2017-07-15

Lista e zezë,Akademik Moikom Zeqo kundër Edi Ramës: Juridikisht nuk është e saktë

Moikom Zeqo

Që korrupsioni është endemik dhe kapilar në Shqipëri, kjo nuk përben asnjë sekret të paditur për popullin, pa harruar dhe sintagmën tashmë gati aksiomatike që vetë populli shqiptar këto 27 vjet ka qenë edhe objekt për fat të keq, edhe subjekt i korrupsionit. Nuk duhet harruar kjo e vërtetë ulëritëse!

Pra korrupsioni nuk është i klasifikueshëm rigorozisht, p.sh të bëjmë sikur të arsyetojmë se korrupsioni i takon vetëm PD-së, LSI-së etj, kurse PS-ja është e pakorruptueshme. Ose zyrtarët e nivelit të ulët dhe të mesëm të administratës janë të korruptueshëm, kurse zyrtarët e nivele më të larta nuk janë të korruptueshëm.

Ose të arsyetojmë në sensin e kundërt, pa harruar, se kthimi mbrapsht i dorashkës, nuk e zhbën dot identitetin e të njëjtës dorashkë. Kryetarët e partive kryesore që zotërojnë 27 vjet pushtetin në Shqipëri janë akuzuar me emra dhe me detaje për aferat e mëdha korruptive.

A mund ta bëjnë këta politikanë luftën kundër korrupsionit? Mendoj me trishtim, por edhe me përkorje, se këta politikanë kryesorë nuk e luftojnë dot korrupsionin, që e ka kthyer Shqipërinë e gjorë në një nga vendet më të korruptuara të botës. E tërë shoqëria shqiptare, mjerisht është e korruptuar. Mentaliteti bizantin dhe otoman i korrupsionit është përhapur edhe tek gjeneratat e reja. Ajme!

Korrupsioni nuk luftohet nga sipër, por duhet të jetë një revolucion i madh moral nga poshtë, në substancën dhe vetëdijen e shoqërisë shqiptare. Por ky ndryshim kopernikan duhet konceptuar nga intelektualët e ndershëm dhe vizionarë, duke stimuluar domosdoshmërinë e ndryshimit në një situatë apokaliptike për jetë a vdekje, për të ringjalluar sistemin e vlerave që ka kohë që ka vdekur në Shqipëri.

Lista e të korruptuarve e publikuar nga Rama, juridikisht nuk është e sakte, sepse çdo i akuzuar ka të drejtën e gjyqit dhe të mbrojtjes. Ky proces ciklik dhe i pafund do të krijonte më tepër një tautologji se sa drejtësi! Politika shqiptare e ka shkatërruar frikshëm konceptin e drejtësisë këto 27 vjet. As të vrarët e Gërdecit, as të 21 janarit etj, nuk janë konceptualizuar nga optika e drejtësisë supreme. Askush nuk beson në këtë drejtësi, madje as unë.

Klasa politike delitante shqiptare ka vetëm një alternativë ndryshimi real, zbatimin e Vettingut, jo vetëm për gjykatësit, por sidomos për vetë politikanët. Pa këtë universalizim të vettingut, Shqipëria mund të konsiderohet pa shpresë dhe pa kauzë morale. Po vetëm vettingu mundet të luftojë korrupsionin.

Vetëm vettingu mund të bëjë ose të nisë ndryshimin e madh. Vettingu në të gjitha konceptimet juridike dhe si instrument i epërm, i pakontaminuar nga politika shqiptare është përgjegjësja historike dhe konceptuale e korrupsionit marramendës në Shqipëri. Vetëm vettingu!

No comments:

Post a Comment