2017-07-09

Pritëshmëria dhe zhgënjimi nga spitalet

Nga Alide Lloga

Në ditët e sotme më shumë se kurdoherë më parë vizita e pacientëve nëpër spitale është bërë tejet e domosdoshme. Ndodh që këto vizita të bëhen nga kureshtja për të parë gjendjen shëndetësore e për ta pasur në kontroll, por ndodh që shkuarja në spital mund të jetë edhe e papritur. Pikërisht në këtë pikë dua të ndalem, ngaqë në një moment të trishtë e tepër të dhimbshëm ke para vetes vetëm mantila të bardhë, nga të cilët varet shikimi ynë. Në ato momente dritë e shpëtimit është vetëm mjeku, pra te ai varen te gjitha shpresat, sepse takimi me të është i prekshëm. Në një moment ndodhesh në agoni dhe pret shpresën…
Ç’ndodh!?
Është tepër e çuditshme kur bëhet pranimi nga personeli mjeksor, i sëmuri ose nevojtari do ta çuaja dhe shoqëruesi i tij ballafaqohen me një situatë tepër të vështirë, të duket vetja sikur ke hyrë në një tunel e kërkon dritëzën në fund të tij. Në ato çaste askush s’merret me ty thjesht iu intereson se ku do të shpijen dhe a i kanë në rregull ato dreq dokumenta dhe se ç’do të ndodh me ty një Zot e di.
Ankth… ankth…traumë…pritje.
Më shumë informacione merr nga hallexhinjtë që ndodhen nëpër spitale në ato momente sesa nga vetë personeli. Është tepër e dhimbshme dhe për të ardhur keq, se si trajtohet njeriu i këtj shekulli jo vetëm në këtë drejtim, por edhe në shumë drejtime tjera. Gjithsesi mbetem në këtë drejtim. Mjekët e përkeqësojnë situatën edhe më shumë, bile ta shtojnë edhe më ankthin se si do të jetë fati i mëtejmë i të shtruarit në spital. Aq më keq kur vështrimi i shikimeve kryqëzohet dhe në të njejtën kohë të duket vetja se i detyrohesh shumë, që më pas ky të vazhdojë ndërhyrjen, ndërsa me nevojtarin as që merret kush dhe atë për një kohë të gjatë, kësisoj tortura vazhdon të shtohet.
Si një i huaj në ditët e para, s’ ke dhe aq kërkesa, bile sheh rreth e rrotull për të parë ndonjë që mund ta njohësh. Me kalimin e ditëve fillon pak a shumë të ankohesh, por edhe pastruesja ta “tregon vendin”, ndaj vazhdon në heshtje të presësh se ç’do të ndodh me ty dhe ngushëlluesi më i mirë në ato momente bëhet tavani, dyshemeja dhe muri i atij vendi, ku gjaté kohë, por edhe për gjithë jetën mund t’i regjistroj në tru…
Si është e mundur që paraprakisht askush nga personeli mos merret me pacientin për t’i sqaruar situatën ose rrjedhën e mëtejme, fatkeqësisht e njëjta gjë ndodh edhe pas ndonjë intervenimi që mund të ketë kaluar nevojtari ose i shtruari në spital.
Si është e mundur të trajtohet qenja njerëzore si robot, ku fare mirë e dimë se në botën e zhvilluar më mirë i trajtojnë kafshët, kështu që jo vetëm që zhgënjehesh nga ajo që pret, por edhe trefish më shumë të shtohet sëmundja nga e cila vuaje, shtuar këtu edhe sëmundjet e reja që mund të ta gllabërojnë jetën.

Uroj dhe shpresoj që sa më shpejt të zgjidhet kjo çështje, të paktën të punësohen disa psikologë, të cilët do të merren me pacientin, dhe paraprakisht ta përgatisin atë me gjithfarë rezultatesh që mund të ketë. Në këtë mënyrë vdes pritshmëria nga zhgënjimi!

No comments:

Post a Comment