2017-07-09

Arkivat sovjetike: shqiptarët tentuan t’i merrnin të 12 nëndetëset


Ferdinand Dervishi


Në pjesën e parë të këtij cikli flitej për themelimin nga sovjetikët të bazës Luftarako-Detare të Vlorës, një ide e ardhur për kundërpeshë të Flotës Amerikane në Mesdhe. Sipas Hrushovit, kreut të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, ideja kishte lindur pas luftës së Dytë Botërore, “kur ishin acaruar sërish marrëdhëniet e Bashkimit Sovjetik me vendet kapitaliste”. Sovjetikët kishin vlerësuar se me pozicionin e saj Shqipëria e kërcënonte seriozisht veprimtaritë e bllokut ushtarak të NATO-s në Detin Mesdhe. Prandaj, në marrëveshje me shqiptarët, ishte vendosur që në gjirin e Vlorës të dërgohej flota ruse e nëndetëseve. Shpejt këtu mbërrijnë nga Balltiku, njëra pas tjetrës, 12 nëndetëse sovjetike të tipit Whiskey dhe gjithë logjistika tjetër, një grup anijesh të funksioneve të ndryshme si dhe bateri kundërajrore, sistem i fuqishëm radiondërlidhjeje etj. Me kalimin e kohës më shumë se 300 marinarë shqiptarë trajnohen për drejtimin e nëndetëseve, ndërkohë që sipas marrëveshjes në fund të vitit 1960, katër prej këtyre mjeteve luftarake të pazakonta, do i kalonin shtetit shqiptar. Duke manovruar me nëndetëset, sovjetikët nisën të realizonin objektivat e tyre. Në një rast ata dërguan një nëndetëse deri në Gjibraltar dhe në një tjetër rast një nëndetëse, po e bazës së Vlorës, ndoqi nga pas një kryqëzor, që mbante në bord vetë Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kështu, në pak muaj sovjetikët kishin arritur qëllimin e tyre kryesor: të nisnin balancimin e forcave ushtarake me ato amerikane në Detin Mesdhe. Gjatë vizitës së tij në Shqipëri, nisur më 25 maj 1959, Nikita Hrushovi kishte plane të mëdha për Shqipërinë. Ai kishte vendosur që në afërsi të bazës së Vlorës, por edhe në pozicione të tjera të vendoseshin raketa me rreze të mesme e të vogël veprimi, me qëllim që të balancoheshin edhe raketat amerikane në Itali. Por frika e Enver Hoxhës për dënimin e kultit të Stalinit dhe kryesisht mosdhënia e ndihmave ekonomike të kërkuara nga Bashkimi Sovjetik, ftohin marrëdhëniet politike shqiptaro-sovjetike, gjë që u pasqyrua edhe në ato ushtarake.

(vijon nga numri i kaluar)

Në Moskë, Hoxha dhe Mehmet Shehu, kryetari i Qeverisë Shqiptare mbajtën fjalime të flakta antihrushoviane. Ata u sulmuan nga lideri i komunistëve polakë, Gomulka, i cili goditi thelbin antimarksist të udhëheqësve shqiptarë. Menjëherë pas tij në mbrojtje të Hrushovit dolën liderë të tjerë, kështu që Hoxha dhe Shehu, pa pritur përfundimin e mbledhjes, udhëtuan për në Tiranë. Ata nuk shkelën më në Moskë. Kur kishte ftesa, dërgonin sekretarin për ideologjinë, Ramiz Alia. Verën e vitit 1961, pasi pa në radhën e të ftuarve drejtuesin e delegacionit shqiptar, Ramiz Alia, Hrushovi, që nuk dallohej për elokuencë, iu drejtua me zë të lartë: “Së shpejti shoku Enver Hoxha do të dërgojë në vendin tënd pantallonat”. Që nga kjo ditë, në takime nisi të mos vinte as sekretari për ideologjinë.
Por pavarësisht nga mosmarrëveshjet mes liderëve të BS dhe Shqipërisë, ato mes marinarëve në vitin 1960 vazhduan të mbeteshin të mira. Siç kujton kundëradmirali Zagrebin, gjatë gjithë vitit 1960 ushtarakët tanë, kryesisht marinarët, punonin me shqiptarët shumë miqësisht dhe nuk kishte asnjë konflikt. U zgjerua porti i Durrësit, u përfunduan objektet ushtarake për mbështetjen e anijeve dhe mbrojtjen anti desante të bregut. Në fund të vitit 1960, nga marina sovjetike iu dhanë shqiptarëve, sipas marrëveshjes, katër nëndetëse, “C-241”, “C-242”, “C-358” dhe “C-360” si dhe baza lundruese “Vladimir Nemçinov”. Në ceremoninë e dorëzimit në Gjirin e Vlorës, duke u sjellë me një triumf të pazakontë, morën pjesë drejtuesit e flotës shqiptare dhe oficerët e Shtabit të Forcave të Armatosura të Shqipërisë.
Por edhe pas dhënies së nëndetëseve, sipas kërkesës së shqiptarëve, oficerët dhe komandantët tanë, vazhdonin t’i mësonin shqiptarët dhe të dilnin në det bashkë me ta. Zhytja dhe manovrimi i nëndetëseve kryhej nën survejimin e kontrollin e plotë të specialistëve tanë. Ndërkohë, në Shqipëri pritej të instaloheshin 17 njësi të raketave bregdetare, por ndërprerja e marrëdhënieve politike ndërpreu gjithçka.
Plenumi i ndarjes
Situata u përkeqësua kur nga 13 deri në 20 shkurt të vitit 1961, në Tiranë u mbajt Plenumi i Komitetit Qendror të PPSH-së. Vendimet e tij në këtë kohë mbetën të panjohura për marinarët tanë, por thelbi u mësua gjithsesi. Në Vlorë mbërriti ministri i Mbrojtjes, Beqir Balluku, dhe bëri një mbledhje të mbyllur të aktivit të partisë së flotës shqiptare. Marinarët tanë kishin shumë miq ndër kolegët shqiptarë edhe mes oficerëve, dhe shpejt u mësua se Balluku në këtë mbledhje kishte mallkuar Hrushovin dhe udhëheqjen sovjetike duke i akuzuar për revizionizëm, mungesë dëshire për të ndihmuar Shqipërinë, dhe të tjera të ngjashme. Ai kishte dhënë detyra që të ndërpriteshin çdo lloj marrëdhëniesh me instruktorët sovjetikë, mbajtjen larg të atyre nga nëndetëset që tashmë u ishin dhënë shqiptarëve, të ndërprisnin çdo lloj kontakti me ekuipazhin e anijeve sovjetike. Veç këtyre, Balluku kishte kërkuar që të mos lejohej dalja e anijeve tona nga baza e Pasha-Limanit, madje kishte dhënë urdhër që për të realizuar këtë të përdoreshin bateritë e topave bregdetarë.
Situata nisi të bëhej katastrofike. Përpjekja për të zbutur këtë situatë përmes ndërhyrjes së Traktatit të Varshavës, rezultoi edhe më fatale dhe çoi në përshpejtim të ndarjes finale, pasi shqiptarët i frikësoheshin ndërhyrjes së armatosur të BS në vendet e demokracive popullore. Në mbledhjen e vendeve pjesëmarrëse në Traktatin e Varshavës, në mars të vitit 1961, Greçko kërkoi me insistim që baza e Vlorës të kalonte në mënyrë të padiskutueshme nën komandën e forcave të Traktatit të Varshavës. Por shqiptarët e hodhën poshtë këtë kërkesë, edhe pse vendeve të tjera anëtare u ishte marrë ndërkohë ky vendim. Në të njëjtën kohë në Tiranë shkuan zv/ministri i Punëve të Jashtme, N. P. Firjubin, zv/shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Sovjetike, Gjeneral Armate A. I. Antonov dhe zëvendësi i komandantit të Shtabit Qendror të Marinës, Admirali N. D. Sergejev. Qëllimi i tyre ishte që të merreshin vesh me shqiptarët që baza e Vlorës t’i nënshtrohej komandës së forcave të Traktatit të Varshavës. Por shqiptarët qëndruan në të tyren, duke shpjeguar se nuk u nënshtrohen vendimeve të komandës së Traktatit të Varshavës. Pa arritur asgjë në synimet e tij, Firjubini u kthye mbrapsht bashkë me gjeneralët e tij.
Rrethanat u acaruan dhe më, kur me vendim të gjeneral-kolonelit A. M. Adrejev, që kryesonte grupin e këshilltarëve tanë në Shqipëri, nisi evakuimin në BS, të familjeve të oficerëve tanë. Në të njëjtën kohë më e nevojshme ishte të zgjidhej çështja e brigadës së 40 të anijeve tona të dislokuara në Shqipëri, pasi udhëheqësit shqiptarë nisën të paraqisnin të drejtat e tyre edhe mbi tetë nëndetëset e tjera, madje mbi të gjithë strukturën e bazës, bashkë me mjetet ndihmëse. Për zgjidhjen e problemeve të lindura dërguan ish-komandantin e njësisë 40, kundëradmiralin C. G. Jegorov. Por shfaqjen e tij shqiptarët e pritën shumë keq. Enver Hoxha në kujtimet e tij e paraqet atë si një fabrikë helmi: “revizionistët sovjetikë dërguan në Tiranë edhe një kundëradmiral. I gjithë grupi përbëhej nga oficerë të Zbulimit, të dërguar te ne për të organizuar trazira, sabotazh dhe veprimtari diversioniste në bazën e Vlorës”. Dhe e gjithë veprimtaria armiqësore e Jegorovit përmblidhej në faktin se ai duhet të drejtonte operacionin e kthimit të tetë nëndetëseve tona në bazën e tyre në Balltik.
Shqiptarët përherë e më shpesh nisën të shkonin te kërcënimet për përdorimin e forcës në gjysmën e parë të majit të vitit 1961. Kështu në momentin kur në gjirin e Vlorës hyri anija transportuese sovjetike “Çiaturi”, mbi të u drejtuan topat dhe u inspektua nga pala shqiptare.
Dërgohet komandanti i
Flotës së Detit të Zi
Incidentet u shpeshtuan dhe në fund të muajit maj, të vitit 1961, komandanti i Flotës së Detit të Zi, admirali V. A. Kasatonov mori urdhrin të shkonte në Vlorë për të organizuar nxjerrjen nga Shqipëria të nëndetëseve dhe bazës sonë lundruese. Ai doli nga Sevastopoli me kryqëzorin “ Mihail Kutuzov” nën shoqërimin e dy torpedinerëve dhe tankerit “Briri i artë”. Teksa kalonte në ngushticën e Bosforit, Kasatonovit i dërguan telegram me urdhra të reja që thoshin se ai duhet t’i kthente anijet mbrapsht në bazë, veç tankerit. Sepse Shqipëria kishte urdhëruar ndalimin e futjes së anijeve tona në ujërat e tyre territoriale. Kështu që Kasatonov u detyrua të fluturonte për në Shqipëri që nga Moska, ndërkohë që një grup i oficerëve të flotës vazhduan udhëtimin me “Bririn e artë”. Në momentin e mbërritjes së tankerit në bazën e Vlorës, Kasatonovi, kishte mbërritur gjithashtu. Pasi mbërriti në Vlorë, Kasatonovi ngrit flamurin e vet në bazën lundruese “Viktor Kotelnikov” dhe menjëherë thirri në mbledhje kundëradmiralin A. V. Zagrebin, Jegorovin, kapitenin e Rangut të Parë, P. P. Kulika, - këshilltarin e drejtuesit të shtabit të flotës shqiptare, komandantët e bazës lundruese dhe nëndetëseve, këshilltarët dhe instruktorët e anijeve etj. Komandanti urdhëroi që menjëherë të niste përgatitja për largimin drejt Sevastopolit dhe për në Balltik. Një vëmendje të veçantë ai i kushtoi përgatitjes për largimin duke i parandaluar shqiptarët që të hidhnin duart mbi anijet tona të flotës ndihmëse, tankerëve, cisternave etj. Baza lundruese “Kotelnikov” mori urdhër që të qëndronte në spirancë në gjirin e Vlorës, ndrysa tetë nëndetëset u kapën në anët e saj. Kasatonovi e dërgoi Zagrebinin në Tiranë, për të miratuar planin e zhvendosjes tek ambasadori sovjetik I. V. Shikin dhe tek gjenerali A. M. Andrejev. Plani mori miratimin e plotë të tyre. A. M. Andrejev dhe A. V. Zagrebin i bënë vizitë ministrit shqiptar të Mbrojtjes, Beqir Balluku, dhe e njoftuan atë për vendimin e Qeverisë Sovjetike për të dërguar anijet në Bashkimin Sovjetik. Por që të informohej komandanti i Flotës Shqiptare, nuk u bë e mundur edhe pse këtë preferoi ta bënte personalisht Kasatonovi. Kërkesës për takim me kundëradmiralin Teme Sejko, shqiptarët iu përgjigjën se ishte e pamundur, pasi admirali ishte i zënë. Por shpejt u sqarua se Sejko ishte arrestuar bashkë me një grup oficerësh të Marinës. Ai u akuzua për komplot për të përmbysur udhëheqjen politike të Shqipërisë. Sejko u pushkatua.
Largimi
Nën tytat e topave që neve u kishim dhuruar dhe kërcënimit të vendosjes eventuale të minave, 8 nëndetëset dhe baza lundruese “Viktor Kotelnikov” dolën nga gjiri i Vlorës. Në krye, në një anije lufte, doli zv/komandanti Kozllov me qëllim që të mësonte nëse ishte e lirë ngushtica mes ishullit të Sazanit dhe gadishullit të Karaburunit. Pas eksplorimit nisi lëvizjen dhe pjesa tjetër e varganit. Më 8 qershor 1961, pasi kishte përmbushur misionin që i kishin besuar, Vladimir Afanasjeviç Kasatonov, braktisi Shqipërinë duke lundruar me tankerin “Briri i artë”. Në Detin e Zi ai kaloi në kryqëzorin “Kubishev”, ku u prit me përzemërsi nga V. V. Mihailin. Vladimir Afanasjeviçi i tha atij se shqiptarët nuk patën guxim të përdornin forcën, gjithsesi ata ishin bërë gati për këtë. Siç kujton Mihailin: komandanti dukej shumë i lodhur, edhe pse nuk e jepte veten. Porositi një dush të ngrohtë, një gotë vodkë dhe urdhëroi të mos e zgjonin deri sa të mbërrinin në Sevastopol, ku e priste S. G. Gorshkovi. Së bashku, ata duhet të hartonin një raport për udhëheqjen dhe të përpunonin kërkesa për veprimtarinë e mëtejme.
16 maj 1961
Në Kongresin e Katërt të Partisë së Punës së Shqipërisë, u deklarua se ishte zbuluar një komplot i udhëhequr nga komandanti i Flotës, kapiteni i Rangut të Parë, Teme Sejko. Në këtë kohë udhëheqësit e shteteve pjesëmarrëse në Traktatin e Varshavës, deklaruan qëllimin e tyre “të dërgonin në Shqipëri një komision specialistësh të Traktatit të Varshavës për verifikimin e pretendimeve për komplot”. Por reaksioni i Qeverisë shqiptare ishte i ashpër: asnjë komision, asnjë kontakt. E gjitha kjo në fund të fundit çoi në prishjen e pashmangshme. Më Kongresin e 22 të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, Hrushovi publikisht sulmoi Partinë e Punës të Shqipërisë, duke e akuzuar atë për armiqësi në drejtim të Partisë Komuniste sovjetike. Në dhjetor të vitit 1961 Shqipëria ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Bashkimin Sovjetik.


Batutat e Hrushovit në fillim të mbledhjes për ndërtimin e Murit të Berlinit
Ramiz Alia, si e krahasuan me pantallonat e Enverit

TIRANE - Pak muaj më parë, i ftuar në emisionin “Top – Story” të gazetarit Sokol Balla, ish-sekretari i Parë i Partisë Së Punës dhe njëkohësisht ish-president i vendit, Ramiz Alia, rrëfeu një përplasje të pazakontë me Nikita Hrushovin, kreun e komunistëve sovjetikë. Ngjarja zhvillohej në sallën e një takimi të krerëve të shteteve të quajtura të demokracive popullore, i mbajtur në Moskë në mesin e vitit 1961, që do të kishte në qendër të tij ndërtimin e Murit të Berlinit. Sipas rrëfimit të Alisë, Hrushovi ishte acaruar kur kishte parë atë në vendet e rezervuara për Enver Hoxhën, kreun e Partisë së Punës së Shqipërisë dhe atë të Qeverisë, Mehmet Shehu. Duke argumentuar se delegacioni shqiptar nuk kishte statusin e duhur, Hrushovi i sulet Ramiz Alisë me fjalë të ashpra, dhe kjo bëhet shkak për mos fillimin e bisedimeve. Madje Hrushovi dhe të tjerët largohen në një ambient tjetër, në pritje që delegacioni shqiptar të dilte fare nga salla. Kjo është historia, porse batuta më e njohur prej saj, e nxjerrë nga goja e Nikita Hrushovit, ka mbetur e panjohur për shqiptarët edhe pse ka qarkulluar në rrethet politike të kohës dhe është stampuar në media të shkruara. Edhe Alia vetë, gjatë intervistës për gazetarin Balla, nuk e përmendi, mbase sepse batuta e Hrushovit në adresë të tij është fyese. Ja se çfarë përshkrimi i bën situatës Mihail Jakovleviç, një prej përkthyesve të Hrushovit. “...në këtë mbledhje ishte ftuar Sekretari i Parë i PPSH-së, Enver Hoxha. Ky, meqë duket u frikësohej kritikave, në vend të tij kishte dërguar në këtë takim zëvendësuesin. Por Hrushovi e hapi mbledhjen me pyetjen për statusin e delegacionit shqiptar. Nisi grindja. Hrushovi propozoi që delegacioni të konsiderohej i paautorizuar të vendosë për çështje të ndryshme, sepse ajo ishte një mbledhje e sekretarëve të parë dhe jo një takim miqësor. Nga ana e tyre përfaqësuesit e Shqipërisë deklaruan se ata kishin fuqinë e duhur dhe autorizim zyrtar të lidershipit të tyre për zgjidhjen e të gjitha çështjeve që do të ngriheshin në këtë takim. Hrushovi u përgjigj prerë se atë nuk e kënaqte aspak pozicioni i Enver Hoxhës, pasi ai, tekstualisht: “sot mund të dërgojë zëvendësuesit e tij, nesër ai, mundet, dërgon shoferin e tij, dhe pasnesër do të na varë pantallonat në shpinën e karriges”. Pas këtyre fjalëve Hikita Hrushovi i sugjeroi delegacionit shqiptar të braktiste sallën e takimit. Por ata e injoruan. Hrushovi lajmëroi pushim, të gjithë u çuan dhe dolën. Mbeti vetëm delegacioni shqiptar. U fikën dritat, mbërritën pastrueset, por përfaqësuesit e Shqipërisë mbetën në vendet e tyre. Kështu që Hrushovit dhe të tjerëve iu desh që të mblidheshin në një sallë pranë. Gjithsesi në këtë pikë shqiptarët e braktisën mbledhjen”.

No comments:

Post a Comment