2017-07-24

ALEKSANDAR VUÇIQ: SERBIA DUHET TË NISË DIALOG TË BRENDSHËM PËR KOSOVËN, QË BREZAT E ARDHSHËM TË

Image result for aleksanda vucic u uniformi vojske srbije
Presidenti i Serbisë Vuçiq po i përmbahet premtimit që dha në takimin e fundit në Bruksel. Serbia duhet të nisë dialog të brendshëm për Kosovën, që brezat e ardhshëm të mos e kenë si barrë, shkruan ai në gazetën Blic.

“Ka ardhur koha që si popull të mos sillemi më si struci dhe të fusim kokën në rërë. Duhet të përpiqemi të bëhemi realistë, të mos i lejojmë vetes të humbim ose t’ia dorëzojmë dikujt atë që kemi. Por nuk duhet të presim që në dorë të na kthehet ajo që e kemi humbur kaherë”, shkruan Aleksandar Vuçiq, në një tekst autorial, të botuar në gazetën “Blic”.
Vuçiq rikujton fjalët e Shimon Peresit, i cili insistonte në dialog me palestinezët, me fjalët “merreni me mend se çfarë do të ndodhte po mos ta bënte këtë”. Vuçiq thotë se edhe ai, kur duhet të përgjigjet në pyetjen rreth nevojës së dialogut me Prishtinën dhe dialogut të brendshëm serb rreth Kosovës, thekson “merreni me mend se çfarë mund të ndodhte … sikur të gjithë të heshtim dhe nëse ndërpresim bisedimet.”

“Pas kaq shumë vitesh që merrem me politikë, e di këtë përgjigje shumë mirë. Qysh më 1878, që nga themelimi i së ashtuquajturës Lidhja e Prizrenit, ne serbët nuk kemi dashur të jemi sa duhet të përgjegjshëm dhe të kuptojmë fuqinë e dëshirës së shqiptarëve”, shkruan Vuçiq.

Nga ana tjetër, Vuçiq thotë se shqiptarët gabojnë shumë rëndë kur nuk i kuptojnë interesat shtetërore dhe kombëtare serbe dhe i nënçmojnë ato.

“Serbia nuk është për t’u nënçmuar, përkundër faktit që shqiptarët e kanë mbështetjen e shumicës së vendeve perëndimore për zbatimin e ideve të tyre kombëtare. Serbia e sotme nuk është më aq e ngushtuar siç ka qenë, nuk është më si në vitin 1999, 2004 dhe 2008. Por Serbia e sotme nuk është dhe nuk guxon të jetë e shfrenuar dhe arrogante, siç jo rrallë ka qenë”, thekson Vuçiq në shkrimin e tij autorial.

Heshtja, sipas tij, do të thoshe se nuk na interesojnë më përgjigjet, se kemi pushuar së shpresuari, që është cilësi e atyre që mendojnë se vetëm ata kanë të drejtë dhe se nuk kanë çfarë të mësojnë e as të bisedojnë për asgjë me këdo.

Vuçiq mendon se kundërshtarët e dialogut me Prishtinën për Kosovën, janë ata për të cilët çdo humbje paraqet fitore dhe të cilët i gëzohen fatkeqësisë së tjetrit për të përfituar për vete, sepse fitore tjetër nuk njohin.

Vuçiq mendon se “Kosova është në thelb problemi ynë më i rëndë, ndaj është e nevojshme, si kurrë më parë, që të gjithë së bashku të gjejmë një përgjigje. Një përgjigje që do të jetë e qëndrueshme, që përjashton konfliktin si opcion, një përgjigje e cila të gjithëve në rajon do t’u sillte leverdi”. DW

Presidenti i Serbisë Vuçiq pohon se duhet të ketë “një kokë të nxehtë nga të menduarit e përhershëm, një zemër të ftohtë nga emocionet e tepruara dhe duar të përlyera me kompromise. Si duart tona ashtu edhe të shqiptarëve”.

Vuçiq kundërshton edhe ata që çdo marrëveshje e trajtojnë si humbje. “Ne nuk kemi fituar asgjë aq të madhe, që kemi humbur në paqe. Të gjitha që kemi fituar dhe humbur me luftë, i kemi paguar me çmimin më të shtrenjtë të mundshëm, me atë që nuk mund të kompensohet – me jetët tona dhe të fëmijëve tanë”. Kjo duhet të ndërpritet, thotë ai.

“Ka ardhur koha që Serbia të punojë, të mendojë dhe të fitojë – të fitojë pa konflikte. Jam i bindur që sot jemi në gjendje ta bëjmë këtë”, pohon Vuçiq.

“Të gjitha rrugët e bashkëpunimit politik dhe të përparimit ekonomik do të hapeshin për Serbinë. Dyert e Bashkimit Evropian, po ashtu. Në të kundërtën, do ta konservojmë një konflikt, kuptimin e të cilit nuk e dimë”, shkruan Aleksandar Vuçqi në tekstin autorial për gazetën “Blic”.

Vuçiq pohon se Serbia ka nevojë për një qasje serioze dhe të përgjegjshme, të guximshme dhe reale, që ka për synim të ardhmen. Serbia sot ësthë e respektuar gjithandej në botë. Deri para tre vitesh kemi qenë në prag të falimentimit, ndërsa tani kemi suficit. “Që përparimi ynë të jetë i përhershëm dhe i qëndrueshëm, nëse asgjë tjetër, duhet të paktën të përpiqemi të zgjidhim nyjën (Gordiane) e Kosovës dhe jo të fshihemi dhe barrën më të rëndë t’ua lemë fëmijëve tanë. Të jetosh, do të thotë ta duash vendin nëpër të cilin ecin fëmijët dhe jo vetëm të lavdërohesh me fitoret e gjyshërve”, konstaton Vuçiq.

No comments:

Post a Comment