2018-04-19

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj: Ultimatumi i serbëve për Asociacionin nuk vlen më


Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha sot se ultimatumi i Listës Serbe për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe është jovalid për shkak të nismës së institucioneve të Kosovës për hartimin e Statutit të këtij organi që mbledh komunat me shumicë serbe, në bazë të marrëveshjes së nënshkruar në vitin 2013 në Bruksel.

“Ka ndyshu gjendja, Kosova është në rrugën e hartimit të Statutit të Asociacionit. Ultimatumi bie poshtë”, tha Haradinaj të enjten në një konferencë për shtyp pas mbledhjes së qeverisë.

Institucionet e Kosovës kanë themeluar një grup punues i cili do të merret me hartimin e Statutit të Asociacionit ndërsa dje në Beograd, Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka paralajmëruar se Serbia do ta presë këtë ekip që ta kryejë punën e vet brenda afatit prej 3 muaj e gjysmë.

Nga ana tjetër, sot në Zveçan përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës do të mbajnë një takim me anëtarët e ekipit drejtues për themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe.

Sipas një njoftimi për media, takimi do të mbahet nesër në ora 13:00 në sallën e Kuvendit të Zveçanit.

Në këtë takim pritet të vijë edhe një zyrtar i lartë i Qeverisë së Serbisë.

Bëhet fjalë për ndihmës-drejtorin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.

Për pjesëmarrjen e Petkoviqit ka njoftuar Zyra për Kosovën në Qeverinë serbe.

No comments:

Post a Comment