2017-07-28

Edi Rama fillon të ndajë "tepsinë": Gramoz Ruçi do të jetë kreu i Kuvendit

rama pas festes postet qeverui
Partia Socialiste do të zgjedhë Gramoz Ruçin në krye të Parlamentit të ri. Burime pranë selisë rozë thanë dje se numri dy në Partinë Socialiste është personi i duhur për të përballuar në Kuvend betejën e ashpër politike që pritet pas daljes në opozitë të Lëvizjes Socialiste për Integrim, shkruan “Panorama”.



Me përvojën e gjatë si deputet, që nga viti 1992, por dhe në krye të Grupit Parlamentar socialist për disa legjislatura, Ruçi është autoriteti i duhur për të ruajtur balancat e duhura në Kuvendin e ardhshëm, kur vetë socialistët do të kenë 74 mandate deputetësh.

Njohja e mirë me procedurat parlamentare, por dhe rregulloren e Kuvendit, do t’ia bëjë më të lehtë detyrën kreut të Grupit Parlamentar socialist për të përmbushur këtë detyrë.

Edi Rama fillon të ndajë

Zgjedhja e kreut të ri të Kuvendit do të bëhet me votim të fshehtë me kuti, ndërsa për të duhet shumicë e thjeshtë prej 71 deputetësh.

Në shtator 2013, Ilir Meta u zgjodh në krye të Kuvendit në seancën e parë pas zgjedhjeve të 2013, duke marrë 91 vota pro, pasi ishte votuar edhe nga 8 deputetë të opozitës.

ruci
PËRPLASJA

Por duket se arsyeja kryesore që ka çuar kryetarin e PS-së Edi Rama për të propozuar Ruçin në krye të Kuvendit është situata konfliktuale me LSI-në, e cila do të ketë 19 deputetë në Kuvend, por edhe paqartësia e qëndrimit të Partisë Demokratike, pas ftesës që kreu i qeverisë bëri për të vijuar bashkëpunimin në frymën e marrëveshjes së 18 majit.

Por, prezenca e Gramoz Ruçit në krye të Kuvendit është një premisë e mirë për të vendosur marrëdhënie normale bashkëpunimi mes Kuvendit dhe Presidencës, kur Ilir Meta më 24 korrik do të marrë mandatin 5-vjeçar për të qenë në krye të shtetit.

Gjatë debatit elektoral, Ruçi kërcënoi Presidentin e zgjedhur Meta se mund të shkarkohet nga Partia Socialiste nëse do të shkelë Kushtetutën e vendit. Meta ishte shprehur se nuk do të dekretonte asnjë ministër dhe asnjë Kryeministër që dilte nga zgjedhje jo të lira.

Autoriteti i Ruçit në Kuvend ka çuar në zgjidhjen e disa ngërçeve të krijuara. Ishte paralajmërimi i kreut të Grupit socialist pas djegies së raundit të tretë pa kandidatë për zgjedhjen e presidentit, duke i kërkuar Metës ose zgjedhjen e kreut të shtetit ose zgjedhjet e parakohshme.

Pas kësaj deklarate, në seancën e radhës, Kuvendi zgjodhi presidentin e ri të vendit. Nga ana institucionale, Ruçi ka arritur të ndërtojë marrëdhënie korrekte si me opozitën në Kuvend, aleatin në qeveri, presidentin Nishani, por dhe drejtuesit e institucioneve të pavarura në vend.

No comments:

Post a Comment