiane. Veprimtarinë shkencore e shtjelloi në gjuhësi, por edhe jashtë saj, në folklor, etnografi dhe histori të letërsisë. Vend zenë studimet etimologjike dhe leksikologjike historike, dialektologjia e onomastikës si edhe kodifikimi i gjuhës letrare.
Eqrem Çabej ka dhënë një ndihmë të çmuar me një varg sqarimesh etimologjike gjatë hartimit të Fjalorit të gjuhës shqipe të botuar në Tiranë më 1980.

Tituj të veprave

Diana dhe Zana - 2011

Elemente të gjuhësisë dhe literaturës shqipe
Hyrje në Indoeuropianistikë
Sonete - 2008
Studime gjuhësore I-VIII. Rilindja, Prishtinë 1986
Studime etimologjike në fushë të shqipes. Akademia e schkencave e RPS të Shqipërisë, Tiranë 1976-2006
I - 1976; II: A-B - 1982; III: C-D - 1987; IV: Dh-J - 1996; VI: N-Rr - 2002; VII: S-Zh - 2006; V: K-M - 2014. - ISBN 978-99956-35-20-6
Hyrja në historinë e gjuhës shqipe. Fonetika historike e shqipes. Rilindja, Prishtinë 1970

Meshari i Gjon Buzukut (1555). Botim kritik. Pjesa e parë. Universiteti Shtetëror i Tiranës, Tiranë 1968

Hyrja në historinë e gjuhës shqipe. Pjesa e parë. Tiranë 1958

Shqipja në Kapërcyell

Shqiptarët midis Perëndimit dhe Lindjes

Fjalor i gjuhës shqipe i vitit 1954, (Bashkautorësi)

Odiseu dhe Konstandini

Mirënjohjet

Urdhrin "Nderi i Kombit", Shqipëri 10 maj 2003

Medalja e Artë e Lidhjes së Prizrenit Kosovë

Universiteti i Gjirokastrës mban emrin e tij, pra Universiteti Eqerem Çabej

Burime

^ Elsie R., Historical dictionary of Albania (2nd ed.). Lanham: Scarecrow Press. 2010. fq. 67. ISBN 9780810873803.

^ Imaj A., Dosja e Sigurimit, Mehmet Shehu: Çabej, eksponent kryesor i reaksionit antishqiptar, Panorama, 29 tetor, 2009.


Demiraj Sh., Eqrem Çabej, një jetë kushtuar shkencës, Tiranë: Akademia e Shkencave, 2008.

No comments:

Post a Comment