Ku ishin e ku janë shokët e komandatit legjendar Adem Jashari?

Image result for reshat sahitaj
Shkruan: Reshat Sahitaj



T ë shkruash për figurën e komandantit legjendar Adem Jashari dhe rezistencën si dhe sakrificën e kësaj familjeje është një barrë dhe përgjegjësi kombëtare, mirëpo në Kosovë kemi krijues si Veton Surroi, i cili në një vepër të tij figurën e Adem Jasharit dhe tragjedinë e kësaj familjeje e deformon dhe e minimizon këtë rezistencë historike, është një degradim që i bëhet jo vetëm kësaj familjeje, por edhe tërë luftëtarëve të lirisë.

Image result

Partia e Adem Jasharit ishte Kosova e jo LPK-ja , e as LDK-ja

Në këtë shkrim nuk do ta trajtoj figurën e Adem Jasharit, sepse objektivi im është të analizoj qëndrimin e bashkëluftëtarëve dhe "bashkëluftëtarëve" në momentet më kritike të jetës së kësaj familjeje, e cila vlerësohet nga të gjitha forcat politike e tentohet të përvetësohet nga disa bashkëluftëtarë të denjë e të padenjë. LDK-ja përmes disa analistëve dhe specialistëve të luftës përpiqen ta përvetësojnë duke shkruar se Adem Jasharin ishte ushtar i Ibrahim Rugovës. PDK-ja po ashtu përmes rrethit të ngushtë të Adem e Hamëz Jasharit tentojnë ta përvetësojnë. Mirëpo, sipas të gjitha dokumenteve ekzistuese Hamëz Jashari ishte anëtar i Partisë Republikane, kryetar i se cilës ishte Feti Grapci. Anëtarësimi në Partinë Republikane tregon qartë se Adem Jashari dhe Hamëz Jashari ishin pro-amerikanë dhe të gjitha shpresat për çlirimin e Kosovës i kishin në ndihmën e Amerikës e jo në ngritjen e dy gishtave, e as të grushtit siç vepronin disa komisarë politikë të nxitur nga shefat e partive. Adem Jashari nuk e ngriti as grushtin, e as dy gishtat, sepse luftonte për Kosovën, e jo për shefat e partive politike.

Ringjallja e Adem Jasharit

Image result for Dibran Fylli

Dibran Fylli

Menjëherë pas tragjedisë që forcat serbe shkaktuan mbi familjen Jashari, ku u vranë e u masakruan edhe fëmijë, grupi i dramës i përbërë nga: Dibran Fylli, Ramadan Kaçkini , Latif Zariqi… aktorë e luftëtarë e ngritën pjesën teatrale "Ai është gjallë". Regjinë e kësaj shfaqjeje e kishte bërë Dibran Fylli, e cila u dha për herë të parë para publikut në Prekaz më 6 mars 1999, ku morën pjesë ushtarë dhe një pjesë e popullsisë civile si dhe faktorë të luftës, si: Jakup Krasniqi, Ilaz Kodra, Fadil Kodra etj. Kjo dramë, pavarësisht se ishte përgatitur në flakën e luftës gjatë ofensivave të shumta serbe, në kushte shumë të vështira, e bëri efektin dhe e përçoi mesazhin patriotik të qëndresës dhe rezistencës ndër luftëtarët dhe popullatën që përballej më luftën.


Image result for Ai është gjallë

"Ai është gjallë " është e vetmja dramë e shkruar dhe e realizuar, e cila i dedikohet figurës së ndritur të Adem Jasharit dhe të vrarëve të tjerë gjatë asaj dite të kobshme. Kurrë më askush, përveç Milaim Zekës që e punoi një dokumentar, i cili është i vetmi film mbi Adem Jasharin deri më sot. Akademitë përkujtimore e ceremoni të tjera nuk e kanë forcën e ringjalljeve të figurave dhe ngjarjeve të rëndësishme kombëtare sa e kanë librat dhe filmat artistikë, apo dokumentarë. Trajtimi i kësaj figure në poezi, po ashtu u realizua vetëm nga disa krijues, si: Musa Jupolli, Agim Vinca dhe Riza Graiçevci, Prend Buzhala, e ndonjë tjetër. Masakra në familjen Jashari të Prekazit dhe figura e Adem Jasharit nuk u vlerësuan nga pendat e krijuesve të letërsisë shqiptare, për shkaqe ende të panjohura për mua.

Image result for Ai është gjallë


Keqtrajtimi i figurës së Adem Jasharit

Figura e komandantit legjendar në vend se të vlerësohej ajo gjithnjë e më shumë po shkon duke u zbehur në masën popullore, sepse imazhi i figurave kombëtare nuk është nën mbrojtjen e institucioneve tona dhe asnjë familje nuk e ka deponuar kërkesën për mbrojtje të imazhit të asnjë prej figurave kombëtare. Adem Jashari dhe veprimtaria e tij në rezistencën e armatosur, nga disa krijues e opinionistë ka filluar të degradohet. Shumica e këtyre krijuesve janë ish-bashkëpunëtorë të sistemit okupues ose baballarët e tyre i takonin atij sistemi, por të tillët gëzojnë privilegje edhe në sistemin aktual, e veçmas respektohen nga ish- eprorët e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së. Afrimi i këtyre me eprorët e Shtabit të Përgjithshëm u shërben si licencë për t'i njollosur figurat që kontribuuan për çlirimin e vendit e për t'i rehabilituar disa personazhe negative të sistemit të kaluar. Nuk është e rastësishme se disa marrin iniciativa, si Veton Surroi për ngritjen e përmendores së Fadil Hoxhës dhe zbehjen e luftës së Shaban Polluzhës. Në fakt, Uran Butka për këtë ngjarje ja se çka shkruan:" Urdhrat për mësymjen kundër forcave të Adem Vocës dhe të Shaban Polluzhës, që refuzuan të largohen nga Kosova, në kohën që kishin nisur masakrat kundrejt popullsisë shqiptare në Mitrovicë e Drenicë, i dhanë, më 1 shkurt dhe më 5 shkurt 1945, komandanti i Shtabit Operativ të Kosmetit, kolonel Fadil Hoxha dhe komisari politik, nënkolonel Krsto Filipoviq. (Arkivi historik i Jugosllavisë, k.1411). Pra, tentativat për rehabilitimin e bashkëpunëtorëve të armikut dhe zbehjen e luftërave të trimave shqiptarë e bëjnë pa ndonjë shtrëngim moral duke u krenuar se paskan zbuluar gjoja fakte kundër Azem Galicës apo Adem Jasharit. Nuk ka asgjë të rastësishme kur dëgjojmë disa të flasin e të shkruajnë hapur duke e përshkruar Adem Jasharin si bashkëpunëtor të armikut vetëm e vetëm pse ai e paska pasur shtëpinë afër deposë së municionit. Sipas analistëve të këtij rangu, ishbashkëpunëtorësh, Adem Jashari nuk ishte kurrë komandant i luftës, sepse u vra në shtëpi të tij më familje të ngushtë pa asnjë ushtar. Harrojnë ata, se Adem Jashari bëri luftime intensive disa net rresht natën e Vitit të Ri të vitit 1991 bashkë më disa bashkëfshatarë, si: Sahit Jashari, Fadil Kodra, Ilaz Kodra, Jakup Nura, Zymer Meha, ndërsa nga Llausha në ndihmë i shkuan: Osmani, Jetullahu, Hetemi e Sejdi Geci ,Gani Geci dhe fshatarë të tjerë. Në këtë përleshje më forcat serbe plagoset Vesel Selimi, i cili më vonë dërgohet në Krefeld (Gjermani) dhe më 1998/99 kthehet në luftë bashkë më nipin e tij 16-vjeçar. Nga kjo qëndresë më 31 dhjetor 1991/1992 si dhe aksione të tjera në Drenas e vende të tjera, mund të konkludohet se Adem Jashari ishte komandant dhe ishte i organizuar më burrat e asaj ane. Mirëpo, kjo dhe shumë aktivitete të tjera nuk u mjaftojnë krijuesve tanë për të shpifur kundër Adem Jasharit dhe luftëtarëve të tjerë të lirisë të gjallë e të vdekur.

Related image

Ku ishin shokët e Adem Jasharit ditën kritike ?

Para se të rrethohej kulla e Jasharëve, Adem Jasharin e kishin vizituar disa që ende janë gjallë e disa nga të cilët më vonë ranë në altarin e lirisë, mirëpo në ditën kritike shumë pak prej tyre ia ofruan ndihmën. Kulla e Jasharëve ishte e rrethuar në disa rrathë nga forcat serbe të armatosur më teknikën bashkëkohore të luftës. Numri i forcave serbe dhe automjeteve të blinduara, helikopterë, tanke etj, ka qenë impresionuese, në mënyrë që pamjet e këtyre forcave të duket sa më spektakulare që popullsisë vendore t'ua fuste tmerrin. Para sulmit, lidhjet telefonike ishin ndërprerë që luftëtarët e lirisë të mos mund të komunikonin mes veti. Strategjia e ushtrisë serbe ka qenë që të izolonte Llaushën e vendet të tjera që askush nga luftëtarët të mos kishin mundësi t'i shkonin në ndihmë Adem e Hamëz Jasharit. Në anën tjetër, pjesa e shokëve të Adem Jasharit nuk kishin armatim dhe municion të mjaftueshëm që t'i shkonin në ndihmë, siç kishin bërë natën e Vitit të Ri 1991-tës. Pavarësisht kërkesave të Adem Jasharit dhe luftëtarëve të tjerë, që ia bënin Fondit "Vendlindja Thërret" dhe atij të qeverisë së Bukoshit, pjesa e Drenicës veçanërisht Prekazi, Llausha etj. nuk e kishin furnizuar me armë këtë regjion, që sipas Ibrahim Kelmendit, siç shkruan në librin e tij, "Lëvizja e përgjakur" Hashim Thaçi, Azem Syla etj. kanë refuzuar kategorikisht furnizimin më armë të kësaj pjese, ndërsa nëse i referohemi shkrimeve të Gani Gecit është Rexhep Selimi, i cili ka penguar furnizimin me armë të Llaushës dhe regjionit. Madje, Gani Geci në shkrimet e tij shkon edhe më tutje duke e akuzuar rëndë Rexhep Selimin që, sipas tij, paska pasur detyrë t'i përçajë luftëtarët e lirisë. Gani Geci rrëfen se Rexhep Selimi paska dhënë urdhra të vritet Princi i poezisë shqiptare Gani Xhafolli dhe doajeni i letërsisë shqipe Ramiz Kelmendi, pse ata e botonin një revistë dashurie në kohë lufte. Hiç më pak se Gani Geci, edhe Ramiz Lladrovci në shkrimet e tij ka hedhur akuza tepër të rënda ndaj Rexhep Selimit që, sipas Ramiz Lladrovcit, Rexhep Selimi në prani të Adem Jasharit paska dhënë urdhër të vritet Fehmi Lladrovci në kufi me të gjithë vullnetarët, të cilët po iu bashkëngjiteshin luftëtarëve të lirisë në Kosovë, ndërsa Adem Jashari e ka kundërshtuar duke iu kërcënuar Rexhës, siç e quajnë të afërmit. Rexhep Selimi ende nuk e ka parë të arsyeshme t'u përgjigjët asnjërit për këto akuza të rënda. Të jepet urdhër të vritet poeti Gani Xhafolli, të cilit Serbia e asaj kohe ia ndaloi dhjetëra emisione në TV Prishtina, nuk është akt kombëtar. Të jepet urdhër të vritet Ramiz Kelmendi me veprat e të cilit jemi edukuar në frymë kombëtare, nuk është veprim patriotik. Të jepet urdhër të vritet Fehmi Ladrovci, i cili ka shkëlqyer në luftërat kundër ushtarëve serbë në Kroaci dhe të cilin e kam njohur personalisht, nuk është mision kombëtar. Mirëpo, akuzat ndaj Rexhep Selimit mund të merren me rezervë, pasi janë akuza të paverifikuara e ndoshta tendencioze, mirëpo realiteti një ditë do të ndriçohet për secilin. Adem e Hamëz Jashari të mbyllur në kullë, pas dy ditë e dy net rezistencë mbetën pa armatim dhe natyrisht që vriten.

Adem Jashari nuk ishte vetëm

Jemi në momentin kur forcat serbe kishin ndërprerë lidhjet telefonike dhe kishin izoluar Llaushën dhe fshatrat e tjera, që në asnjë mënyrë askush nga bashkëluftëtarët të mos kishte mundësi t'i ndihmonin komandantit të tyre dhe familjes së tij. Pavarësisht këtij rrethimi të hekurt ekzistonin trima të cilët do ta rrezikonin jetën që komandantit t'i ndihmonin duke mos e lënë të vetmuar. Mirëpo, në Kosovë ende kemi analistë, gazetarë e shumë profesionistë e manipulatorë të tjerë, të cilët shkruajnë qëllimisht për ta njollosur luftën dhe bashkëluftëtarët e lirisë, se Adem Jashari ishte vetëm. Është shumë poshtërsi të injorohet vullneti i atyre luftëtarëve të cilët e rrezikuan jetën për t'i shkuar në ndihmë komandantit legjendar e aq më keq të injorohet trimëria e Miftar Rrecit, një trim sypatrembur, i cili u plagos nga forcat serbe duke luftuar dhe vdes nga pamundësia për t'ia ndalur gjakderdhjen e mbi kokën e të cilit i qëndronte bashkëshortja e tij, vëllai i tij dhe Haxhi Geci, që i qëndruan pranë deri në frymën e fundit. Duke u bazuar në "Ditari i luftës" nga Dibran Fylli, ditën kritike në ndihmë Adem Jasharit i shkojnë: Sylejman Selimi, Mujë Krasniqi, Shaban Hasani,Shaban Desku, Musli Hoxha dhe Metë Imer Salihu, duke u pozicionuar në Lagjen e Hajzer Imerëve. Në anën tjetër, Gani Geci ja si i përshkruan "Në lufta pa maska", ato dy ditë e net luftimesh për t'i ndihmuar komandantit legjendar, pasi që përmes telefonit e lajmëron Adem Jasharin se forcat serbe po e rrethonin: " I tërë fshati kishte dalë në pozicione, siç i kishim të paraparë, te xhamia e fshatit Llaushë dhe te Malet e Deviçit, në pjesën tjetër, në anën e djathtë të fshatit. Me vete e kishim të vetmin pushko-mitraloz, 12.7, armën më të fortë, të vetmen që posedonte e tërë Drenica. Mirëpo, kishim vetëm 370 copa fishekë. Kishim edhe dy murtaja 500 dhe një 150, me nga katër predha, dymbëdhjetë predha komplet, po ashtu edhe 35 apo 36 kallashnikovë secili me nga 50 apo 60 fishekë, njëqind më së shumti". Dibran Fylli në shënimet e tij përshkruan situatën në detale duke i shënuar edhe emrat e të gjithë pjesëmarrësve në ato luftime, ndërsa Gani Geci nuk i shënon detajet dhe emrat e të gjithëve. Pavarësisht nga kjo, këto shënime janë thesar i çmuar, përmes të cilave zhduken thashethemet se Adem Jashari ishte i vetmuar. Këto shënime i zhdukin mjegullat e konfuzitetit dhe manipuluesit e ndryshëm se luftëtarët e lirisë nuk ishin të organizuar. Mirëpo, edhe pse kishte luftëtarë që i ndihmuan, shtrohet pyetja se ku shkuan disa të tjerë, të cilët me javë ishin afër familjes Jashari, por pushka e tyre nuk shkrepi? Pyetja tjetër është se pse luftëtarët që i shkuan në ndihmë Adem Jasharit, në Kosovën e pasluftës nuk vlerësohen si bashkëluftëtarë, por ata që ikën dhe nuk u shkrepën armët sot i gëzojnë të gjitha privilegjet duke i injoruar bashkëluftëtarët e vërtetë. Vrasja e tyre bëri bujë si në opinion tonë edhe në atë botëror. Ato ditë nuk u dëgjua zëri i asnjërit prej atyre që sot deklarohen bashkëluftëtarë të Adem Jasharit. Zëri i pushkës së tyre nuk dëgjohej. Ato ditë shokët e rrejshëm u fshehën, bashkëluftëtarët që tani krenohen se kishin qenë shokë të Adem Jasharit u zhdukën, sikur të mos kishin ekzistuar. Absurditet! E pabesueshme dhe e turpshme! Të gjithë të tjerët që ikën e tani na shiten bashkëluftëtarë janë rrenca dhe përfitues, të cilët që në fillim kanë pasur detyra të caktuara. Është traditë gjenetike e çdo luftëtarit të lirisë që kur t'i vritet shoku apo ndonjë i dashur, në shpirtin e tij shfaqet ndjenja e hakmarrjes për shokun e vrarë. Lexuesit me siguri e kanë parë filmin kur Akilit i vritet shoku në luftën e Trojës se si ai hakmerret. Raste të tilla kemi shumë në literaturën historike të luftërave të ndryshme ku ndjenja për hakmarrje është imediate. Mirëpo, kjo ndjenjë nuk u dallua te disa përfitues të luftës, të cilët sot janë shndërruar në milionerë. Kurrë asnjë gazetarit e as moderatorit të televizioneve në debate politike nuk guxojnë t'i pyesin këta bashkëluftëtarë se ç'bënin ato dy ditët kur Adem Jashari zhvillonte luftime dhe luftonte me vdekjen. Si kanë pasur rehati shpirtërore të qëndrojnë të heshtur e të mos ndërmarrin asnjë aksion kundër ndonjë stacioni policor, kundër ndonjë njësiti të policisë apo ushtrisë serbe? Gjer më sot kurrë nuk e kanë sqaruar se ku ishin dhe ç'bënin ato dy ditë kur shoku i tyre po e sfidonte vdekjen? Nëse Prekazi ka qenë i rrethuar, nuk ka qenë e rrethuar Klina, Gjakova, Prizreni, Prishtina etj. etj., ku shokët e tij është dashur t'i kundërpërgjigjeshin me armë forcave serbe. Ato dy ditë e dy net, kur Adem Jashari po luftonte i rrethuar në kullën e tij, këta bashkëluftëtarë që na shesin mend sot, është dashur t'i tregonin armikut se mund ta rrethoni një kullë, por jo krejt Kosovën. Nëse ishin bashkëluftëtarë, siç pretendojnë sot, a nuk paskan pasur mundësi ta rrethojnë dhe ta sulmojnë një stacion të vogël policor në Klinë, në Suharekë apo në ndonjë vend të vogël? Kanë pasur mundësi, por nuk kanë pasur guxim se jetën e kanë dashur më shumë se Kosovën. Këta mund të jenë luftëtarë, por kurrë bashkëluftëtarë të Adem Jasharit. Këta mund të jenë luftëtarë, por janë gënjeshtarë, rrenca dhe para së gjithash janë frikacakë. Këta janë trima vetëm kur janë të rrethuar nga të tjerët dhe janë trima kundër shqiptarëve e jo kundër armikut. Është lehtë të kushtëzohet, kidnapohet, të vritet e të rrihet fizikisht një gazetar, një intelektual shqiptar, por kur është dashur të tregohet trimëria nuk ishit në sheshin e mejdanit. Lehtë të thuhet e të deklarohet para medieve tona kur disa deklarojnë se ishin komandantë e në fakt në Hag e mohonin luftën dhe e mohonin UÇK-në. Luftëtari i lirisë kurrë nuk pendohet për atë që ka bërë, sepse është i bindur në fitoren definitive. Luftëtari i lirisë kurrë nuk pasurohet me djersën dhe gjakun e popullit, e disa e kanë konfirmuar se në luftë ishin për interesa të tjera e jo për çlirimin e atdheut. Këta ishin dhe janë zhvlerësuesit më të zëshëm kundër vlerave të luftës. Jemi gjallë ose jo, por dosjet do të hapën patjetër një ditë, dhe do të dihet kush ishte shqiponjë e kush ishte korb!

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda e Mujit dhe Halilit

Ese për Vitin e Ri