2017-07-03

Nga Flori Bruqi : Në vend të përkujtimit:Yllka Domi

Image result for yllka domi biografia

Yllka Domi u lind në Gjakovë më 18.08.1982. Yllka ishte e bija e Afrim dhe Dashurije Domit. Ajo u lind në një familje qytetare me tradita patriotike. Gjyshi i saj Kasim Domi,një atdhetar dhe veprimtar i madh u dënua nga pushtuesit sërbo-jugosllav dhe vuajti dënimin në burgun më famëkeq në Goli Otok. Babai i Yllkës ,Afrimi poashtu u angazhua në aktivitete dhe në institucionet e Republikës së Kosovës për të dhënë kontributin e tij. ​

Image result for yllka domi biografia


U dënua nga pushtuesit serb dhe vuajti burgun në burgjet serbe. E ëma e Yllkës Dashurija, i edukoi fëmijët e saj Triumfin, Visarin dhe Yllkën dhe i ushqeu me dashuri dhe atdhedashuri edhe pse në rrethana mjaft të vështira,sepse ishin kohë të egra dhe familja e tyre ishte vazhdimisht në shënjestër të pushtimit serb.

Yllka si nxënëse e shkëlqyeshme e shkollës “Mazllom Këpuska “në Gjakovë, herët u dallua për shkathësitë e saja organizative, por edhe për talentin e rrallë që kishte për shkrimet dhe krijimtarinë letrare. Pra shumë herët ajo u mor me shkrime,me aktrim, ishte një valltare e mirë dhe me shtatin e saj dallohej nga bashkëmoshataret e saja. ​

Yllka angazhohej në të gjitha programet dhe manifestimet e shkollës, por ishte prezente edhe në organizimet tjera kulturore që mbaheshin në qytet gjatë kohës së okupimit. Ajo lexonte poezitë e saja, por edhe recitonte bukur poezitë e shkrimtarëve të mëdhenj.Yllka Domi ka botuar shkrimet dhe poezitë e saj në revista të ndryshme. ​Me këto cilësi Yllka vazhdoi edhe mësimet në Gjimnazin”Hajdar Dushi “ku përveç sukseseve në mësime ajo udhëhoqi edhe grupin letrar.​


Yllka rritej në një frymë atdhetare dhe po përballej gjithmonë me padrejtësitë që po i bëheshin kombit shqiptar. Prandaj ajo ishte e interesuar gjithmonë që të informohet saktë se si po lëvizin gjërat. Kudo ishte aktive, në shkollë, në grupe humanitare, në ndihmë banorëve të ç’vendosur dhe aty ku e kërkonte nevoja. Si e tillë ra në kontakt me shumë të rinj e të reja të cilët ishin kyçur në bërthamat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ka kryer kurset për ndihmë të plagosurve në luftë dhe ka ushtruar përdorimin e armëve dhe pastrimin e tyre. Ajo ishte shumë e shkathtë dhe çdo përpjekje të saj e realizonte me sukses.

Ashtu siç edhe kishte dëshirë ashtu edhe u radhitë në Brigadën 137 Gjakova të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Gjatë ofensivës së Betejës së Çabratit, e cila po zhvillohej në mes të forcave të UÇK-së dhe ushtrisë serbe, më 7 Maj 1999, u vra Yllka bashkë me disa bashkëluftëtarë.​Yllka Domi u vra me snajper nga forcat serbe, në Çabrat në ofenzivën e 7.05.1999.​


Kriminelët serbë për të fshehur gjurmët e krimit, trupin e Yllkës bashkë me trupat e tjerë të vrarë, i dërguan në një varrezë masive në Batajnicë (Serbi).​
Pas identifikimit të eshtrave të Yllka Domit nga ekspertët e mjekësisë ligjore, u rivarros me 23.12.2003,në kodrën e Çabratit në Gjakovë. ​ Yllka Domi është shpallur dëshmore e kombit.


****
Gazetari i njohur Chris Stephen i gazetës The New York Times, pas vizitës në
Gjakovë, menjëherë mbas luftës, ka botuar në këtë gazetë, poezinë e Yllkës me titull “Kënga e pranverës”. Poezitë e Yllka Domit, u kallën nga paramilitarët serbë bashkë me shtëpinë e saj, kurse ditari që e mbante me vete gjatë luftës, u zhduk sikurse edhe trupi i saj, prandaj ajo me plot të drejtë mund të quhet një Ana Frank shqiptare.

Nga Blerim Valla më 09 maj 2011 në ora 14:17
Asnjë mësimdhënës nuk e paramendon për të gjallë të tij, e as unë, se do ta përjetojë vdekjen e nxënësit apo nxënëses së vet. Aq më larg, se do të marrë pjesë në përcjelljen e fundit për në amshim të ndonjërit prej tyre .



Por ja që në jetë ndodh gjithçka.



Lajmin për vrasjen e ish-nxënëses Yllka Domi, vetëm 17 vjeçare, ma kishin kumtuar shoqet dhe shokët e saj, po ashtu ish-nxënës të mi, menjëherë pas ofensivës së madhe të forcave paramilitare dhe militare serbe në Kodrën e Çabratit, që zgjati prej 7 deri më 11 maj të vitit 1999. Isha i tronditur edhe më shumë kur u mor vesh se trupi i saj ishte zhvarrosur për së dyti nga kanibalët sllavë dhe se trupi i saj i njomë, pas gati katër viteve, (më 2003) ishte identifikuar, në varrezën masive në Batajnicë të Serbisë.



Lajmin për këtë e kishte dhënë, menjëherë pas luftës, gazetari i njohur Chris Stephen në gazetën The New York Times, pasi kishte vizituar personalisht Gjakovën, menjëherë pas luftës . Stephen fill pas kthimit në SHBA, në gazetën prestigjioze amerikane kishte botuar dhe poezinë e Yllkës me titull “Kënga e pranverës”. Dhe sot kur po mbushen 12 vjet nga vrasja barbare e saj, kur lulet e majit kanë mbuluar varrin e saj (nuk e di por për herë të parë ndjehesha disi ndryshe, më i qetë para një varri , mbase duke ditur se më në fund e dija unë dhe të tjerët se ku prehet trupi dhe shpirti i Yllkës), kujtimet më kthejnë para shumë viteve kur Yllka si nxënëse 10-12 vjeçare vinte me fletoren e saj përplot poezi dhe kërkonte mendimin tim për poezitë e saj, duke insistuar të merrte pjesë edhe në orët e shumta letrare që organizoja në atë kohë në shkollën " Mazllum Këpuska".



Dhe Yllka, mbesa e shkrimtarit të njohur gjakovar Kasim Domi (i cili kishte përjetuar edhe Goli Otokun), poezinë e kishte si ajrin, si jetën, si ujin, si bukën dhe nuk ndalej së shkruari.



Talenti dhe puna e saj e vazhdueshme e kishin bërë atë një poeteshë të pranueshme në qarqet letrare të qytetit, duke u shpërblyer me disa çmime letrare nga klubi letrar "GJ . N. Kazazi". Por, të gjitha krijimet letrare të Yllkës, bashkë me ditarin e saj, ishin djegur bashkë me shtëpinë e saj nga barbarët serb në pranverën e vitit 1999. Atë e vranë një vajzë të mitur por nuk mundën ta vrasin kurrë shpirtin dhe poezinë e saj për dashurinë, lirinë, rininë, atdheun, jetën, vdekjen... Po edhe për vdekjen, sepse disi ajo kishte parandjenjë fatin e saj, se do të vdesë, e kjo më së miri del në poezinë e saj të fundit, për të gjallë, "Ti fluturon me dallëndyshet".



Dhe tek pas vdekjes, më 2001, ishte po ky emër në krye të përmbledhjes me poezi të Yllkës, botim i "Lidhjes së Gruas Shqiptare të Kosovës" dhe falë punës së madhe të shkrimtarit Agim Byci, i cili arriti të mblidhte pozitë e saj nga shoqet, pastaj poetes së njohur Flora Brovina, shokët, mësimdhënësit dhe të afërmit e Yllkës. Amanetin e saj të

fundit e kishte lënë mu në këtë libër.



Në vitin 2002, klubi letrar "Gj . N . Kazazi" botoi librin tjetër kushtuar Yllka Domit, me titull "Një yll i pashuar", i cili përmban mbresa e kujtime nga miqtë dhe të njohurit e saj, pastaj krijime kushtuar asaj, si dhe disa poezi të pabotuara deri atëherë të Yllkës, të gjitha këto të mbledhura nga shoqja e saj Zana Bakalli, botuar nga klubi letrar “Gj. N. Kazazi”.

Ajo kishte sens për poezi, për aktrim, për vallëzim, recitim, e mbi të gjitha ishte një princeshë e poezisë dhe e bukurisë.



Për nder të saj, grupi letrar në gjimnazin “Hajdar Dushi” të Gjakovës, ku Yllka, deri para vdekjes, vijonte mësimet në vitin e tretë, mban emrin e saj. Për Yllka Domin, si poete shumë e talentuar dhe e cila premtonte shumë, pastaj si nxënëse dhe aktiviste e shumë fushave të artit dhe të kulturës, për virtytet dhe shëmbëlltyrën e saj, pastaj për familjen e poetes dhe martires Domi, e cila bashkë me prindërit e saj kishin dhënë ndihmesë të madhe për luftëtarët e lirisë në kodrën e Çabratit, në Gjakovë, mund të dëgjosh nga të gjitha anët e qytetit vetëm fjalët më të mira.



Ishte ideja e autorit të këtyre rreshtave, që në shenjë nderimi për këtë poeteshë të re shumë të talentuar, qyteti dhe bota letrare në Gjakovë ta themelojë një çmim letrar me emrin e saj, çmim i cili do t’i jepej për çdo vit krijueseve të reja për krijimtarinë e tyre poetike. Kjo iniciativë u mirëprit dhe hasi në mirëkuptim të plotë nga qarqet letrare të Gjakovës, sidomos nga shkrimtari dhe përkthyesi Agim Byci.



Dhe në mitingjet e organizuara deri më tani pas luftës, sikurse që është aktiviteti më i madh letrar në Kosovë, Mitingu i Poezisë, që mbahet çdo vit në Gjakovë, ky çmim, në bashkëpunim me klubin letrar “GJ. N. Kazazi” dhe shtëpinë botuese “Fan Noli“ nga Gjakova, deri tani iu është ndarë tri poeteshave, Abetare Domit, Gentiana Muhaxherit dhe Xhevahire Izmakut.



Ndonëse qysh në vitin 2002, libri me poezi i Yllka Domit “Fluturimi i fundit me dallëndyshet”, është përkthyer në anglisht dhe në gjermanisht nga Agim Byci, edhe sot e kësaj dite, në mungesë të përkrahjes materiale, ky libër nuk është botuar ende. Mbase deri

vitin e ardhshëm, në 13-vjetorin e vrasjes së saj, do të gjendet ndonjë mundësi apo ndonjë donator, dhe ky libër ta sheh dritën e botimit. Ky do të ishte nderi më i madh që qyteti i

Gjakovës do t’i bënte Yllka Domit.



Yllka iku por, na la vlerat e vërteta prej njeriu dhe prej poeteje. Tek eci maje Çabratit dhe tek shkruaj këtë përkujtim për ish-nxënësen time më kujtohen vargjet e fundit të shkruara nga Yllka Domi, "Nuk dua përmendore". Ti Yllka, me veprën tënde, e ngrite përmendoren e lirisë.

No comments:

Post a Comment