2017-07-28

Kryeministrja e Serbisë Ana Brnabiq kërkon autonomi për pjesën veriore të Kosovës


Kryeministrja serbe, Ana Brnabiq, ka deklaruar se normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën varet krejtësisht nga ajo se çfarë do të ndodhë me serbët në pjesën veriore të vendit, e për të cilët ajo kërkon një lloj autonomie.

Brnabiq, në një intervistë për agjencinë amerikane të lajmeve, Bloomberg, tutje ka thënë se për statusin përfundimtar të Kosovës do të vendoset fare në fund të rrugëtimit.

“Avancimi drejt normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën tani varet nga vetë Kosova nëse do t’u jap një lloj autonomie serbëve që jetojnë në veri të vendit”, ka thënë ajo, duke shtuar se “çështja e përgjithshme e statusit do të vendoset krejt në fund të rrugëtimit”.

Rusia është, po ashtu, përkrahësi më i madh i Serbisë në raport me mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës, që është edhe një prej pengesave më të mëdha për hapjen e bisedimeve për anëtarësim.

Kryeministrja serbe, Ana Brnabiq, po ashtu, ka folur edhe për aspiratat e vendit të saj për anëtarësim në BE. Ka deklaruar se nëse Serbisë do t’i duhej të zgjidhte mes marrëdhënieve më të afërta me Rusinë dhe anëtarësimit në Bashkimin Evropian, do të rreshtohet kah kjo e fundit.

Ajo ka thënë se do të vazhdojë rrugën e nisur nga paraardhësi i saj, presidenti Aleksandër Vuçiq, për ta bërë vendin e saj gati për anëtarësim në BE deri në fund të mandatit të saj, më 2020.

No comments:

Post a Comment