2017-06-04

Shahirat më të njohur të Kosovës


Shahirat më të njohur të Kosovës, të viteve 1920-1950 janë Muhamet Kajtazi e Xhelir Islami nga Turjaka e Zatriqit, rrethi i Rahavecit.

Turjaka,Mahalla e Kajtazëve- Bytyqët;Rame Bllaca (shkonte) te Muhamet Kajtazi; Xhelir Islami, djali i Islam Qelës; Xhelir Islami e Imer Riza i Gjakovës; ”Polemikat” në këngët e shahirave të Drenofcit, Bejtet e Bejtegjinjëve; Salihi e Ferizi, i këndojnë dhe “e përqeshin” Xhelirin; Shahirat dhe këgëtarët e tjerë të njohur të kohës së Xhelirit e të Muhametit

Pjesë nga libri i autorit Sinan Kastrati në dorëshkrim (që flet për mua, prindërit e mi, familjën, farën e fisin, AliAgët, Kastratin për katundin Turjakë … dhe … krahinën e Llapushës)

Për Turjakën kam shkruajt disa herë më përpara por asnjëherë nuk kam arritur ti them të gjithat dhe nuk kam qenë i kënaqur me punën time.Në ato shkrime të shkurtëra kam përmendur familjet më të njohura të Turjakës. Shkurt kam folur edhe për Familjen e Ali Agëve të Zatriqit, në Turjakë, Fisin Kastrat duke i përmend edhe figurat më të njohura të Kastratëve, si Gjergj Kastriotin- Skënderbeun, Kaqakët e parë shqiptarë, Halilin, Musën dhe motrën, Humën (Hajrijen), Dan Zatriqin, udhëheqësin e Luftës së Nishit, më 1978, Shaban Polluzhën- Kastratin, udheheqësin e Luftës së Drenicës, 1945, Hasan Zatriqin, Hamid Tushën, Imer Seferin, Metë Xhemajlinë, Avdi Hamidin, Asman Cufën, Reshit e Ukë Imerin e deri te Adem Uka e Mstafë Balia, Hasan Dani, Selami Dula e Sami Heli por edhe ato të të tjerat si Familjen e Dergut Halili, Imer Mullamuqës, Smajl Zenelit, ramadan Nazirit e deri te Mahalla e Goqëve .

Mahalla e Kajtazëve

Në këtë shkrim do të flas për njërën nga mahallat e Turjakës, për Familjen e Kajtazëve dhe shahirat ndër më të mëdhenjtë për 50 vjet, Muhamet Kajtazin e Xhelir Islamin. Pasi kisha shkruajt për Familjën e Ali Agëve, për katundin Turjakë, për fisin Kastrat mora disa letra falenderimi me dëshirën që të shkruaj edhe për mahallat tjera të Turjakës dhe mu duke shumë me vend që të vazhdoj të shkuaj pas Ali Agëve, për Bytyqët ose më mirë, për Mahallën e Kajtazëve, mahallën më të afert me Mahallën e Madhe (Katundin Turjakë).

Kajtazët, ose Mahalla e Kajtazëve, siq i njohin vendasit, deri vonë, kanë qenë veç dy familje: Ajo e Muhamet Kajtazit, dhe e Xhelir Islamit. Muhameti kishte edhe një vëlla, Avdylin ndërsa Xheliri, ishte i vetëm dhe ndoshta nga ky shkak pse Muhameti e Avdyli ishin dy vëllezër e Xheliri nuk kishte vëlla tjetër, ajo anë dhe vetë Katundi i Turjakës i quajti dhe i njohin si Mahalla e Kajtazëve.

Kjo Familje (Kajtazi dhe Islami) ishte nga Kravasaria, katund i komunës së Suharekës por që kishte ardhur në Turjakë në fund të viteve 1880, për shkakun se Turjaka ishte vend më i miri i asaj ane, i rrethit të Llapushës. Turjaka kishte tokë të plleshme, male me drunj të llolollojshem, dushkajat, në perëndim të Turjakës, deri në Bubël e në Panorc e bjeshkët me kullosa të shumta, deri në Zatriq e Rahovec, livadhe që veç Tujaka i ka me të gjitha llojet e luleve dhe lumin Mirusha, me disa Mullinjë që nga Mullini i Bajraktarit, Mullini i Brahim Agës dhe Mullini në Bubël që gjithashtu ishte i Zatriqit.
Një fshat që ska mulli (Lum), tokë të pune e male pë gja (bagti), nuk duhët me nejt n`atë katund”, kishte thënë Baca Xhemajli, Xhemajlia i Brahim Agës kur ishte shpërngul në Pejë, në fund të viteve 1950-ta, me djemte, Metën e Salihin.

Familja e Muhameti Kajtazit dhe vetë Muhameti me djemtë Durakin, Agushin, Ahmetin e Brahimin ishte shumë e njohur si bukëdhënës, për mikëpritje e ndershmëri. Sa sa familje e autoritetshme ishte familja e Muhamet Kajtazit tregon edhe kjo, njerëzit më të njohur të kohës e të rrethit shkonin te ai me buajt dy e tri e deri një javë javë e musafirë që i ka zâ nata e “I ka qu Zoti” *1)
Ramë Bllaca, posllanik skupštine në Beogradi shkonte shpesh te Muhamet Kajtazi sepse Muhameti ishte shpijanik. Bile njëherë kish pas shkua ma përpara te Muhamet Kajtazi e masandej, bashkë me Muhametin vjen te Brahim Aga në Mahallë të Ali Agëve, familja më e njohur e asaj ane. Kur ish pas ardhur Ramë Bllaca në Familjen e Ali Agëve, te Baba Himë me Muhamet Kajtazin, më tregoi Nezir Cufa vitin e kaluar një muaj para se të vdiste, Brahim Aga i bani muhabet shumë sepse edhe kishte mall hallall, 70 copa lopë tuj mjel. Kish pas qillue nji laknur dhe aq shishëm kish pas hangër Ramë Bllaca, sa kish pas thanë: Kurr qisi pite (2*) s`kam hanger kerkun e Muhamet Kajtazi si në mahi, qysh folte me zë të lartë e duke qeshur i thotë Ramës: – Qysh pa thua kshtu Ramë? Unë i kam shti robt e shpisë me thallue veç për ty e ti pa thu pitja e Brahim Agës âsht ma e shishme!

Muhamet Kajtazi dhe Xhelir Islami, janë shahirat më të njohur ntëë rretin e Llapushës, të anës së Drinit e të nahisë së Gjakovës. Rrethi i Llapushës, me qendër komunale Malishevën është i njohur për shumë çka të mirë dhe dallohet nga krahinat e tjera të Kosovës për tokë të plleshme të punës, male, livadhe dhe me Lumin Mirisha, mu në mes të kësaj krahine. Dikur kishte edhe shumë vreshta me rrushë e pemë të tjera, si arra, ftoj, pjeshka, vojsa etj ndërsa tash ka vetëm në pjesën Jug-lindore të Llapushës, në Dragobil, Maxharrë, Marali, Mllanaviq, Astrazub etj. Por ajo që më së shumti është e njohur kjo krahinë, përveç burrave trima, pleqëve të menqur, dallohët më së shumti dhe dhe që nuk ka asnjë krahinë tjetër në Kosovë dhe në Malësinë e Gjakovë e në Shqipëri, deri në Shkodër, janë Shahirat. Këngëtarë e instrumentalistë të sharkisë e të qiftelisë sikur që ka pas Llapusha nuk i kanë pasur krahinat tjera të Kosovës.

Xheliri dhe Muhameti, Këngëtarët më të njohur të asaj ane për afro 4o vjet

Padyshim dhe me plotë gojën, bindje e siguri e them se KURRË nuk do të ketë intrumentistë më të mirë të sharkisë sikur Xhelir Islami nga Turjaka. Xheliri është djali i Islam Qelësnga Kravasaria.
Është i papërsëristshëm për kohën që këndoi dhe i mshoi sharkisë Xheliri.
Para Xhelir Islamit, sharkisë thuhët së i ka ra më së miri Mixha Sylyman, Sylyman Kastrati, nga Damaneku, fshat fqinj me Turjakën. Vetë Xhelir Islami thonte, kur dikush e lavdëronte pasi kishte kendua, nëpër dasma apo ndeja Xhelirit: – Xhelir, ti pi mshon ma mirë sharkisë se Mixha Sylyman! E Xheliri, ia kthente me këto fjalë: -Thuaj, bile si Mixha Sylyman e mos thuaj më mirë se ai se Mixha Himë i ka ra më mirë se unë sharkisë. Xheliri ishte mësuar me i ra sharkisë, nga babai i vetë, Islam Qela. Islami, edhe pse nuk ishte i njohur si insrumentalist, i mshonte Sharkisë. Islam Qela dallohej nga të të tjerët me i ra Lahutës.

Xhelir Islami e Imer Riza i Gjakovës

Kur kishte shkua njëherë Xheliri në Gjakovë, dikush që e njeh i thotë Xhelirit: -Xhelir, hajde shkojmë në një dasëm se është Ymer Riza me shoqninë e vetë, po ti mos trego se din me i ra sharkisë e me knu!
Xheliri shkon me te dhe kur hynë në atë konak, Ymer Riza me shoqninë e vetë po bajshin gjymysh e po knojshin. Xhelirin e ulin afër Shahirave të Gjakovës. Pasi i këndojnë disa këngë, Ymer Riza po e sheh Xhelirin se po e kqyrë sikur po don me i thënë diqka, e heton interesimin e tij dhe Ymeri i thotë Xhelirit: – Hajde mara v`lla! -A din mi ra sharkisë a me knua! -Po, përgjigjet Xheliri dhe Ymer Riza ia jep sharkinë e vetë e Xhelir Islami i mshon mekamin e Zatriqit por edhe disa mekame të luftës kur turqit kanë luftua kundra Mickovit. Kur i mshon Xheliri atyne valleve që veq ai dinte, Ymer Riza i thotë: -Mara vlla, unë hala s`kam ni kun qi i mshon kaq mirë sharkoisë, a mas je pej Stamollit? 3*)
Atë natë, thonë dëshmitarët që kanë qenë aty, Ymeri, nuk e ka prek sharkinë kurse Xheliri i ka ra sharkisë dhe bashkë me shahirat e tjerë të Gjakovës kanë knue deri në ferk të sabahit 4*)

Katundin e Zatriqit e radhita të parin, pasi që është i pari për këngë arshikie, që nga Beq Jaha, Muhamet Mahmuti, Muhamet Kajtazi e Xhelir Islami … e deri te Ali Paci, Salihi, Ferizi e Ali Krasniqi, nga Vll. Drenofci, katundi më ai afërt me Turjakën, vetëm nje vrap kali larg Turjakës.

Xheliri ka lindur dhe ka vdekur në Turjakë (1900-1987). Kohë më të madhe ka këndua me Muhamet Kajtazin por edhe me të tjerë, më pakë, si me Bajram Sadikin, Ali Pacin, Salihin e Ferizin etj.
Deri, në fund të viteve 1950-ta asnjë këngëtarë nuk ka mundur me këndua me Xhelirin e si Xheliri e Muhameti, edhe pse Xheliri nuk e ka pas zërin si të Muhametit apo më vonë, si të Sali Bajramit ndërsa intrumenteve as atherë e as më vonë, nuk ka pas dorë e as gishta të dorës që kanë mundur me iu ra televe të sharkisë si Xhelir Islami i Turjakës.

Polemikat në mes të Salihit e të Xhelirit, me anë të ”bejteve”

Diku rreth viteve të 1960-ta kur Xhleiri moqmohet e nuk këndonte më as artaki, Muhameti, Xheliri mërzitej. Salihi dhe Ferizi ia këndojnë një këngë Xhelirit:
”E pat rrok`e zezë pleqnia,
i kan`dek shokt e tija,
Pe merr malli për dajregji
vjen n`Drenofc me hjek merzi”!
Këto janë vargjet, ”Bejtet” që Xhelirin e prekin shumë pasi që Salihi e Ferizi, tash ishin në zë e jo edhe Xheliri.
Ama edhe ita, Salihi e Ferizi ia japin hakin Xhelirit në bejtet:
”Kjo sharkia koka me shtat` tela, kush s`i bjen ma sukur Xhela
O Xhelir, Xhelir Islami
Gishtat tu, m`doken si t`ARIT”
Vargjet e para ose bejtet ”… Pe merr malli për dajregji
vjen n`Drenofc me hjek merzi”! ta kujtojnë Ibrahim Nezimin dhe Bejtegjinjët e tjerë të cilët shtyhën se kush është më i miri dhe kush ka këndua i pari ”Shahirat e k`saj ane, yrrnekin e muarën prej meje”! (Nezim Frakulla).

Është e vërtetë e madhe se në ato vite, Salihi e Ferizi, ishin në pupa, nuk hecshin por vraponin. Kishin edhe kuaj të shalës, atllarë ama Xhelirit ende askush nuk ia shkonte me i ra Sharkisë.
Xheliri nuk mund të pajtohej se koha e tij po perëndonte dhe nuk mund të këndonte sikur Salihi e Ferizi.
Dëshirë e vetme e Xhelirit ishte që të ketë ndonjë këngë e valle në Radio Prishtinë, dëshirë që nuk ia realizua asnjëherë.
Rexhep Zoga, një fqinj, nga Turjaka ish drejtori gjeneral i Rilindjes për disa vjet, disa herë i kishte premtua se do ta merrte në Prishtinåë, por as ai nuk e mori Xhelirin dhe nuk e mbajti fjalën …
Rexha e kishte ”marr” Xhelir Islamin si një ndër personazhet e dalluar për me kosit barin në livadhe që askush nuk mund të ia kalonte, në librin ”Kurrgjâ e jashtzakonshme” por jo edhe aty ku duhët të ishte i pari Xheliri e më i miri, me luajt me sharki.
Sot thuaja nuk ka mbetur asgjë e ruajtur nëpër shiritat e mangenotofonave, ndonjë këngë apo valle me sharki nga Xhelir Islami çka do të ishte shumë e rëndësishme për Historinë e Folklorit Shqiptar pasi që Xheliri e Muhameti janë ndoshta të vetmit që i kanë këndua këngët historike që nga Beteja e Kosovës, këngë për Babën Davlet, Brahim Pasa, Dan Zatriqit, ”Prej Prokuples deri n`Nish, na u mush rruga plot dervish” etj.
Folkoristika shqiptare, përgjithësisht dhe ajo e Kosovës veçanërisht është shumë më e varfër pa Muhamet Kajtazin dhe Xhelir islamin.

Xheliri dhe Salihi e Ferizi ….

Herën e parë që ka këndua Xheliri me Salih Bajramin, ka qenë viti 1937, në dasmë te Brahim Aga i Turjakës, kur e maton nipin, Salih Xhemajlinë. Krushqit kanë qenë në odën tonë, në odën e Imer Seferit, gjyshit tim. Në dasëm kanë qenë Shaban Polluzha, Ramë Bllaca, Mstafë Rahaveci, Mstafë Kruja, Muharrem Bajrakari i Shqipnisë, Bajraktarët e Astarazubit e të tjerë burra të njohur të kohës, beglerë e agallarë. Salihi ishte i ri dhe thuhët se nuk ka mundur me këndua
Ndërsa, hera e fundit, kur Xheliri ka këndua me Salihin dhe Ferizin, ka qenë viti 1975, kur martohet Halil Azemi, djali i Azem Januz Kastratit e nipi i Januz Dervishit në Damenk. Në at dasëm kam qenë edhe unë dhe kam pasur disa këngë të inqizuara. Xeliri nuk i ka ra sharkisë, por ka këndua me Ferizin, kurse Salihi ka këndua vetë.
Xheliri, viteve të fundit të jetës ka shkua nëpër dasma dhe festa të tjera me djalin e vetë, Bajramin. Edhe Bajrami i ka ra shumë mirë sharkisë, por jo si Xheliri.
Bajrami ka vdekur por djemt e Bajramit e kanë vazhdua rrugën e babës dhe të gjyshit. Ata po këndonin mirë.
Ndërsa ata të Muhametit, asnjë djalë e as nip nuk po këndonte.
Djemtë e Muhametit dhe vëllai, Avdyli, vëllai i vogël i Muhametit dhe Duraku, djali i madh i Muhametit sa më kujtohët, nuk kanë këndua, përvec në familje kur kanë pasur ndonjë festë familjare ose për qef por këngët i kanë ditë përmendësh shumë mirë. Mjerisht, të gjitha këngët që i kam pasur mu kanë konfiskua, më 1981 dhe ato që i kam pasur te ndonjë i afërm, janë djegur bashkë me dokumentacionin tjetër.
Këngët që i kam pasur kanë qenë këngë trimerie, si ajo e Hazir Gariqit, Lufta e Rahavecit, e Shaqir Currit e ndonjë tjetër.

Një intervisë të gjatë që e kam pasur, më 1976, si student me Muhametin e Durakun, në odën e tyre, ata mi kanë dhënë disa këngë, por i kanë recitua pasi që nuk mund të këndonin ndërsa Xheliri, nuk deshi të këndoi e Avdyli ishte i sëmurë. Ato i kam pasur të ruajtuar në kaseta 30, 45, e 60 minutëshe. Kur vdiq Xheliri sa kisha fillua punën si mësues i letërsisë në Lubizhdë dhe nxënëse e kisha vajzën e vogë të Xhelirit, Xufën dhe disa mesa të Muhametit , pasi e kreva mësimin vrapova së pakut ti them disa fjalë para varrit por Xhelirin tashmë e kishim mbullua me dhe të zi në Zabele, Vakafet e Turjakës afë Qukës dhe Bjeshkëve që ai i deshti shumë.

(Shahirat e tjerë të njohur të kohës së Xhelir Islamit e të Muhamet Kajtazit më të rinjë e më të vjetër, janë: Muhamet Mahmuti, Beqë Jaha, Hamzë Roda, Sylyman Kastrati, Azem Nura, Riza Bllaca, Ali Paci, Bajram Sadiki, Sefë Mleqani, Lam Tapalli, Salih e Feriz e Ali Krasniqi, Dan Javiqi, Dul Zenuni, Asman Mulaviqi, Halit Qallaki, Beqir Prelezi, Sejdi Javiqi, Muhamet Bashota, Isë llapqeva, Djemtë e Sefës, Halil Bytyqi, (nipi i Salih Bajramit), Naimi, (djali i Salih Bajramit), Bajrami, djali i Xhelir Islamit etj. Viteve të fundit, pas vdekjes së Xhelirit e të Salihit na dalin edhe këngtarë të tinjë e të reja dhe shumë vajza që këndojnë në dasma e në festivale cka nuk kishte pasur më parë në rrethin tonë. Më e dalluara është Bege Gashi nga Qabiqi e tri a katra të tjera që kanë kendua edhe me Ferizin, Aline dhe Gani Maralinë ….

1*) (këtu duhët shpjegua për lexuesit e rinj se deri në fund të viteve 1990-ta të shekullit të kaluar, udhtarët shpesh kur i ka zënë nata kanë buajt te familjet e mëdha e në ze, te ato familje që kanë pasur oda të mëdha. E në në Turjakë shpia të mëdha kanë qënë ajo e Ramdan Nezirit, Smajl Zenelit e Ali Agëve, disa (Hamid e Shaqeë Tusha, Imer Seferi, Xhemajli e Cufë Brahimi) pastaj ajo e Dergut Halilit por edhe oda e Muhamet Kajtazit.

Oda ka qenë si një Bijtinë, Han, Hotel i sodit por që musafirët nuk paguanin për ushqim e fjetje e nëse ishin me kuaj ose Kale shale, AT, gjithashtu i qitnin taxhi (kallamoq), sanë e atavë dhe ia krehnin kalin).
2*) Laknurit eshtë një lloj pite që e kanë qit me dy petë e në mes e kanë mbush me lakna, kepë e mazë. Nuk është pite për musafirë të qiftit të Ramë Bllacës, Xhemajl Abrisë apo Shaban Polluzhës pranda edhe nuk qesin për darke, nëse ka musafirë të tillë. Qesin Kallpite, siq e quajnë në Turjakë dhe Pasul me mish.
3*) Sharkia si instrument me tela, ka ardhur nga Turqia po është instrument pers, i Persisë.
4*) Shahirat atherë kur kanë shkua në dasma nuk kanë marrë pare. Nëse i Zoti i shpisë i ka ka përmend paret, shahirat i kanë thën: -Ne nuk jemi defatore) kan arshikie të Zatriqit, Gjakovës e të Shkodrës.

P. S. Muhameti, nipi i Muhamet Kajtazit mi dërgoj dy fotografi të xhelir Islamit dhe dy shënime të shkurtëra, të një dy faqeve të një libri për jetën e Xhelir islamit dhe të Islam Qelës por nuk kishte asnjë fotografi të Muhamet kajtazit, gjyshit. Tha se janë djegur të gjithat, bashkë me shtëpinë në vitin 1999.

Sinan Kastrati, katundi Turjakë
Malmö, 22 Maj 2017

No comments:

Post a Comment