2017-07-24

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi: Institucionet nuk mund t'i drejtojnë ata që përdorin dhunë politike


Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha në një intervistë për Zërin e Amerikës, se njerëzit të cilët kanë përdorur dhe që përdorin dhunë për realizimin e qëllimeve politike, nuk do të mund të jenë bartës të institucioneve të Kosovës. Në intervistën dhënë korrespodentit tonë në Prishtinë, Leonat Shehu, ai tha se pret të takohet me partitë politike në fillim të javës duke u bërë thirrje atyre që, siç tha, të gjejnë formulën që Kosovës i jep një qeveri të qëndrueshme, funksionale dhe efektive dhe që merr vendime që e çojnë vendin përpara dhe jo që e izolon vendin.

Zëri i Amerikës: Zoti President, tashmë po bëhen dy javë që nga certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve të 11 qershorit dhe ende nuk e keni thirrur seancën konstituive. Kur do ta bëni një gjë të tillë?

Presidenti Thaçi: Për arsye të krijimit të një konsensusi sa më veprues të skenës politike në Kosovë, unë për të hënën kam thirrur të gjithë spektrin politik të partive politike të përfaqësuara në parlamentin e ardhshëm të Kosovës, që të zhvillojmë një konsultë formale dhe pastaj, unë si president i vendit duke marr parasysh vullnetin e tyre, të caktojë datën e konstituimit të parlamentit të Kosovës. Kjo risi nuk është ndonjë risi, ka qenë traditë edhe në të kaluarën, prandaj shpresoj që do të ndodh të hënën dhe menjëherë do të caktohet data e konstituimit të parlamentit të Kosovës.

Zëri i Amerikës: Disa nga partitë politike kanë paralajmëruar që nuk do të marrin pjesë në këtë takim?

Presidenti Thaçi: Besoj që është në interesin e të gjithëve që të jenë pjesë e takimit dhe konsultës, të japin opinionet e tyre, është përgjegjësi para elektoratit të tyre dhe qytetarëve të Kosovës. Gara elektorale tashmë ka përfunduar dhe duhet të punojmë të gjithë edhe si president por edhe parti politike, që në mënyra sa më efektive të arrijmë një gjuhë të përbashkët, në mënyrë që të jemi sa më të organizuar dhe përgatitur dhe ky proces të fillojë dhe të përmbyllet në përputhshmëri me afatin kushtetues ligjor.

Zëri i Amerikës: Zoti President, disa nga përfaqësuesit e partive politike dhe shoqërisë civile ju kanë akuzuar që me zvarritjen e seancës konstituive po i bëni favore koalicionit fitues, ku bën pjesë edhe ish partia juaj. Si ju përgjigjeni këtyre kritikave?

Presidenti Thaçi: Unë jam president i vendit dhe nuk i bëj favore asnjë partie apo koalicioni apo individi e as kundër favore asnjë partie, koalicioni apo individi. Unë nuk e kam përcaktuar afatin kushtetues dhe ligjor. Ai është i përcaktuar me kushtetutë dhe ligj, të gjithë deputetët kanë votuar më herët në parlamentin e Kosovës kështu që unë para se gjithash bazë për angazhim dhe veprim timin e kam afatin kushtetues dhe ligjor, nuk është ky vullneti im, është e drejta kushtetuese.

Zëri i Amerikës: Zoti Presidenti ju pritet që të caktoni edhe mandatarin për formimin e qeverisë së ardhshme. A ka ndonjë kriter që duhet përmbushur që ju ta jepni mandatin për të formuar qeverinë?

Presidenti Thaçi: Të hënën do të kemi takim me partitë politike të përfaqësuara në parlamentin e Kosovës të dalë nga zgjedhjet e 11 qershorit, do të shkojmë me konstituimin e parlamentit të Kosovës, pastaj do të mandatohet kandidati për formimin e qeverisë, që gjithashtu është afati i rregullt kushtetues dhe ligjor për çka edhe do të jemi shumë të saktë dhe shumë preciz. Pastaj do të shikojmë që në kuadër të tyre përgjegjësive, që thatë ju, dhe parimeve mbizotëruese, do të jetë parimi që të kemi qeveri të qëndrueshme, qeveri të drejtimit euro-atlantik, qeveri shumë etnike që promovon dhe mbron frymën kushtetuese dhe rendin kushtetues të Kosovës. Që të merret me përgjegjësi të lartë kombëtare, politikën demokratike dhe kushtetuese për përmbylljen e procesit të shënimit të kufirit me Malin e Zi si parakusht për liberalizimin e vizave. Gjithashtu, do të jetë një qeveri që duhet marr përgjegjësinë dhe zotimin për themelimin e shpejtë të asociacionit të komunave me shumicë serbe. Mendoj që ky duhet të jetë një përkushtim që duhet ta bashkoj spektrin politik në mënyrë që të lëvizim sa më shpejt drejt perspektivës evropiane. Gjithashtu, qeveria e ardhshme duhet të jetë e zotuar për vazhdimin e reformave demokratike qoftë në politikë, ekonomi apo drejtësi. Për të vazhduar pastaj edhe me reformat elektorale, sepse definitivisht në Kosovë duhet të ndodhin reformat elektorale, qoftë në zgjedhjen e presidentit në mënyrë të drejtpërdrejtë, qoftë për sistemin e zgjedhjeve të përgjithshme, sepse nuk mund të kemi gjithmonë zgjedhje dhe pastaj të kemi fitues, të krijohen rrethana të paqartësisë apo të ngërçeve politike. Mendoj se duhet të dominojë urtësia e spektrit politik të një dialogu korrekt dhe konstruktiv që e nxjerrë një reformë të mirë që e lehtëson pastaj krijimin e institucioneve e jo që e vështirëson. Tjetër parim që do të jetë për qeverinë e ardhshme të Kosovës apo bartësit e institucioneve, është vazhdimi i bisedimeve me Serbinë, që do të çonte drejt një marrëveshjeje të madhe politike që nënkupton normalizimin e plotë të marrëdhënieve Kosovë-Serbi dhe pajtimin e mundshëm gjithashtu edhe ndërtimin e fqinjësisë së mirë me të gjitha vendet e rajonit. Objektiv tjetër dhe parim mbizotërues do të jetë angazhimi i gjithanshëm për themelimin sa më të shpejtë të Forcave të Armatosura të Kosovës për t'u integruar në strukturat e NATO-s si parakusht për vazhdimin e partneritetit për paqe dhe pastaj edhe në NATO. Gjithashtu, parim do të jetë edhe mbështetja e fuqishme që do t'i jepet angazhimit për përmbylljen e procesit të termocentralit Kosova e Re, që është një investim shumë i fuqishëm për Kosovën dhe i nevojshëm. Gjithashtu edhe mbështetja për Gjykatën e Posaçme. Por, duhet ta potencoj se në kuadër të këtyre parimeve mbizotëruese, një prej parimeve kryesore do të jetë në kuadër të diskrecionit edhe timin, është se njerëzit që kanë përdorur dhe që përdorin dhunë për realizimin e qëllimeve politike nuk do të mund të jenë bartës të institucioneve të Republikës së Kosovës. Pastaj, parim tjetër duhet të jetë përkushtimi i fuqishëm për luftë kundër krimit të organizuar, korrupsionit, në betejën e ashpër që duhet ta zhvillojmë kundër çfarë do lloj ekstremizmi qoftë atij islamik apo terrorizmit i cili mund të paraqitet kur dihet që Kosova është cak prandaj ne duhet të jemi shumë të përkushtuar që në këtë drejtim të punojmë të gjithë bashkërisht.

Zëri i Amerikës: Zoti President me shumicën e parimeve që ju i theksuat, a po kërkoni qeveri gjithëpërfshirëse apo një koalicion më të gjerë?

Presidenti Thaçi: Ne e kemi këtë rezultat zgjedhor, tash është në vullnetin e partive politike se çfarë formule qeverisëse ndërtojnë. E mira e vendit do të ishte që të gjejnë formulën që vendit i jep një qeveri të qëndrueshme, funksionale dhe efektive, shumë etnike dhe që merr vendime që e çojnë vendin përpara dhe jo qeveri që ngec apo e izolon vendin. Prandaj në këtë drejtim, unë dua të shpresoj në vullnetin e mirë të spektrit politik dhe i ftoj të gjithë që të dalin mbi interesat e pushtetit ditor dhe të mendojnë për interesin e shtetit dhe për një platformë të gjerë që i bashkon interesat e shtetit. Ndërsa, natyrisht që janë edhe angazhimet të cilat përballen ndërmjet mazhorancës dhe opozitës, por disa nga përparësitë që i përmenda unë me të vërtetë duhet të ketë një konsensus të spektrit politik për të lëvizur përpara. Përndryshe, një parti e vetme nuk do të mund t’i lëvizë gjërat përpara, prandaj udhëheqësit e partive politike dhe partive parlamentare që janë të përfaqësuar në parlamentin e Kosovës, janë para një sfide të madhe që të mendojnë dhe vënë interesat e shtetit para se gjithash, pastaj interesat e individit, grupore apo të partive politike të jenë të dorës së dytë. Shpresoj që kjo do të ndodhë dhe duhet të ndodhë.

Zëri i Amerikës: Zoti President, në një nga parimet tuaja thuhet që ata që kanë kryer sulme ndaj institucioneve nuk mund ta marrin udhëheqjen e shtetit. A bëhet fjalë këtu për periudhën e gazit lotsjellës në parlamentin e Kosovës?

Presidenti Thaçi: Unë nuk jam paragjykues ndaj askujt si individ apo si formacion politik, por përdorimi i dhunës për qëllime politike bie ndesh me frymën kushtetuese, me rendin kushtetues, me ligjin dhe me të kaluarën dhe të ardhmen tonë euro-atlantike por edhe si demokraci në Kosovë.

Zëri i Amerikës: Zoti President, po kalojmë me një temë tjetër e që ka të bëjë me bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Ju tashmë jeni përfshirë në këtë proces bashkë me presidentin e Serbisë. Si mendoni ta çoni përpara këtë proces?

Presidenti Thaçi: Unë mendoj që do të jetë një proces jo i lehtë, për çka do të punojmë edhe ne në Kosovë që të krijojmë një bazë sa më të gjerë të angazhimeve të spektrit politik, të shoqërisë civile, mediave dhe bartësve të institucioneve, të gjithë atyre njerëzve me ndikim në opinionin publik që do të mund të japin kontributin e tyre në mënyrë që të jemi të përgatitur dhe të kemi plotësisht një proces transparent, shumë të përgjegjshëm, duke respektuar gjithmonë sovranitetin tonë, rendin kushtetues dhe ligjor dhe që do të mund të arrihej një marrëveshje për normalizimin e plotë të marrëdhënieve Kosovë-Serbi dhe pajtim në mes të dy vendeve tona. E di që nuk do të jetë një proces shumë i duartrokitur për ne që do të marrim pjesë në këtë angazhim por jam i vetëdijshëm që do të jetë në interesin e vendit. Prandaj unë shoh njerëz të vullnetit të mirë në Kosovë që duan të kontribuojnë dhe dëshiroj të potencoj se pa fqinjësi të mirë, Kosova dhe Serbia nuk do të mund të lëvizin, edhe ne si Kosovë drejt NATO-s dhe Bashkimit Evropian por edhe Serbia drejt perspektivës evropiane. Mendoj se udhëheqësit e dy vendeve janë të vëmendshëm për këtë proces të ndjeshëm që do ta kalojmë, ndërsa është zotimi i plotë i zonjës Mogherini dhe BE-së që të udhëheq këtë proces por edhe kemi zotimin e fuqishëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës se do ta mbështesin arritjen e një marrëveshjeje të normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi dhe pajtimit.

Zëri i Amerikës: A ka ndonjë afat për përfundimin e këtyre bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë?

Presidenti Thaçi: Ajo çfarë kemi diskutuar herën e fundit në Bruksel ka qenë ajo që duhet mendojmë për idetë e para fillestare dhe të parakohshme në mënyrë që të jemi të përgatitur për fillimin e këtij procesi në pjesën e vonshme të verës apo fillimin e hershëm të vjeshtës.

Zëri i Amerikës: Përfshirja juaj në këto bisedime është kritikuar nga disa parti politike në vend, të cilët thonë se një gjë e tillë nuk ju takon për shkak të mungesës së kompetencave për të marrë vendime. Si ju përgjigjeni këtyre kundërshtimeve?

Presidenti Thaçi: Këtyre zërave ju përgjigjem me atë që ta lexojnë kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Unë përfaqësoj politikën e jashtme të Kosovës si president dhe përfaqësoj, udhëheqë dhe bashkërendoj, ndërsa në anën tjetër, unë do të duhesha të kritikohesha nëse nuk do të marr pjesë dhe përgjegjësi. Unë kryej vetëm obligimet e mija kushtetuese dhe ligjore. Por, më vjen mirë që disa prej atyre kritikëve tashmë kanë shprehë zotimin që tashmë të jenë pjesë e këtij procesi.

No comments:

Post a Comment