6.02.2017

Ministri i Jashtëm Malazez: Demarkacioni është problem i qeverisë dhe opozitës në Kosovë, e jo Malit të Zi


Srgjan Darmanoviq


Çështja e demarkacionit të kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi ishte edhe "mollë sherri" për rrëzimin e qeverisë në Kosovë. Po cili është qëndrimi i Malit të Zi? Intervistë me minsitrin e Jashtëm: Srgjan Darmanoviq.

Deutsche Welle: Zoti Darmanoviq, demarkacioni i kufirit mes Kosovës dhe Serbisë është shndwrruar nw një problem shumë i madh në Prishtinë. Cili është qëndrimi juaj për këtë dhe sa e pengon ky problem Malin e Zi në rrugën e saj të integrimeve euroatlantike?

Srgjan Darmanoviq: Ne nuk e shohim këtë çështje si një pengesë, sepse ne e kemi përfunduar këtë proces. Ne thjesht i kemi pranuar kufijtë nga koha e ish-Jugosllavisë. Këtë kufi e ka konfirmuar edhe një komision ndërkombëtar. Ne në Vjenë kemi nënshkruar një marrëveshje me Kosovën dhe kjo marrëveshje është miratuar në Parlamentin e Malit të Zi. Ky është një problem që ka të bëjë më shumë me luftën politike në Kosovë, me parlamentin e tyre, me luftwn mes qeverisë dhe opozitës. Por ne besojmë se do të vijë momenti kur partitë politike në Kosovë të krijojnë shumicën e duhur për ratifikimin e kësaj marrëveshjeje ndërkombëtare. Ne jemi të durueshëm dhe nuk kemi kurfarë problemi të presim deri sa të vijë momenti i duhur.

DW: Po si i shohin bashkëbiseduesit tuaj këtu në Berlin problemet në lidhje me bashkëpunimin rajonal në Ballkanin Perëndimor?

Darmanoviq: Ata në radhë të parë mendojnë se duhet nxitur bashkëpunimin ekonomik. Ky bashkëpunim ekziston edhe tani, ndërsa raportet tona janë të mira - në veçanti në sektorin e ekonomisë. P.sh. Serbia është partneri kryesor ekonomik i Malit të Zi. Kemi raporte të mira edhe me vendet tjera. Por mendoj se ka hapsirë për raporte edhe më të mira mes shteteve tona. Për ne është me rëndësi që të mos pengohet procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian.

DW: Këto ditë është folur shumë për anëtarësimin e Malit të Zi në NATO. Si e shihni ju rolin e Malit të Zi në NATO?

Darmanoviq: Ne me 5 qershor do t'i dorëzojmë instrumentet e ratifikimit në Uashington dhe do të bëhemi edhe zyrtarisht anëtari i 29 i NATO-s. Për ne ky ëshë një nga dy qëllimet më të rëndësishme në politikën e jashtme, pas shpalles së pavarësisë së vendit. Ndërsa qëllimi tjetër është anëtarësimi në BE. Ne mendojmë se Mali i Zi në këtë mënyrë fiton garanci për sigurinë e tij dhe në këtë mënyrë vërtetohet edhe pavarësia e shpallur në vitin 2006.

Sa i përket NATO-s, ne jemi një vend i vogël, por edhe vendet e vogla mund të japin kontributin e tyre. Ne nuk kemi ndonjë numër të madh banorësh apo ndonjë fuqi të madhe ushtarake, por ekzistojnë mënyra të tjera për të dhënë kontributin. Ne jemi një partner shumë i përkushtuar në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar në Afganistan. Jemi një nga 60 vendet anëtare në koalicionin kundër ISIS-it. Me Malin e Zi, e gjithë zona bregdetare, prej Portugalisë deri në Turqi, futet nën ombrellën e NATO-s, ndaj Mali i Zi ishte një hallkë që i mungonte NATO-s.

DW: Po si qëndron puna me qëllimin e dytë - anëtarësimin në BE?

Darmanoviq: Ne kemi shkuar bukur shumë më përpara në krahasim me vendet fqinje. Kemi hapur 26 kapituj dhe i kemi mbyllur dy. Deri në fund të muajit do të hapim edhe dy kapituj - pra 28 nga gjithësej 33. Ne e konsiderojmë shumë të rëndësishëm parimin që secili vend të vlerësohet sipas punës së bërë dhe që procesi i zgjerimit të mos dëmtohet nga iniciativat anësore. Ne mendojmë se Ballkani Perëndimor paraqet një moment vendimtar për zgjerimin e BE. Mendojmë se ka kaluar koha e fjalëve dhe tani kërkohen projekte konkrete nga BE-ja dhe nga vendet tona. Pra ne duhet të arrijmë standardet për anëtarësim në BE. Ndërsa BE duhet të parandalojë futjen e aktorëve të tretë në këto hapsira, që mund të ndodhë nëse nuk ka një perspektivë të hapur euroatlantike.

DW: Kush janë ata aktorë të tretë?

Darmanoviq: Rusia është një prej faktorëve më të dukshëm, të paktën sa i përket Malit të Zi. Ne kemi pasur pengesa të mëdha në rrugën drejt anëtarësimit në NATO, përfshirë këtu edhe përpjekjen për grusht shteti. Tani shohim se Rusia ka futur sanksione kundër disa ministrave dhe anëtarëve të qeverisë malazeze. Rusia është një fuqi e madhe, e cila ka interesat e veta dhe po përpiqet që të shtrijë influencën në Ballkan. Por edhe ne vendet e vogla kemi interesat tona. Në rastin e Malit të Zi, interesi ynë është që të futemi në klubin euroatlantik.

DW: Si e vlerësoni politikën gjermane karshi këtyre pretendimeve gjeostrategjike në Ballkanin Perëndimor?

Darmanoviq: Politika gjermane dhe përfaqësuesit e qeverisë janë të vetëdijshëm për këtë. Gjermania është jashtëzakonisht e rëndësishme, si vendi më i rëndësishëm evropian. Në Gjermani ka gjithmonë bashkëbisedues të mirë për këto tema.

No comments:

Post a Comment