2017-07-05

LUFTË PËR JETË A VDEKJE

Dokumenti sekret i Byrosë Politike: më 14 korrik ’90. Akuza Vatikanit se kishte agjenturë në Shkodër. Frika e regjimit nga përhapja e revoltës të nisur në kryeqytet dhe që u pasua nga ajo e Kavajës

Mbajtur në mbledhjen e Byrosë Politike të KQ të Partisë

Më 14 korrik 1990

Byroja Politike, në mbledhjen e datës 14 korrik 1990, mori në shqyrtim këtë çështje:

1. “Analizë për ngjarjet e 2 korrikut dhe të Kavajës e disa konkluzione për punën e Partisë”.

Në mbledhje marrin pjesë anëtarët e kandidatët e Byrosë Politike të KQ të Partisë, shokët: Ramiz Alia, Adil Çarçani, Besnik Bekteshi, Hekuran Isai, Lenka Çuko, Muho Asllani, Pali Miska, Simon Stefani, Xhelil Gjoni, Hajredin Çeliku, Pirro Kondi, Qirjako Mihali, Kiço Mustaqi, Llambi Gegprifti, Niko Gjyzari, Xhemal Dymylja.

Mbledhjen e Byrosë Politike e drejton shoku Ramiz Alia, Sekretar i Parë i Komitetit Qendror të Partisë.

Zhvillimi i mbledhjes

Shoku Ramiz Alia: Në këtë mbledhje, shokë, mendoj të shkëmbejmë mendime lidhur me ngjarjet e kohëve të fundit e sidomos të datës 2 korrik kur u futën në ambasadat e huaja rreth 4700 veta. Ngjarja e 2 korrikut i zuri në befasi organizmat tona dhe pas saj u krijua një situatë e rëndë.

Në një pushim ndërmjet seancave të Plenumit të 11-të të Komitetit Qendror, Presidiumi i Kuvendit Popullor nxori dekretin për pajisjen me pasaporta për jashtë të të gjithë atyre që u futën nëpër ambasada. Para dy ditësh, siç e dini, u bë evakuimi i plotë i tyre.

Mbrëmë janë larguar ata që u strehuan në ambasadën hungareze dhe sot ikin të fundit, ata që gjenden në ambasadën turke.

E rëndësishme është se rreth 4400 veta prej tyre ishin të zënë në punë, pra jo si shpifin disa që thonë se kanë ikur të papunët. Veç fëmijëve, 20 përqind janë gra, ky është një veprim tepër i ulët. Nga pikëpamja e nivelit arsimor me shkollë të lartë ishin relativisht pak, rreth 70-80 veta, por edhe këta janë tipa pa karakter.

Në këto ngjarje, padyshim, pasqyrohet puna e dobët e organeve të punëve të brendshme, veçanërisht e Sigurimit të Shtetit, të cilat u zunë në befasi, si dhe puna e dobët e Komitetit të Partisë të Rrethit të Tiranës. Është e çuditshme që organet tona emrat e atyre që ishin futur në ambasada nuk i dinin, kështu që u detyruan t’i merrnin nga kërkesat për pasaportat!

Jam i bindur se edhe sot e kësaj dite qendrat e punës nuk dinë se kush u është futur në ambasada. Kur këtu në Tiranë administratat e ndërmarrjeve nuk njohin mirë punëtorët e tyre dhe nuk dinë kë paguajnë, merrni me mend se ç’mund të bëhet me ndërmarrjet që kanë punëtorë sezonalë si në sharrat e Pukës, në Vermosh, në Bushtricë apo gjetkë?!

Organizata e Partisë e Tiranës nuk e tregoi veten në nivelin e duhur, nuk tregoi militantizëm, nuk ishte në rolin udhëheqës, ndërsa komunistët e Tiranës u tulatën. Duhej të organizonim dje mitingun që të ngrihej morali i tyre, se në përgjithësi morali i njerëzve, por dhe i komunistëve kishte rënë shumë. Natyrisht, pas ngjarjeve të 2 korrikut u bënë disa përpjekje, u ngritën disa njësi a detashmente, siç u quajtën, për të forcuar vigjilencën. Mirëpo duhet patur parasysh se në Tiranë militojnë 25 mijë komunistë, por forca e tyre nuk u ndie fare, përkundrazi, dominonin parullat e armikut, të reaksionit të kolonës së pestë, që janë nga më ekstravagantet.

Në ngjarjet e 2 korrikut ka patur ndikim edhe veprimtaria armiqësore e huliganëve të rretheve të tjera. U bënë tentativë për të hyrë në ambasada ose për të bërë ndonjë rrëmujë nga grupe huliganësh që erdhën nga Shkodra apo nga Durrësi. Forcat e policisë janë detyruar t’i largojnë.

Ngjarje të shëmtuara kanë ndodhur edhe në Kavajë, ku gjendja mund të themi edhe sot e kësaj dite është e rëndë. Veç faktit që atje ka një fermentim armiqësor, ndodhi dhe një ngjarje shumë e hidhur: u vra një njeri kur forcat e Policisë e të Sigurimit vajtën me “teorinë e krehjes”. Kanë dalë në skenë dhe teori tani. Dhe “krehën” bukur! Vrasja e këtij njeriu shkaktoi turbullim në tërë qytetin. U lëshuan njerëzit e thyen tërë xhamat e vitrinave të qytetit. Jo vetëm kaq, por të nesërmen në varrim morën pjesë mijëra vetë. Kjo mori njerëzish, e irrituar me t’u kthyer nga varrimi dogjën makinën e Sekretarit të parë të Komitetit të Partisë të Rajonit të Kavajës. Kavaja faktikisht ishte në duart e tyre. Dhamë urdhër që të mos ndërhynte policia se me ato nerva të tendosura e atë irritim nga të dyja palët çdo gjë mund të ndodhte.

Komunistët e Kavajës nuk u ndien fare. Parullat që u hodhën ishin nga më reaksionarët, më armiqësoret kundër Partisë e pushtetit si “Enver-Hitler”, “Muho Asllani-Sllobodan”, “Hekuran-Sllobodan”.

Natyrisht, ne dërguam forca ushtarake në Kavajë të gatshme për çdo eventualitet, por urdhëruam të qëndronin brenda në gazermë dhe ato në fakt, nuk bënë asnjë veprim. Megjithatë, situata në Kavajë vazhdon të mos jetë e mirë. Elementët e këqinj tani dalin në rrugë e gjuajnë me gurë dhe para vetes vënë gratë e fëmijët për t’u mbrojtur. Te vendi ku ndodhi vrasja vendosin lule çdo ditë.

Ngjarja e fundit e Kavajës nuk është e re. Gjatë 3-4 muajve të fundit janë përsëritur ngjarje të tilla. Shoku Muho është paralajmëruar të ketë kujdes. Të paktën, 2-3 herë e kam thirrur unë. Pavarësisht nga kjo, duke qenë se ngjarjet ishin të rënda ai duhet t’u kishte kushtuar më tepër vëmendje. Mirëpo shoku Muho vazhdon të punojë me metodën dhe stilin e vjetër, nuk përdor dialogun e debatin, por vazhdon të japë urdhëra e komanda. Në Kavajë, është krijuar një situatë e papëlqyeshme. Ta themi hapur, kavajasit nuk e shohin dot me sy Muho Asllanin. Deri tani Komiteti i Partisë i Rrethit nuk ka marrë asnjë masë për të qetësuar situatën në Kavajë. Sot, unë kam dërguar në Kavajë shokun Foto, kjo jo për të bërë mbledhje me njerëzit, por për të parë nga afër gjendjen e për të ndihmuar. Agron Tafa, për mendimin tim, duhet hequr si Sekretar i Parë i Komitetit të Partisë së Rajonit të Kavajës. Ne gabuam, ta themi hapur, që nga kryetar dege e vumë sekretar partie, por morëm parasysh ndërhyrjet e konsideratat e mira për të, të shokut Muho e të shokut Hekuran. Shokë të mirë e të aftë ka plot, por duhet t’i dojë dhe populli, por populli nuk e donte Agron Tafën. Ai mund të punonte shumë mirë në një vend tjetër, por nuk ishte për sekretar partie në Kavajë.

Para se të futem në disa gjëra konkrete dua të theksoj, megjithëse fola dhe nq Plenumin e 11-të të KQ, se sot zhvillohet një luftë e rreptë për jetë a vdekje midis pushtetit popullor e socializmit, nga njëra anë dhe reaksionit botëror nga ana tjetër, i cili kërkon shkatërrimin e pushtetit popullor, zhdukjen e socializmit, eliminimin e komunistëve. Kjo duhet kuptuar mirë nga të gjithë ne. Ne luftojmë për të forcuar pozitat e pushtetit popullor, pozitat e socializmit, për të forcuar e për të shtuar fitoret e revolucionit. Rruga për t’i arritur këto që përmenda e për të forcuar pozitat e lirisë e të pavarësisë së Atdheut është ajo rrugë që kemi përcaktuar nëpër plenumet e ndryshme të KQ, domethënë rruga nëpërmjet demokratizimit të mëtejshëm të jetës së vendit e të Partisë, nëpërmjet forcimit të lidhjeve të Partisë me masat, nxitjes së iniciativës dhe rritjes së rolit të tyre, shkatërrimit të çdo pengese burokratike që pengon iniciativën e masave dhe frenon zhvillimin e vendit.

Këto ne i kemi sintetizuar në reformën ekonomike, në ligjet e ndryshme, në forcimin dhe përmirësimin e marrëdhënieve shoqërore, në fushën e politikës së jashtme etj. Askush nuk duhet të mendojë se këto janë veprime taktike për t’ia hedhur ndokujt, por duhet të kuptojmë që janë masa, korrigjime, plotësime, rregullime e krijime për të forcuar pozitat e socializmit, të pushtetit të popullit. Pa këto masa nuk mund të zhvillohet ekonomia, nuk mund të forcohet liria dhe pavarësia, nuk mund të shkojë përpara socializmi.

Kjo është pozita dhe vija jonë. Kundër kësaj vije e kundër këtyre pozitave lufton armiku, veçanërisht armiku i jashtëm. Armiku lufton me parulla të njëjta me tonat. “Për demokraci”, “Për liri të individit”, “Për pluralizëm politik” etj. Por, nëse synimi ynë është të forcojmë pushtetin e popullit, synimi i armiqve është të likuidojnë pushtetin popullor, të likuidojnë socializmin, të zhdukin komunistët. Parrullat e tyre “Të demokratizojmë jetën”, “Të pluralizojmë veprimtarinë politike”, “Të zhvillojmë tregun, pronën private, kapitalet e huaja”, “Të zhvillojmë fenë”, kanë për qëllim të zhdukin pushtetin popullor dhe socializmin. Këtë të mos e harrojmë. Pse e them këtë? Sepse ka shumë njerëz te ne që kanë rënë e po bien viktimë e propagandës së armiqve. Jo rastësisht dëgjohen fjalët: “Pse nuk marrim kredi”? Po cili vend i ka hapur kasafortat dhe vetëm të zgjatësh dorën të marrësh para? Këta njerëz e të tjerë, nuk e kuptojnë që qëllimi i reaksionit është më larg – krijimi i shoqërive private në Shqipëri. Por dhe për këtë pyesin: “Pse nuk krijohet kapitali privat në Shqipëri?” T’i hapet rruga kapitalit privat do të thotë të zhduket pavarësia dhe socializmi në Shqipëri!

“Pse nuk eksportojmë fuqi punëtore?” Është një parullë tjetër. Po cili shtet ka kërkuar fuqi punëtore? Askush. Atëherë pse e ngrenë këtë çështje? Qëllimi është i qartë: të diskretitojnë socializmin, të largojnë njerëzit nga rruga e drejtë, t’i vënë kundër pushtetit.

Këta njerëz nuk e kuptojnë se parullat për “demokracinë, për lirinë e individit ose për pluralizmin”, kanë synim të zhdukin Partinë, të zhdukin komunistët.

A nuk mjaftojnë disa shembuj, shokë që t’i kemi parasysh?

A ka komunistë që i kanë bërë shërbime më të mëdha imperializmit se komunistët jugosllavë? Nuk ka. Por çfarë po ndodh sot? Edhe ata imperializmi po i heq nga pushteti, po i zhduk. Çfarë bën imperializmi.

Si mendoni, a ta caktojmë në ndonjë nga komitetet e Partisë së rajoneve të Tiranës për propagandën? Sidoqoftë ta diskutojmë këtë.

Shoku Pali Miska: Më mirë le të qëndrojë në Tiranë.

Shoku Ramiz Alia: Kam marrë dhe mendimin e shokëve që Mehmet Elezin mund ta çojmë Sekretar Partie në Vlorë për çështjet e propagandës. Këta shokë janë të rinj, prandaj është mirë që të kaliten me punën e Partisë. Atij nuk i kam thënë ende asgjë, por jam i mendjes që tani nuk ka kohë për më shumë biseda. Çështja është që secili duhet të bëjë punën e Partisë, të shkojë ku ta çojë Partia, sot lipset tjetër militantizëm, ky është mendimi im, por sidoqoftë shokët le të shprehin mendime.

Jam i mendimit që të dy zv/ministrat e Punëve të Brendshme, Zylyftar Ramizi dhe Ilir Mustafaraj, të shkarkohen nga detyra. Qeveria le t’i vendosë pastaj ku ta shohë të arsyeshme.

Zylyftari kishte Sigurimin në dorë, apo jo Simon (Shoku Simon pohon). Çfarë na dha Sigurimi? Ilir Mustafaraj kishte tërë policinë në dorë. Policia jo vetëm që nuk e tregoi veten në ngjarjet e fundit, por tani na rezulton që policët kanë marrë para për të futur njerëz nëpër ambasada. Çfarë kontrolli kishte mbi policinë?

Koha nuk pret për masa gjysmake. Sidoqoftë ky është mendimi im dhe po e shtroj ta diskutojmë.

Në Kavajë duhet ndryshuar udhëheqja e Komitetit të Partisë të Rajonit, unë do të shtroja çështjen dhe për shokun Muho. Mua më duket se shoku Muho nuk iu përgjigj rolit, detyrës, që iu ngarkua si Sekretar i Parë i Komitetit të Partisë së Rrethit të Durësit. Me këto dobësi, me këto të meta unë nuk mendoj që partia do ta përkrahë. Ia kam thënë dhe veças, por detyrohem ta them dhe këtu, në mbledhjen e Byrosë Politike që edhe për djalin e shokut Muho ka shumë fjalë. Ai gati sa nuk bën ligjin nëpër kafenetë e Tiranës dhe të Durrësit. Do të thoni ju që çlidhje ka djali me këtë?

E kam thënë edhe herë tjetër që fëmijët tanë dhe njerëzit tanë të familjes duhet të sillen korrektë. Populli kaq shumë vë re, sa në ndonjë Komitet Partie Rajoni, duke u nisur jo vetëm nga mosha po edhe nga përvoja. Më mirë të emërohet në ndonjë organizëm shtypi.

Shoku Ramiz Alia: Ne këtu vendosim shkarkimin, ndërsa emërimet janë nomenklaturë e Sekretariatit.

Shoku Pirro Kondi: Jam plotësisht dakord për shkarkimin e zv/ministrave të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Nga ana e tyre është treguar miopi, në një kohë që të dhëna, sinjale duhet të kishin me siguri.

Për Mehmet Elezin shpreh propozimin në qoftë se mund të caktohej sekretar për propagandën në Tiranë.

Shoku Ramiz Alia: A e kryen dot këtë detyre? Inteligjencia e Tiranës do një njeri tjetër.

Shoku Xhelil Gjoni: Mund të vejë në Shkodër.

Shoku Ramiz Alia: Jo, nuk duhet as për në Shkodër. Në Vlorë do të ishte më mirë të vente.

Shoku Pirro Kondi: Unë u nisa ngaqë është shok që ka fituar një farë autoriteti, ka qenë dhe Sekretar i Parë i Komitetit Qendror të Rinisë.

Shoku Ramiz Alia: Ka pak paragjykime.

Shoku Pirro Kondi: Tërhiqem, jam dakord me propozimin.

Shoku Ramiz Alia: Për në Tiranë të shikojmë ndonjë shok tjetër. Mirë, tjetër kush do të flasë?

Shoku Adil Çarçani: Kryesore, mendoj, janë kuptimi i situatës dhe i qëllimeve të armiqve të jashtëm dhe të brendshëm. Mobilizimi dhe aktivizimi i kuadrove dhe i komunistëve në Tiranë dhe Kavajë nuk ka qenë në nivelin që duhej. Sot në Kavajë gjendja është qetësuar, tha shoku Muho, po a i dëgjojnë komunistët? Po dhe në Tiranë nuk duhet të mjaftohemi me këtë qetësi.

Unë jam dakord me masat që propozini ju dhe të tjera po të jetë nevoja se çdo gjë e justifikon karshi këtij qëllimi të egër të armiqve, të cilët kërkojnë të rrëzojnë pushtetin. Borgjezia kërkon të vendosi sa më shpejt kapitalizmin këtu. Dhe ato lajka për qëllimet e tyre i kanë.

Shoku Ramiz Alia: Kërkojnë pushtetin.

Shoku Adil Çarçani: Po. Kur dëgjojnë për socializmin, pale për komunizmin, kanë urrejtje.

Shoku Ramiz Alia: Gazeta gjermane thoshte që duhet bërë presion politik dhe ekonomik. Tregu i Përbashkët Evropian e ka theksuar që duhet pluralizëm politik.

Shoku Adil Çarçani: Po ndryshe ne nuk mund të marrim pjesë në asnjë organizatë evropiane.

Shoku Ramiz Alia: Është e qartë ajo çfarë kërkohet.

Shoku Adil Çarçani: Prandaj është e justifikuar çdo masë organizative ndaj kujtdo qoftë.

Shoku Ramiz Alia: Duhet t’u vëmë gjoksin punëve.

Shoku Adil Çarçani: Muhoja shprehu mendimin e tij këtu, por ty Muho të ka ikur nga duart Partia atje në Kavajë, po dhe për në Durrës nuk duhet fjetur mendja.

Në vend që ta krijojnë komunistët dhe kuadrot opinionin në popull, janë të tjerët që e bëjnë këtë punë.

Unë jam dakord me masat që propozohen, po kjo duhet kuptuar nga të tërë njerëzit.

Shoku Pali Miska: Dhe unë jam plotësisht dakord me konkluzionin tuaj, që shokëve të Komiteteve të Partisë të rretheve Tiranë dhe Durrës u ka ikur situata nga dora. Unë kam mendimin që me këta shokë zor se normalizohet situata si më parë. Ta kemi të qartë këtë punë. Dëmi që iu shkaktua Partisë së vendit, socializmit nuk është i vogël, qoftë me të 5000 vetat që ikën nëpërmjet ambasadave, qoftë me veprimet e tjera që u bënë në Tiranë, Durrës, sidomos në Kavajë.

Këtë të vërtetë duhet ta shikojmë në sy. Populli është shumë-shumë i shqetësuar për këtë çështje. Qyteti i Tiranës vërtet është i madh, por ka dhe shumë kuadro, komunistë, ka shumë organizma, pra ka më shumë mundësi të jetë situata në dorë.

Kjo tregon, ashtu siç e përcaktuat dhe ju, shoku Ramiz, që puna e Partisë me njerëzit në ndërmarrje, në institucione e kudo nuk ka qenë në nivelin e duhur, është bërë një punë e dobët. Shembuj kemi plot. Shkodra është më e predispozuar për ngjarje të tilla, për këtë u përhapën dhe shumë fjalë, po gjendja është dominuar.

Shoku Ramiz Alia: Rreth 300-400 veta vijnë çdo ditë nga Shkodra në Tiranë.

Shoku Pali Miska: Përpjekjet për të rregulluar gjendjen duhet të jenë shumë të mëdha. Dua të them që situata në Kavajë nuk zotërohet nga Partia dhe po e lamë kështu, situata mund të keqësohet. Le të venë në Kavajë kuadro e njerëz nga Tirana, por po nuk e morën në dorë çështjen komunistët e Kavajës, nuk do të ketë rezultat.

Jam plotësisht dakord me mendimet tuaja, shoku Ramiz, këto janë në të mirën e punës së Partisë.

Asnjë njeri nuk të akuzon, shoku Muho, se nuk ke bërë përpjekje, nuk të akuzon për ndërgjegje, por ama, kjo situatë duhet dominuar. Ti je në krye të Komitetit të Partisë së Rrethit dhe duhej t’u dilje zot punëve. Sa e sa herë të ka dhënë porosi shoku Ramiz për të rregulluar gjendjen në rrethin e Durrësit, se ç’është e vërteta situata të kishte shkarë nga dora.

Shoku Ramiz Alia: Nuk ka qytet tjetër ku vepron më tepër agjentura e armikut se sa Shkodra. Në Shkodër agjentura vepron shumë e organizuar, e ndërthurur. Atje ka agjentura serbe, italiane, gjermano-perëndimore dhe franceze. Vatikani ka hedhur agjenturën e vet, prandaj duhet ndenjur gjithmonë në tension dhe të rritet vigjilenca.

Shoku Pali Miska: Po të rritet e të forcohet puna e Partisë, gjendja stabilizohet. Sigurisht në këtë situatë që është armiku.

No comments:

Post a Comment