2017-07-27

Nudot e vona të Maks Velos


Maks Velo

Maks Velo ka lindur në Paris, më 31 gusht të vitit 1935. Pas lindjes së tij, familja Velo u kthye përsëri në Shqipëri, në qytetin e Korçës, ku Maksi ka kaluar edhe fëmijërinë. Vendi i origjinës së prindërve ishte Dardha. Pasi mbaron gjimnazin, ai vazhdon studimet pranë Institutit Politeknik, në degën e Inxhinierisë së Ndërtimit. Më pas specializohet për arkitekturë dhe në vitin 1960 merr pjesë në projektimin e parë që u bë në Tiranë. Ka punuar më tej pranë byrosë së projektimit të Tiranës. Pastaj, vitet '78-'79 përkojnë edhe me periudhën më të vështirë të jetës së tij, pasi gjatë kësaj kohe, ai arrestohet dhe dënohet me dhjetë vjet burg.
Maks Velo është autor i një sërë botimesh si: "Kokëqethja", "Palltoja e burgut", "Thesi i burgut", "Paralele për arkitekturën", "Kohë antishenjë", "Jeta ime në figura " etj. Si artist, ai krijon në disa gjini të artit: pikturë, prozë, poezi, publicistikë sikundër është i angazhuar në çështje të aktualitetit shqiptar.


Ka një histori përtej çdo gruaje të zhveshur. Një histori të cilën ajo përpiqet ta harrojë teksa i buzëqesh pasqyrës të veshur me një kornizë të verdhë.


Me flokët e kapur pas, reflektimi i saj në pasqyrë duket i bukur. “Nudo para pasqyrës”, është një tablo që Maks Velo e ka pikturuar vitet e fundit. Artisti I njohur për vizatimet, apo skulturat dhe shkrimet vitet e fundit ka një cikël të tërë punësh në nudo. Me sytë e mbyllur një tjetër femër qëndron e shtrirë me duart e vendosura në kokë bri një shtrati të purpurt.

Ngjyrat janë një aromë që Velo i vendos butë, për të mbështjellë trishtimin që mund të fshihet në sytë e mbyllur. Me kokën e kthyer nga një hapësirë e gjelbër, një tjetër nudo kërkon të harrojë diçka. E realizuar në vitin 2013, artisti e ka quajtur “Nudo në plazh”.

E gjelbra rrethon dhe “Nudon në pyll” realizuar në vitin 2014. Prej vitit 2010 e deri tashmë vonë, Velo ka realizuar një cikël nudosh, ku shprehet një përkryerje ngjyrash në lakuriqësi. Duket si një kthim në kohë të arta, për të kuptuar atë çfarë trupi femëror mbart, misterin e botës.

Ajo çfarë i bën ndryshe këto nudo, është portreti. Fytyrat e femrave janë të qarta, dhe nuk kërkojnë të fshehin natyralitetin që shtrihet poshtë vështrimit. Krenare dhe të bukura, ato zbulojnë atë që është po aq e rëndësishme, brëndësinë e tyre.
Image

Për Velon këto tablo janë një udhëtim në botën femërore, për të zbuluar dalngadalë misterin që mbart gruaja.

No comments:

Post a Comment