2017-08-13

Moikom Zeqo: Është fatkeqësi të jesh shkrimtar në Shqipëri

Moikom Zeqo: Është fatkeqësi të jesh shkrimtar në Shqipëri

Shkrimtari dhe arkeologu i njohur Moikom Zeqo i bën thirrje klasës politike të kthejë sytë nga arti e kultura.
I njohur si autor i qindra veprave letrare e studimore Moikom Zeqo vjen me librin e tij më të ri “Plagosja e kujtesës”. Mes një vargu të pafundmë të veprave, Moikom Zeqo, arkeolog i njohur, studiues, shkrimtar dhe poet vjen sfidues në terrenin e munguar të letërsisë së mirë shqipe.

Në një intervistë për Report TV me shkak librin e ri, shkrimtari flet për problemet e letërsisë shqipe dhe të arkeologjisë, ku kjo e fundit sipas tij është në kolaps. Edhe pse ka qenë ish deputet i Partisë Socialiste pas viteve ’90 dhe ish Ministër i Kulturës, Moikom Zeqo vitet e fundit është ndarë arbitrarisht nga politika, duke u marrë vetëm me krijimtari, ese, studime dhe pikturë.

Madje në këtë intervistë ai shprehet se në Shqipëri nuk ka klasë politike, por vetëm parapolitike. “Politikanët e egër, me mangësi kulturore dhe të korruptuar, po e dëmtojnë rëndë letërsinë dhe trashëgiminë tonë kulturore”, deklaron Moikom Zeqo. “Plagosja e kujtesës” Vëllimi i ri poetik “Plagosja e kujtesës” i Moikom Zeqos e merr këtë titull nga ndjesia që ka shkrimtari se shoqëria shqiptare ka marrë shumë plagë në kujtesën e saj.

“Moikom Zeqo është një mendje e fuqishme që mediton për mënyrën sesi historia njerëzore letrare politike dhe sociale ekziston njëherazi me vet vdekshmërinë tonë”. Këto janë fjalët që shkrimtari i njohur amerikan Kevin Prufer shkruan për Zeqon, duke shtuar më tej se “Unë shkatërroj veten pohon Zeqo në një moment “me përgjërim për historinë”, -por ky është një shkatërrim i bukur, i jashtëzakonshëm, transcendental dhe tronditës”, nënvizon Prufer. Mes një vargu të pafundmë të veprave, Moikom Zeqo, arkeolog i njohur, studiues, shkrimtar dhe poet vjen sfidues në terrenin e munguar të letërsisë së mirë shqipe. Vetë shkrimtari i njohur ka pasur shpresa se brezi i ri viteve ‘90 do të shpërthente me një letërsi të re, por nuk ndodhi kështu. “Kam qenë entuziastë shumë në vitet ‘92 dhe mendoja që këta mbas 5 vjetësh e 10 vjetësh do të bënin vepra të shquara.

Disa poetë që kishin një emër për t’u bërë dikush besoj që nuk arritën dot. As Mimoza Ahmeti nuk arriti, as Ervin Hatibi ose poetët më të rinj që kemi sot, që disa janë funksionalë, por nuk kanë libra të shquar, imitojnë librat e mëparshëm", shprehet Zeqo. Mungesën e zhvillimit të letërsisë shqipe dhe fabrikimin e shkrimtarëve pa vlerë, shkrimtari e konsideron si një pasojë të politikës.

"Kjo klasë politike e pangopur, e korruptuar, e pashpirt me një zhvlerësim të madh të vlerave të vërteta që mund të ketë një shoqëri. Duhet të duash Shqipërinë që mund të bësh diçka për kulturën. As ministrat e kulturës as kryeministrat dhe kur hiqen sikur kanë ndonjë lidhje më kulturën janë akoma më keq, janë akoma më zi sepse imponojnë shijet e tyre gjysmake që kanë për kulturën i bëjnë si gjeneralizuese për të gjithë", u shpreh shkrimtari.

Moikom Zeqo i bën një apel klasës politike për vëmendje ndaj dy vlerave të trashëgimisë, letërsisë dhe arkeologjisë. "Mendoj se ne nuk kemi klasë politike deri tani, kemi një klasë parapolitike. Në të gjitha arritjet këto 25 vjet po marr vetëm dy arritje. Arritja e parë është futja në NATO, arritja tjetër është ajo e vizës "Schengen" dhe janë arritje më shumë të stimuluara nga të huajt sesa të merituara nga ne vetë.

Nuk besoj se do bëjnë gjë kjo klasë politike ose parapolitike.Përsa i përket arkeologjisë unë mendoj që arkeologjia është në një kolaps. Së pari njëherë format organizative të punës dhe institutin arkeologjik ne e kemi të paralizuar", shprehet shkrimtari dhe arkeologu i njohur Moikom Zeqo.


No comments:

Post a Comment