2017-07-28

Mediat italiane dhe greke: Nexhmije Hoxha e dinte që burri i saj Enver Hoxha ishte homoseksual


Lajmi për arratinë e përkthyesit Bulka në vjeshtën e vitit 1987, ka mbërritur në Tiranë njëherazi me dëshmitë e bujshme për orientimin seksual të Enver Hoxhës, që ai kishte dhënë për shtypin perëndimor.
Mediat italiane dhe greke: Nexhmija e dinte që Enveri ishte homoseksual
Pohimet e Bulkës për anët e errëta të personalitetit të diktatorit, u pritën me interes nga media e huaj dhe në pak ditë bënë xhiron e botës.

Gazeta greke “Vradhini”, 10 nëntor 1987, boton shkrimin me titull: “’Braktisa Shqipërinë për të marrë frymë lirisht…’, tha përkthyesi i Enver Hoxhës”.

Athinë – “Erdha në Greqi për të marrë frymë lirisht. Po. Isha përkthyesi personal i Enver Hoxhës dhe di hollësira të rëndësishme për jetën dhe pasionin e tij prej homoseksuali! Kam jetuar tronditjen që krijohej në mekanizmin e Partisë të Shqipërisë kur ndodhnin arratisje jashtë shtetit. Shtypen të drejtat e njeriut, ka internime, burgosje, rënie të ekonomisë, censure, devijime morale. Katalogu është i gjatë!”

Gazeta “La Stampa” e datës 11.11.1987, boton një shkrim me titull: “Stalini shqiptar, homoseksual dhe vrasës”, me mbititull: “Një ish-bashkëpunëtor i Hoxhës thotë: Frika se mos e tallnin e çoi deri në paranojë”, dhe me nëntitull: “Të kundërshtoje marrëdhëniet me udhëheqësin, do të thoshte të dënoheshe me vdekje, e megjithatë ishte seksofob dhe e dënonte homoseksualizmin me 7 vjet kamp pune të detyruar”.
Athinë – Udhëheqësi i ndjerë shqiptar, Enver Hoxha, ishte një homoseksual që i fshihte prirjet e tij, gjë që e çoi ne paranojë dhe në vrasje, deklaroi Ilir Bulka, ish-bashkëpunëtor i tij që nga viti 1973 deri më 1980, 5 vjet përpara se Hoxha të vdiste, në një intervistë dhënë agjencisë UPI. Bulka ka kërkuar strehim politik në Greqi. “Frika psikologjike se mos e tallnin e bëri atë që të kapej pas pushtetit me të gjitha mjetet, pavarësisht se kjo do të thoshte përdorim i metodave si shfarosjet masive”, tha Bulka, i cili shtoi se Hoxha imponoi një kod të rreptë sjelljeje morale në të gjithë vendin, “solli në fuqi ligje që e dënonin homoseksualizmin dhe ata që shpalleshin fajtorë për këtë krim, dënoheshin me të paktën 7 vjet në një kamp pune”.

Bulka pohoi më pas se “homoseksualiteti i Hoxhës, për të cilin e shoqja ishte në dijeni, ka influencuar në historinë e vendit tonë të vogël. Udhëheqësi filloi të hyjë në marrëdhënie homoseksuale në Paris, ku studioi përpara Luftës së Dytë Botërore. Udhëheqësit kryesorë shqiptarë e dinë se ai i vazhdoi marrëdhëniet e fshehta homoseksuale deri ditën që vdiq”.

Refugjati shqiptar, në intervistën e tij, i bëri elozhe udhëheqjes aktuale duke thënë se udhëheqësi i ri i saj “Ramiz Alia po kërkon që të pakësojë me ngadalë influencën e pasuesve të Hoxhës në vend, të atyre që morën prej tij poste të privilegjuara, por, ashtu si Gorbaçovi, ka shumë armiq të rrezikshëm”.

Alia e ka hequr ligjin mbi ndalimin e homoseksualitetit dhe ka bërë disa hapje të matura tregtare dhe diplomatike ndaj Perëndimit.

Gazeta “Il Mesaxhero”, e datës 11.11.1987, boton një artikull me titull: “Zbulimet, Enver Hoxha ishte homoseksual, paranojak dhe vrasës” dhe me nëntitull: “Ish-sekretari personal i udhëheqësit të ndjerë të Tiranës, i arratisur në Athinë, akuzon: Enveri i vrau vetë ministrat, dashnoret e tij”…

Athinë – Udhëheqësi i ndjerë shqiptar, Enver Hoxha, ishte një homoseksual që i fshihte prirjet e tij dhe për këtë arsye u bë një paranojak dhe vrasës, i cili vrau me duart e tij shumë nga viktimat e tij. Këtë e pohoi dje, në një intervistë dhënë agjencisë amerikane UPI, Ilir Bulka, 38 vjeç, i cili për shumë vjet ishte bashkëpunëtor i Hoxhës, për të cilin çdo ditë përgatiste një përmbledhje të lajmeve kryesore nga bota.

Bulka kërkoi strehim politik në Athinë, në shtator të këtij viti, ndërkohë që po kalonte transit në Aeroportin e Athinës bashkë me një skuadër shqiptare futbolli që do të zhvillonte një ndeshje jashtë shtetit. Duke folur për Hoxhën, Bulka tha se paranoja e tij u shtua sa më shumë që ai plakej dhe e çoi atë deri aty sa të ndalonte këngët e dashurisë, poezitë popullore dhe kërcimet e balerinëve meshkuj e femra në televizionin shqiptar.

Bulka pohoi më pas se “homoseksualiteti i Hoxhës, për të cilin e shoqja ishte në dijeni, ishte një sekret që e dinin zyrtarët më të lartë komunistë të vendit. Të kundërshtoje marrëdhëniet me Hoxhën, ishte njëlloj si të dënoheshe me vdekje. Bulka pohoi pastaj se Hoxha insistonte personalisht që të njihej me të gjithë shkrimtarët, poetët dhe kompozitorët e rinj shqiptarë në apartamentin e tij luksoz në Tiranë.


Në intervistë, Bulka i bëri elozhe më pas udhëheqjes së tanishme komuniste shqiptare, duke thënë se udhëheqësi i ri Ramiz Alia “po kërkon të pakësojë me ngadalë influencën e pasueseve të Hoxhës në vend, por, ashtu si udhëheqësi sovjetik Gorbaçov, ka shumë armiq të rrezikshëm”.

Enver Hoxha vdiq në prill 1985, në moshën 76-vjeçare, pasi kishte udhëhequr për 40 vjet vendin më të varfër e më të izoluar të Europës me metoda të ashpra staliniste dhe duke e mbajtur atë rreptësisht të izoluar.

Sipas Bulkës, “vrasjet e miqve të tij në qeveri, që i kryente me gjakftohtësi, dhe spastrimet e tmerrshme vinin për shkak te grindjeve midis dashnoreve me huqe, ose ishin krime në bazë të të cilëve ishte pasioni”. “Hoxha bënte rregullisht spastrime në gjirin e udhëheqjes komuniste shqiptare dhe “vrau vetë ministrin e Mbrojtjes Beqir Balluku dhe kryeministrin e tij, Mehmet Shehu”, përfundoi Bulka.

Urdhri i Nexhmijes: Shporrini nga Tirana Bulkët

Ilir Bulka, ish-punonjësi i ATSH-së, u arratis më 26 shtator 1987, kur ishte duke shoqëruar ekipin e “Vllaznisë” në rolin e përkthyesit. Në rastin e tij, ndryshe nga reagimi i menjëhershëm ndaj familjeve të të arratisurve, shteti operoi me vonesë. Vendimi për internimin e familjes së Bulkës mban datën 16 nëntor 1987.

“Njëfarë kohe kjo histori u harrua dhe ata mund të shpëtonin, – shprehet njëri nga ish-oficerët e Sigurimit, që është marrë me çështjen, – por një ndërhyrje e rrufeshme e Nexhmijes e futi në tjetër rrjedhë fatin e tyre”.

Gruaja e Hoxhës, sa ishte njohur me deklaratat e Ilirit në shtypin e huaj për figurën e Enverit, kishte urdhëruar prerë: “Shporrini nga Tirana brenda natës!”. Mjaftoi kaq, shton ish-sigurimsi dhe familjarët e Ilirit përfunduan në Fierzë të Dumresë, madje pa dalë as vendimi zyrtar i Komisionit të Internim-Dëbimeve.

No comments:

Post a Comment