2018-04-25

Kujtim Mateli: Dodona pellazgjike





Dodona pellazgjike dhe argumentat e Prof. Muzafer Korkutit në lidhje me vendndodhjen e saj*.

Nga Kujtim Mateli

Më 21 janar të këtij viti promovova, në mjediset e Ministrisë së Kulturës, librin tim studimor “Dodona ndodhet në Dëshnicë të Përmetit I” , ku merrte pjesë arkeologu i mirënjohur Neritan Ceka, poeti Bardhyl Londo si dhe studiues e dashamirës që kanë interesa për lashtësinë e popullit shqiptar dhe origjinën e tij.
Ndërmjet diskutimeve të pjesëmarrësve, u dhanë edhe këto vlerësime për librin:

Prof. NERITAN CEKA

“Per çdo temë në arkeologjinë dhe historinë e lashtë nuk ka një përfundim 100 perqind të sigurt. Nëqoftëse nuk jemi në fund të fundit dakord me vendin ku ndodhet Dodona, ne kemi një pasuri të madhe në gjuhën shqipe, një përmbledhje burimesh që me sa di unë, nuk ekziston as në gjuhët e tjera. Asnjeri nuk ka bërë një përpjekje për të mbledhur gjithçka, pothuajse gjithça që ekziston për Dodonën në një libër të vetëm dhe lexuesi të gjykojë mbi atë që nganjëherë, kur lexon një libër të tillë, është më pak e rëndësishme se ku ndodhet Dodona: në Tomor, në luginën e Dëshnicës apo pranë malit Oliçka në afërsi të Janinës. Jam i sigurt që do të ketë diskutime”.1)

Poeti Bardhyl Londo:

“Duke lexuar me vëmendje librin, unë jam i bindur përfundimisht se teza që parashtron Kujtimi nuk është më një hipotezë, por një e vërtetë historike e argumentuar. Është tepër e vështirë që guxime të tilla shkencore të pranohen menjëherë. Kjo është një përvojë që buron nga shumë zbulime që bëhen dhe janë bërë në botë. Në këtë kontekst do të ishte i mirëpritur çdo debat që mund të hapet mbi këtë temë. Dhe unë jam i bindur se libri i Kujtim Matelit do të zgjojë dhe hapë shumë debate si brenda ashtu edhe jashtë Shqipërisë. Jam i bindur gjithashtu që, si autori i librit edhe ne që mbështesim tezën e tij, do t’i mirëpresim me kënaqësi këto debate. Në fund të fundit, libër i mirë është ai që hap debate.
Studiuesi Mateli e bëri punën e tij për të cilën i jemi të gjithë mirënjohës. Tani i takon arkeologjisë dhe shkencave të tjera ndihmëse ta çojnë deri në fund këtë kontribut të ndjeshëm dhe pikant të Kujtim Matelit”. 2)

Pas promovimit të librit pati interes nga disa media të shkruara e televizive, ku u dhanë intervista e u shpalos vendndodhja e re e Dodonës në Dëshnicë të Përmetit.

Po në shtypin e shkruar ka patur komente ku mendimet kanë qenë të ndryshme. Midis këtyre njerëzve është edhe Nënkryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Prof. Muzafer Korkuti. Unë e falënderoj që është bërë pjesë e këtij debati qysh në muajin prill të këtij viti, ku mendimi i cilitdo ka vlerë, por në këtë rast është i veçantë, sepse Prof. Muzafer Korkuti përfaqëson institucionin shkencor më të lartë të vendit, siç është Akademia e Shkencave të Shqipërisë. Po këtë pjesëmarrje të tij, e mësova shumë vonë, në këto ditë të fundit të gushtit.

I

Muzafer Korkuti, Qeveria financon vepra diletante.

"Këto që dëgjojmë e shohim sot se do të ngrihet një monument tjetër i pavarësisë në Tiranë më duken si ato dilentantizmat e atyre që Dodonën antike 1500-vjeçare duan ta çojnë në Kalanë e Këlcyrës. Me këtë dua t'ju them se edhe ngritja e Monumentit të Pavarësisë në Tiranë është një dilentatizëm". 3)

Dodona si qendër e besimit të vjetër pagan përmendet në kohën e Luftës së Trojës nga Homeri, pra, shekulli XII para Krishtit. Nisur nga koha kur tempulli i Dodonës u kthye në kishë dhe qyteti i Dodonës ishte qendër peshkopale, aty nga fundi i shek. IV pas Krishtit, në këta 1500 vjet Dodona ka qenë qendra fetare më e rëndësishme e kohës.

Po a është tempulli në luginën e Carakovistës, Dodona e Karapanos, 1500-vjeçare?

Për këtë le t`u drejtohemi gërmimeve arkeologjike në luginën e Carakovistës, ku edhe pretendohet Dodona pellazgjike.

Gërmime epirote (Në Epir) prej Dhim. Evangjellis

Gërmimi i Dodonës i vitit 1935 faqe 213.

Dodona historike

" e denjë për t`u vënë re (vlen të vihet re) se nuk u gjet asnjë relike arkitekturale i mundshëm për t`iu atribuar kohëve arkaike. Ciladoqoftë katastrofa që mund të ketë pësuar ierorja (tempulli) dhe prej cilësdo lëndë të prishëshme që mund të kenë qenë ndërtuar godinat (ndërtesat), sidoqoftë, do të kishte mbetur ndonjë copë tjegull prej balte, vërtet e vogël, por provë e sigurt e ekzistencës së ndërtesave të njëkohëshme ( të kohës). Tjegullat e gjetura ( shih më poshtë) arrijnë ndoshta deri në fillim të shekullit të Pestë. Por ( nga ana tjetër) të pranojmë se nuk u ndërtuan fare ndërtesa gjatë kohës së lashtë, kjo është shumë e vështirë, sepse edhe sikur (edhe po ) të supozojmë se orakulli funksiononte nën qiellin e hapur ( në shesh të hapur) në pyllin e hirshëm, ku ishte lisi i shenjtë (krahaso Procesverbalet e shoqërisë Arkeologjike 1929 faqe 108-109), sidoqoftë, do të duhej një farë ndërtese për priftërinjtë dhe ruajtësit e dhuratave (dedikimeve) të çmuara, që i dedikonin (falnin) Zeusit pasanikët, të cilët shkonin për t`u falur, ose mbretër, bile dhe qytete të tëra ( ato që përmenden për shtëpinë e shenjtë dhe për statujën e perëndisë, u referohen probabilisht kohëve më të reja). Është edhe kjo çështje një nga problemet e shumta që shtron gërmimi i Dodonës” 4).

Me të drejtë thuhet për Dodonën 1500-vjeçare, po vendi i shenjtë pranë qytetit ku pretendohet Dodona,(sipas arkeologwve) nuk e kapërcen shekullit e V para Krishtit, që do të thotë se aty nuk ekziston Dodona. Z. Evangjelis, u ka vënë fre fantazive që e duan Dodonën në këtë luginë, duke rrëzuar kështu pretendimet e mëparshme, kryesisht Kostandin Karapanon. Po kanë qenë interesa të tjera, jashtë shkencore, ato që e mbajtën dhe vazhdojnë të mbajnë qytetin Fylake të luginës së Carakovistës, si qytetin e Dodonës.

Po nisur nga ajo që thotë Homeri se Dodonës në kohën e Luftës së Trojës i binin në gjunjë luftëtarët e kësaj beteje si: Akili, i cili i kërkonte ndihmë perëndisë në veprimet e tij luftarake; Odiseja, që duhej të këshillohej me orakullin e Dodonës apo Dionisi i Halikarnasit se Enea i Trojës, para se të hidhej në Itali vjen në Dodonë, na thonë se Dodona kishte nën ndikimin e saj një territor mjaft të gjerë. Para se Dodona të shtrihej në të gjithë këtë hapësirë, i janë dashur shekuj dhe mijëvjeçarë, kështu që koha e ndërtimit të saj e kapërcen mijëvjçarin e dytë para Krishtit.

Profesor Korkuti për ta bërë të pamundur lëvizjen e Monumentit të Pavarësisë nga Vlora në Tiranë heq një vijë paralele se kjo është aq e pamundur, sa është e pamundur edhe zhvendosja e Dodonës nga Janina për në kalanë e Këlcyrës. Dodonën në kalanë antike të Këlcyrës e vendos libri studimor me autor: Kujtim Mateli, “Dodona ndodhet në Dëshnicë të Përmetit I”, Tiranë 2011.
Po a mund të bëhet ky krahasim? Shpallja e Pavarësisë në Vlorë është një akt i njohur, me dokumenta e dëshmitarë që kanë qenë pjesëmarrës në Shpalljen e Pavarësisë. Nuk është mbushur ende një shekull nga Shpallja e Pavarësisë, ndërsa Dodona ka afërsisht 15 shekuj që doli nga skena e historisë aktive. Dëshminë e fundit e kemi nga Kostantin Porfyrogjeneti (shek. X pas Krishtit), por ky ka dëshmuar ngjarje të shekullit të V pas Krishtit. Ndaj për ta vendosur Dodonën në luginën e Carakovistës u deshën rreth 80 vjet,(duke marrë si kërkime fillestare ato të fillim viteve 1800) ku studiues, arkeologë e historianë pretenduan për Dodonën në disa vende të Epirit dhe të gjitha dolën pa rezultat. Po edhe Dodona e luginës së Carakovistës ka qenë e vazhdon të jetë e kundërshtuar, që do të thotë se për të diskutohet e kërkohet edhe sot. Fakti që Dodonën në luginën e Carakovistës e ka projektuar Ismail Qemali, nuk ka asnjë bazë shkencore që të kundërshtohet vendndodhja reale e Dodonës që është Dëshnica e Përmetit.

II
Muzafer Korkuti, Qeveria financon vepra diletante

“Siç përmenda më sipër rastin e tempullit të Dodonës, që disa thonë se është në mal të Tomorit apo në Këlcyrë. Jo. Dodona është atje ku thotë se e ka parë me sytë e tij Ismail Qemali, që është shënuar në albumin e Kristo Frashërit”. 5)

Po a e ka zbuluar vërtet Dodonën e Carakovistës, Ismail Qemali? Për këtë le të shohim se çfarë thonë autorët që janë marrë me Dodonën.

Wiliam Martin Leake, (konsull i Anglisë pranë Ali Pashës në Janinë, në vitet 1805-1812) vepra e tij “Travels of northern Greece”, u botua në Londër në vitin 1835. Wiliam Martin Leake mendonte se Dodona gjendej në luginën e Carakovistës, pranë fshatit Dramishjues.

“Leake nuk pranon me plotë të drejtë mendimin e Pouqevilit, që faltorja ngrihej mbi kodrën e Gardhiqit që është dy orë në veri të Janinës dhe ku ka edhe sot mure të bukur ciklopikë. Por në këtë rast autorit i bien ndërmend gërmadhat e bukura të Dramishjues që gjenden afër katër orë në jugperëndim të Kastricës, të cilat të para nga veriu duken si një piramidë e përmbysur (Tomaros) në rrëzë të malësisë madhështore të Oliçkës që e kufizon me krahinën e Sulit (Selloi)”6).
Encyclopedia Britannica, fourteenth edition, vol. 7.

“ Dodona e Epirit është më e vjetra dhe më e adhuruara e të gjitha faltoreve helene. Rrënojat e saj janë në Dramisos, pranë Carakovistës….

“Rrënojat e një teatri, muret e qytetit dhe ndërtesa të tjera ishin identifikuar nga Wëdzwërth qysh më 1835 dhe u zbuluan nga Karapano pas vitit 1875”. 7)
Shohim që Wiliam Martin Leake dhe Wëdzwërth, në vitin 1835, kanë deklaruar se Dodona mund të jetë në luginën e Carakovistës. Enciclopedia Britanike njeh Wëdzwërth. Pra është autori i një zbulimi ai që e ka deklaruar më parë dhe Enciklopedia Britake njeh Wëdzwërth. Ndaj më duket i pa vend dhe deklarim i papërgjegjshëm që t`i atribohet Ismail Qemalit zbulimi i Dodonës, edhe sikur Dodona të ekzistonte realisht atje.

****
Ismail Qemali në “Kujtime” kishte shkuar për një vizitë tek pronat e një miku të tij në fshatin Melingus, fshat që është rrëzë malit Oliçka, rrëzë të cilit janë këto fshatra: Milingous, Alphochori,Tcharakovista, Dramechous dhe Plessa. Në këtë luginë ai kishte parë disa rrënoja për të cilat mendonte se ishin ato të Dodonës pellazgjike.

Kristo Frashëri, “Album, Ismail Qemali”, Tiranë 2012

“Dhjetë vjet më vonë, një mision shkencor francez, që kishte ardhur në Janinë deklaroi se çdo kërkim për faltoren e Dodonës në këtë rajon, ishte i kotë. Unë atëhere ndodhesha në Vlorë, me një shokun tim të fëmijërisë, Kostandin Karapanon, të cilit i besova përshtypjet e mia lidhur me rrënojat e Melingosit. Karapano që ishte plot inisiativë, filloi pak kohë më vonë gërmimet dhe zbuloi faltoren dhe një sasi thesarësh arkeologjik të një vlere të jashtëzakonshme”8).

Nga ato, që vetë ka shkruar Ismail Qemali, lind pyetja: pse ekspedita arkeologjike franceze deklaroi se në këto vende nuk ndodhet Dodona? Po që të vendosje për vendndodhjen e Dodonës, duhet të plotësoheshin kushtet për të cilat dëshmonin autorët e vjetër: orakulli ndodhej ndanë një lumi, ndërsa në luginën e Carakovistës nuk ekziston lumi. Qyteti dhe tempulli ndodheshin në shpat të malit, në luginën e Carakovistës jo vetëm që nuk janë as në rrëzë të malit, por ndodhen në krahun e kundërt të luginës, në kodrat e Kozmirasë. Ndaj dhe ekspedita franceze deklaroi se Dodona nuk gjendet në këto vende rrotull Janinës.

****

Po nëse Ismail Qemali e nxiti Karapanon për të bërë këtë zbulim, a ishte vërtet Karapanua një njeri që nisej nga qëllime shkencore dhe cilat ishin veprimet e tij pasi deklaroi se Dodona ndodhet në Carakovistë? Qëllimet e Karapanos na i jep të qarta Prof. Pëllumb Xhufi në dy librat e tij: “Dilemat e Arbërit”, Tiranë 2006, fq. 427-434 dhe “Ikje nga Bizanti”, Tiranë 2009, fq. 203-209.
E citojmë dhe krijojmë një ide të plotë se cili ishte Kostantin Karapano.

Pëllumb Xhufi, Ikje nga Bizanti.
“ Gjatë një qëndrimi disa vjeçar në Paris, tregtari nga Arta, në fakt agjent i Ministrisë së jashtme greke, njohu lordin Waddington dhe Leon Gambetta, dy personalitete politike, që aty e ndonjë vit më vonë do të drejtojnë fijet e politikës franceze” 9)

Pëllumb Xhufi, Ikje nga Bizanti.

“ Në vitin 1877, në prag të kongresit të Berlinit, Karapanosi i paraqiti rezultatet e gërmimeve të tij dilentanteske përpara Akademisë Franceze, anëtarë të së cilës, vetëkuptohet, ishin Waddington e Gambetta. Në fakt, qëllimi i ekspozesë së “arkeologut-sharlatan”, siç do ta quante atë Zëvëndës Konsulli frances Moreau, nuk ishte të njihte të pranishmit me rezultatet e dyshimta shkencore të “gërmimeve” të tij, por t`i sugjestiononte ata, veçanërisht politikanët filo-helenë Gambetta e Waddington , mbi “karakterin e stërlashtë grek” të Epirit. Nuk mund të themi që Karapanosi nuk ia arriti këtij qëllimi, aq më shumë kur ai u shpërndau me bujari filohelenëve Waddington e Gambetta antika të shumta nga Dodona, me të cilat pasuruan koleksionet e tyre. Fakti është se qoftë Waddingtoni, kryeministër dhe ministër i jashtëm i Francës gjatë Kongresit të Berlinit, e qoftë Gambetta, Kryetar i Asamblesë së deputetëve, u bënë mbrojtësit më të zjarrtë të pretendimeve greke në këtë forum të lartë europian”. 10)

Pëllumb Xhufi, Ikje nga Bizanti.

“ Argumentet me të cilat Waddington mbrojti pretendimet greke përpara përfaqësuesve të Fuqive të Mëdha, ishin kryekëput ato që i kishte ofruar Karapanosi. Përveç dëshmive “arkeologjike” mbi “helenizimin” e pretenduar të Epirit, ky i kishte dorëzuar bamirësit francez një të ashtuquajtur “raport mbi shqiptarët” ku tregonte se këta qenë një popull i përzier, gjysmë sllav e gjysmë grek, pa një ndërgjegje kombëtare, pra që nuk llogaritej në transaksione ndërkombëtare, si ato të Kongresit të Berlinit”. 11)

III
17Muzafer Korkuti, Qeveria financon vepra diletante

"Dodona është në rrënojat e Melemingosë që më vonë u provua se ishte faltorja e famshme e Dodonës". Këto janë thënie të Ismail Qemalit. Gërmimet që bëri arkeologu Karapanos dhe studiues të tjerë më vonë provuan katërcipërisht se Dodona gjendet rreth 25 km në jugperëndim të Janinës. E përmenda këtë fakt historik, këtë të vërtetë, sepse sot në shekullin e 21-të në Tiranë botohen libra dhe shkruhen artikuj në shtypin e përditshëm se Dodona pellazgjike qenka në malin e Tomorit, një tjetër në Ulqin dhe nja një muaj më parë e kanë lëvizur dhe e kanë çuar në Këlcyrë të Përmetit”. 12)

Për Dodonën në Ulqin nuk kam dijeni, por derisa e thotë këtë gjë Profesori, duhet të jetë dikush që do ta ketë thënë. Kjo vjen nga njohuritë e pakta që kanë njerëzit për Dodonën. Ja se çfarë thotë një studiues që ka shkruar e flet për Dodonën.

Lirim Muhaj, Sa dodona ka Pellazgjia?

“Si përfundim dhe përgjigje të titullit mund të pohojmë se Pellazgjia pagane kishte shumë Dodona por, nisur nga Homeri, më e vjetra mund të merret Dodona e Tomorit të Beratit”. 13) . Ky autor mendon se Dodona ka patur kudo, sepse siç e arsyeton dhe në atë studim, me emër Dodonë emërtohej tempulli pagan dhe se tempuj ka patur kudo, aq sa ka patur dhe qendra të banuara që kishin një tempull. Ky konceptim për Dodonën mund të të çojë edhe në Ulqin, kudo ku ka patur troje shqiptare.
Dodonën në Tomorin e Beratit e kemi që herët. Jani Vreto mendonte se Dodona e vjetër ishte në Tomorin e Beratit, por nuk kundërshtonte as Dodonën në luginën Carakovistës. Kështu mendonte edhe Medi Frashëri. Ekzistencën e dy Dodonave e pranojnë edhe studiues të tjerë në ditët e sotme dhe që duhet të pohojmë se janë të shumtë.

Në kundërshtim me teorinë e dy Dodonave, Sami Frashëri mendonte se ka patur vetëm një Dodonë dhe ajo ndodhet në malin e Tomorit të Beratit. Po kështu edhe Perikli Ikonomi, i cili e kundërshton Dodonën në luginën e Carakovistës dhe e vendos atë në malin e Tomorit.

Të dy grupet që e vendosin Dodonën në malin e Tomorit, nuk e japin vendndodhjen e saj. Ata që pasojnë sot këto dy grupime, nuk pretendojnë një vendndodhje në malin e Tomorit. Shumë prej tyre e konceptojnë Dodonën si tempull dhe e vendosin atë në majën më të lartë të Tomorit.

Po duke parë këtë interes të lartë të opinionit publik, cfarë kanë bërë institucionet tona shkencore për t`i qartësuar këta individë që me të drejtë kërkojnë të dinë më shumë për Dodonën, për historinë e të parëve tanë. Vetë Profesor Muzafer Korkuti, nuk ka shkruar qoftë edhe një rresht të vetëm për Dodonën deri në datën 18 prill 2012. Po njerëzit kanë mbi 100 vjet që flasin për Dodonën në malin e Tomorit, ndërsa Profesor Muzafer Korkuti i ka kaluar të 75 vjetët dhe nuk është shqetësuar për këto grupime njerëzish. Nuk është shqetësuar, sepse e di që Dodona nuk ndodhet në malin e Tomorit dhe gjërat që nuk janë reale, nuk kanë pse të jenë shqetësime për njerëzit e shkencës që mbrojnë një teori të caktuar, si ajo e vendosjes së shqiptarëve në këto troje në shek XI-X para Krishtit, tezë që mbrohet nga akademikët tanë. Porsa Dodona shkoi në vendndodhjen e saj të vërtetë, në Dëshnicë të Përmetit, e prishi qetësinë dhe filloi të shqetësohet, sepse i vendos shqiptarët në këto troje shumë kohë më parë se të ndërtohej Dodona, duke rrëzuar këtu edhe teorinë e akademikëve tanë për ardhjen e vonë të shqiptarëve në Ballkan.

Unë nuk bindem se Ju, Profesor Muzafer Korkuti, sado njohuri minimale të keni për Dodonën, të mos arrini të kuptoni (pas botimit të librit tim “Dodona ndodhet në Dëshnicë të Përmetit I”, Tiranë 2011.), se Dodona nuk është në Janinë, por në luginën e Dëshnicës ku gjendet orakulli, qyteti dhe tempulli i Dodonës pellazgjike.

IV
17Muzafer Korkuti, Qeveria financon vepra diletante.

“Unë thashë që çdo ngjarje dhe çdo monument ka domethënien e vet, ka kohën e vetë. Diletantizëm është që të lëvizësh një monument që i takon një fakti historik të njohur dhe ta çosh në një vend tjetër.

Është me të vërtetë diletantizëm se shtrembërohet historia. Unë ju thashë një shembull që nuk mund të lëvizë tempulli i Dodonës pellazgjike. Është atje. Tek popullsia që ishte, s'ka rëndësi kujt i takon në pikëpamje etnike. 14)

Kemi arritur në një tjetër çështje të rëndësishme. Kujt i ka përkitur Dodona? Për Prof. Muzafer Korkutin ka rëndësi vetëm vendi. Kjo rëndësi e vendit konsiston në atë që ajo duhet të jetë atje në Janinë, atje ku kishte parë rrënojat Ismail Qemali. Për Prof. Muzafer Korkutin ka rëndësi që zbuluesi i Dodonës të jetë Ismail Qemali, të tjerat nuk kanë rëndësi.
Po pse kjo mungesë interesimi për etninë? A thua, ne shqiptarët jemi të përjashtuar që të kemi qënë ne themeleluesit e Dodonës pellazgjike? Në Ballkan dy janë popujt që kanë jetuar në kohën kur ekzitonte Dodona. Shqiptarët dhe grekët. Për grekët kemi këto njohuri: a)Nuk janë pasardhës të pellazgëve, sepse e dëshmojnë të gjithë autorët e antikitetit.

b)Gjatë gjithë periudhës historike deri në fillim të shekullit të kaluar Epiri është banuar nga shqiptarët, duke u emërtuar në kohën e perandorisë osmane si Shqipëria e Poshtme. Grekët në këtë pjesë të Epirit janë mbizotërues vetëm gjatë një shekulli,(Shekulli kaluar deri në ditët e sotme) histori që e ka të qartë cilido. Derisa faltorja e Dodonës nuk është vepër e helenëve, mbetet të jetë e shqiptarëve.

Po në kushtet kur studim për Dodonën (si i vetmi studim shqiptar) merret ai i Perikli Ikonomit, i vitit 1934, kuptohet pse grekët e pretendojnë si të tyren dhe po kështu si helene e njohin dhe të tjerët.

Po si e trajton Dodonën Akademia e Shkencave të Shqipërisë?

Për këtë le t`u referohemi dokumenteve bazë të kësaj Akademie siç është “Fjalori enciklopedik shqiptar” Tiranë 2008.

“Dodona. Qytet dhe qendër e rëndësishme kulti në Epirin antik, 18 km. në JP. të Janinës. Rrënojat janë rrëzë malit Tomaros. Dodona cilësohet herë si tesprote ( shih Tesprotët) herë si molose (shih: Molosët) për shkak të ndryshimit të kufijve të këtyre fiseve, si rrjedhim i kalimit të epërsisë në bashkësinë e fiseve epirote nga Tesprotët te Molosët”15). Kaq thuhet për Dodonën. Po ku është marrë burimi i informacionit ?

Kostantin Karapano, Dodonë e ses ruines.

Lugina e Dodonës, sot lugina e Carakovistës, ndodhet 18 km në jugperëndin të Janinës, pothuajse në mes të Epirit.16)

Kostantin Karapano, Dodonë e ses ruines.

“Sipas dëshmive të shumta të autorëve të vjetër, origjina e Dodonës ka qenë thesprote. Uliksi ishte mik i heroit Fidon (Phidon), mbret i Thesprotisë që kishte shkuar në Dodonë për t`u konsultuar me Orakullin dhe Kreon (Creon) e përshkruan Dodonën si tokë të Thesprotisë. Më vonë, në një periudhë të panjohur, molosët e aneksuan në zotërimet e tyre Dodonën, megjithatë, tempulli i Zeusit, nganjëherë përmendej me emrin e thesprotëve”17). Ato që na thotë Akademia e Shkencave të Shqipërisë, janë identike me ato që na thotë Kostandin Karapano. Po për Dodonën kanë folur dhjetra autorë. Si është e mundur të mbështetesh vetëm te Karapanua? Të shkruash për Dodonën vetëm duke u mbështetur tek një autor, kjo nuk mund të konsiderohet vepër enciklopedike. Aq më pak të mbajë përsipër Akademia e Shkencave të Shqipërisë. Po e keqja është se Karapanua i ka deformuar faktet në interes të tij dhe në këtë grackë ka rënë edhe Akademia e Shkencave të Shqipërisë.

****

Thuhet se kalimi i Dodonës u bë nga thesprotët te molosët. Po historia na thotë se Dodona para se të kalonte te molosët u përkiste kaonëve.
Në kohët të hershme Dodona ishte e barabartë me vetë Epirin. Pausania na thotë se Amantia dhe qyteti i saj Throni, pranë maleve Keraune, i përkisnin Thesprotisë.18)

Pra Thesprotia në kohë të vjetra arrinte deri në rrjedhën e poshtme të Aosit.

Stefan Bizantini na thotë se parauejt, ishin fis thesprot, që do të thotë se në veri-lindje Thesprotia arrinte deri në luginën e Përmetit. Dëshmitë e autorëve të vjetër se Dodona ndodhet në veri të Thesprotisë, do të thotë se Dodona ndodhet në veri të kësaj vije që përkufizuam dhe që u përket kohëve para historike. Epiri=Thesprotia.
Dionis Halikarnaseu (libri I, fq. 14, 19, 51; libri II, fq. 7 dhe libri V, fq. 22) thotë se qyteti i Dodonës banohej prej Haonëve (kaonëve), stërgjyshërvet të Lapathëve(Lapëve ose lebërve të sotëm) e se më vonë këtë qytet e mori në zotërim fisi i Molosëve 19).

Koha e kalimit nga thesprotët te kaonët është pas Luftës së Trojës. Pas Luftës së Trojës, sipas dëshmive historike, në veri të Epirit dolën nga etnia pellazge dy fise të fuqishëm: kaonët dhe molosët.

“ Straboni flet për një supermaci të kaonëve e molosëve në Epir, po nuk jep kohën se kur. “Kaonët dhe molosët,-thotë ai,- ishin popujt më të njohur epirotë, sepse e gjitha kishte qenë në zotërimin e njërit dhe herë e tjetrit dhe sepse ata kishin orakullin e lashtë e të famshëm të Dodonës”.

Kjo e dhënë e fundit mbi orakullin e Dodonës na mundëson të themi se bëhet fjalë për periudhën e fundit të shek. V para Krishtit, pasi sipas P. Cabane, “para fundit të shek. V Dodona i kalon Molosisë” 20).

Po pse është shmangur Dodona kaone?
Në rast se do të pranohej Dodona kaone, do të thoshte se kaonët shtriheshin deri në luginën e Carakovistës, në zemër të Molosisë. Po në perëndim dhe veriperëndim të luginës së Carakovistës në kohët historike shtriheshin thesprotët. Kështu dy fise nuk mund të shtriheshin në të njënjtin territor.
Po Skylaksi dhe Pindari na thonë se Atintanët, banorët e krahut të djathtë të lumit Aos, (pra territori ku banojnë sot tepelenasit e krahut të djathtë të lumit të Vjosës),kufizoheshin me Dodonën. Edhe këto dëshmi janë shmangur nga Kostandin Karapano, sepse Dodona nuk mund të kufizohej njëkohësisht edhe me thesprotët, edhe me kaonët, edhe me atintanët.
Këto kufizime territoriale e nxjerrin Dodonën në veri të Epirit, atje ku kufizoheshin me luginën e Dëshnicës së sotme (Dodonës). Në kohët historike edhe kaonët, edhe molosët, edhe atintanët ishin në kufijtë e njëri-tjetrit. 21)
*****
Po pse Akademia e Shkencave të Shqipërisë është mjaftuar me ato thënie të cunguara të Kostantin Karapanos, kur Akademia Britanike shkruan për Dodonën gati një faqe gazete? Nuk pretendoj që Akademia e Shkencave të Shqipërisë të zbulonte Dodonën në luginën e Dëshnicës. Nuk pretendoj që të shkruante ato që shkrun Akademia Britanike.
Po Akademia e Shkencave të Shqipërisë duhet të jepte një pasqyrë të plotë për Dodonën, sepse e di mirë që territori i Dodonës (qoftë edhe në luginën e Carakovistës) ka qenë territor i banuar nga shqiptarët. Ajo duhej t`ia fillonte që nga Homeri (shek. VIII para Krishtit) që e quan Dodonën pellazgjike,22)
Hesiodi (shek. VIII-VII para Krishtit) “Dodona dhe lisi ishin qendra e pellazgëve23) .
Herodoti (shek. V para Krishtit),Pellazgët kishin zakon t`u flijonin perëndive çdo gjë, sikurse e mësova në Dodonë 24).

Efori (shek. IV para Krishtit) Faltorja ka qenë ndërtim pellazgjik që në krye të herës 25).

Pseudo-Scymni, (shek. I para Krishtit) “aty është edhe Dodona,faltore e Zeusit, themeluar prej pellazgëve” dhe që na thotë se banorët rrotull Dodonës ishin barbarë të përzier,26) që do të thotë që nuk ishin helenë. Këta barbarë të përzier janë theprotët, kaonët dhe molosët që banonin në Dodonë, kur merrnin kujdestarinë e Dodonës dhe nuk e përzinin njëri-tjetrin se i përkisnin së njëtës etnie.
Të gjitha këto dëshmi provojnë se Dodona ka qenë e Pellazgjisë, duke iu kundërvënë direkt apo indirekt Akademisë Britanike që e quan Dodonën një faltore helene dhe Akademive të tjera që thonë të njënjtën gjë.
Le të pasqyroheshin te “Fjalori enciklopedik shqiptar” edhe ato çfarë thotë Karapanua dhe pasuesit e tij, por të paraqiteshin të gjithë autorët që e kanë kundërshtuar Dodonën në Juglindje të Janinës, duke filluar me Zoto Mollosin, Sami Frashërin e Perikli Ikonomin. Të dilnin në dukje thëniet e autorëve të vjetër që thonë se Dodona ndodhet në veri të Epirit, në tokën e Molosisë, duke i hapur shtegun gjithkujt për të kërkuar edhe vendndodhjen e vërtetë të Dodonës. Nuk do të kishim për Dodonën 204 faqe (aq sa është libri im studimor, “Dodona ndodhet në Dëshnicë të Përmetit I”, Tiranë 2011,) por do të kishim 4 faqe ku shqiptarët do të mësonin e do të dinin gjëra të sakta nga një institucion shkencor dhe të mos shkonin ta kërkonin Dodonën deri në Ulqin. Po reduktimi i Dodonës në 4 rreshta te “Fjalori enciklopedik shqiptar”, Tiranë 2008, e bën këtë vepër enciklopedike të cunguar duke merituar atë që thotë vetë Prof. Muzafer Korkuti: një vepër diletante. Po nëse ndonjë individ edhe mund të shkruaj një vepër diletante, kjo nuk i prish punë askujt, veçse individit që e ka financuar botimin (e që në këto raste financuesi është vetë autori)dhe të atij që e ka harxhuar kohën kot duke shkruar, por që mund t`i shërbejnë edhe si sprova për një vepër shkencore në të ardhmen. Po kur një vepër diletate, botohet nga një institucion shkencor siç është Akademia e Shkencave të Shqipërisë, puna qëndron ndryshe. Qoftë edhe për këtë zë të vetëm siç është Dodona, vepra kërkon të ribotohet dhe të tërhiqet botimi i vitit 2008. Po kush përgjigjet për ato miliona të hedhura kot? Po kryesorja është se kush përgjigjet për rrënimin që ka pësuar Akademia e Shkencave të Shqipërisë përpara opinionit publik: shqiptar dhe atij të huaj. Ajo kopjon si një nxënës i keq ato që thonë të tjerët. Nuk e kam fjalën vetëm për rastin konkret, atë të Dodonës, por edhe për historinë e shqiptarëve dhe origjinën e tyre tek libri:, “Historia e popullit shqiptar I”, Tiranë 2002 , që është botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Bibliografi:

1-Marrë sipas kronikës televizive që dha televizioni Klan, ABC News, datë 21 janar 2012

2-Bardhyl Londo, Gazeta “Dëshnica” shkurt 2012.
3-Muzafer Korkuti, Qeveria financon vepra diletante, gazeta “Shqiptarja.com”, datë 19 prill 2012.
4-Arkivi i Institutit të Historisë, Gërmime epirote (në Epir) prej Evangjellis,Dh, fq. 30-31

5-Muzafer Korkuti, Qeveria financon vepra diletante, gazeta “Shqiptarja.com”, datë 19 prill 2012.
6- J.G. Hahn, Studime shqiptare, Instituti i Dialogut dhe Komunikimit. Tiranë 2007, f. 45.

7-Encyclopedia Britannica, fourteenth edition, vol. 7, faqe 494.

8 Kristo Frashëri, “Album Ismail Qemali”, Tiranë 2012, fq 22
9- Pëllumb Xhufi, Ikje nga Bizanti, Tiranë 2012, fq. 205

10-Pëllumb Xhufi, Ikje nga Bizanti, Tiranë 2012, fq. 206

11-Pëllumb Xhufi, Ikje nga Bizanti, Tiranë 2012, fq. 207

12-Muzafer Korkuti, Qeveria financon vepra diletante, gazeta “Shqiptarja.com”, datë 19 prill 2012.

13-Lirim Muhaj Sa dodona ka Pellazgjia?, Gazeta “Republika” 1 gushr 2012

14-Muzafer Korkuti, Qeveria financon vepra diletante, gazeta “Shqiptarja.com”, datë 19 prill 2012.
15-Akademia e Shkencave të Shqipërisë, Fjalori enciklopedik shqiptar, Tiranë 2008, faqe 500.
16- Kostantin Karapano, Dodonë e ses ruines, Paris 1878, fq. 7.

17- Kostantin Karapano, Dodonë e ses ruines, Paris 1878, fq. 146.
18-Mirjan Ylli, Iliria dhe Epiri, Tiranë 2007, fq. 215.

19-Perikli Ikonomi, Tomorri dhe Dodona pellazge, Tiranë 2008, fq. 24.

20 Aleks Trushaj, Kaonia dhe kaonët në prehistori dhe antikitet , Vlorë 2007, fq.80.

21-Kujtim Mateli, “Dodona ndodhet në Dëshnicë të Përmetit I”, Tiranë 2011, fq 145-153
22- Homeri, Iliada, vargu 233-234.
23-Ilirët dhe Iliria te autorët antikë,Tiranë 2002, fq. 160.,
24- 4-Ilirët dhe Iliria te autorët antikë,Tiranë 2002, fq. 16.
25-Dhimitër Pilika,Pellazgët-origjina jonë e mohuar,Tiranë 2005, fq.154.

26- Ilirët dhe iliria te autorët antikë ,Tiranë 2002, fq. 73.

No comments:

Post a Comment