2017-06-06

Mali i Zi mori anëtarësimin në NATO në shkëmbim të rusofobisë

Uashington: Mali i Zi – anëtar i plotfuqishëm i NATO-s


Dushko Markoviq (i dyti djathtas) dhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg (në mes), gjatë ceremonisë së sotme në Uashington

Mali i Zi zyrtarisht është bërë anëtari i 29-të i NATO-s në një ceremoni të sotme në Uashington.

Kryeministri i këtij vendi, Dushko Markoviq, zyrtarisht e ka dorëzuar të ashtuquajturin instrument të pranimit në këtë ceremoni në Dhomën e Marrëveshjes në Departamentin e Shtetit në Uashington.

“Anëtarësimi në NATO do të thotë stabilitet të vazhdueshëm për ne, me vlerat demokratike evro-atlantike të ngulitura në shoqëri dhe ekonomi, që kanë për qëllim prosperitetin e mëtejshëm”, tha zoti Markoviq.

Nënsekretari amerikan i shtetit për çështje politike, Thomas Shannon, i cili ishte i pranishëm në ceremoni, tha se Mali i Zi kishte shpallur “të drejtën për të zgjedhur hapur aleancat e veta, edhe në kushtet e ballafaqimit me presion të jashtëm të orkestruar”.

Ky anëtarësim u bë në periudhën kur aleanca veri-atlantike, që ishte formuar për ta kundërshtuar agresionin sovjetik, angazhohet për ndaljen e përpjekjeve të Rusisë për ta shtuar ndikimin e vet në pjesën lindore të Evropës.

Mali i Zi më parë ishte aleat i afërt i Rusisë, dhe rrjedhimisht, vendimi për anëtarësim në NATO e ka tmerruar Moskën.

Flamuri i Malit të Zi pasnesër do të valojë në selinë e NATO-s në Bruksel për të parën herë.




Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg: Mali i Zi në NATO sjell stabilitet në rajon


Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se pranimi i Malit të Zi në Aleancë është mirë për stabilitetin e këtij vendi dhe për Ballkanin.

Ai shtoi, se Mali i Zi sjell guximin dhe përkushtimin e popullit të tij në NATO, e cila është dedikuar për misionet në të cilat marrin pjesë ata.

Mali i Zi është bërë anëtari i 29 i NATO-s, pasi delegacioni malazez i dorëzoi instrumentet e ratifikimit të Traktatit të Atlantikut të Veriut në Uashington, zëvendës Sekretarit të Shtetit Thomas Shannon.



Rusia, Serbia dhe Bjellorusia, në ushtrime ushtarake “Vëllazëria Sllave”


Pamje nga ushtrimet ushtarake të Rusisë, Bjellorusisë dhe Serbisë, të mbajtura vitin e kaluar


Rusia, Serbia dhe Bjellorusia po mbajnë ushtrime të përbashkëta ushtarake afër kufirit të Bjellorusisë me Poloninë, që është anëtare e NATO-s.

Në ceremoninë e sotme të hapjes, koloneli rus, Aleksei Sgibnev, tha se ushtrimet “Vëllazëria Sllave-2017” tregon se “të tri shtetet kanë arritur bashkëunim të ngushtë dhe po përgatiten që së bashku ta luftojnë të keqen më të madhe të kohës sonë: terrorizmin ndërkombëtar”.

Në këtë ushtrim marrin pjesë më se 300 ushtarë rusë, 400 bjellorusë dhe 50 trupa nga Serbia.

Ushtrimet pritet të zgjasin deri më 14 qershor.

Ky ushtrim i përbashkët afër Polonisë, që është anëtare e NATO-s dhe e Bashkimit Evropian, ka filluar një ditë pasi Mali i Zi është bërë anëtari i 29-të i NATO-s.

Ky është ushtrimi i tretë ushtarak me emrin “Vëllazëria Sllave”.



Mali i Zi reagon ndaj kritikave të Rusisë



Ministri i Mbrojtjes në Malin e Zi, Predrag Boskoviq


Mali i Zi ka thënë se Rusia nuk duhet të alarmohet nga anëtarësimi i vendit ballkanik në NATO. Këto deklarata kanë ardhur pasi Moska ka paralajmëruar hakmarrje ndaj "kursit armiqësor" të Malit të Zi dhe ka dënuar "histerinë anti-ruse".

Më 5 qershor, Mali i Zi edhe zyrtarisht është bërë anëtari i 29-të i NATO-s, në një ceremoni të mbajtur në Uashington.

"Jemi dëshmitarë të pozitës së pafavorshme të Rusisë ndaj pranimit të Malit të Zi në NATO," ka thënë, Ministri i Mbrojtjes së Malit të Zi, Predrag Boskoviq.

"Unë sinqerisht shpresoj që, Rusia do ta kuptojë se kjo nuk ka të bëjë fare me ndonjë ndjenjë anti-ruse dhe se nuk ka histeri anti-ruse në Mal të Zi," ka thënë Boskoviq, në një konferencë shtypi në Podgoricë.

"Përkundrazi, kjo është gjithashtu në interes të Rusisë, pasi paqja në Ballkanin Perëndimor është në interesin më të mirë të Moskës”.

Megjithatë, Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov ka përforcuar qëndrimin e Moskës, ndaj Malit të Zi.

"Ne kemi qartësuar tashmë qëndrimin tonë", tha ai në një konferencë për shtyp në Moskë, duke shtuar se Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara janë "të obsesionuar" me Ballkanin.

Ministria e jashtme e Rusisë përmes një deklarate në ditën e ceremonisë së pranit të Malit të Zi në NATO ka thënë se "histeria anti-ruse që po vazhdon në Malin e Zi ka “shkaktuar keqardhje" në Rusi.



Shefi i diplomacisë ruse, Sergej Lavrov deklaroi të martën se hyrja e Malit të Zi në NATO “është projekt i pastër gjeopolitik si shkëmbim për rusofobinë e Malit të Zi”.

Ai në një konferencë për media, pas takimit me shefin e diplomacisë sllovake Miroslav Lajçak, tha se situata në Ukrainë është përdorur si justifikim për bashkimin e NATO-s, “për spekulime kundër Rusisë dhe grumbullimit të ushtrisë dhe teknikës në afërsi të kufijve rusë”, transmeton TASS.


Rusia reagon ndaj hyrjes së Malit të Zi në NATO

Ministria e Jashtme e Rusisë njoftoi se Moska i jep të drejtën vetes që të përgjigjet ndaj “politikës armiqësore” të Podgoricës për shkak të përfundimit formal të procedurës për hyrjen e Malit të Zi në NATO.

“Vazhdimi i histerisë anti-ruse në Malin e Zi te ne shkakton vetëm keqardhje. Në kontekstin e politikës armiqësore të autoriteteve malazeze, pala ruse i jep të drejtën vetes që të marrë masa reciproke”, thuhet në kumtesën e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë.

Ndryshe, Mali i Zi sot edhe formalisht është bërë pjesë e organizatës më të fuqishme ushtarake botërore- NATO.

No comments:

Post a Comment