2017-06-30

Tri histori me zogj


Image result for PERPARIM HYSI


Nga Përparim Hysi


Peligorga


Tek kalova urën, për të dalë tek shkollla "Vasil Shanto" hodha sytë mbi lumthin e Lanës, i vënë në "dispilinë" nga një platformë betoni që vazhdonte rrugëtimin deri në derdhje. Mbi platformën e betonit, ka një rripëz të butë rëre dhe, pikërisht atje, pashë një peligorgë që çukiste me sqep. Është nga zogjtë më të bukur në Shqipëri që, ndryshe, nga zogjtë e tjerë, folenë e bën duke hapur një vrimë disi të gjatë dhe pak me dredha. Sa pashë peligorgën, duket erdhi fëmijëria dhe më mori prej dore dhe më çoi drejt e tek shtëpia ime e vjetër që kishim në fshatin Petovë të Fierit. Shtëpisë sime nuk i ka mbetur asnjë shenjë si dëshmi, por ajo qëndron mbi kokën time me gjithë sipërfaqen e saj dhe është si një "makazinë" e mbushur me kujtime.
Natyrisht, kujtimet me peligorgën janë veç "thërrime", por, sidoqoftë, tek i rrëfej nuk është se dëmtoj dikë.
Kam qenë diku tek 11-vjeçët, kur, mu ku ndante ara jonë me arën e Shefitit, një bashkëfshatarit tonë, pashë një peligorgë që u fut në vrimën e saj. Me vrap, mora një kazmë dhe një bel dhe, pasi i zura vrimënhyrëse me pallton time, fillova të gërmoja që ta zija të gjallë. U lodha ca dhe, sado që vrimën e kishte bërë paksa me dredha, më së fundi e zura. Jo e zura, po kisha zënë qiellin me dorë,se aq u gëzova. Po kur thoshin që Perëndia na rrinte në qiell? Po jo. Tani "Perëndinë" e kisha në duarët e mia dhe qeshë bërë vet me krahë, sa gati fluturoja. Ashtu tërë gaz bërtisja sa kisha në kokë:- Po dilni, nuk e shihni se çfarë po ju bie? Po sjell vet "Perëndinë nga qielli" dhe, ndërsa prisja ndonjë shpërblim për këtë "akt të madh trimërie",kur dëgjoj gjyshen time të mirë që të më varte "dekoratën?!".
- Po ç'ke bërë kështu, more i paudhë që nuk lë dy gurë bashkë? Po edhe zogjtë nuk lë rehat? Lëshoje,- më tha. Lëshoje, se ndryshe, jo vetëm do të ngordhë, por do të të lërë dhe ndonjë taksirat!!!
Lëshojeeeeeeeeee? Po është në taketuke kjo gjyshja ime që, me të vërtetë, ka qenë aq e mirë sa qe "ilaç" që të shëronte me fjalë e me vepra.
Unë mezi e zura... Epo do të shihni,- thashë,- kur t'ia mbush barkun me grurë e oriz dhe, në vend të ujit, t'i jap qumësht, pastaj zini e flisni.
Ashtu me atë në dorë, gjeta një kutiçkë dhe,pasi e mbylla aty, frymën tek thesi me grurë. Ia mbusha rreth e përqark dhe po bëja sehir sesi do fillonte të hante. Peligorga as begenisi t'i hidhte sytë.
Bobo,- bëra. Me siguri, nuk e ka parë. Atëherë ndërhyra vet. Ia kapa kokën dhe ia "zhyta"sqepin mu mbi detin me grurë. Hiç fare. Po bëhesha me nerva. Ia hoqa grurin dhe e zëvendësova me oriz. Përsëri hiç. Oho,- thashë,- vapë është dhe do ujë. Ujë? Po si mund të pijë "Perëndia" ujë? Hyra tek qilari dhe vodha një filxhan me qumësht. Na,pi këtë,- i thashë,- se ta mbush prapë unë. "Perëndia" kish shpallur "grevën e urisë".Mirë,- i dhash karar. Do duroj deri nesër. Nesër ke për t'i kollofitur të tëra. Por "Perëndia" aq qe zemëruar me mua,sa as të nesërmen as piu dhe as hëngri gjë. Jo vetëm kaq, duket nga inati zura të zverdhesha dhe, papritur, më filluan ca ethe me të dridhura. Termometër nuk kishim gjëkund, por buzët e gjyshes"ilaç" të vendosur mbi ballin tim, matën temperaturën.
Filloi "lufta me mjete rrethanore" për të më ulur temperaturën.
Fillimisht,- foli "ilaçi",- shko e lësho zogun. Po nuk lëshove atë, kështu do të hidhesh përpjetë siç hidhet ai në kafaz.
Me lot në sy, e lëshova dhe, po me lot, ndoqa fluturimin e saj të gëzuar. GJyshja nuk m'i ndau kompresat dhe, përkohësisht, u qetësova dhe unë. Por,sado që jam i moshuar, çdo peligorgë më duket si ajo,"mikja ime e vjetër" që nuk më njohu fare për zot.

Dallëndyshja
Këtë historinë me dallëndyshen ma ka treguar dajua i babait tim, ISMET KORITA! Qe burrë i ditur dhe historitë sikur i mbante fshehur në xhep.
Më pyeti një ditë, e di ti pse dallëndyshja e bën folenë në strehë të shtëpive tona. Unë mblodha supet.
Dhe ai filloi:
Udhëtonin me një vapor ku ,veç pasagjerëve, ishin dallëndyshja, gjarpëri dhe mushkonja. Pasi bënë goxha rrugë të gjatë, mu në mes të detit, ndodhi një avari në anije. Kapiteni dha alarmin. Është hapur një vrimë në anije që, po nuk e zumë shpej e shpejt, do mbytemi të gjithë. Alarmi qe i madh. Sakaq foli gjarpëri. Vrimën e zë unë, por dua të pi gjakun më të ëmbël. Gjakun e kërkoj unë,- tha mushkonja. Sakaq dhe gjarëpri u mblodh kutullaç dhe zuri vrimën dhe priste lajm nga mushkonja. Mushkonja pi gjak këtu e pi atje dhe e gjeti që gjakun më të ëmbël e kishte njeriu. U khye nga "kërkimet" e saj dhe, kur mbrriti, nisi t'i thotë gjarpërit:- O gjarpër, gjakun më të ëmbël e ka nj..., dallëndyshja tak dhe ia "preu gjuhën mushkonjës" dhe zuri të bënte "cëz". Gjarpëri u nxeh me dallëndyshen (se nuk mori vesh për gjakun e ëmbël) dhe i tha:- Moj dallëndyshe do të lë më zog në fole ty?
Mua,- tha dallëndyshja,- do më marrësh të keqen,se unë folenë do ta bëj mu mbi kokë të njeriut! Dhe, prej asaj kohe, mushkonja bën "cëz", gjarpëri nuk e mori vesh se njerëzit kanë gjakun më të ëmbël dhe dallëndyshja është zogu që çerdhen e bën mbi "kokë të njeriut".

Pëllumbi
E lashë në fund historinë me pëllumbin. Para tri- katër ditësh shkova për të pirë një kafe me mikun tim,DURO MUSTAFAI. E kam larg shtëpinë nga ai, por e kam afër si mik. Udhëtoj në këmbë dhe, ngaqë rruga është goxha e gjatë, por dhe, ngaqë është shumë vapë, po çlodhesha tek një kafe që është ballëpërballë me bustin e MBRETIT ZOGU I-rë.
Po e kundroja krejt pa ndonjë qëlllim,se nuk është hera e parë që e shoh. Dhe as nuk dua që të hyjë në ato "ujëra", në e meritonte a jo. Se kësaj i thonë:" Ty nuk të qasin në fshat dhe zë kërkon shtëpinë e priftit". E kundroja dhe kaq si njeri i ngeshëm. Kur, papritur, pashë diçka që më befasoi. Befas, fluturoi një pëllumb dhe tak e qëndroi mu mbi kokë të mbretit. Bobo,- qeshja me veten,- sikur ta dijë pëllumbi mbi kokën e kujt i ka vënë këmbët.
Por pëllumbi, nuk qenkësh pëllumb, por qenkësh rebel. Tak dhe zuri sqeponte kokën e mbretit. Kjo nuk durohej. Të ishte diku pa njerëz, do ta trembja pëllumbin, por mendimet m'i ndrëpreu një plak (goxha më i moshuar nga unë) dhe ai,siç duket, po e vinte re pëllumbin "agresor" dhe tha:
- Ani, andej nga na, qebesa, për mbretin i tjerrin ca të thame.
Oh,- ndërhyra unë,- mos e ke fjalën për LUIGJ GURAKUQIN e BAJRAM CURRIN? Mor,ju të shkolluemit kaq dini, por nga na, i ka cofë dhe do burra burra,- tha. Dhe njëni prej tyre ka qenë HOXHË ZOGA me nam, or ti. M'i tha dhe ato emra që ka"cofë", ma tha dhe emrin etij(pa ia kërkuar, ta thotë LULASHI, or ti), por unë harroj sa hedh dy çapa, dhe duke ndjekur të thënat e atij, them:- Pëllumbi kështu veproi veç instiktivisht, por mendja e njeriut zë e shtegton kujtimeve dhe futet në hamendësime siç u futa unë,ngaqë një plak i panjohur me emrin Lulash sikur po më hapte një fletë historie ndofta të pazbardhur.

*përmendja e një emri krejt të panjohur si"HoxhëZoga" ndoshta është krjet rastësisht dhe vetëm e solla si e dëgjova, Në nuk është i saktë, ndodh nga harresa ime dhe aq,

Tiranë, 29 qershor 2017

No comments:

Post a Comment