2017-07-12

Avokati Gashi, Milaim Zekës: Jep emra konkretë sa të duash, por vetëm ky person e di kush do të akuzohet nga Specialja

Milaim Zeka, ish-gazetar-tash deputet i Nismës për Kosovën, ka deklaruar se Gjykata Speciale, aktakuzat e para do t’i ngrit në fund të muajit korrik apo në fillim të gushtit. Ai ka thënë se presidenti i vendit Hashim Thaçi është cak i sigurt i saj, derisa sipas tij, të akuzuar do të jenë edhe krerë të lartë të SHIK-ut dhe të partive politike si PDK, AAK, Nisma, Vetëvendosje dhe LDK.

“Gjykata nuk është as raciste, as kundër UÇK-së. Gjykata Speciale, sipas të gjitha gjasave, do të ngrit të paktën katër aktakuzat e para, në fund të korrikut dhe në fillim të gushtit të këtij viti. Në goditjen e parë, PDK do të pësojë e para, mirëpo edhe partitë e tjera do të jenë në shënjestër. Presidenti Thaçi është cak I sigurt, po krejt kjo varet nga renditja e zinxhirit komandues. Krerët e lartë të SHIK-ut do të përfundojnë në Hagë, për t’u lëshuar radhën akuzave të tjera, që do të kapin krerë të lartë jo vetëm të PDK-së, po edhe të AAK-së, Nismës, VV-së e PDK-së”, ka deklaruar Zeka, përmes një postimi në Facebook.

Por, duke folur në një prononcim , avokati Tomë Gashi, ka vlerësuar se për aktakuzat e Speciales e din vetëm kryeprokurori David Schwendiman dhe askush tjetër.

“Askush nuk mund të dijë se kush mund të jetë i akuzuar nga Gjykata Speciale, këtë mund t’a di vetëm prokurori Schwendiman, i cili është prokuror i Prokurorisë që vepron në kuadër të Gjykatës Speciale dhe askush tjetër nuk mund ta dijë me siguri. Sigurisht që njerëzit i japin të drejtë vetes që të japin emra konkret, se kinse e din se kush do të jetë i akuzuar, mirëpo ajo është çështje e tyre”, ka theksuar avokati Gashi.

Specialja ndryshon skenën politike në Kosovë?

Ai ka thënë se Gjykata është e gatshme, por është prokuroria, ajo e cila sipas tij, duhet t’i dërgojë akuzat që Specialja të nis punën e saj.

“Sa i përket fillimit të punës së Gjykatës Speciale, Gykata e ka kompletuar infrastrukturën ligjore dhe poashtu e ka stafin e gatshëm për punë, duke përfshirë edhe gjyqtarët dhe stafin tjetër, që janë këshilltarët juridik dhe çështje të në mënyrë që Gjykata të mund të nis punën e saj”, është shprehur tutje Tomë Gashi.

I pyetur , nëse Gjykata do të ndryshojë skenën politike në Kosovë, avokati ka pohuar, derisa theksuar se një gjë e tillë ndodh nëse akuzohen zyrtarë të lartë të partive politike.

“Po me siguri që e ndryshon klimën politike në Kosovë, nëse akuzohen zyrtarë të lartë të partive të caktuara politike, atëherë sigurisht që do të ketë ndryshime, mirëpo duhet të presim që akuzat të bëhen publike dhe pastaj mund të flasim se kush do të goditet me këto akuza të prokurorit”, ka përfunduar  avokati Gashi.

No comments:

Post a Comment