2017-07-24

Kërcënohet me jetë drejtori i Përgjimeve në SHISH


Kërcënohet me jetë Drejtori i Përgjimeve të Shërbimit Informativ Shtetëror, Dritan Tota dhe familja e tij.

Denoncimi është bërë në prokurori nga vetë drejtori i SHISH dhe është regjistruar si procedim penal me motiv “Kanosje për shkak të detyrës”. Drejtori i Përgjimeve në SHISH ka marrë një mesazh nga një numër kosovar ku ai dhe familja kërcënohen me jetë. Ndërkaq, burime pranë familjes thonë se të afërmit e Dritanit kërkojnë mbrojtje nga shteti. Dritan Tota është emëruar drejtor i Përgjimeve në vitin 2013, por me eksperiencë të gjatë në Shërbimin Informativ Shtetëror. E gjithë çështja është mbajtur tepër sekrete edhe për shkak të pozicionit të punës që ka mbajtur Dritan Tota.

Kërcënohet me jetë drejtori i Përgjimeve në SHISH

Burime konfidenciale thonë që një nga pistat më kryesore ku po hetohet është ngjarja e arrestimit të myslimanëve në Shkodër para ndeshjes me Izraelin, pasi ka qenë Shërbimi Informativ Shtetëror ai që ka informuar prokurorinë mbi situatën. Këtë e lidhin edhe me numrin kosovar nga i cili ka mbërritur kërcënimi. Në materialet referuese të SHISH, mësohet se të arrestuarit dyshohet se në bashkëpunim me persona të tjerë në Shqipëri, Maqedoni dhe Kosovë, kryenin veprime konkrete, duke propaganduar në mbështetje të grupit terrorist ISIS, mblidhnin fonde si dhe rekrutonin besimtarë myslimanë për t’i dërguar në luftën e Sirisë e Irakut. Burimet thonë se gjatë fazës hetimore, me urdhër të prokurorit Eugen Beçi të dyshuarit janë përgjuar, fotografuar e filmuar gjatë takimeve të ndryshme që bënin në vende të caktuara, ku të pranishëm kanë qenë edhe shtetas nga Kosova dhe Maqedonia.

Gjatë kësaj kohe, ata siguronin mjete financiare për të ndihmuar familjet e personave të vrarë në luftën e Sirisë si dhe punonin për të gjetur rrugë të kalueshme për të dërguar besimtarë myslimanë në Siri në krah të ISIS-it. Sipas akuzës, ata tentonin t’i kalonin besimtarët myslimanë drejt Greqisë ose Malit të Zi, që më pas të përfundonin në Turqi, nga ku do kalonin për në Siri pranë grupeve terroriste. Katër të arrestuarit shkodranë mohuan akuzat, duke pretenduar se arrestimi i tyre është bërë vetëm për shkak të bindjeve fetare dhe mbajtjes së mjekrës. Ndërkohë, Protopapa dhe Faslija kanë pranuar njohjen mes tyre, por kanë mohuar njohjen me dy të arrestuarit e tjerë Fishti dhe Hasani, të cilët kanë mbajtur të njëjtin qëndrim mohues. Policia shtoi masat e sigurisë ndaj prokurorit të çështjes Eugen Beçi, i cili mësohet se ka marrë kërcënime direkte në sallën e gjyqit.

Kërcënohet me jetë drejtori i përgjimeve në SHISH

DASH: Në nëntor u arrestuan 4 vetë që do sulmonin në ndeshjen Shqipëri-Izrael
Departamenti Amerikan i Shtetit vlerësoi dje, rolin e Shqipërisë në luftën kundër terrorizmit. Në raportin e tij për vitin 2016, DASH përmend edhe donacionet që ka bërë Shqipëria në armë e municione. “Shqipëria ka qenë një mbështetëse e fuqishme në përpjekjet kundër terrorizimit në 2016 dhe vazhdoi pjesëmarrjen e saj në Koalicionin Global kundër ISIS, duke bërë donacione të rëndësishme me armë dhe municione. Më 4 dhe 5 nëntor, një operacion i koordinuar rajonal kundër terrorizmit çoi në arrestimin e katër individëve në Shqipëri. Operacioni parandaloi një sulm të mundshëm në ndeshjen Shqipëri-Izrael që do zhvillohej në Shkodër më 12 korrik”, thuhet në pjesën e raportit për Shqipërinë. Më tej raporti vijon: “4 individët u akuzuan për mbështetje financiare dhe logjistike të ISIS, duke rekrutuar persona në emër të ISIS dhe duke promovuar gjuhën e urrejtjes”. “Forcat ligjzbatuese në Shqipëri kanë rritur përpjekjet kundër kërcënimeve të mundshme terroriste. Njësia antiterrorizëm e Policisë së Shtetit shqiptar ka punuar me Departamentin amerikan të drejtësisë për të identifikuar kërkesat për pajisje dhe trajnim. Si rezultat, Njësia antiterrorizëm ka zhvilluar planet dhe programet e veta për përmirësimin e pajisjeve, trajnimit dhe zhvillimit dhe po rinovon një strukturë të re për njësinë”, theksohet në raportin e DASH.

SHISH e Prokuroria përgjuan besimtarët shkodranë
Bisedat e Lavdërim Muhaxherit u transkriptuan nga antiterrori izraelit

Njësia e antiterrorit pranë ushtrisë izraelite ishte e para që dha alarmin për sulm të mundshëm terrorist në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës. Kjo njësi ka transkriptuar një bisedë të përgjuar të Lavdërim Muhaxherit, kryeterroristit shqiptar në Siri, i cili kërkonte nga bashkëvendësit e tij në Kosovë të organizoheshin për sulm ndaj Kombëtares së futbollit të Izraelit. Biseda vuri në lëvizje shërbimin e Inteligjencës, të cilët bashkë me Prokurorinë asistuan në mbledhjen dhe grumbullimin e informacionit për grupin e besimtarëve myslimanë shkodranë. Gjatë këtyre përgjimeve, burimet thonë se janë fiksuar biseda të ndryshme që shtetasit nga Kosova bënin me shtetasit shqiptarë, pas porosive dhe urdhrave që jepte Lavdërim Muhaxheri nga Siria.

Në njërin nga transkriptimet e këtyre bisedave, sipas akuzës, flitej për hakmarrje ndaj të pafeve në Shqipëri, mes të tjerash edhe për një sulm me eksploziv dhe armë ndaj Kombëtares së Izraelit në Shkodër. Për këtë fakt, janë kontrolluar dhe vëzhguar prej muajsh individë të ndryshëm në Shqipëri, mes të tjerash edhe 4 të arrestuarit Xhezair Fishti, Ergys Faslija, Bekim Protopapa dhe Medat Hasani, të cilët rezultojnë më aktivë në bashkëpunimin me shtetas shqiptar nga Kosova, që mbanin lidhje direkte me Lavdërim Muhaxherin. Dyshohet se Fishti ishte personi që mbante kontakte me shtetasit nga Kosova, 9 prej të cilëve tashmë janë arrestuar. Thuhet se dy prej të arrestuarve në Kosovë kanë pranuar të bashkëpunojnë, duke treguar edhe veprimet konkrete që janë ndërmarrë për një organizim të mundshëm gjatë ndeshjes në Shkodër. Këto të dhëna, bënë që autoritetet shqiptare në bashkëpunim me shërbimet izraelite t’i kërkonin FIFA-s lejimin e zhvendosjes së ndeshjes, e cila më pas u zhvillua në “Elbasan Arena”

No comments:

Post a Comment