6 KALLZIME 6 KALLZIMTARË 8 VJET BURG SHTESË PËR HAVZIZ NELËN NË SPAÇ



Image result for rexhep shahu

REXHEP SHAHU 


(sepse ka agjituar e propaganduar për minimin dhe dobësimin e pushtetit tonë popullor)


Havzi Nela i dënuar me 15 vjet burg, ndërsa vazhdonte të vuante dënimin në Spaç, ridënohet edhe me 8 vjet të tjera burg. Por kësaj radhe ridënimi u bë vetëm në bazë të spiunimeve të shokëve të burgut të cilët mbronin partinë dhe sistemin të cilin Havziu nuk e donte dhe axhitonte kundër tij për ta minuar e dobësuar.

Image result for Havzi Nela

Me elegancë, hetuesia e Mirditës dhe hetuesi i çeshtjës Shaban Dani, spiunat i quan kallzimtarë, term që do ta kishin zili edhe shkrimtarët e romacierët më të mirë.
Kallzimtarët, të cilët po i paraqes me shkurtesa të emrave, (në dosje janë me emra dhe identitete të plota), janë rrëfyes apo tregimtarë të mrekullueshëm. Ata e pikturojnë Havzi Nelën bash ashtu si e duam apo e mendojmë ne sot.
Ata e pohojnë vetë diferencën që kishin me të, e pohojnë vetë se e shihnin nga poshtë lart, e shihnin si lider dhe duke dashtë me e zvogëlue ata tregojnë padashje përmasat reale të disidencës natyrale e të kalcifikuar tashmë të Havzi Nelës.


Image result

Kallëzimtari i parë S. D nga Përmeti përpara hetuesit të Mirditës, Shaban Dani kallëzon:
“Unë jam këtu në kampin e Spaçit që nga viti 1968 e në vazhdim. Havzi Nela nga Rrethi i Kukësit ka ardhur shumë vonë nga kampi i Vlorës. Gjatë punës këtu në kampin e Spaçit jam njohur me Havziun dhe në përgjithësi kam pasur muhabet të mirë dhe nuk kam pasur ndonjë rast të jem ngatërruar sadopak me të. Unë kur isha në punë brigadier në zonën e dytë në brigadë kisha edhe Havziun. Mbaj mend se ka qenë muaji shtator 1974 një ditë pas dreke kur ishim në zonën e dytë Havzi Nela duke biseduar me mua më tha se Beqir Ballukun e kanë hequr nga të gjitha funksionet, bile jo vetëm atë, por edhe shumë ushtarakë të tjerë si Rahman Parllakun, Abdi Matin, dhe shumë të tjerë i kanë arrestuar se si ç’thuhet kanë dashur të bëjnë një grusht shteti, kurse disa të tjerë thonë se Beqir Balluku me disa gjeneralë janë arratisur e kanë vajtur në Bullgari se ai i kishte kthyer sytë nga perëndimi e nga Bashkimi Sovjetik për arsye se populli vuan ekonomikisht, se tani ky pushtet i ka ditët e numëruara. Duke më folur për këto ai më tha se tani Konferenca e Sigurimit Europian me vendimet e saj do t’i detyrojnë edhe këta t’i zbatojnë patjetër, bile për këtë unë bëra edhe debate me të e fola ashpër duke kundërshtuar, por ai nuk bindej duke thënë se këto gjëra i dinte mirë... Mbaj mend se ka qenë muaji tetor 1974, një ditë para dreke kur ishim në punë te plani i pjerrtë i zonës së dytë, pashë se i dënuari Petro Dako po bënte debate me Havzi Nelën dhe dëgjova Petron që i thoshte Havziut se ishte një fshatar i varfër, se ky pushtet i kishte dhënë dorën atij dhe e bëri njeri me shkollë, por ai së bashku me të kishin bërë faje kundër partisë e ishin dënuar e tani nuk u vinte mirë se këtu ka liri për njerëzit si asnjë vend në botë. Havziu ia kundërshtonte duke i thënë se liri për njerëzit ka në Amerikë, bile i tha, për shembull alamet presidenti bën betimin para kryetarit të gjykatës federale. Fjalën e kishte për presidentin që zëvendësoi Niksonin. Havziu tha se udhëheqësit tanë nuk bëjnë betime të tilla përpara popullit e llafe të tjera që unë nuk ja vura re shumë se ato vazhduan gati 2 orë me këto llafe sepse Havziu ngulte këmbë në të tijat dhe më në fund, unë ju fola e i thashë të largohej e të vazhdonte punën”.
Kallëzimtari i dytë N. U, nga Kukësi, para të njëjtin hetues, pohoi:
“Unë që nga viti 1969 jam duke vuajtur dënimin këtu në repartin 303 Spaç. Më vonë nga viti apo pak më vonë, këtu në kampin e Spaçit ka ardhur edhe i dënuari Havzi Nela të cilin e njihja vetë si fytyrë se ishte prej krahinës sime. Duke ndenjur këtu në kamp u njoha me Havzi Nelën si patriot dhe kemi shkuar mirë. Havziu këtu në kamp flet vazhdimisht kundër partisë e pushtetit popullor me të dënuarit, kështu ka folur edhe me mua. Ai më ka thënë se këtu në Shqipëri nuk ka liri e demokraci për njerëzit, se pushteti i dënon njerëzit kot pse dalin e shkojnë jashtë shtetit, kur në vendet e tjera të botës nuk i dënon kush për këtë gjëra. Ekonomia e vendit është shumë më e dobët se në vendet e tjera, se nëpër kooperativa njerëzit vuajnë se nuk marrin asgjë, etj. Kur ndodhën ngjarjet në Qipro, Havziu më ka thënë se propaganda që bën Shqipëria duke demaskuar Bashkimin Sovjetik si shtet revizionist nuk është e vërtetë se ato nuk janë siç thuhet në shtypin e radion tonë, por këtë e bëjnë nga frika se mos hyjnë sovjetikët në Qipro dhe nga andej në vendin tonë. Po kështu Havziu më tha se këto u trembën nga ato 600 burra që bënë revoltën këtu në Spaç që ishin edhe pa armë dhe mblodhën ushtrinë për të shuar atë e jo mos të kenë frikë nga të huajt, se këto e kanë keq edhe nga konferenca e Sigurimit Europina (KSBE sot OSBE – shënim) dhe kur të marrë fund ajo, edhe këto do të marrin fund së qeni, etj., që tani nuk i mbaj mend.
Unë Havziun e kam parë edhe në revoltë duke bërë thirrje për kundër pushtetit e partisë, por ky nuk u dënua me këtë rast.
Kallëzimtari i tretë P. D nga Përmeti, kallëzon para hetuesit:
“Unë mbaj mend se ka qenë fillimi i muajit tetor 1974, një ditë para dreke, kur ishim në punën e zonës së dytë të Minierës së Spaçit. I dënuari Havzi Nela, hapi fjalë se heqja e presidentit amerikan Nikson do të thotë se në Amerikë e në Perëndim ka liri e demokraci, ndërsa unë menjëherë e kundërshtova se nuk kam pasur qejf kurrë të hyj në biseda të tilla. Ai vazhdoi duke thënë pse duhet t’i bënte gjithë këto vjet në burgje. Mbaj mend se afër tij ishte Sotir Duka, etj, por nuk di në i dëgjuan ose jo këto fjalë.

Image result for Havzi Nela

Kallëzimtari i katërt Z. B nga Dibra, pohonte para hetuesit Shaban Dani:
“Mbaj mend se ka qenë data 15 nëntor 1974, rreth orës 18.00 kur ishim mbi taracën e banjave në kampin e Spaçit duke shëtitur me të dënuarin Havzi Nela, ra fjala te 30 vjetori i çlirimit dhe mbanim shpresë për ndonjë falje të ndonjë pjese të dënimit. Havziu më tha të mos kisha shpresë se unë nuk e dija që Beqir Balluku me shefin e marinës ishin arratisur në Amerikë. Ai vazhdoi më tha se tani udhëheqësit e tjerë të partisë e të shtetit këtu në Shqipëri, u ka ardhur litari në grykë se do t’i detyrojnë fuqitë e mëdha si Bashkimi Sovjetik dhe Amerika për ta lëshuar këtë vend. Ai më tha se këtu në Shqipëri nuk ka liri... Kam për të thënë se kur ndodhi revolta e Spaçit, unë jam ndodhur këtu brenda dhe e kam parë Havziun se ky ishte nga më aktivistët aty duke hedhur parulla kundër pushtetit e partisë, ka marrë pjesë në mbledhjen krahinore të dënuarve nga Rrethi Kukës që u bë gjatë revoltës.
Kallëzimtari i pestë A. P nga Kruja kallëzonte para hetuesit Dani:
“Unë këtu në kamp për periudhën 1972 – 1973 kam punuar brigadier me të dënuarit në planet e pjerrëta. Kam pasur në brigadë të dënuarin Havzi Nela. Ai më flste vazhdimisht hapur kundër partisë e pushtetit popullor. Ai ka propaganduar që të dënuarit mos punonin për të realizuar planin...
Aty nga mesi i janarit 1975, Havziut i erdhën në takim i vëllai dhe nusja e vëllait dhe mbasi u kthye nga takimi më tha se këlyshët e Enver Hoxhës ia kishin ndërprerë takimin. Kjo sepse kur ka pyetur i vëllai Havziu i ka thënë se punë e dajak kishin plot...
Kallëzimtari i gjashtë N. B, nga Tirana ndër të tjera kallëzon:
“...Gjatë viteve 1973 – 1974 në periudha të ndryshme këtu në kamp dhe në punë, ndër bisedat që kam pasur me Havzi Nelën, ai më ka thënë se këtu tek ne partia, nuk ka fonde për të financuar ndërtimin e veprave të ndryshme dhe i ndërton me punë vullnetare e me aksione pse s’ka të holla për të paguar punëtorët dhe ata që shkojnë në aksione nuk shkojnë nga vullneti i mirë... Këta që flasin nëpër gazeta për burgjet e Spanjës janë bërë më të tmerrshëm nga Hitleri e Franko. Ai tha se po të flasësh dy fjalë dënohesh me 10 vjet privim lirie e punë të rëndë. Kampet e riedukimit janë në të vërtetë kampet e shfarosjes graduale të njeriut. Gjithashtu Havziu më ka thënë se në Perëndim ka liri e demokraci, se muzika, arti, kultura dhe standardi i jetës kanë arritur kulmin pasi ke ç’të shijosh... Havziu ka agjituar para të dënuarve.
Më 8 gusht 1975 Havzi Nela dënohet me 8 vjet heqje lirie. Ai ka pranuar pa më të voglin dyshim atë që ndiente për këtë regjim, i bindur në atë që thoshte.

Image result for Havzi Nela

AKTAKUZË KUNDËR TË PANDEHURIT: HAVZI SHABAN NELA

Akuzohet se ka agjituar e propaganduar për minimin dhe dobësimin e pushtetit tonë popullor, krim ky që parashikohet nga neni 73/I i Kodit Penal.
Mbi materialin që disponohej, hetuesia e Organeve të P. Brendshme Mirditë me datën 30/V/1975 filloj çështjen penale në ngarkim të të pandehurit Havzi Shaban Nela dhe në të njëjtën kohë kreu arrestimin e tij për krimin e agjitacionit e të propagandës që ka zhvilluar në dëm të pushtetit popullor.
Nga hetimet e bëra për këtë çështje, ka rezultuar se:
I pandehuri Havzi Nela i dënuar për krim kundër shtetit me 15 vjet heqje lirie vuante dënimin në Repartin e riedukimit 303 Spaç. Megjithëse i dënuar për një krim shumë të rëndë dhe të nxirrte mësime e të jepte prova rehabilitimi, i pandehuri Havzi Nela si element armik e thellon më tej veprimtarinë e tij armiqësore në formën e agjitacionit e të propagandës për kundër pushtetit popullor duke agjituar e propaganduar tek disa të dënuar në Repartin e riedukimit Spaç siç janë: P. D, S. D, A. P, Z. B, etj.
Related image


Në këtë mënyrë, i pandehuri Havzi Nela në forma e metoda të ndryshme që nga ardhja e tij në kampin e Spaçit më 1970 e në vazhdim kur është arrestuar, ka agjituar e propaganduar ndër të dënuarit duke iu kundërvënë pushtetit popullor për të helmuar ndërgjegjen e të tjerëve. Në këtë mënyrë, ka propaganduar duke thënë se standardi i jetesës së popujve të shteteve të tjera të perëndimit e të lindjes si në Amerikë, Gjermani, Francë e në vendet e tjera sipas tij “lulëzon” liria e demokracia, se njerëzit atje janë të lirë të flasin e të shkruajnë për atë që mendojnë edhe kundër sistemit, të bëjnë greva politike, ekonomike e kërkesa të ndryshme dhe askush nuk i dënon, ndërsa këtu në vendin tonë, sipas të pandehurit, nuk paska liri e demokraci për popullin, se për të pasur liri, njerëzit duhet të jenë të lirë që të flasin e të shkruajnë çfarë mendojnë edhe kundër sistemit në fuqi, të shkojnë e të shëtisin në shtetet e tjera kur të duan e ku të duan pa ndonjë kufizim. Se dënimet që jepen për arratisje sipas këtij, janë të padrejta, por se ato bëhen vetëm e vetëm për të mbajtur të shtypur popullin e tij.
Duke folur për konferencën e Sigurimit Europian, ju ka thënë se kjo është në dobitë e të gjithë popujve, se do të sigurojë popujt nga luftërat, do të sjellë zhvillim të madh kultural, shkencor, ekonomik etj dhe pavarësisht se Shqipëria nuk merr pjesë në këtë konferencë, përfundimisht kjo do të detyrohet nga fuqitë e mëdha për t’ju nënshtruar vendimeve të saj dhe si përfundim, diktatura e proletariatit në fuqi do të marrë fund, etj.

Image result for Havzi Nela
I pandehuri Havzi Nela duke u biseduar për tradhtinë e Beqir Ballukut etj, të dënuarve S. D. etj, ndërmjet të tjerash u ka thënë se Beqir Balluku me disa të tjerë Gjeneralë ka folur në byronë politike disa mendime të kundërta me të tjerët duke thënë se Shqipëria nuk duhet të rrijë e veçuar “izoluar”, por duhet të bëjë kthesë e të ketë marrëdhënie me vendet e tjera të perëndimit e të lindjes etj… Se tani me tradhtinë e tij, ne të dënuarit dhe i gjithë populli do të kemi përfitime, se udhëheqësve të tjerë të shtetit u ka ardhur fundi, se u ka shkuar litari në grykë dhe pikërisht për këto ato kanë bërë pastrime të mëdha në ushtri duke hequr gjithë ato kuadro të vjetër që kanë studiuar në BS, sepse ata janë të papërshtatshëm me politikën e këtyre dhe do t’i zëvendësojnë me kuadro të reja etj. Në këtë mënyrë, i pandehuri ka mbajtur shpresë për përmbysjen e pushtetit popullor, forcën e vitalitetin e tij në luftë kundër armiqve të brendshëm e të jashtëm imperialisto-revizionist.
I pandehuri Havzi Nela edhe në kohën e revoltës që është bërë nga të dënuarit më 1973 në Spaç kundër pushtetit është bashkuar me elementë kundër revolucionarë dhe ka marrë pjesë në mbledhjen ndërkrahinore etj.
Krimi i agjitacionit e propagandës në dëm të pushtetit popullor nga i pandehuri Havzi Nela është provuar plotësisht si me pohimet e tij të bëra në hetuesi, me shpjegimet e dëshmitarëve, me ballafaqimet e bëra, si edhe me dokumentet e tjera shkencore që ndodhen në dosjen hetimore në ngarkim të tij.

Related image

Në mbështetje të hetimeve në këtë dosje rezulton: i pandehuri Havzi Shaban Nela, i biri i Shabanit dhe i Xhevahires, i datëlindjes 1934, lindur e banues familjarisht në Kollovoz të rrethit Kukës, me arsim të lartë, me profesion arsimtar, me origjinë shoqërore fshatare, i varfër, i martuar, me kombësi e shtetësi shqiptarë, i cili akuzohet: Se ka agjituar e propaganduar për minimin e dobësimin e pushtetit tonë popullor, krim ky që parashikohet nga neni 73/I-rë i K. P.
Duke i konsideruar hetimet e plota për këtë çështje, në bazë të rregullave procedurale, akt-akuza së bashku me dosjen penale i dërgohet prokurorisë së rrethit për ta kaluar në gjyq.
Kjo aktakuzë u përpilua në qytetin e Rrëshenit, me datën 16 korrik 1975.

Comments

Popular posts from this blog

AKADEMIK PROF. DR HAKIFBAJRAMI PH.D : GRUSHTSHTETI IDYTËNDAJKOSOVËS( PAS 23 MARSIT 1989) MË 25 MARS 2020

Legjenda e Mujit dhe Halilit