2017-07-21

Presidenti shqiptar Bujar Nishani mban fjalimin e tij të fundit: Kryelartë se kreva detyrën pa u lëkundur



Ditën e hënë, më 24 korrik, Bujar Nishani i lë zyrën presidentit të ri, Ilir Metës. Para ikjes së tij, ai ka zgjedhur të mbajë edhe një fjalim të fundit këtë të premte nga Presidenca. Në fjalën e tij, Nishani është shprehur i nderuar për detyrën që ka mbajtur mbi shpatulla, për të cilën, siç ka thënë ai, ka dhënë maksimumin.

“Ishte një nder i lartë për mua të isha presidenti juaj dhe të punoja me ju. I pyetur se si ndihem? Si pas çdo pune, i kënaqur. Sipas çdo kënaqësie, i lumtur. Por sidomos kryelartë sepse kam patur nderin të kryej detyrën pa u lëkundur, pa u penduar dhe pa u ndalur para asnjë pengese. Ndoshta ka gjëra që mund të ishin bërë më mirë, por ishte nder për mua që i shërbeva Shqipërisë. Nuk bëra kush e di se çfarë, thjesht bëra punën time. Faleminderit!”, – tha Nishani.
Bujar Nishani është politikan shqiptar dhe Presidenti aktual i Shqipërisë. Ai ka qënë deputet i Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërisë dhe Ministër në Qeverinë e Shqipërisë.


Bujar Nishani u lind më 29 shtator 1966 në qytetin e Durrësit.Studimet e larta i kreu në Akademinë Ushtarake “Skënderbej” në Tiranë, në vitin 1988. Ka kryer studimet pasuniversitare në Kaliforni, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për “Menaxhimin e Resurseve të Mbrojtjes”, në vitin 1996. Studioi për Jurispudencë në Fakultetin e Drejtësisë, në Universitetin e Tiranës, ku u diplomua si jurist në vitin 2004. Në vitin 2005 merr titullin “Master”, në Studimet Evropiane, në Shkollën e Studimeve Evropiane, pranë Universitetit të Tiranës.


Karrierën profesionale e nisi si pedagog në Akademinë Ushtarake “Skënderbej” në vitin 1988. Më pas, në vitin 1993 punoi në Drejtorinë për Marrëdhëniet me Jashtë në Ministrinë e Mbrojtjes, duke vazhduar në vitin 1994 në Ministrinë e Jashtme në Drejtorinë e Marrëdhënieve me NATO-n dhe në vitin 1996 në Kabinetin e Ministrit të Mbrojtjes. Në vitin 1997 kthehet në profesion të lirë si Kryetar i Forumit të Ushtarakëve Euro-Atlantikë.

Karriera politike e zotit Bujar Nishani ka kaluar nëpër këto etapa: në vitin 1991 anëtarësohet në Partinë Demokratike; në vitin 2001 zgjidhet Sekretar i Degës së Partisë Demokratike për Tiranën; në vitin 2003 zgjidhet anëtar i Këshillit Bashkiak të Bashkisë Tiranë nga lista e Partisë Demokratike; në vitin 2005, zgjidhet anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike dhe më pas anëtar i Kryesisë Qendrore të kësaj partie.

Në korrik të vitit 2005, zoti Nishani zgjidhet deputet në zonën elektorale 34, në Tiranë si përfaqësues i Partisë Demokratike.

Nga marsi 2007 – shtator 2009 mbajti portofolin e Ministrit të Brendshëm; nga shtatori 2009 – prill 2011 kreu detyrën e Ministrit të Drejtësisë; për t’u rikthyer përsëri në prill të vitit 2011 si Ministër i Brendshëm, detyrë të cilën e mbajti deri në qershor të vitit 2012, kohë në të cilën Kuvendi i Shqipërisë e zgjodhi në detyrën e Kreut të Shtetit.

Më 11 qershor 2012 Kuvendi Popullor e zgjodhi President të Republikës së Shqipërisë në raundin e katërt me 73 vota pro dhe 1 votë kundër. Në 24 korrik 2012, Bujar Nishani betohet në Kuvendin e Shqipërisë si President i Republikës.


 Bashkëshortja e Bujar Nishanit,zonja Odeta Nishani

Bujar Nishani ka grua Odeta Nishanin dhe kanë dy fëmijë, Ersi dhe Fiona Nishani.

No comments:

Post a Comment