2017-07-24

Zhurma që shkaktoi Muç Nano : Skënderbeu me nënë serbe

Një deklaratë e publicistit dhe gazetarit Mustafa Nano, si i ftuar special në shkollën verore të lidershipit, që UET organizoi pak ditë më parë në Vlorë, ka shkaktuar prej disa ditësh një zhurmë mes studiuesive, intelektualëve dhe historianëve…Çështja është historike, kur Muç Nano ka thënë ndër të tjera para studentëve të UET dhe maturantëve se: Skëndërbeu është më shumë i krishterë se shqiptar. Nënën e kishte sllave.

Një deklaratë e publicistit dhe gazetarit Mustafa Nano, si i ftuar special në shkollën verore të lidershipit, që UET organizoi pak ditë më parë në Vlorë, ka shkaktuar prej disa ditësh një zhurmë mes studiuesive, intelektualëve dhe historianëve…





Çështja është historike, kur Muç Nano ka thënë ndër të tjera para studentëve të UET dhe maturantëve se: Skëndërbeu është më shumë i krishterë se shqiptar. Nënën e kishte sllave.

Nuk është hera e parë që Nano tërheq vëmendje masive përmes shkrimeve të tij, apo librave publicisitike, siç është edhe rasti i fundit i botimit “Sandwich. A është mirë me qenë shqiptar?”, botimet UET-Press, promovuar pak ditë më parë në mjediset e UET.

Një gazetar karizmatik Muçi ka krijuar një idividualitet që realizon në natyrën e tij qëllimin e pastër të nxitjes së debatit duke u shndërruar pothuaj në një fenomen mediatik. Ky rast ka ndodhur pas takimit me studentët në Vlorë.

Nano i pyetur për botimin e tij të fundit, është ndalur në çështje të etnisë dhe identitetit shqiptar, si një nga temat e tij më të preferuar, ku jo pak herë ka nxitur përplasje. Ndër të tjera gazetari është shprehur: “…në shek. XIV etnia, identiteti kombëtar, nuk ka qenë shumë i rëndësishëm. Ne themi që Skënderbeu ka qenë i joni, shqiptar, ai më shumë ka qenë i krishterë kur u bë i famshëm sesa shqiptar. Ai nënën e ka pasur sllave, etnia nuk ka qenë shumë e rëndësishme atëherë, martesat mes shqiptarëve dhe serbëve bëheshin pa problem. Këtu një pjesë e historianëve në Shqipëri i kanë mëshuar idesë se shqiptarët dhe sllavët janë armiq të përjetshëm, ka një kimi të munguar, këtu për mua thonë një gënjeshtër të madhe. Në 150 vitet e fundit po, raporti është i vështirë midis shqiptarëve dhe sllavëve dhe shqiptarëve dhe grekëve. Por kjo sepse lindi nacionalizmi ballkanik, lindën këto ndjenjat kombëtare. Më përpara nuk kanë pasur gjëra të tilla, kanë bashkëjetuar për bukuri me njëri-tjetrin”.

Ndërsa reagimit të mënjerëshëm në rrjetet sociale të mjaft personazheve të njohur të jetës publike e intelekuale shqiptar, Mustafa Nano u është përgjigjur në gazetën “Mapo”, të ditës së hënë, në shkrimin me titull: “Skënderbeu ishte shqiptar me nënë serbe. Ç’ka këtu për t’u tërbuar?”.

Aty Nano ka marrë në konsideratë faktin se nuk është hera e parë që del në dritë kjo çështje, sidomos pas vitit ’90-të.

Analisti nuk e lëshon anësimin në tezën e tij, se po thotë një të vërtetë: Nëna e Skëndërbeut ka qenë serbe, një tezë që sipas tij mbrohet nga të gjithë studiuesit tanimë.

Nano rikthen këtë çështje ku mes të tjerave pohon se: “Të kuptohemi, fakti që Skënderbeu ka pasur nënën serbe nuk do të thotë se Skënderbeu ka qenë serb, apo se serbët kanë të drejtë të pretendojnë se Skënderbeu është i tyre. Jo, Skënderbeu është shqiptar. Çështja e origjinës së Skënderbeut është një muhabet i mbyllur, tanimë. Edhe vetë serbët e kanë pranuar, pavarësisht ndonjë zëri që është dëgjuar, apo ende dëgjohet, se Skënderbeu është i tyre. Të shumtët e studiuesve serbë (ata të huaj, po se po) janë pajtuar pa një, pa dy me faktin që Skënderbeu është i shqiptarëve”.

Nano e ka quajtur histeri gjithë zhurmën që ka lindur përmes mediave rreth frazës së tij, gjatë bisedës me studentë të UET, dhe maturantë në Vlorë, një debat që vjen pas botimit të librit që lidhen me çështje të ndryshme të historisë së Shqipërisë, ku merret edhe me origjinën e Skënderbeut (është fjala për Sandwich-in).

Por as ky tekst botuar një ditë më “Mapo” nuk ka qetësuar ndjeshmërinë e mjaft intelektualëve të cilët prej dy tre ditësh kanë reaguar duke iu kundërvënë tezave të autorit të librit të “Sandwich-it”.

Një prej tyre, përfshirë në këtë debat, duke e kundërshtuar, është Artan Shkreli i cili e ka quajtur këtë një tezë sllave.

Në rrjetin e tij social, Shkreli shkruan: “Përpiqen të argumentojnë, e s’ja gjej dot arsyen e arsyes, por nuk mbërrijnë të nxjerrin askund se Vojsava Kastrioti ishte sllave (madje shkojne deri aty sa në emër te neo-internacionalizmit ballkanik të deklarojne se ishte serbe). Jepen si argument emrat ortodoksë (jo etnike: që mund t’i ketë kushdo serb, arbër, grek a bullgar) kundrejt atyre arbërore (etnike: si Ghin, Ghon, Deda, etj. që normal janë shumë të paktë) dhe luajne pa kokëçarje me një marifet të tillë fëminor. Barleti nuk thotë askund e në asnjë rresht se Vojsava është sllave; thjesht është i pari që e ze n’gojë si të bijën e princit të Tribaleve… kaq.

Më pas është Gjon Muzaka i cili e përmend i pari me emër e mbiemër si Vojsava Tribalda e cila vinte nga një derë e fisme, por pa ndaluar në përkatësinë etnike të saj, sikurse dhe Barleti, pasi edhe për të nuk paraqiste ndonje veçanti. E ndërkaq, është po Muzaka që në “Kronikën” e tij, kur flet eper Vrana Kontin, i cili kishte gjak Muzakajsh nga e ema, e quan atë markez të Tribaldëve; të një gjindjeje pra minimalisht me përzjerje të fortë arbërorësh.

E sikur kaq të mos mjaftonte, G. Von Hahn në “Studimet” e tij, në dijeni të shtesës gjenealogjike të Kostandin Muzakës, i mëshon faktit se Vojsava, bijë e fisnikut Monçini e zot i Pollogut, është me gjak nga të Muzakajve – gjë që mbështetet edhe nga Babingeri.

Historitë dhe historianët e mëpasshëm, nën frymën e ndihmës që u jepeshin popujve sllave për shkeputje nga Perandoria Osmane, ushqyen idetë pansllaviste por pa filtrin e nevojshëm kritik, e ndofta pa dashje, në kurriz të një populli që ende nuk e konsideronte kush, kur dihet se zotërinjtë sllave u zhdukën si kripa në ujë nga territoret arbërore pas vdekjes së S. Dushanit. Në rrëmujen që pasoi, dinamika e Gropajve, Muzakajve, Araniteve etj në atë zonë, është sot vështirësisht e ndjekeshme, sikundër edhe ajo e vijimësisë aty të pushteteve të Brankoviçeve apo bujareve bullgare (fundi i shek XIV)….”

Duke kundërshtuar tezën e Nanos, një tjetër publicist, Ardian Ndreca ka shkruar në profilin e tij në rrjetin social të facebook: “A mund të ketë Muq Nano teza historike? As për historinë e katundit të vet…Ky asht nji mjeran që ka nevojë me ja lakue emnin e asgja ma tepër. Me mësue historinë prej Muqit asht si me i kërkue leksione financet Sudes”.

Një tjetër zë i fortë kundërshtues, dje në gazetën “Dita”, shkrimtari dhe arkeologu Moikom Zeqo është shprehur i indinjuar, me shkrimin e tij me titull: Mustafa, lërë të qetë Skëndërbeun”, një replikë ndaj Nanos për të njëjtën arsye, duke quajtur tezën se nëna e Skënderbeut ishte sllave, një marrëzi diletantësh narcistë me dituri sipërfaqësore.

Zeqo në replikën e tij ka sjellë një version të historisë se cila ishte realisht nëna e heroit kombëtar, historinë e Vojsava Tribaldës, bija e sundimtarit të Pollogut, trevë midis Gostivarit dhe Tetovës. Dhe pas këtij sqarimi Zeqo ka lëshuar apelin: Mjaft më, lëreni të qetë të patjetërsueshëm.

“Të thuash se Skënderbeu ishte më shumë “i krishterë, sesa shqiptar”, është gjithashtu një nonsense logjik. Përcaktimi i krishterë është multinacional, joetnik, por ndërkohë italianët, shqiptarët, spanjollët, sllavët, bizantinët etj ishin etnicitete të ndryshme, të ravizuara shumë qartë, të profilizuar si kombe të mëvetshëm, që në Mesjetë, siç e ka vënë në dukje për tërë Evropën, mjeshtri i shkëlqyer i Mesjetës, dijetari farncez Jacques Le Goff”.

No comments:

Post a Comment