2017-07-21

Jep dorëheqjen zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Sean Spicer



Sekretari i shtypit i Shtëpisë së Bardhë Sean Spicer, zëdhënës i presidentit Donald Trump gjatë gjashtë muajve të parë të presidencës së tij, dha dorëheqjen, sipas njoftimeve në mediat amerikane.

Vendimi i Spicer, sipas mediave, duket të jetë i lidhur me emërimin e një drejtori të ri të komunikimit në Shtëpinë e Bardhë, financieri i Nju Jorkut Anthony Scaramucci. Spicer ka thënë se do të ndihmojë për të lehtësuar kalimin e detyrës te zëdhënësi i ri.

Javët e fundit, Spicer luajti një rol më pak të spikatur ndërkohë që shumicën e seancave të informimit për shtypin i ka drejtuar zëvendësja e tij, Sarah Huckabee Sanders, kohë gjatë së cilës kamerat nuk janë lejuar të filmojnë.

Zëdhënësi i ri i pritshëm Scaramucci mendohet se mund të luajë një rol të ndjeshëm si një nga mbrojtësit e Trump përpara audiencave televizive.

Spicer pati një fillim të pazakontë si zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë. Që ditën e parë në detyrë, ai kritikoi ashpër gazetarët për vlerësimin që ata i bënë numrit të njerëzve që morën pjesë në inaugurimin e presidentit. Ai doli nga salla pa iu përgjigjur pyetjeve.

Mënyra e tij e interpretimit të informacioneve dhe shkëmbimet e tensionuara me median e bënë zotin Spicer objekt satire në programin mjaft të ndjekur humoristik Saturday Night Live, ku roli i tij luhej nga aktorja Melissa McCarthy.

No comments:

Post a Comment